Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder Hoxha: Polemikat letrare në antikë

| E marte, 23.12.2014, 04:35 PM |


POLEMIKAT DHE DEBATET LETRARE NË ANTIKË

KOMEDIA SATIRIKE “BRETKOSAT” E ARISTOFANIT ME MOTIVE POLITIKE DHE MONUMENT I POLEMIKËS LETRARE

NGA PROF. MR. SKËNDER R. HOXHA

1. Jeta dhe veprat e Aristofanit

Datat e lindjes dhe të vdekjes së Aristofanit supozohen të jenë përafërsisht 456 – 380 para Krishtit. Si për shumë autorë të antikitetit, edhe për këtë komediograf të madh shumë pak gjëra dihen rreth jetës së tij. Thuhet se ishte djali i Filipit nga Egina, i ardhur në Athinë, dhe se kishte pasur konflikte të vazhdueshme me politikanët.

Aristofani merret si komediografi më i njohur i kohës së tij dhe ndër më të mirët e të gjitha kohërave. Është autor i më shumë se 50 pjesëve dramatike, 11 nga të cilat mbijetuan. Në komeditë e tij, ai kombinoi vargje të ndryshme lirike me elemente të vallëzimit, të korit, të satirës, komentit social e politik, zhvillimeve fantastike dhe karaktereve të mëdha. Ndër komeditë e tij më të njohura janë: Bretkosat, Arharnianët, Lisistrata, Princat, Retë, Paqja, Grerëzat, Zogjtë, Plutus, Gratë në festivalin e Demetrës.

2. Komedia e vjetër

Në fushën e teorisë, për komedinë nuk kemi trashëguar shkrime të hershme, si për tragjedinë. Megjithatë, Aristoteli në librin e tij Poetika, dallon komedinë nga tragjedia, duke i atribuar asaj anën dëfryese, të situatave dhe të karaktereve të caktuara. Mendimtarë të tjerë të asaj kohe kanë dhënë ndonjë mendim, duke e parë komedinë si “zhanër të ulët”, në të cilin është e pranishme klasa e mesme sociale dhe jo heronjtë e mbretërit; aty rreziku nuk është serioz dhe veprimet përfundojnë me hapyy end (gaz) – përfundim gazmor.

Horaci thoshte se janë gjithsej tre shkrimtarë të mëdhenj të komedisë së vjetër, nga të cilët ka mbijetuar vetëm Aristofani, përkatësisht vepra e tij. Të gjitha komeditë që i njohim nga shekulli V para Krishtit i përkasin Aristofanit, për të cilin nuk ka shumë të dhëna. Komeditë në kohën antike jepeshin kryesisht me rastin e ditëve të plleshmërisë e festave të ndryshme religjioze për nder të Dionisit.

3. Esencat e komedisë së Aristofanit

Në kohën kur Aristofani zuri t’i shkruajë komeditë e tij, demokracia athinase kishte nisur të përjetonte një rënie, e cila u bë objekt i satirës së mprehtë të autorit. Lufta e Peloponezit dhe konfliktet e tjera të ngjashme, i kishin lëkundur themelet e asaj demokracie. Luftërat prodhonin humbje dhe dhembje të mëdha, siç ishte humbja e heroit Pe-rikle. Prandaj, s’është çudi që humori i Aristofanit është shpotitës e therës që nga fillimi, me tone të frikës dhe hidhërimit. Talenti i Aristofanit ishte i veçantë dhe ai i jep komedisë vulën e individualitetit të tij, të mendimit të tij human e politik, patriotik dhe satirik, veçanërisht në lëmin e satirës politike, të dashurisë për Athinën. Të gjitha krijesat – njerëzore, shtazore e të tjera – duke nënkuptuar këtu gjithsesi edhe korin, bëhen pjesë e rëndësishme për shumë pjesë të Aristofanit. Rreth dyzet vjet mbizotëroi në skenën komike të Athinës, duke qenë shumë i dashur dhe i kërkuar nga publiku. Te një nga kryeveprat e tij, Bretkosat, ai flet për një figurë tragjike të asaj kohe, Euripidin. Në komedinë e tij trajtohen tema bashkëkohore, shumë herë me subjekt fantastik. E tillë është komedia “Bretkosat”, ku përshkruhet një udhëtim në Had, si dhe biseda me të vdekurit.

4. Bretkosat e Aristofanit - teksti i parë i kritikës

“Ekziston tipi i poetikës eksplicite, normative, të shkruar nga kritikët e estetët dhe tipi i poetikës implicite të vetë shkrimtarëve e poetëve, të cilët shfaqin në veprat e tyre mendime për artin dhe krijimtarinë letrare. Një vepër e tillë është komedia “Bretkosat” e komediografit të njohur të shek.V p.e.s, Aristofanit, i cili konsiderohet si komediografi më i madh antik grek.” 1)
    Bretkosat” konsiderohet një nga pjesët e fundit të shkruara në frymën e komedisë së vjetër; vepra u shfaq në vitin 405, një vit pas vdekjes së Euripidit. Ajo u shkrua më (404 p.K), gjatë vitit të fundit të luftës së Peloponezit (ndërmjet Athinës dhe Spartës). Kjo nuk është e rastit pasi komedia Bretkosat lidhej ngushtë me konceptet demokratike të cilat ishin tronditur nga kriza ekonomike dhe ideologjike që po kalonte shteti skllavopronar.

Bretkosat është një komedi satirike ku aspekti politik përbën një nga motivet e komedisë, por aty kemi edhe një monument të polemikës letrare, grindjen mes Eskilit dhe Euripidit. Për këtë komedia Bretkosat konsiderohet teksti i parë i kritikës letrare.

Subjekti i shkurtër i komedisë është ky: Pas vdekjes së Sofokliut dhe Euripidit, teatri në Athinë erdhi duke e humbur shkëlqimin, kurse artdashësit interesimin për të. Për këtë arsye, Perëndia e Verës dhe mbrojtësi i artit tragjik, Dionisi, i veshur me lëkurë luani, vendosi të zbresë në Had, në ferr, dhe të zbresë së andejmi ndonjërin prej tyre, me qëllim që t’ia kthejë Athinës lavdinë e dikurshme. Dionisi dhe skllavi i tij Ksantiasi, i cili kishte origjinë nga njerëz barbarë, hyjnë në skenë.

Më nevojitet poet i zoti:
Të mirët s’rrojnë; ata që janë
Nuk vlejnë gjë.

Ata duan ta shpëtojnë Euripidin nga nëntoka dhe ndjekin këshillat e Heraklit, meqë ai kishte përvojë nga jeta e nëntokës; me Kerbrin, qenin me dy - tri koka, i cili ruante portat e Hadit. Më në fund, ata zbresin në Had. Ndërsa kalojnë lumin Stiks, Dionisi ndesh në korin e bretkosave që këndonin: Brekekekeks ko-aks ko-aks; dhe këto mund të merren edhe si aluzione për jetën e atëhershme athinase.

Kori i bretkosave kthehet si kor i hyrjeve në botën e nëntokës. Pastaj, arrijnë në dyert e Hadit. Ndonëse kanë probleme me rojen në derë, Dionisi dhe Ksantias merren vesh me të dhe vazhdojnë para. Kori kthehet serish si frymë e të vdekurve, Kori është pjesë e fillimit të misterit dhe të zbulimit të botës së mëtejshme.

Pas shumë peripecish, i ndjekur në udhëtimin e tij nëpër Akeront nga kori i bretkosave (nga e merr titullin vepra), ai arrin në Had. Atje zhvillohet një dialog i ashpër midis dy tragjedianëve të mëdhenj, Eskilit dhe Euripidit, rivalë me njëri-tjetrin. Gjatë kësaj rragate, prej së cilës Eskili del fitues, ata qortojnë veprat e njëri-tjetrit, si nga ana e kuptimit dhe e shprehjes, ashtu edhe në planin e ritmit e të metrit. Përmes fjalëve të këtyre dy rivalëve të mëdhenj, Aristofani mëton t’i vërë në pah dobësitë e artit të tyre. Duke dashur ta karakterizojë në mënyrën sintetike artin e tyre, Dionisi në një rast thotë: “Këtë këtu, (Euripidin) e quaj të ditur, ai atje (Eskili) më kënaq shpirtin”, gjë që do të thotë se Euripidi është tipi i shkrimtarit erudit e intelektual, kurse Eskili shkrimtar me frymëzim të fuqishëm e të vetvetishëm. Edhe pse në dallim simpatitë e Dionisit duket sikur janë në anën e Euripidit, në fund, ai, megjithatë përcaktohet për Eskilin.

Në komedi, konflikti në mes Eskilit dhe Euripidit bëhet temë e veçantë.  
Dy poetë, Eskili sublim dhe Euripidi subtil, qëndrojnë përballë njëri-tjetrit, mbrojnë artin dhe këngën e tyre…
    Përmes gojës së personazheve, Aristofani mëton të shprehë mendimin e vet për artin e këtyre dy tragjedianëve, duke nënvizuar si vlerat, ashtu dhe dobësitë e tyre. Kështu, sipas tij, Eskili përdor fjalë e shprehje të rënda, por i edukon njerëzit, kurse Euripidi ka një stil më të lehtë e më popullor, por është më konservator. I pari është “gjëmimtar”, i dyti “mbrojtës i traditave të vjetra”.
    Komedia “Bretkosat” e Aristofanit, konsiderohet si model i parë i kritikëve letrarë, por edhe i polemikës dhe debatit midis shkrimtarëve, rivaliteti i të cilëve është, siç mund të shihet, dukuri e vjetër sa dhe vetë letërsia. Edhe pse në një rast, përmes gojës së Dionist, shqiptohet mendimi se poetëve nuk u ka hije të shahen në mënyrë banale (juve poetëve nuk u ka hije/ të shahi bash si bukëshitësit), dialogu mes Eskilit dhe Euripidit është i rreptë dhe i pakompromis. Ata nuk i zgjedhin as fjalët e as argumentet për eliminimin e njëri-tjetrit.
    Te “Bretkosat”, për poezinë flasin dy poetë të mëdhenj tragjikë të antikës, Eskili dhe Euripidi, mirëpo, nëpërmjet tyre Aristofani shfaq pikpamjet e tij për poezinë dhe rolin e saj.

Më tutje, kuptojmë se Euripidi, tashmë i njohur nga njerëzit, po provonte të merrte fronin e poezisë nga Eskili, i cili ishte Poet Laureat i Botës së Nëntokës deri në vdekje të tij. (50 vjet më parë).
    Meqë Euripidi po mbante fronin e poezisë dhe atij i kërkohej ta linte atë, ai refuzoi vendosmërisht:

EURIPIDI (Dionisit): Fronin s’e lë;mos m’jep këshilla;

Them q’jam m’i  lartë se ky në art (Akti V, skenë e parë) 2)

Në anë tjetër, Euripidi, duke insistuar se është më i lartë në art sesa Eskili, i cili sipas tij, përdor sharlatanizma dhe është vetëm një mjeshtër gojëlëshuar fjalësh të gjata dhe  bombastike:

EURIPIDI: “Po zë të rëndë merr ky së pari;

Sharlatanizmë përdor gjithmonë nër tragjeditë.”3)

Polemika ndizet ashpër pas kundërvënies së Eskilit, i cili po ashtu fillon t’ia kthejë të sharat Euripidit, duke e quajtur grumbullues dokrrash, pallavrash e rreckash:

ESKILI: “Vërtet, o bir hyjneshe fushash

Këto m’i thua ti grumbullues

dokrrash, pallavrash edhe personash

krejt të këputur? Ti që mbledh recka

ti arnatar? Po do pendohesh? 4).

Ndonëse Dionisi provon ta qetësojë dialogun mes tyre dhe u kërkon të flasin e të maten me fjalë çfarë u kanë hije, Eskili vazhdon me kritikën e tij, duke iu referuar futjes së martesave të turpshme në art nga ana e Euripidit. Ndërsa, kur Euripidi kërkon matjen e vlerave të vargjeve të tyre, të fjalëve dhe forcës së tragjedisë, Eskili e refuzon këtë me pretekst se matja e këtushme nuk është e barabartë dhe se poezia e tij nuk matet pasi që ishte e gjallë, ndërsa e këtij e vdekur. Më tutje, dialogu u kthehet sërish fjalëve të rënda dhe akuzave morale.

Ndërkaq, në pjesën e dytë të komedisë, Dionisi luan rolin e gjykatësit në debatin letrar ndërmjet Eskilit dhe Euripidit. Ata shfaqin pikëpamjet e tyre mbi artin dhe rolin e tij në shoqëri. Eskili është kundër risive që solli Euripidi në teatrin e kohës. Ai nuk mund të pajtohet  me atë se tragjedia të ketë për personazhe njerëz të zakonshëm dhe fate njerëzish të zakonshëm. Ai mendon se vetëm heronjtë e vërtetë, karakteret e fuqishëm janë të denjë për t’u trajtuar në një tragjedi që të trondiste teatrin e Athinës: S’ishin si sot, njerëz përtacë,/As dredharakë, as sharlatanë,/ Po burra trima të shtënë pas/ Heshtash e shtizash e përkrenaresh.

5. Përfundime

Eskili mburret se i takon kryet e vendit në fushën e poezisë, sepse e ka ngritur lart frymën luftarake të qytetarëve, shtetasve të polisit, gjë që, sipas konceptit homerik mbi poetin është detyrë e poetit. Të njëjtën gjë e thotë në mënyrën e vet edhe rivali i tij, Euripidi. Që të dy afirmojnë vlerën epiko-morale të poezisë, të cilën asaj ia mohonte Platoni.
     Të gjithë poetët antikë e konsideronin të drejtë këtë pikëpamje, e cila nga përspektiva e sotme mund të duket pak a shumë utilitare. Në Athinë, në shek.V p.e.s, kjo kur krijonin një varg poetësh të mëdhenj, mendohej se poezia “duhet t’i bëjë më të mirë njerëzit”. Mirëpo, ky efekt i poezisë duhet të arrihet në mënyrë të tërthortë e jo të drejtpërdrejtë dhe pa u cënuar liria krijuese e poetit. Këto pikëpamje i mbron Aristofani në “Bretkosat” e tij. Ai luftonte për një pozitë më të volitshme të poezisë në trekëndëshin politika-filozofia - poezia, duke favorizuar poezinë e glorifikuar, rolin e saj, përkundër Platonit, i cili, siç theksojnë njohësit e mendimit estetik të antikës, Aristofani ia bëri mbrojtjen e parë poezisë.

Komik i lindur, Aristofani vuri në lojë dy bashkëkohësit e tij më të mëdhenj, Eskilin dhe Euripidin. Përmes debatit që zhvillojnë këta dy në Had, ai vë në pah dobësitë e artit të tyre, por edhe vlerat e tij. Gjithashtu, Bretkosat rrëfen për shthurjen e artit të tragjedisë dhe për përpjekjen për ta rimëkëmbur atë. Duke qenë kritikë e poezisë, komedia “Bretkosat” bëhet njëkohësisht edhe mbrojtja e saj. Autori i saj, Aristofani, thumbon poetët, por mbron poezinë.
     Kjo komedi ngre të drejtën që gjithçka mund të kritikohet lirshëm dhe pa frikë.

___________________
Referencat:

1) A g i m  V i n c a, Gazeta Metropol, 1 korrik 2005 (Faqe interneti)
2) Aristofani, Bretkosat, Rilindja, 1969, Prishtinë, f.86.

3) Po aty.

4) Po aty, f. 87.