E marte, 15.10.2019, 12:05 AM (GMT+1)

Komente » Fetahu

Fetahu: Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve

E merkure, 24.12.2014, 01:41 PM


NËNTËDHJETEKATËRVJETORI I PRANIMIT  TË SHQIPËRISË NË LIDHJEN E KOMBEVE

Nga Adil FETAHU

Në kohën e shpalljes së pavarësisë (1912), tokat shqiptare gjithandej ishin të pushtuara nga ushtritë osmane, serbe, greke, malazeze. Luftërat ballkanike dhe Lufta e Madhe, siç quhej Lufta e Parë Botërore, moscaktimi në terren i kufijve të shtetit, moskonsolidimi i brendshëm, ndërlikimet ndërkombëtare, propaganda e fqinjëve, marrëveshjet e hapëta e të fshehta për copëtimin e trojeve, mosnjohja e pavarësisë nga shtetet e botës, e kishin mbarsur shtetin e porsalindur me probleme të shumta e të mëdha, të cilat kërcënonin zhbërjen e tij. Çështja kombëtare shqiptare ishte në pikëpyetje të madhe. Në seancën e Asamblesë së Lidhjes së Kombeve, më 17 dhjetor 1920, kur Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes me të drejta të barabarta, lordi Robert Cecil deklaronte: “Asgjë nuk është më thelbësore për paqen në Europë, sesa rregullimi i çështjes së Ballkanit. Sa më shumë vonohet rregullimi i çështjeve kombëtare në Ballkan, aq më shumë do të vazhdojnë të ruhen kërcënimet dhe rreziqet për paqen në Europë”.

Themelimi i Lidhjes së Kombeve

Lidhja e Kombeve u themelua në Konferencën e Paqes në Paris (më 28 prill 1919). Parimet e presidentit amerikan Vudrov Vilson, të formuluara në “14 pikat e Vilsonit”, u bënë thelbi i Statutit të Lidhjes së Kombeve. Në ato 14 pika, Wilsoni shprehte politikë e diplomaci të re transparente, e jo politikë e diplomaci pas kulimave; siguri kolektive ndërkombëtare dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje. Lidhjen e themeluan fituesit e Luftës së Parë Botërore, si një organizëm botëror që do të garantonte sigurinë dhe paqen ndërkombëtare,  por shpejt u pa se qëllimi kryesor ka qenë dominimi i fuqive të mëdha në botë. Pakti i themelimit përcaktonte pozitën juridike, të drejtat dhe obligimet e shteteve anëtare. Ishin tri kategori të shteteve anëtare: 1) shtetet-anëtare themeluese, që ishin 32 shtete pjesëmarrëse të Luftës së Madhe; 2) shtetet-anëtare të ftuara për t’iu bashkuar Lidhjes, pasiqë Pakti të hynte në fuqi (shtetet neutrale); dhe 3) anëtaret që do pranoheshin në të ardhmën. Prej themelimit të Lidhjes së Kombeve (1919), deri me shuarjen e saj dhe themelimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (1945), numri i shteteve anëtare të LK ka ndryshuar vazhdimisht, për shkak të heqjes dorë nga anëtarësimi, për shkak të përjashtimit, ose për shkak të humbjes së subjektivitetit të shtetit.

Kërkesa dhe debati për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve

Me shpresë se Konferenca e Paqes do të vendoste paqen e vërtetë pas gjithë atyre luftërave, dhe se organizata e krijuar në atë Konferencë (Lidhja e Kombeve) do të ishte një mbrojtëse e kombeve dhe shteteve, qeveria e atëhershme e Shqipërisë, përmes përfaqësuesit të vet Konferencën e Paqes, Pandeli Evangjeli, më 12 tetor 1920, paraqiti kërkesë zyrtare për ta pranuar Shqipërinë anëtare të Lidhjes së Kombeve. Më vonë (më 22 nëntor), kryesuesi i Delegacionit të Shqipërisë, Fan Noli, kërkesës për anëtarësim ia bashkëngjiti një memorandum, me të cilin shpjegonte në hollësi, dhe ashtu siç dinte Noli, argumentonte statusin dhe sovranitetin e shtetit shqiptar, prej njohjes së tij nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913),  dhe Protokolli i Firencës, deri në atë kohë.

Kërkesa e Shqipërisë për t’u pranuar në Lidhjen e Kombeve fillimisht hasi në kundërshtimin e shumicës së krerëve e pjesëmarrësve të Asamblesë, dhe të komisioneve e nënkomisioneve. Kundërshtimet kryesisht bëheshin me arsyetimin se: a) Shqipëria nuk ishte një shtet i krishterë; b) se nuk ishin vendosur kufijtë faktik të shtetit dhe nuk kishte stabilitet në vend; c) se qeveria e Shqipërisë  asokohe nuk ishte njohur nga asnjë fuqi. Kundërshtimi i kërkesës vinte si pasojë e propagandës greke e serbe e përkrahur nga disa fuqi, dhe e paditurisë së krerëve të vendosjes për problemet ballkanike. Por, më i zëshmi kundër pranimit të Shqipërisë ishte përfaqësuesi i Francës, i cili propozonte të shtyhej kërkesa deri sa të caktohej statusi i Shqipërisë me një marrëveshje të re ndërkombëtare sepse, sipas tij, marrëveshja nga Konferenca e Londrës (1913) kishte humbur fuqinë!

Akuzat e propagandës greke e sllave se, siç thoshin ata,  “qeveria turko-shqiptare do t’i shtypte e masakronte të krishterët”, më së miri i demantonte  vet prezenca dhe paraqitja madhështore e Nolit i cili, si prift ortodoks që ishte, e kryesonte Delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes. Noli kishte dije e kulturë të gjerë, fliste anglishten e frëngjishten sikur shqipen, ishte orator i shkëlqyer dhe miqësia e tij me personalitete të shquara në Asamble e në komisione, siç ishin Obri Herbert e Robert Cecil, por edhe personalitete tjera të shquara,  bënë efektin e lobimit dhe siguruan përkrahjen në debatin e zhvilluar në Asamble për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.  Ai i siguronte pjesëmarrësit e Konferencës për bashkëjetesën dhe punën e përbashkët të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga besimet. Këtë bashkëjetesë të harmonishme e ilustronte me faktin se në zgjedhjet e mbajtura, në shumë distrikte ku myslimanët mbizotëronin në numër, ishin zgjedhur deputetë të shumtë krishterë. Këtë e ilustroi me të dhëna nga distrikti i Dibrës, ku prej 78 deputetëve të zgjedhur, 32 ishin të krishterë, dhe kryetari i Dhomës ishte i krishterë. Derisa në Kosovë e në Greqinë e Veriut nuk lejohen shkolla shqipe, në të vetmin fshat serb në Shqipëri (Vrraka, afër Shkodrës), që kishte gjithsejt njëqind banorë, kishte shkollën në gjuhën serbe, sikur që pakica e vogël greke në Shqipëri kishte shkollat në gjuhën e tyre, të cilat i financonte shteti shqiptar.

Lordi Robert Cecil tha se “feja nuk duhet të lidhej fare me çështjen e kërkesës për anëtarësim në Lidhjen e Kombeve”, dhe apeloi fuqishëm në Asamble se “paqja në Europë nuk do të sigurohet kurrë nëse Shqipëria nuk do të garantohej përballë pretendimeve të fqinjëve të saj”. Lordi Cecil argumentoi kontinuitetin e statusit të shtetit shqiptar, duke thënë se: “Njohja e parë (nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, vr.j.) e sjell një shtet në bashkësinë e kombeve dhe pas kësaj ky shtet ekziston, përveç kur ai zhduket me pëlqimin e përgjithshëm apo me pushtim; qeveritë mund të njihen a të mos njihen kohë pas kohe, por shteti mbetet... nuk ka arsye që të vihet në diskutim ndershmëria e Shqipërisë ose dëshira dhe mundësia e saj për të përmbushur detyrimet e veta ndërkombëtare”.

Raporti i Komisionit dhe debati në Asamble

Lidhur me kërkesën e Shqipërisë për pranim në Lidhjen e Kombeve, një komision kishte hartuar raportin, në të cilin përshkruante kushtet e konstatuara nga Memorandumi dhe dokumentacioni i bashkangjitur kërkesës. Komisioni konstatonte se Qeveria aktuale e Shqipërisë nuk ishte njohur nga asnjë fuqi e madhe, dhe se njohja prej fuqive të mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e 1914, kur edhe ishte caktuar princi (Vidi) - nuk është efektive! Megjithatë, komisioni vlerësonte se Qeveria shqiptare ekziston dhe e përfaqëson ndjenjën kombëtare dhe autoritetin mbi gjithë Shqipërinë, dhe se zotohet t’iu përgjigjet të gjitha detyrimeve që merr nga marrëveshjet ndërkombëtare. Sa i përket kufijve, komisioni vlerësonte se ata nuk janë caktuar de facto dhe mund të pësojnë ndryshime nga ndonjë marrëveshje ndërkombëtare. Përfaqësuesi i Serbisë kishte thënë se “Shqipëria nuk është një shtet, por vetëm një çështje ndërkombëtare”.

Marrë në përgjithësi, raporti i komisionit nuk ishte në favor të pranimit të Shqipërisë. Mirëpo, falë zgjuarsisë, autoritetit e miqësisë dhe lobimit të Nolit e miqve të tij, në debatin e zhvilluar në Asamblenë të mbajtur më 17 dhjetor 1920, të gjithë diskutuesit përkrahën kërkesën dhe u deklaruan në favor të pranimit.  Kthesë kryesore të disponimit pro kërkesës së Shqipërisë, kishte bërë fjalimi brilant, konstruktiv dhe i  argumentuar me parime, që kishte mbajtur juristi i njohur, lordi Robert Cecil, atëherë përfaqësues i Afrikës së Jugut, i cili ishte edhe raportues në Asamble. Përkrahje të madhe kishin dhënë me diskutimet e tyre edhe përfaqësuesi i Kanadasë, Australisë, Perandorisë Britanike, Indisë, Italisë, Rumanisë, madje edhe përfaqësuesi i Francës (Vivian), i cili në fillim këmbëngulte për shtyrjen e pranimit. Kur kryetari i Asamblesë e kishte hedhur në votim, të gjithë 35 përfaqësuesit e pranishëm të shteteve anëtare të Lidhjes së Kombeve votuan  për pranimin e Shqipërisë, pa asnjë votë kundër, e 7 abstenime, që nuk ishin të pranishëm. Kështu, Shqipëria më 17 dhjetor 1920, u bë anëtarja e 43-të e Lidhjes së Kombeve, dhe këtë status do ta mbajë deri me shuarjen e asaj Lidhje, në vitin 1945, kur u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara, por që për shkaqe dhe arsye të ndryshme Shqipëria në këtë u anëtarësua dhjetë vjet më vonë, tek në vitin 1955.

Pranimi në Lidhjen e Kombeve ishte një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë, pasi që kështu bashkësia ndërkombëtare ia njohu dhe përforcoi  sovranitetin dhe në një mënyrë i garantoi kufijtë që ia kishte caktuar de jure Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Pranimi në Lidhjen e Kombeve ishte arritja më e madhe politike e Shqipërisë asokohe, madje shumëkush aktin e pranimit në Lidhjen e Kombeve e konsideronte si akt më i rëndësishëm se vet akti i shpalljes së pavarësisë (1912). Avantazhet e fituara me  anëtarësim ishin të mëdha në krahasim me statusin që kishte para anëtarësimit. Fjala e rastit që mbaji Noli pas pranimit në Lidhjen e Kombeve, ngjalli emocione te të pranishmit. Gjatë gjithë kohës dhe kontakteve me përfaqësues të vendeve anëtare, anëtarë të komisioneve e të Asamblesë, Noli ishte në epërsi me  zgjuarsinë, kulturën, elokuencën, oratorinë, dashamirësinë. Anëtarësimi në Lidhjen e Kombeve u bë kryesisht falë punës së suksesshme të Nolit dhe përkrahjes shumë të madhe të lordit Robert Cecil, e miqve tjerë.  Suksesi i arritur në Lidhjen e Kombeve e bëri Nolin figurë kryesore në jetën politike të Shqipërisë deri në vitin 1924, kur u bë edhe kryeministër, për t’u larguar përgjithmonë nga Shqipëria pas kthimit të Ahmet Zogut në pushtet, me ndihmën e Serbisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT