E marte, 23.04.2024, 09:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Frang Bardhi dhe Albanologjia

E enjte, 10.07.2008, 07:50 PM


Begzad Baliu
FRANG BARDHI DHE ALBANOLOGJIA

Shkruan: Begzad Baliu

Në vend të hyrjes

Cili është vendi i Frang Bardhit në studimet albanologjike në 400 vjetorin e lindjes?
Këtë çështje dëshiroj ta hap duke kujtuar konceptet shkencore të dy prej albanologëve më të shquar Profesor Rizës dhe të Profesor Çabejt mbi disa probleme të historisë së gjuhës shqipe dhe metodat e studimit të veprës së shkrimta¬rëve të vjetër, dhe t’i kujtoj këtu, jo vetëm pse këto i kanë theksuar dy nga studiuesit më të mirë të traditës gjuhësore dhe letrare të gjuhës shqipe, po për shkak se edhe sot perspektiva e kërkimeve albanologjike, e kjo do të thotë edhe e rezultateve të reja të saj, varen prej atyre qasjeve shkencore, të cilat mbështeten në dy paradigma themelore:
- e para, ka të bëjë me jetën e autorëve të vjetër, e kjo është jeta e misionarëve që siç do të shprehej Profesor Selman Riza: “detyrat e tyre si peshkop kurdoherë i kryenin (përkatësisht përpiqeshin që t’i kryejnë) si shqiptarë”. (Riza, Vepra, 4/2004, 365);
- dhe së dyti, për veprat e tyre, të cilat përtej një botimi për nevoja fetare, shekuj më radhë, kanë ruajtur një numër shqiptarizmash, pra njësish leksikore të fondit të shqipes.
Historia e gjuhës, shkruante profesor Çabej tri dekada më parë “është e lidhur ngushtë me historinë e vendit dhe të popullit”. (Studime gjuhësore, V, 281), prandaj ajo “ka për detyrë të studiojë rrugët e zhvillimit (...) edhe t’i studiojë këto kryesisht nga pikëpamja shqiptare” (Çabej, SGJ, V, 281), duke iu qasur asaj nga brenda.
Konceptet e tyre gjuhësore, të cilat Riza dhe Çabejt, i kanë realizuar në veprat e tyre, shkonin drejt një konstatimi, që më sakt e ka përvijuar Profesor Çabej: “Objekti lind shpe¬sh¬herë edhe metodën prandaj edhe gjuhësia historike shqiptare në disa fusha problemesh mund të arrijë të ndërtojë një metodë kërkimore vetjake”. (Çabej, SGJ, V, 288)
Përtej një kërkimi shpesh mbi baza krejt hipotetike dhe të një rindërtimi mbështetur në rrethana të kohës, mbi të cilat është ndërtuar dhe vazhdon të ndërtohet jeta dhe vepra e Gjon Buzukut, jeta dhe vepra e pasardhësve të tij Pjetër Budit dhe Frang Bardhit kanë pasur një fat krejt të ndryshëm.
Burimet për jetën dhe veprën e Frang Bardhit janë njohur, studiuar dhe janë vlerë¬suar nga shumë studiues vendorë dhe të huaj, si: Mario Roku, Selman Riza, Kolë Ashta, Injac Zamputi, Kolë Kamsi etj. Sigurisht kjo është arsyeja pse kërkimet në jetën dhe veprën e tij kanë dhënë rezultate të shumta, por njëkohë¬sisht kanë lënë edhe dilema, të cilat dija albanologjike ka nevojë t’i saktësojë.
Nëse jeta e Buzukut, në përmasën e studimit është shumë më e pasur, kjo është bërë para së gjithash sepse dilema për vendlindjen e tij, të bazës dialektore të gjuhës së veprës së tij dhe madje të vendit të shtypjes së veprës së tij shpesh janë vënë në dyshim.
Cilat janë ato saktësime për të cilat dija e albanologjisë vazhdon të bëjë kërkime në jetën dhe në veprën e Bardh Frangut?

Trajtat e mbiemrit të tij

Në studimet albanologjike vazhdon të diskutohet çështja e saktësimit të emrit të tij: në gjuhën shqipe apo në gjuhën italiane dhe sidomos çështja e nyjës së paravendosur, duke iu qasur këtij problemi jo vetëm nga aspekti gjuhësor, por edhe nga aspekti etnografik, pra “hetimi i mbijetesës së një nyjeje me funksion aristokratik, nyjës së fisnikërisë, sikurse “de” në frëngjisht, “von” në gjermanisht, “van” në holandisht etj, që del ende në ligjërimin etnografik, në shprehje të tilla si “i Hot”, “i Gjomark” etj (Sinani, Demitizimi, 2006, 10). Fakti se këtë nyjë nuk e kanë edhe bashkëkohësit e tij, madje as të afërmit të cilët mbajnë titujt fetarë edhe më të lartë të kohës së tij, por jo edhe “nyjën e fisnikërisë”, dëshmon se kjo nyje ishte e traditës dhe e bartnin vetëm ato personalitete, të cilët, përveç titullit të lartë fetar e kishin për nderë ta bartnin edhe këtë veçori të botës! së tyre kulturore dhe shpirtërore. Te Frangu i Bardhë, kujtoj rizbulohet një shenjë e traditës etnografike dhe etnologjike shqiptare, në mos ajo ndërtohet/rindërtohet në frymën dhe gjedhën e traditës europiane të kohës. Konstatimi i tezës së fundit do të dëshmonte edhe një vlerë të karakterit dhe frymës europiane, të cilën e solli/risolli Frangu i Bardhë në traditën shqiptare.

Cila është vendlindja e Frangut të Bardh

Saktësimi i vendlindjes së tij është njëra prej temave dhe dilemave të shumë autorëve, sado diskutimet me karakter polemizues dhe kundërshtues kanë munguar. Përgjithësisht, të gjithë autorët, çështjen e vendlindjes së Frang Bardhit e konsiderojnë të njohur, por kur shënojnë këtë, unifikimin e fshatit a të krahinës e konsiderojnë jo shumë të rëndësishme. Vetëm kohëve të fundit njëri prej studiuesve të përkushtuar të jetës, veprës, prejardhjes dhe vendit të formimit të tij, Tonin Çobani, duke përfshirë kryesisht anën etnografike dhe historike të kërkimit, çështjen e saktësimit të vendlindjes së tij e ka diskutuar më gjerësisht dhe duke shtruar e diskutuar një varg tezash e kundërtezash. Dija e gjertanishme albanologjike ndërkaq, më shumë se sa ta saktësojë këtë element të rëndësishëm, kryesisht e ka tejkaluar duke e quajtur të mjaftueshme identi¬fi¬kimin e krahinës dhe njërit prej vendbanimeve kryesore t! ë saj, që më parë se sa me vendlindjen e tij lidhej me qendrën kryesore të dioqezës.
Kjo është arsyeja pse, jo vetëm studiues të ndryshëm, por edhe të njëjtit, në veprat e tyre të ndryshme shprehen ndryshe për vendlindjen e Frang Bardhit: “...lindi dhe vdiq po në Nënshat të Zadrimës” (Ashta, Shkodra, 1967, 22); “Në Nënshat ose Kallmet, (Elsie, 1997, f. 48) dhe “në Kallmet (afër Lezhës), (Elsie, 2006, f. 28); “në Nënshat të Kallmetit të Zadrimës (Ismaili, 2000, 241); “në Kallmet (Zadrimë), (Shuteriqi etj., 40); “Ai kishte lindur, sipas disave në Kallmet e sipas disa të tjerëve në Nënshat të Zadrimës”, (Xholi, 2003, 117). Se Bardhi ka lindur në Nënshat shprehen G. Gurakuqi, Kolë Kamsi, Selman Riza, Kolë Ashta etj., ndërsa vendlindjen e tij në Kallmet e përcaktojnë Justin Rrota, Ziaudin Kodra, Dhimitër S. Shuteriqi, Mikel Prendushi etj. “Edhe nëse pranojmë se ai është nga Nënshati, kjo shkëputje vjen nga Kallmeti” (Çobani). Në kërkimin e vendlindjes së tij, Çobani e quan të rëndësishë! m edhe ubifikimin e disa toponimeve historike. Dilemat për vendlindjen e tij përpiqet t’i përmbyll më bindshëm Kamsi, kur konstaton: “Një akt pagëzimi që të na tregojë vendlindjen e Frangut të Bardhë nuk kemi” (Buletini, 4/1956, 105)
Pra, në përcaktimin e pakontestueshëm të vendlindjes së Frang Bardhit vend për diskutim kanë etnologët - nga pikëpamja e ndarjes krahinore të kësaj zone; historianët - nga pikëpamja e funksionimit të ndarjes territoriale; teologët - nga pikëpamja e funksionimit të kishës katolike dhe gjuhëtarët - nga aspekti i kërkimeve të onomastikës historike, me theks të veçantë në toponiminë historike dhe të vendbanimeve të zhdukura. Në rrethana të sotme të kërkimeve në fushë të dialektologjisë historike dhe madje të leksikut nuk priten rezultate të reja, për arsye se Fjalori i tij i ka tejkaluar kufijtë e një të folmeje dialektore, brenda të cilës do të përfshihej edhe leksiku historik.

Familja e tij, pasardhësit dhe shkollimi

Kërkimi në prejardhjen familjare dhe ‘zhbërjen e saj’, qendrën e shkollimit dhe fatin e tij personal, jo vetëm nuk ka përfunduar, por për më tej ka hapur diskutimet edhe më shumë. Jo për shkak se faktet mungojnë, po pse pikërisht faktet e reja sjellin të dhëna të tjera është në interesin e studimeve të mëtejme albanologjike që këto kërkime të vazhdojnë. Përtej biografisë së Bardhit, kërkimet në jetën e tij janë me interes edhe për historinë e ndërtimit të identitetit kulturor e etnik të popullit shqiptar: gjuhës, kulturës, institucio¬neve religjioze dhe prirjeve politike jo vetëm ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, sikur jemi mësuar të themi po edhe të boshtit të tretë: sulmeve fetare, kulturore dhe etnike sllave.
Le t’iu referohemi vetëm disa konstatimeve për fatin e familjes së tij, prejardhjes fisnore dhe shkollimit të tij. Konstatimin e studiuesit Kolë Kamsi se “Në të parin regjistër të pagëzi¬meve të famullisë së Shkodrës, që filloi të mbahet rreth vjetit 1745 gjendet familja Bardhi e cila tash asht shue.” (Buletini, 4/1956, 104), ndonëse disa të dhëna për përkatësinë fisnore të Sapës a të Nënshatit nuk janë të parëndësi¬shme, për arsye se te Frang Bardhi, sikur ka theksuar Riza “mburrja e hapët me origjinën familjare të Bardhajve do të mbizotërohet kurdoherë nga krenaria e ekzaltuar për origjinën kombëtare të shqiptarëve”. (Riza, 4/1996, 359). Janë me interes sidomos përzu¬ndi¬met mjaft shteruese të studiuesit Tonin Çobani, sipas të cilit nuk ekziston një gjenealogji e familjes Bardhi. Pasardhësit e tij u italianizuan, u zhduken.
Po kaq me interes është diskutimi për përkatësinë etnike të nxënësve të Kolegjit ilirian të Loretos, “ku vinin sidomos studentë sllavë, por edhe të tjerë nga vendet e lindjes (Ashta, III, 38) dhe kërkesa (protesta) e Frang Bardhit drejtuar autoriteteve qendrore kishtare të Vatikanit, që të mos dërgoheshin priftërinj sllavë në krahinën e tij, të cilët nuk e njihnin gjuhën e vendit.
Diskutimet dhe dilemat e mbështetura në fatin individual dhe familjar tash dalin nga më të ndryshmet. Cili ishte Frang Bardhi personal? Ai që kundërshtonte sjelljen priftërinjve joshqi¬pta¬rë në krahinën e tij apo ai që me emrin e tij i priu italianizmit të familjes së tij dhe çfarë do të thotë emri dhe mbiemri i tij Franciscus Blanchus. Si të shpjegohet tani likuidimi të tij: si akt kundërshtish ndërmjet Bardhit dhe autoriteteve kishtare apo vetëm si mosmarrë¬veshje ndërmjet tij dhe të ungjit. Në këtë rrjedhë krahasimet mes “vdekjes” së Pjetër Budit dhe tij dalin me tezë. Një përgjigje do kërkuar te gjendja e krijuar pas ndërhyrjeve serbe, venedikase dhe turke, dy shekuj me radhë (Schmitt, 2007, 273-283), të cilat përzu¬ndo¬jnë me vasalitetin serb ndaj osmanëve, tërheqjen venedikase dhe shkretirën ekonom¬mike, kulturore dhe pse jo edhe identitare të shqiptarëve. Duket se të gjitha këto Frang Bardhi përpiqej t’i lid! hte, fillimisht me një fije të hollë dhe aspak të sigurt religjioze, sado gjithnjë duke mbajtur qëndrim ndaj këtyre institucio¬neve, të cilat shihen edhe në qëndrimin e të ungjit ndaj tij dhe sidomos në përpjekjen e tij për të hedhur dritë në shkaqet e vdekjes së Pjetër Budit, sinonim i të cilit duket se u bë edhe ai.
Në rrjedhë të vazhdimit të traditës së shkrimit shqip, përtej kultit të gjuhës mbi të cilën ngrihej vendimi i Buzukut për të shkruar librin e tij dhe përtej kultit të gjuhës e të fjalës artistike mbi të cilën mbështetej teksti filobiblik dhe artistik i Pjetër Budit, përpjekja e Frang Bardhit zgjeron traditën e shkrimit shqip edhe me elemente me të cilat nuk do t’ia arrijnë as pasardhësit e tij: përmes vlerave kulturore dhe sidomos gjuhësore dhe së fundit edhe përmes mbrojtjes që i bëri identitetit kombëtar shqiptar të Skënderbeut, Frang Bardhi shkrimin shqip në këtë kohë e ka zgjeruar edhe me tekstin linguistik, etnokulturor dhe më tej, kritik dhe intelektual.

Filologu

Duke e hapur diskutimi për kohën e shkrimit dhe botimit të Fjalorit të Bardhit Profesor Jup Kastrati shkruan: “Bardhi e përpiloi Fjalorin e vet ndër disa rrethana historike të caktuara, kur nuk kishte dalë në dritë pasuria leksikore e shqipes ndër shkrime të autorëve paraardhës, për të cilët Bardhi s’dinte gjë ose pak mund të dinte vetëm për Budin”. (Kastrati, , I/2000,88).
Sot ndërkaq shtrohej pyetja: a mund të thuhet kështu për Bardhin, i cili, sipas Kamsit “Në vjetin 1633 shkoi në Kolegjin Urbanum të Propagandës në Romë (...) për të ndjekë studimet e filologjisë”. (Kamsi, Buletini, 4/1956, 105), dhe e ka plotësuar Ashta: sipas të cilit “para se të nisej, (Bardhi) desh të plotësojë edhe detyrën, që kishte marrë përsipër për approba¬tur-in, me të cilin do të jepte pëlqimin që vepra e Budit “Doktrina e krishterë”. (...) kjo vepër e Budit në dorëshkrim në shënimet e Bardhit ruhet ende sot e kësaj dite”. (Ashta, III, 39)
Profesor Jup Kastrati vazhdon të mbajë qëndrim të kundërt edhe ndaj asaj që kishte konstatuar Profesor Selman Riza. Sipas Profesor Jup Kastratit: “Bardhi nuk iu qëndroi besnik veçorive drejtshkrimore të Budit (Kastrati, Historia..., I/2000, 85)., ndërsa sipas Profesor Rizës: “Bardhi do të ketë përvetësuar drejtpërsëdrejti nga Budi veçoritë fonetike dhe grafike” të shqipes. (Riza, Vepra, 1/1996, 478). Duket se Kastrati mendimin e mbështeti në faktin se Budi nuk iu përmbajt plotësisht ortografisë së Budit, një koncept ky i cili niset jo mbi parimet e avancimit të tij, por mbi marrë¬dhëniet e tij personale dhe përcaktimin historik të rrugës së tij, e cila bëri që edhe Bardhi të kishte të njëjtin fat jetësor.
Nga të gjithë diskutuesit e dijës filologjike të Bardhit si leksikograf, duket më i plotë mendimi i Rizës, i cili pasi ka bërë për vete mendimin e Mario Rokut duke shquar shpërpje¬stue¬shmërinë e lëndës së fjalorit, ka konstatuar: “Kur patë nisur të përpilojë fjalorin e tij latinisht - shqip, që u botua më 1635, Frang Bardhi ishte ende student kolegji; së këndejmi duhen shpjeguar me një anë papërvoja e tij leksikografike, e në anë tjetër pavarësia e tij gjuhësore”, shkruan Riza. (Riza, Vepra, 1/1996, 478)
Përpjekjet e Bardhit në këtë kohë i ka rindërtuar në mënyrë lapidare Riza, kur ka theksuar se “Shqipërimet e kredos së një lloj rituali nga Frang Bardhi, Riza i quante “shfaqje të qartë të vullnetit të tij për të shqiptarizuar gjuhën e kultit fetar, qoftë edhe vetëm në ndonjë pjesë të saj”. (Riza, 4/2004, 364), por asgjëmangut nga këto, Riza në stilin e tij polemzues nuk e ka kursyer edhe prej kritikës duke ia njohur Bardhit “përvojën e pamjaftë në fushë të leksikografisë, dhe talentin modest”. (Riza, 4/2004, 576)
Bardhi në studimet albanologjike lavdërohet për njohjen e shumë gjuhëve. Por mbetet t’i jepet përgjigje Profesor Jup Kastratit, për konstatimin e tij se Bardhi “sllavishten duhet ta ketë njohur që kur ishte në vendin e vet”. (Kastrati, I/2000, 86). Ku e mësoi Bardhi gjuhën serbe dhe cila ishte përbërja etnike e vendit të tij në këtë rast. Do të dukej mbase i kuptueshëm një mendim i tillë për Pjetër Bogdanin më vonë dhe për vendlindjen e tij thellë në zonën kontinentale të Shqipërisë postmesjetare, por të konstatosh këtë për Pjetër Budin, në vendlindjen e të cilit nuk kishte elementë sllavë, e as prani të kishes ortodokse (me përjashtim të qytetit të Shkodrës), kjo nënkupton edhe nevojën për shpjegime shtesë të këtij fakti. Nuk përjashtohet as prania e priftërinjve serbë nga Bosnja në vendlindjen e tij, përkatësisht në dioqezën ku përgatitej edhe Budi i ri, para se të nisej në Itali, kundër pranisë së t?! ? cilëve Pjetër Budi është shprehur edhe në epistolarin e tij zyrtar. Mbase Profesor Jup Kastrati kur e ka theksuar këtë, do të ketë pasur parasysh vetëm një fakt të përgjithshëm: të gjithë priftërinjtë që vinin nga lindja (e kjo do të thotë edhe nga Shqipëria), të cilët përgatiteshin për shërbime fetare, duhet të njihnin edhe gjuhët sllave, para së gjithash serbishten, kroatishten dhe në ndonjë rast edhe bullgarishten.
Profesor Jup Kastrati ka lënë edhe një pyetje të hapur: nëse zgjerimi gjuhësor në gjysmën e dytë të fjalorit të tij u parapriu tipit të fjalorëve shumëgjuhësor të Akademisë së Voskopojës. Pa dashur që këtu të merrem gjerësisht me këtë temë e quaj të arsyeshme të them se, edhe nëse përvoja europiane nuk ka munguar, tek Bardhi kjo tendencë pengohet nga qëndrimi që Bardhi kishte për gjuhët e përfshira në fjalor, një qëndrim krejt tjetër të cilët ndaj gjuhëve të përfshira në fjalorët e tyre mbanin leksikografët e Akademisë së Vosko¬pojës një shekull më vonë. Nëse leksikografët e Akademisë së Voskopojës në fjalorët e tyre mbanin qëndrim të njëjtë ndaj të gjitha gjuhëve, ndërsa Frang Bardhi, jo vetëm përdorte një numër shumë të kufizuar të fjalëve sllave e turke por edhe mbante një qëndrim përjashtues ndaj këtyre gjuhëve.
Komentet e studiuesit Pavli Çesku për çështjen e përdorimit të disa fjalëve në italisht e turqisht janë të asaj natyre që jemi mësuar t’i lexojmë edhe për Gjon Buzukun e Pjetër Bogdanin, prandaj arsyetimet e tij nuk do të diskutoheshin sikur mendimit të tij për fjalët e turqishtes të mos arsyetoheshin, përveç me pengesat që mund t’i sillte librit pushteti otoman me një fakt tjetër, i cili, sipas tij “mund të mos jetë krejt pa vend: në trojet shqiptare do të ketë pasë banorë turq, të cilëve do t'u vinte ambël me pa do fjalë turqisht në fjalor”, http: // www. shkoder. net /al /bio_bardhi.htm. Mendimi i studiuesit Çesku, nuk me duket aspak i justifikueshëm, jo vetëm për faktin se i mungon mbështetja historike, por edhe për faktin se po të kishte etni turke në këtë krahinë, Bardhi nuk kishte pse ta fshihte. Kujtoj se për albanologjinë është me interes të identifikoj praninë e mundshme të një klase aristo¬¬kratësh! në mos vetëm qeveritarësh otomanë të shoqërisë shqiptare. Kjo do të thotë se në shoqërinë shqiptare, sikur shprehej studiuesja Ledi Shamku – Shkreli, në shekullin XVII kishte filluar erozioni shpirtëror, ndërsa me Fjalorin bëhej përpjekje për ndërtimin e një muri mbajtës për truallin shqiptar që gjuha shqipe të mos shuhej po të mbahej si pjesë e pandarë e korpusit gjuhësor europian. Në këtë rrjedhë, në studimet albanologjike Fjalori i Frang Bardhit, pavarësisht kritikës më pak dhe rolit historik të tij, më shumë, është shquar për continuumin identitar të gjuhës shqipe. Apo, sikur është shprehur Riza, “rëndësia e Fjalorit qëndron te “ruajtja e shqiptarizmave të vjetra”. (1/1996: 278)
Jeta e Bardh Frangut, vepra e tij gjuhësore, folklorike, etnografike, historike dhe sidomos epistemo¬logjike, do të jenë të varfra dhe për hulumtimin e saj do të ketë edhe shumë punë deri sa të merret përgjigje e plota rreth përmasës etnolinguistike, etnografike dhe politike të kësaj zone. E deri sa të merret një përgjigje e tillë, ne do të lexojmë dhe do të dëgjojmë mendimet agresive të studiuesve sllavë për prejardhjen sllave jo vetëm të toponimisë, por edhe të popullsisë së Arbërisë mesjetare (Shih, Selishqev, 1935 etj). Si të shpjegohet kërkesa e Bardhit: “mos na dërgoni më ipeshkvij në këto anë që të jenë prej kombi sllav”, (Relacione... 1965: 67), “që të mos dijë gjuhën shqipe” (Xholi, 2003: 129-130).

Etnologu

Nëse në veprën e Frang Bardhit ka diçka të diskutueshme, sidomos në pjesën e epistolarit, kjo ka të bëjë me Relacionet, ndonëse zakonisht është një prirje e studiuesve që t’i besojnë.
Përshkrimi i malësorëve në Relacionet e tij përgjithësisht është e dyfishtë dhe kontra¬diktore. Malësori shqiptar përballë trysnisë së pushtetit otoman, në Relacionin e tij është i zbehtë, i varfër, i mjerë, i pa bukë dhe i pangrënë. Madje nuk ka fuqi të shkoj e të lutet as në kishë. Ndërsa, kur përshkruhet si kryengritës kundër pushtetit otoman ai është trim i fuqishëm, krahgjer që vlen sa dhjetë ushtarë otomanë, që kalon malet si shqiponjë, që rrëmben në fushëbetejë dy e tre ushtarë përnjëherë etj.
Megjithatë, shënimet e tij janë shumë të rëndësishme për etnografinë dhe madje për etnopsi¬kologjinë e shqiptarëve. Përshkrimet etno¬grafike dhe etnopsikologjike të malësorit shqiptar jo rrallë i shoqëron edhe me shënime kritike gjë që i bëjnë ato jo vetëm të mbështetura, por edhe të një rëndësie të veçantë. Prandaj, në studimet albanologjike ka shumë rëndësi të saktësohet vendi i tij: folklorist, sikur është cilësuar deri më tash apo etnograf. Ne duam të kujtojmë se mbështetur në dokumentet e gjertashme, sidomos për qëndrimin kritik ndaj mënyrës së jetës familjare të malësorit, Frang Bardhin, më parë se sa folklorist do të duhej ta quanim etnograf, madje antropolog në kuptimin e sotëm më të mirë të fjalës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora