Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Angjelina Krasniqi: Pesha e mendimit

| E marte, 23.12.2014, 07:28 PM |


ANGJELINA KRASNIQI

 

-Epigrame -

 

PESHA E MENDIMIT

 

Kali ka dizgjinë dhe gomari ka samar,

Ua tërheqim kur marrin rrugën e gabuar,

Se në shtëpi duhet të shkojnë më parë,

Për t‘u hequr peshën që kanë ngarkuar...

 

Prandaj Ti njeri, që ke sy, por dhe mënd,

Mos derdh rrugëve peshën e mendimit tënd!

 

KOKËFORTI

 

Kokëforti është një qukapikth,

Ulet në një degë pranë trungut.

Me sqepin e tij rreh në një pikë,

Vrima dëmtuese bënë dhe ikë!

 

RRUFE-GJUAJTËSIT

 

Ka njëri që di të shpërndajë vetëtima e rrufe,

Por ka dhe njeri që shëndrrohet në rrufepritës,

Pasqyra e thyen dritë - blicin, e kthen atë në re,

Nuk matet kohëzgjatja e vetëtimes me të dritës ...

 

Tjetër të jesh luftënxitës, e tjetër rrufe - pritës!

 

HAMBARI I LLOGJIKËS

 

Uji është për të pirë,për të vaditur,

Në rrënjën e bimës lule-grurëzuar,

Po deshe të korrësh prodhim situr,

Kur bima ka vapë duhet ndihmuar...

 

Ndryshe,hambari bosh ka për të zhurmuar !

 

I DJALLËZUARI

 

Gëzofin e fjalës e ka të butë e të bukur,

Buzëqeshje sheqeri e mjalti të dhuron.

Por, pas fjalës thellë mashtrimi rri strukur,

Çark i ngritur i pabesë pret rastin, kafshon...

 

Mjerë kush këshillën e të parëve e harron!

 

GJYSHI SHPESH ME THOSHTE

 

Kostum e kollare, këmishë hekurosur,

Shtërnguar në grykë, të rrijë e puthitur,

Por në një mëndje trubullt e nakatosur,

Kostumi ngjet i varfër e kopsaçkopsitur...

 

Sa bukur që thoshte gjyshi në odë me burra:

"Vlerë nuk jep kostumi, por dija dhe kultura"!

 

LIBRI

 

Çerepi i shtrirë për flinë fletë-fletë,

Pjek zërin ndër shekuj që të mbetet,

Mbulohet me saçin si kapak i lehtë,

Por zëri dhe goja kurrë nuk i tretet !....

 

BLETA E MIZA

 

Miza dhe Bleta lëshojnë gumëzhimë e potere,

Por tingujt gumëzhues kanë shumë ndryshim,

Njëra mbush nektarë lule, kthehet në koshere,

E tjetra sillet e trullosur sa nuk gjen shtëpinë !

 

Prandaj shtrohet pyetja: "Ku e ka shtëpinë miza,

Që vemje e zhurmë dhuron në kërma dhe driza" ?

 

PESHA E FJALËS

 

Shpirti nuk është brumë për petë e byrek,

Që shtrohet rënde - rënde në tepsi për fli,

Është frymë,që çdo gjë në hapësirë e prek,

Eshtë ditë me diell,por dhe ditë me plot shi...

 

Furra e fjalës e pjek, ose djeg në përjetësi !

 

BESIMI

 

Besimi është si thjerrëzat e syrit,

Shikimin e kthjellët e pastron,

Po ra nga syri xhami i saj grrithet,

Si më parë të shikosh nuk ndihmon!....

 

MENDIMET

 

Njeriu ka gjymtyrë, me to ndërton dhe mur,

Me avuj djerse në shpatulla dhe mes brezit.

Atje ku je nisur nuk mund të shkohet kurrë,

Po nuk u mundove,ke dobësinë e karakterit...

 

Gjymtyrët dhe mendimet, vërtet janë të ndara,

Që të dyja bashk çojnë jetën e njeriut përpara !

 

BUZËQESHJA CINIKE

 

Gota e përplasur e thyer copë e grimë,

Lëshon një cingërrim, sikur të të vrasi.

Kujdes në copat e thyera mos shkelni,

Pret ashpër,si tingëllima cinike e një gazi!....

 

O NJERI

 

Kot tjerrim leshin e fjalës gjerë në fund,

Nëse nuk e shtjellim si lëmshi në një top.

Po nuk e përdorim për thurrje askund,

E gjithë puna e harxhuar shkon më kot...

 

Po s'patëm themel,ndërtimi është i kot' !