Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Tahiri: Përtej parajsës

| E marte, 23.12.2014, 08:27 PM |


Përtej parajsës

Njeriu mund të zgjedhë cilëndo fe që ka trashëguar prej stërgjysheve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftoj të tijën, pa vënë në ballë një vulë të madh prej “tradhtisë”. (Fan S. Noli)

Tregim nga Bedri TAHIRI

Një shandan i madh bakri, me dymbëdhjetë qirinj të ndezur, që, sigurisht, simbolizonin muajt e vitit dhe fiset e vendit, ishte vendosur mbi një  trekëmbësh prej druri arre dhe, për mrekulli, shndriste gjithë konakun e mbushur përplot mysafirë. I zoti i shtëpisë, një mesoburrë hafif, me plisin e bardhë dëborë në kokë e me ca mustaqe të zeza si pendla korbi, sillej vërdallë dhe hija e tij merrte forma të çuditshme e frikësuese mbi muret e gurta të kullës  trekatëshe.

-Ulu e zë vend diku, o Petrit Guri,- foli plaku në anën e mëngjër të oxhakut çemerli, që rrinte shtruar këmbëkryq mbi një postiqe të madhe të ogiçit galan.

-Po pres edhe pak sa të mbërrijnë Urata nga famullia e largët dhe imami i xhamisë së madhe,- ia ktheu Pjetri, duke u turr përjashta, ku u dëgjua një zë i hollë pipë…

Pas pak, çdo gjë sikur u paqësua. Oda ishte mbushur e stërmbushur. Në ballë, si rëndom, prifti e hoxha, klerikët që gajaseshin në heshtje me romuzet e shakaxhiut Arif Tutkuni, i cili, edhe pse atje tej mbi trapazan, mundohej ta mbante gjallë atmosferën e zymtuar. Fare pranë tyre, kryeplaku sederli, burrë me nam, që e nderonte gjithë Malësia. Ai fliste rrallë e për mall, siç i thonë një fjale. Qëndrimi i tij burrëror i jipte hije kuvendit.

Sakaq, filloi edhe darka me gjithë të mirat. Era e mishit të fërguar në hell guduliste flegrat e hundëve të secilit. Sofrat e mëdha, që mezi ua arrije mesin, ishin përmbushur saqë s’kishe ku ta lëshoje as majën e gjilpërës. Burrat, të kthyer anash, veç dorën mund ta fusnin për të marrë ushqimet.

Ama, një gjë po mungonte atë natë: rapsodët dhe çiftelitë! Ah, jo xhanem, jo. Sonte nuk ishin tubuar për muzikë e për argëtim. Ata burra të zgjedhur të vendit kishin një hall krejt tjetër. Hasmin e kishin në prag dhe çdo ditë i provokonte. Kësaj here kishte ngjarë një e paparë e e padëgjuar. Në hyrje të xhamisë së madhe ishin hedhur ca derra të therur! Dhe, kur se, mu natën e festës së Bajramit! Obobo! Synimi i kukudhave ishte i qartë: ngatërresa e vëllavrasja!

-Fol diçka, o imam Haxhi Musa!

-Çka të them, ore burra, kur të gjithë e dimë pse jemi tubuar sonte,- nxori  hoxha një zë të ngjizur, duke u ngritur pakëz në gjunj. Ai po bëhej gati për t’ia nisur atij muhabeti të vështirë e që nuk dihej si do të rridhte e si do të përfundonte.

-Hajde hoxhë, hajde, ia fillojmë.- folën gati të gjithë përnjëherësh.

- Ani, ore, ani, po ia nisim,- bëri ai ngadalë dhe, pasi u kollit dy- tri herë, më shumë për ta thyer heshtjen se sa që i vinte, tha:

-Vëllezër shqiptarë. Një e keqe e rëndë na ka qëlluar mbrëmë, si rrufeja për së kthjellti. Ca smirëzinj tanë, me qëllime të përçarjes, e kanë hedhur mollën e sherrit midis nesh. Trupa të therur derrash kanë përgjakur derën e xhamisë. Veçse, siç ma thotë mendja e siç po ma ndjen zemra, kanë bërë hesape pa hanxhinë. Ne, nuk duhet të bëhemi aq të marrë e të shtijmë kundër njëri- tjetrit. Jo, jo. Me mençuri, me maturi e me gjakftohtësi duhet ta kapërcejmë këtë ligësi të armiqve tanë shekullorë. Ne të gjithë jemi vëllezër të një gjaku e të një gjuhe. Besimet fetare i kemi pasuri që na lakmon gjithë bota. Kjo nuk na ka pengur anjëherë, nuk duhet të na pengoj as sot. Të gjithë së bashku do të shkojmë në xhami dhe ta pastrojmë nga ato ndytësira. Vetëm ashtu do t’ua plasim zemrën hasmëve tanë...

- Të lumtë goja, hoxhë, u dëgjua një si burbullimë nga oda.

Një heshtje mbytëse mbuloi konakun. Askush më s’po merrte mundin të fliste. Çele guri gojën. Shikimet e të gjithëve ishin drejtuar tek urata, që po i xixëllonin bebëzat e syve e po i shkëlqente nuri nën mjekrën e zezë, të krehur e të mbajtur mirë. Po ndjehej ngushtë për atë që kishte ngjarë, ngase aludohej në grigjën e tij, por edhe po ngazëllehej nga fjalët e kolegut fetar dhe nga disponimi i pjesëmarrësve. Edhe atij, doemos, i takonte të thoshte nja dy fjalë. Ashtu, e donte puna dhe rendi. Dorën në zemër, malësorët gjuhëshpatë, nuk të linin fare të mekatënoje. Ata, deshe s’deshe, të tërhiqnin për gjuhe.

-A s’na e thua një fjalë, o uratë?- erdhi një zë i mbytur si nga bunaca, andej nga fundi i odës.

-Po, po, edhe ai duhet të thotë diçka,- mërmërisen të gjithë si në kor.

-Patjetër, aty edhe e kisha mendjen,- mori fjalën, me një ton të qetë e të butë, at Zefi, që ende s’i kishte arrirë të dyzetat, por dukej si një babaxhan engjëllor. Pas fjalëve të mençura të hoxhës, e kam vështir të them diçka. Edhe unë e kam të njëjtin mendim, ato janë provokime të rënda për të na përçarë. Por, ne, nuk do t’i honepsim dot. Gjaku ynë kurrë nuk bëhet ujë. Atdheu mbi të gjitha. Këtë e kemi dëshmuar denbabaden. Kështu na mësojnë edhe të parët tanë mendjendritur. Poeti ynë kombëtar, at Gjergj Fishta, me drita i pati lidhur kishën e xhaminë në Shkodër, në kohën kur hasmëritë fetare pritej të shpërthenin në vëllavrasje. Apo, mos ta harrojmë të madhin Pashko Vasa me ato vargjet e tij emblematike: Mos shikoni kisha e xhamia- Feja e shqiptarit është shqiptaria! Këto duhet të na shembellejnë për jetë e mot dhe, ngjarjet e tilla, si kjo e sotmja, t’i kapërcejmë siç na ka hije: pa pasoja. As ne nuk do të provojmë të shkojmë përtej parajsës...

-Rrofsh e qofsh sa malet tona, o i bekuar!- thirrën me një gojë të gjithë, madje edhe ata që ishin nxehur pak më herët, kur e kishin parë ngjarjen, dhe kishin lëshuar fjalë të liga për vëllezërit e tyre jomyslimanë. Gjakërat e tyre ishin ftohur dhe tashti logjikonin më shtruar. Mirë e tha urata, ç’na duhet të lodhemi e të endërrojmë se çka ka përtej parajsës,- thoshin me vete dhe u vinte keq për  mendimet e tyre të nxituara...

Edhe kryeplaku i tha ca fjalë përmbyllëse. U tha, u bë! Ky qe miratimi që nuk e lozte dot as topi...

Të nesërmen, që pa gdhirë, të rinjtë e asaj ane, të të dy besimeve, kishin hequr trupat e derkucëve të masakruar qëllimshëm, kishin pastruar gjakun dhe, përreth xhamisë, çdo gjë shkëlqente. Lutjet për festën e Kurban Bajramit, u bënë qetë, bekueshëm e me devotshmëri të paparë. Në festën e tyre merrnin pjesë edhe vëllezërit e besimit katolik.

Të shkuara, të harruara,- sikur thoshin të gjithë me vete, pa dashur të kujtonin atë që kishte ngjarë një natë më pare.

Galicë, 23 dhjetor 2014