E enjte, 25.04.2024, 04:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Salihu: Agonia e shtirjeve të mëdha

E hene, 29.12.2014, 01:25 PM


AGONIA E SHTIRJEVE TË MËDHA KULTURORE

6.

Parodia e çasteve sentimentale vazhdon me kondicion të pa përballueshëm nëpër hapësirë dhe kohë. Shkaku dhe pasoja e ndodhive janë motivet kyçe që shpalojnë fenomene të shumta përreth nesh. E bukura dhe shëmtuara gjenden gjithnjë me shumicë në lëvizje, dhe ne në këtë lëvizje njerëzore në kohë krijojmë nevojën e duhur të perceptimeve të shumëllojshme. Keq e mirë frymon çdo gjë në jetë. Të mirën dhe të keqen e kemi strehuar këndshëm në ne. Në fokus të vështrimit të sotëm vlerësues shija e përjashtimit ngjall oreksin e imazhit të intrigës dhe dashurisë. Arti i ç’vendosjes krijon alibinë e mospranisë së të vërtetës në ngjarje. Gjërat ngandonjëherë përsëriten pa dëshirën tonë. Por ato lëvizin, nuk mbeten në vend. Ato shkojnë më tej pranisë sonë. Vetëm emocionet janë origjinale dhe mbeten të pranishme në kohë, si karakteristikë individuale, për t’u dalluar ne midis vetes, si portrete të ndryshme njerëzore që jemi krijuar. Në të shumtën e rasteve fotografia e imagjinatës së brishtë del e qartë në gjuhë klisheu. Kjo përsëritje e keqe shpalohet kuptueshëm tek ne me refrenin monoton të paditurisë së madhe kreative, dhe kjo tani mbarësohet lakmueshëm me shpërblime të avancuara në turmë, për ligjërim kakofonik monoton nëpër përditshmërinë e adaptuar në turbo-kulturë të imponuar shtrembët, e që tani nëpër këto suaza veprimi të kërkuar del e qartë. Mosnjohja e vlerave të vërteta na burgos dhe bindshëm na strehon në skajin vetmisë. Kjo më së miri qëndiset në kujtesë të vëmendshme, duke bartur pikëllim atmosfere gjenetike ane mbanë pranisë sonë. Substanca muzikale e citomanisë së huazuar shpërndanë jehonën e trishtueshme të afirmimit të keq nëpër fushën e gjerë të anarkisë artistike vepruese. Ajo, tanimë, me ritmin e saj monoton brumos ndikim toksik të rrezikshëm te të vetëdijesuarit e pranishëm, duke bërë përpjekje të gjatë durimi, kryesisht, për t’u shkëputur nga hija e rëndë e paditurisë së brumosur në sistem. Dukuritë e hidhura kanë rrugën e vet të strehimit. Ato zënë vend të përshtatshëm në kaosin e pranisë sonë. Aty brenda përplasen fshehtësitë e fundit të anatomisë së qytetëruar. Gugatja e zëshme shurdhon etapizimin e drejtë të kohës së fashitur në ndjenjë. Diletantizmi i sotëm, i ngarkuar me shtirje amorfe përhapet me përmasa të theksuara imponimi, në përgjithësi e gatuar nëpër laboratorët e errëta drastike, të masivizimit aksidental letrar nëpër tezga reminishencash të arnuara në sistem. Vjen për t’u çuditur sot se reaksionet e pakënaqësive individuale, për sistemin arsimor e kulturor të këtij niveli që gjendemi tani shoqëri, vijnë pikërisht nga ata individë, manipulues të kohës që e shfrytëzuan më shumë se gjithkush këtë anarki të pa moralët sistemi të brishtë demokratik. Po të ishte kuptuar demokracia pak më ndryshe, duke respektuar hierarkinë kulturore të vlerave të mirëfillta, gjendja shoqërore do të ishte shumë më ndryshe. Por ja që uzurpuesit përherë e kanë dorën e gjatë për të grabitur gjithçka që u vjen përpara. Ato janë kreatorët e së keqes infektuese. Po të ishte etika shoqërore në nivel, përhapja morale e individëve do shpalonte perspektiva njerëzore me kriter të duhur.  Ngritja kulturore do të kishte tjetër nivel. Sot kështu siç jemi me shumicë tregu të lirë në ambient të adaptuar, sa për sy e faqe, shpërndahen rrenat, ku shiten e blihen dije të improvizuara keq, pa një kënd vështrimi kritik e racional njerëzor, të koordinuar në ndërgjegje përgjegjësie. Në tregun e lirisë së fjalës së lëshuar pa kujtesë, derdhen gjithfarë mallrash të renditura ngatërrueshëm njëri pas tjetrit. Për disa muaj gradat e shkollimit të ngutshëm vihen në kornizë të artë manipulimi dhe sa hap e mbyll sytë fitohen gradat e autoritetit. Përmasa e saj helmuese ngushton dhe mashtron shpejtë perspektivën normale të rinisë sonë. Improvizimet burgosin dijen. Hapësira ngushtohet nga injoranca e preferuar. Rendi i ri keqkuptohet nga të pa informuarit.  Aroma e së keqes ndihet në çdo shteg e skutë. E shëmtuara mbyll dritaren e prosperitetit. Shumë sende marrin pamjen e zymtë. Vendi bëhet viktimë e stinës së acartë të manipulimit. Përhapet epidemi e rëndë midis nesh, imponohet mosbesimi i ndërsjellë, e që kërkon me çdo kusht, tanimë, dezinfektim të plotë nëpër të gjitha poret e jetës, që me shërim të shpejtë të dilet nga ky helmim i metastazuar i së keqes. Koha kërkon ajër e dritë ndriçimi nëpër këtë errësirë të rënduar morali. Kërkon vlerën të çlirohet nga ajo kokë e rënduar e jo vlerës së ngarkuar rëndë me mediokritet, ngase ndjellakeqja e anarkisë kulturore na përplaset vërdallë e pa kujtuar nëpër situatën e rënduar të art bërjes vërshuese. Driblon gjatë midis nesh e shëmtuara shumë ngjyrshme e rrenave. Ajo adaptohet bindshëm në këtë teren kreativ të përshtatshëm, dhe me zhdërvjelltësinë teknike të saj, të improvizimit përfitues ngrenë efektin muskulor akrobatik të pispillosjes së manipulimit kolorit të kohës. Mbanë peng nëpër turmë kondicionin e kulturës së fshehtësisë së rrejshme në vete. Të tillët madje që janë stërvitur me sher nga klanet vërshuese për të bërë keq në masë, mbrohen aksidentalisht dhe shpërblehen nëpër konkurse vlerash të improvizuara sa për sy e faqe. Veprimet e tilla janë të porositur enkas pa çmim nga lartësia e anomalive të mjegulluara artistike të interesit. Me intriga të kurdisura individuale zgjatin sot jetën e tyre, kurse nën çati kulturore bëhej klloçitje e madhe ëndrrash karrieriste intelektuale, të pëllumbave, laraskave e sorrave. Ato bëjnë përpjekje të vrullshme për t’u dukur në turmë të pa informuar sa duhet.  Nga kjo tollovi e madhe eksperimentuese bëhej edhe asi klloçitjeje durimi të gjatë, tre javore, triviale, që ta përmbytin kohën njëanshëm në pritje, me truhmosje e jashtëqite të rëndë intelektuale nëpër Pension. Aty brenda kësaj çerdheje të adaptuar strehimi, kushtimisht frynë një frymë e ashpër e renacionalizimit të ndërgjegjes së dukshme, midis pëllumbave dhe korbave të adaptuar sa për sy e faqe në sistem kolektiv, për mandat të përkohshëm mediatik epik, të konfrontuar ngutshëm në skenë të përbashkët debati të përzgjedhur. Politikë e kontaminuar militantësh, të avancuar aksidentalisht në foltore me yndyrë kalorie të mbushur me patetikë atdhetarie, për hipertension kulture të rëndë në Pension. Vlon hapësira e përkufizuar e metaforave improvizuese nëpër grindje gugatjesh të gjatë huazimesh motivuese. Heshtja dhe durimi kanë marrë fund. Defilon urrejtja midis tyre. Akuzojnë njëri-tjetrin për lustrime të rrëmujshme “monstrume’’. Dënohet pafajësia. E vërteta donë drejtësi. Koha kërkon balancim midis sigurisë dhe lirisë së qenieve ekzistuese. Çerdhes së pëllumbave u duhet mbrojtje, por edhe çerdheve të korbave u duhet strategji vepruese, për shumëzim masiv në standardin adekuat të kohës së ekspertizës eksperimentale gjurmuese në vend. Për të ardhmen e tyre ndikuese në arenë jete parlamentare, të kurdisur për gugatje dominuese. Të dy palët gjenden të strehuar në shtrofullën e garës konkurruese për klloçitje, po në të njëjtin kulm të panairit kulturor të vendit. Pritje e gjatë për t’u marrë veshtë midis vetes, por pa sukses. Bëhen gati për fluturim të shpejtë e masiv në harenë e blasfemive të rënda, për të injoruar të tjerët dhe të vërtetën e kohës, ndaj ndasitë midis tyre janë evidente dhe të mëdha, nga të bërit shpifje e keq nëpër masë. Deri në ekstrem të skajshëm venë vinë përçarjet e tyre. Domethënëse, ky problemi qëndron në marrëdhënien bilaterale të marrëveshjeve të tyre të koordinuara midis rrethit, turmës, të cilët janë duke u ndriçuar dhe vezulluar gjatë hapësirën nga kërshëria e tyre e zakonshme e durimit permanent, në pritje të vlerave ekzistuese që sjell koha, rendi dhe vendi.

Midis kakofonisë dhe harmonisë së ndryshimeve të shumta artistike dalin pamje stereotipash, ku shihen e dallohen qartë risitë e mirëfillta të veprave të bëra me kozmetikë formash të integruara në konkurrencë. Sepse në euforinë e kakarisjes dhe gugatjes lemeritëse karriera e tyre lidhet nyje në kod të pranuar për vete, e që në prapavijë shpalon vlerat dhe jo vlerat e kohës sonë. Tani ky ambient sistemi i sëmurë nën çati të ligshtë ndërtimi, i pa dizajnuar mirë në mendje të shëndosh, që vjen me ngutë duke përhapur veprime strategjike kolektive të brishta, gjoja të drejta kohore, për komunikim masiv të qëndismës sistemore kolektive dhe të gjuhës së avancuar për kriter shkencor, që tanimë kërkon qytetërim dhe shqyrtim të duhur në arenë debati, për të mos na sjellë probleme tronditëse në të ardhmen. Prandaj sot midis këtyre kundërshtive të mëdha dhe nga moskuptimi i këtyre fenomeneve evidente krijohen ndasitë e shumta, shfaqen tundime ekstreme të konfliktit dhe të frikës kronike, midis të bukurës dhe të shëmtuarës së pranishme nën kulmin e Pensionit ekzistues. Tërë kjo tendencë plotësohet me anim të njëanshëm nga turma e pranishme, duke u sistemuar keq në duet flirti e iso të stërzgjatur në kulturë kiçi. Ato formalisht tubohen në grupe për nebet të avancuar shoqëror, gjegjësisht për përplasje fiktive në vete, duke nxjerrë probleme e ndasi të shumta në rreth. Natyrisht se kjo ndasi e keqe reflektohet qartë te ne, duke ia bërë gjuhës së përzgjedhur shtrembërimin e saj të zëshëm nëpër forma të ndryshme të funksionimit permanent në shoqërinë e sotme postmoderne. Në të kundërtën gjitha këto përplasje kulturore vepruese, do të merren në të ardhmen, si kuptim i ngjizur heretik i kohës. Sot kërkohet vendim verifikues ndaj shkollimit të rregullt dhe reformave të pranuara në sistem. Sepse nëpër refrenin monoton të avancimit dalin plagjiatura të përfolura gjatë kohë te ne, të cilat tanimë janë në fokus të kritikës, por megjithatë qëndrojnë të pranuar sistematikisht rrejshëm në grup të avancuar, që merren kryesisht me gugatje kulturore një kohë të gjatë, duke qëndruar të lidhur për fqinjësi të mirë në mëhallë shkencore, të përmbushur tanimë me kitsch, apo shund të preferuar nga tradita e konsumuar e llomit kulturor të standardizuar. Tërë kjo ekspeditë e imponuar gjatë kohë merrej me shtërzim fjalësh të huazuara nga e kaluara deri më sot në këtë vend. Të gjitha shpezët fluturuese të Pensionit janë të dresuar mirë me sherr ndërsimi për anim e arnim tingujsh akustik partiak vendor, për gugatje karriere kërcënuese të kryqëzuar keq në kurthe kontestesh të zëshme privilegji, por të pa koordinuar mirë sa duhet në kriter e në ritëm të përshtatshëm shoqëror, që instinktivisht ta gjejnë veten të kodifikuar rehatshëm nëpër fjalë të improvizuara të marra nga të tjerët, në çerdhen e pranuar të kësaj hapësire të gjerë kulturore që na rrethon e kultivon mbrapsht, me agoninë e shtirjeve të mëdha, të dergjura një decenie të gjatë në shoqëri...



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora