E enjte, 28.03.2024, 12:17 PM (GMT)

Kulturë

Vangjush Saro: Një hartim çapraz për Vitin e Ri

E shtune, 27.12.2014, 06:05 PM


Një hartim çapraz për Vitin e Ri

(Tregim humoristik)

Nga Vangjush Saro

Zysha na dha sqarimet e fundit dhe u ul në katedër e lodhur, hundë e buzë, a thua donte të thoshte: “Vrafshi veten tani!” E si mund të mendoja ndryshe, kur tema e hartimit që ajo sapo e kishte zhgaravitur në dërrasën e zezë, ishte aq e çuditshme: “Si e kaluat Vitin e Ri?”

Si e kaluat Vitin e Ri... Kjo nuk shkonte fare. Ne ishim mësuar me të tjera tema, me të tjera përfytyrime. Vetë zysha, kur përpiqej të na udhëzonte, përdorte lloj-lloj figurash, që tani i kishin mësuar përmendësh edhe ata më të dobëtit e klasës: “Mëngjes i bukur”, “Rrezet e diellit pranveror”, “Shkëlqimi krenar i majave të maleve”, “Qyteti ynë ka sot shkolla, kopshte, fabrika...”, e të tjera këso, që i zhgrapnim lehtë e lehtë, madje të bindur se kështu kishin shkruar plot frymëzim. Ashtu siç donte zysha.

Si e kaluat Vitin e Ri? Ku “Mëngjesi pranveror”, ku Viti i Ri? Po vinçat si t’i fusnim në këtë dreq hartimi? Pastaj, krahasimet me të kaluarën, që zysha i donte doemos (“Kasollet me baltë, ku tymi të nxirrte sytë...”) si mund të lidheshin me një gjë kaq të thjeshtë dhe njëkohësisht kaq të ndërlikuar si ky hartim për Vitin e Ri?

Më së fundi, pas nja dhjetë a pesëmbëdhjetë minutash të mbushura me pëshpëritje dhe zhgaravina gjithfarë, ulëm kokat përfundimisht edhe iu futëm punës vendçe. “Është mëngjes, shpërtheu e para një shoqja jonë, që gjithnjë mësonte përmendësh, dielli pranveror, shkëlqen me rrezet e tij të arta...” Një tjetër, që e dinte se zyshës i pëlqenin thirrjet dhe psherëtimat, e filloi hartimin e vet ndryshe: “Ah, ç’ditë e bukur! Zemra ime nuk përmbahet prej gëzimit. E vallë, përse jam kaq e lumtur? Oh, lulet shumëngjyrëshe na kënaqin me aromën e tyre...” Dikush e kishte filluar hartimin në një mënyrë krejt origjinale: “Shikoj qytetin në këtë ditë. Mbushur plot e përplot me kopshte, çerdhe, spitale, shkolla, fabrika... I madhërishëm qëndron aty një vinç...” Kurse një tjetër, që mendonte se kushedi, mbase zysha donte të shkruanim për të kaluarën, po grinte sallatë kësisoj: “Atëherë njerëzit jetonin në kasolle me baltë. Tymi iu nxirrte sytë. Bukë të hanin nuk kishin. Të pasurit bënin qejf.”

Kështu, thuajse shumica e kishin parë të udhës të kapërcenin paksa nga tema dhe të përsërisnin fraza të njohura, pas të cilave ndiheshin gjithnjë më të sigurtë. Vetëm unë po vrisja mendjen dhe vështroja përhumbshëm nga dritarja... Si e kaluat Vitin e Ri? Zura të përshkruaja se si kishim blerë një pulë dhe pastaj ajo na e kishte mbushur ballkonin me glasa. Më tej, tregova se si na ishte prishur televizori. Babai shkoi me ngut te tekniku. Ky mavria na hëngri gjysmën e pulës dhe veç rrinte e mendohej. Pastaj filloi të sillte nëpër gojë ca shkronja, lidhja e të cilave ishte e çuditshme. PC... PCL... Ishte fjala për një llampë.

-Ta blejmë këtë llampë, - tha babai i shkretë menjëherë.

-Ehë!, - ia priti tekniku - Një fjalë goje. Ecë e gjeje!

Babai i ra ballit me pëllëmbë. Motra e vogël zuri të qante. (Në kohët e sotme, nuk mund të merret me mend se ç’do të thoshte atëherë të mos kishe televizorin për Vitin e Ri.) E hutuar nga të gjitha këto, nëna kishte harruar në stufë ëmbëlsirën. Ajo rrëmbeu sakaq mbajtëset e tenxhereve dhe u përpoq të shpëtonte ç’të mundte. Mirëpo ëmbëlsira ishte përzhitur. Nëna zuri të shante e të mallkonte si t’i vinte për mbarë. Kurse babai ende vështronte i trishtuar teknikun. Dhe ky mbase donte të hante e të pinte edhe më tej. Më në fund, diçka premtoi ashtu nëpër dhëmbë e duke i ngrënë edhe fjalët.

Por sikur të mos mjaftonin këto, vjen në shtëpi vëllai i madh, i shoqëruar nga një polic. Kjo ua vuri kapakun të gjithave. Vëllai kishte shkuar për të gjetur një degë bredhi, përndryshe pemën e Vitit të Ri. Mirëpo nuk e kishte vrarë mendjen gjatë se ç’mund të sillte këputja e një dege dhe kështu, tani polici kërkonte gjobën... Deshi s’deshi, babai e nxori sërish kuletën e tij të vogël...

?

Ja, këto kisha shkruar pak a shumë në hartimin tim.

Pas disa ditëve, zysha na solli fletoret e hartimit. Ajo i ndau ato, duke bërë vërejtje dhe duke vlerësuar nxënësit.... që kishin shkruar më bukur. Të gjithëve iu tha fjalë të mira: edhe nxënëses që kishte folur për diellin pranveror, edhe asaj që kishte numëruar kopshtet e çerdhet, madje edhe dikujt që kishte shkruar në fund të hartimit: “Rroftë Viti i Ri!” Vetëm mua më shkoi përanash indiferente. Dhe pas pak, m’u lëshua me gojën plot:

-Po ti, ç’i kishe ato budallallëqe? Në estradë jemi ne këtu? Hartimi kërkon fjalë të zgjedhura... frymëzim... shpërthime...

I mërzitur sa s’thuhet, po vërtisja nëpër duar fletoren time të mjerë. Gati po pendohesha që nuk kisha shkruar edhe unë për diellin pranveror, edhe pse ishim në pikë të janarit. Mirëpo kur dolëm për pushimin e madh, në korridor, për çudinë time, zysha më kapi për supesh dhe më tha me ngrohtësi:

-Megjithatë, biri im, hartimi yt ishte... Nuk di si ta them... u gajasa së qeshuri...

Zysha nuk më ishte dukur asnjëherë aq e çuditshme dhe enigmatike sa atë ditë, pas korrigjimit të atij hartimi çapraz. Kohë të shkuara...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora