E enjte, 18.04.2024, 10:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Tefik Selimi: Poeti që i këndon atdheut me zemër

E marte, 23.12.2014, 05:38 PM


Poeti që i këndon atdheut e vendlindjes me zemër...

Nga Tefik Selimi

S’ka shkrimtar shqiptar që nuk i ka kënduar atdheut e vendlindjes. Atdheu është mbi të gjitha. Ai, si do që të jetë, është Atdhe. Atdheu është foleja më e ngrohtë e njeriut. Është identiteti i tij. Nuk ka gjë më të dashur se atdheu! Ku s’ka atdhe, s’ka liri. Për atdhe, njërëzit kanë dhënë më të shtrejtën e tyre, jetën. Edhe Beqir Buzuku, poet gjilanas, ka shkruar poezi për atdheun, vendlindjen etj. Ai, ditë më parë botoi veprën poetike “Atdheu me dy zemra” (2014). Është kjo vepër më e veçantë e tij arti, i cila, ngërthen në vete poezi lirike që artikulojnë vargje të lehta e të lira për fëmijë e të rinj. Këto janë reflektime poetike të poetit gjilanas, të cilat frymëzime janë fort joshëse për botën e lexuesve. Në këtë vepër poetike fëmijët gjejnë vargje për atdhedashurinë, heroizmin e popullit, por gjejnë vargje edhe për vendlindjen e ngrohtë, stinët e vitit e motive të tjera poetike. Beqir Buzuku është njëri nga poetët që ka filluar të shkruajë ka herë nëpër gazeta e revista tek ne në Kosovë. Ai në veprën e tij të fundit i ka kënduar me zemër atdheut e vendlindjes së tij. Te ky autor gjemë vargje plot lirizëm poetik, të cilat frymëzime janë të dala nga thellësia e zemrës e krijuesit.  Pra, në veprën e Beqir Buzukut “Atdheu me dy zemra”, gjejmë poezi plot jetë e gjallëri, ku autori i ka kënduar atdheut, vendlindjes, fushave, kodrave, maleve, prindërve, por i kënduar fëmijëve dhe botës së tyre ëndërrimtare. Sepse, fëmijët janë pjesë e atdheut. Pse jo? Fëmijët e duan atdheun. Atdheu pa fëmijë, është sikur pema pa frute. Poezitë e veprës së B. Buzukut janë artikulime të qëndrueshme poetike, të cilat rrëfejnë ngjarje e kohë të jetës sonë. Beqir Buzuku shkruan për fëmijë, por shkruan edhe për të rinj. Pra, bota e tij poetike është e pasur me motive më të ndryshme jete e pune. Beqir Buzuku është poet mjaft të njohur në letërsinë për fëmijë. Ai gjer më tani ka  botuar shtatë vepra me e novella për të rinj, e ato janë: “Pesha e ngjyrave” 1995, “Ejte për buzëqeshje” 1995, “Çupëza e ngjyrave” 1996, “Përtej të sotmes” novelë 1997, “Lahuria e lulemollëve” 2001, “Çelësat majë lapsit” 2004, “Rrëshqitje në udhëkryq” 2005, “Tri ditët e shtojzovalles” novelë për të rinj 2009. Vepra më e re e tij, i cila doli para do kohe, është “Atdheut me dy zemra”. Autori këtë vepër poetike e ka ndarë në këto cikle: “Treni që s’ndalet kurrë”, “Mbretëria ee xixëllonjave”, “Iku stinë e lodrave”, Zogu dhe vajza e mirë” dhe “Fluturat e vendlindjes”. Ky është një “dizajnim” i bukur i veprës në fjalë, për faktin se, këto cikle janë të dala natyrshëm nga vetë vepra e autorit. Këtu vërehet dashuria për vendlindjen, atdheun stërgjyshor, dashuria për bukuritë e natyrës së vendlindjes, dashuria  për mrekullitë e stinëve të motit etj. Po kështu, autori nga vargu në varg e nga poezia në poezi etj., e rrumbullakësoi një krijim poetik tërheqës me titull “Përroi i jetës” për të ardhur gjer te krijimi monument i tij poetik me titull “Të fala nga Xhela”. Kjo poezi është një “dizajn” i bukur i këndimit të atdheut me zemër. Këtu janë metaforat e forta të autorit, të cilat shprehin dufin dhe zjarrin e frymëzimeve poetike të tij. Ja si është pikturuar liria në poezinë: “Dita e  re”, ku autori shton: “Është drita e syve/ Lulja e bardhë e jetës”. Po ky frymëzim mbyllet me ato rreze që reflektojnë qartë nga brenda, si shton autori: “Sot dita ka tjetër këmishë/ Me ngjyrë pranvere/ Me gaze harlisare”. Po ashtu, edhe stinët e vitit autori i ka pikturuar me ngjyra  të gjalla e me plot optimizëm e përshkrim të lirë. Ja titujt e poezive të veprës së B. Buzukut: “Përroi i jetës”, “Dita”, “Kënga për ty, mëmdhe”, “Vallja e Nëntorit”, “Atdheu me dy zemra”, “Ngjyra krenarie”, Piktura flamur”,” Treni i jetës”, “Çelësat e mrekullive”,”Mbretëresha e xixëllonjave”, “Plaku koprrac”, “Letër e laps të një ngjyre”, Çelësat e dritës”, “Pemë diturie”,”Drita”, “Kur mungon guximi”, “Një hartim me dy ngjyra”,”Ëndërr dëshire”,”Vera në bjeshkë”,”Në vjeshtë”, Imazh dimri”, “Shpejt vjen marsi”, “Portreti i vendlindjes”, “Piknik në vendlindje”, “ Të fala nga  Xhela” etj. Poeti, Beqir Buzuku, të kaluarën nuk e ka harruar. Thuhet, ai që e harron të kaluarën, do të përsëritet ajo kohë. Andaj, e kaluara e shqiptarëve ka qenë e zymtë, me droje, por edhe me vuajtje e nën okupimin prej të huajve. Këtë tema autori i veprës në fjalë nuk i ka anashkaluar, por i ka trajtuar me buzëvaj e me përkushtim. Ai thotë se, kur jeton njeriu në ditën e re, ajo është “lulja e bardhë e jetës”. Por, dje ishte kohë, një mjegullnajë: vuajtje, skamje e pa vullnet, ku populli luftoi për ta mbrojtur atdheun e të parëve dhe për ta fituar lirinë e shtrenjtë. Poeti shton: “Dje jeta pa dritë/ Kish mjegullnajë/ Kish mynzyrë e vaj/ (f.9). Apo: “Sot dita ka tjetër këmishë/ me ngjyrë pranvere/me gaze harlistare” (po aty). Beqir Buzuku, në poezinë “Këngë për ty, mëmëdhe”, ai atdheun e quan fole, sepse vërtetë është foleja më e dashur dhe më i ngrohtë e njeriut, i cila, në liri ndërtohet me shumë ngjyra. Por, atdheu për poetin e kësaj vepre është “më i ngrohti prehër/ ku dua të rroj e  të vdes”. Këtu na përkujton poetin e madh të Rilindas sonë Kombëtare, A. Z. Çajupin, i cili pati shtuar: “... ku rroj me gaz e me shpresë, ku kam dëshirë të vdes!”