Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Xhadia si babadimër

| E hene, 22.12.2014, 08:30 PM |


KALOSH ÇELIKU

 

XHADIA* SI BABADIMËR

 

MË TROKET TE PORTA

(Grave të mia besnike

në prag të Vitit Ri)

 

(Vulë në ballë)

 

Skënderbeu im, herët po më del gjumi

Dexhalli merr nuse me koçi, në Shkup!

Valle heq nën Rrap, ma tremb poezinë

Miken me dy shtamba verë nën hije

Nuse, ma përcjellë pas shtatë maleve.

 

Përmidis Shkupit i bie me trumbeta e valle

Tri ditë para Përmbytjes Madhe (Kiametit).

“Sehirxhive” ua vë nga një vulë në ballë…

 

(Lugati)

 

Ditën, gërhet keq në gjumë. Ëndërr

Sëpatën e Nuses fsheh nën setre.

Shelgje sharron, cungje në Livadh.

Lisat e Babait. Çerdhet e lejlekëve

Datja, që i mbolli për Dimrin e Madh

Zjarrin ta ndezim flakë, Nesër në oxhak.

 

Natën zgjohet lugati, ecën nëpër Shtëpi

Kusi rrokullisë në dhomë. Tepsi me fli

Derën me reze, përplas para agimit.

 

Dielli, zbret pa frikë nga Baba Tomori

Poezia ime zgjohet jerm në Libër.

Vargu im, tymeflakë shkrep “nagantin”…

 

 

(Xhadia)

 

Xhadi, oj Kurvë! Bijë Kurve, në Shkup

Lëmën na e mbushe plot me kopila!

Gjumi, si nuk të mori për “pushtet” argati

Gji pi me kusi, te pragu i Derës madhe.

Ditenatë duke u përkundur në djep druri

Vëllai - vëllanë ta vrasë natën në gjumë.

 

Xhadi, oj Kurvë! Bijë Kurve, në Shkup

Burrë, si nuk u gjetë për ty deri më sot?!

“Nagantin” nxjerrë nga brezi, në shtrat.

 

Nusen e Dexhallit ta palojë nga koçia…

 

 

(Ventillatori)

 

Nuk më ngroh, as nuk më ftoh

Verë e Dimër. Fryjë, nateditë!

Kotnasikoti përplas fletët nën Rrap

Unë me vite kam vapë në Shkup.

 

Lumi nuk ka ujë. Deti pa kripë

Oqeani nuk ma shuan zjarrin.

Mikes te kroni ia thyen shtambat

Gji dua të pi! Fuqi për luftë heroike!

 

Dexhallin, vras në mes të Bit-Pazarit...

 

 

(Rrakashtrake Bit – Pazari)

 

Mikja ime Di, vjen me dy shtamba verë

Nateditë. Ehu, më mbyti nën hije Rrapi!

Thotë: pi, o burrë! Vardari nuk ka ujë

Vargun shkrepe ditën! Natën në Shkup!

Dexhalli, ende delë sokakut me trumbeta

Valle heq halldupi, bën dasëm të madhe

Xhadinë në Shkup me koçi merr nuse.

 

Rrapin e kam Tyrbe. Miken Di, poezi azgane

Gji më jep me dy shtamba, ngritem nga varri.

Nesër, ti nën Rrap vetëm një rrakashtrake

Kotnasikoti përpiqesh të më vësh në gjumë.

 

Rrakashtrake Bit - Pazari, lodër dum-dumi…

 

 

(Xhadia si Babadimër

më troket te porta)

 

Babadimri ka ardhë te porta. Troket.

Lëmën ta ka mbuluar me borë.

Derën pret ta hapësh. Ulësh në sofër.

E di se, nuk ke kripë e as bukë për miq

Vetëdijen moti ta ka marrë Dexhalli.

Miken  ta presësh në odë si shqiptarët

Babai: me bukë, kripë e zemër në sofër.

 

Megjithatë, Babadimri të troket te porta.

E, ti vazhdon të plakesh mes poezive.

Derën nuk ia hapë Xhadisë si mike…

 

 

(Zgjohu shpirt dhe

ndize zjarrin)

 

Zgjohu Shpirt! Dhe, ndize zjarrin

Derën mbylle me shul! Dritaret!

Oxhaku nuk ka derë mbi Çati

Qiellin e ka Shtëpi. Diellin fener

Kashtën e Kumtrit djeg në vatër.

 

Zgjohu Shpirt, ma shtro shtratin

Gjergj Elez Alisë jepi gji. Fuqi.

 

Plagën e dhjetë e shëron varri…

 

1. Xhadia / grua llafazane dhe kurvë.