. Poeti ia qan hallet atdheut, sepse ka dhimbje, ku dhimbja e tij (e atdheut) peshon dhe është, si thotë poeti: “këtu e në qiell”. Por, edhe pas kësaj “gjendjeje” jo të mirë, se populli ka dalë me vuajtje e i lënduar nga lufta, poeti nuk heziton duke kënduar me afsh atdheut, dhe thotë, “emrin ta ruajmë në zemër” (f.10). Poeti në veprën e tij “Atdheu me dy zemra” i këndon edhe UÇK-së, e cila i ka tri shkronja të mëdha, të cilat shkronja i ruamjë në zemër. Për autorin dhe të tjerët, UÇK-ja është simbol i lirisë, e cila solli lirinë dhe shtetësinë. Nuk ka poet për fëmijë që nuk i ka kënduar Pavarësisë së Kosovës. Edhe B. Buzuku i ka kënduar me zjarr këtij momenti historik të shqiptarëve. Ai në poezinë “Flakërim gëzimi”, poeti Buzuku, ia thotë vargjeve poetike: “Një ditë të gjithë tok/ Dolëm nga amullia/ dhe ndodhi mrekullia...” Pra, 17 shkurti i vitit 208 u përjetësua jo vetëm tek ky poet, por edhe te shumë krijues, të cilët, kush me shumë e kush ma pak, këtë akt madhor e kanë qëndisur në vargjet e tyre poetike. Tek vepra e  Beqir Buzuku “Atdheu me dy zemra” lexuesi gjen poezi që autori ia ka kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ai në poezinë “Vallja e Nëntorit”, shton se, 28 Nëntori është festë brerore lirie, ku hedhet vallja nga Molla e Kuqe, Çamëria, Shkup, Tetovë, Manastir, Likovë, Gostivar, Strugë, Ulqin, Plavë, Grudë, Tuz, Guci, Preshevë Bujanoc, Karadak, Medvegjë...etj. Këto janë troje shqiptare, e autori shton: “Shqipëria do të jetë, Shqipëria do të  rrojë, sa të ketë yje në qill, malet e lumenj në tokë” (f. 14). Autori gëzohet edhe kur lindin fëmijët në familje. Ai i gëzohet lindesimit, sepse atdheut i shtohen dy shkollarë e dy ushtarë. Në poezinë “Panoramë kohe”, autori flet për internet, për UÇK-në, për robot, por flet edhe për arsimtar e për trimat legjendarë. Por, nuk harron dhe flet edhe për këtë kohtë të reja, ku shton: “Kjo kohë, kohë e re/ s’është krejt mrekulli/ në të ka edhe mangësi.../ Në rrugë, në kënde të trotuareve/ njollë shtëmtie/ duart të shtrira të lypsarëve” (f.30). Këto vargje të përkujtojnë poetin e mjerimit, Migjenin, i cili varfërinë e trajtoi në skajshmëri të kohës kur jetoi. Në veprën e B. Buzukut na dalin vargje të lloj-llojshme, të cilat janë të lira dhe shpërthejnë lirshëm e natyrshëm. Në poezinë “Në piknik”, poeti na rrëfen për Prekazin legjendar, aty ku u flijua  familja e të madhit hero, Adem Jasharit. Në veprën e  autorit gjejmë edhe poezi të mrekullueshme, të cilat janë krijime të rralla artistike. Autori i veprës jetën e sheh me dy ngjyra. Ai shton: “Jata s’është krejt shkëlqim/ sikur pasqyra/ po është me dy ngjyra/ njëra e zezë, e shëmtuar, tjetra e bardhë, e mrekulluar. Dikush thur perde terri/ dikush mbëlton mollë sherri!” Më në fund, autori “ngjarjes” së rrëfyer i jep fund duke shtuar se: “Pema nuk ka shije/ pa u pjekur mirë” (f.61). Në këtë vepër poetike nuk mungojnë poezitë për stinët e  vitit. Ja si shton autori për vjeshtën: “Bujku i vyeshëm / hedh farë në arë/ Xha poeti me vargje/ uron punë të mbarë” (f. 69). ”. Në fund është fjala e redaktorit, Rushit Ramabaja, i cili në përmbyllje të vlerës së veprës, ai ka shtuar: “Kurorë e të gjithë kësaj dege motivore janë vargjet poetike, të cilat sot e përgjithmonë, tingëllojnë: “Tash dy zemra ka kjo Shqipëri,/ Njërën në Tiranë, tjetrën në Dardani!”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora