E enjte, 18.04.2024, 02:10 PM (GMT+1)

Mendime

Hasan dhe Lajde Blakaj: Na ndihmo zotëri...

E diele, 21.12.2014, 09:09 PM


Na ndihmo zotëri zoti të ndihmoftë

Nga Hasan dhe Lajde Blakaj

Bënte  ftoftë. Të ftohtit dhe acari në Stokholm është i rendomë gjatë stinës së dimrit. Ngricat dhe bora kanë përfshirë jo vetëm pjesët veriore të Skandinavisë por edhe ato të mesme dhe jugore. Meçe kohë më parë Driloni kishte siguruar biletat në shtëpinë  Mbretërore të Operës për të pare një operë, vendosëm atë mbrëmje se bashku më familjen të dalim pak më herët në qytet dhe të kënaqemi sado pak duke i shikuar  dekorimet dhe stolisjet e bukura të qytetit. Edhe pse ishte tepër bukur nuk kënaqesha aq shumë kur e dija që Prishtinën tonë të dashur e lan pa e dekoruar për hire të mjekrave vehabiste aziatike. Vërtetë është për të ardhur keq dhe turp i madh për një popull të lashtë evropian siç jemi ne të lejojmë këso gjërash kaq të shëmtuara. Çdo gjë që shihja dhe që ishte më shije të rrallë e krahasoja më qytetin tim të studimeve dhe të punës, tani të trisht dhe të errët.

Stokholmi vërtetë është i bukur edhe pa dekorime fare, po ja që tradita nordike për dekorime tradicionale  është një traditë e moçme e krishtlindjeve e cila vazhdon edhe sot. Rrugët të ndriçuara, dritare të dekoruara me lloj, lloj dritash vezulluese, bredha të stolisur bukur neper sheshe të bëjnë për vete sapo të dalësh jashtë lokalit ku çlodhesh me ndonjë pije të vendit. Menjëherë aty pran Pallatit Mbretëror gjendet një lokal që quhet Kafe Opera. Nga aty shef një pjesë shumë të bukur të qytetit të vjetër më rrugica të ngushta dhe shtëpi karakteristike që janë të ndërtuara shumë shekuj më parë. Ura të vogla dhe të shumta që lidhin lagjet e këtij qyteti ta kujtojnë Venedikun, por tani Venedikun e ftoftë nordik. Jo fort larg nga aty në të majtë gjendet Galeria një qendër tregtare më kafeteri të ndryshme dhe hotele luksoze. Njerëz që hynë dhe dalin në atë qendër thuajse kanë ardhur këto ditë nga e gjithë bota.

Mu ke porta hyrëse të asaj qendre shoh dy plaka të mbështjellura fort me batanije dhe rroba të trasha që rrinin ulur, në ca paketa të shtruara duke kërkuar lëmoshë. Pothuajse pjesa dërmuese e kalimtarëve për në galeri kalonte aty pari, fare pa i vërejtur plakat edhe pse ato mundoheshin të ua zgjonin kureshtjen  për ndonjë qindarkë lëmoshë.

Popullsia e shteteve nordike janë nder donatorët më të mëdhenj në botë për ndihma por këtë formë të lëmoshës nuk e parapëlqejnë. Ato dy plaka më dukej se rrinin aty kot duke ngrirë se ftohti ngase ndonjë ndihmë sado modeste nuk vërejta të kenë marrë nga kalimtarët. Nordikët janë të prirë të ndjekin formën institucionale të dhënës se ndihmave nëpërmes shoqatave,  fondeve të ndryshme ku shteti më pastaj e bën shpërndarjen e tyre atje ku ka nevojë. Posa kaluam pranë tyre mu duk se dëgjova të flisnin shqip. Dorën në zemër sado që mu dhimbsen ato plaka  unë nuk do të ndaloja po të mos i dëgjoja të flisnin shqip.  Ndjesi e çuditshme, diçka e dhimbshme  e jashtëzakonshme ma përshkoj trupin në ato momente. Mora guximin dhe kalova në anën e kundërt  mu aty ku qëndronin të ulura ato dy plaka.  U afrova më kujdes dhe fillova  të di se nga vinin dhe ç´far halli kishin kur kërkonin lëmoshë sepse jo vetëm për suedezet por edhe për mua nuk ishte një gjë e zakonshme.  Fjalët që kishin komunikuar në mes veti vërtetë kishin qenë fjalë shqipe dhe ato paksa në sharje që për shkrimin nuk janë të rëndësishme. Po, për mua ishin tepër të çmuara. U afrova edhe më afër dhe i pyeta në shqip:”Shqiptare jeni ju?” Ato vetëm tunden kokën. Nga ajo tundje koke nuk kuptova se nga ishin dhe ç´far ishin përpos që kërkonin lëmoshë.

Ato tani me pyesin mua se çka isha më kombësi kuptohet në gjuhën e tyre. Thjeshtë ju gjegja shqiptar. Aha, Albanci, albanci u dëgjuan ato përnjëherësh. Nga të folurit më dukeshin të ishin sllave,  o nga Rumania, Bullgaria  ose nga Maqedonia. Ligësia më kaloj nga shpirti im vetvetiu më ti dëgjuar të flisnin një gjuhë tjetër. Thjeshtë do i ndihmoja më ca para dhe do ikja nga aty. Ato nuk më dhanë afat ta bëja as edhe një hap më tutje duke folur një shqipe të çalë më aksent sllav. I pyeta për shëndetin dhe të ftohtin që më dukej se ju kishte futur gjerë në palcë  dhe ato më përgjigjeshin në shqip. Po, nga ku,... ju kështu, nga vini i pyeta unë. Nga Bullgaria jemi ne ma kthyen ato.  Vëmë në Stockholm para festave të krishtlindjeve për lëmoshë kurse kur bën nxehtë kërkojmë lëmoshë në Ballkan. Po si, si...sa fitoni ju kështu duke ngrirë në acar i pyeta prapë unë?.  Po  jo, jo shumë por mjaft sa për të jetuar. A keni kënd atje në atdhe, dhe si jetoni ju atje, prapë pyeta unë. Po, po sinko më quanin ato që vërtetë as tani nuk mora mundim ta di se çka do të thotë ajo fjalë. Ne kemi djem dhe vajza afër Temishvarit në Rumani por, ata na kanë dëbuar nga shtëpia dhe nuk na lënë brenda. Bile herën e fundit djali im më rrahu aq shumë sa përfundova në spital. Shpejt largojë shaminë nga faqja dhe ma tregojë një plagë të qepur ku penjtë e zi të mëndafshit ishin ende prezent. Tani kalojmë mirë than ato  meçe nuk jemi të sëmura dhe nuk kemi nevojë për ilaçe. Ç´far të bëjnë ato të sëmurat e zeza që kanë nevojë edhe për bukën e gojës  edhe për ilaçe se!?. Po ku e keni mësuar shqipen i pyeta unë. Atje në Shkup, atje de, kur vinë shqiptarët nga mërgimi, atje fitojmë ne shumë edhe nuk ngrimë nga të ftohtit. Qeshen të dyja më të madhe  duke ja shkelur syrin njëra tjetrës dhe duke i shpaluar dhëmbët e m´veshur  me kurora argjendi. Edhe pse ishin të lodhura dhe dyllë të zverdhura gjenin forcë dhe kurajë për të jetuar mendoja unë. Natyrisht një ndihmë simbolike nuk mungojë nga ana jonë duke u ndarë nga ato më urimet më të mira për mua, familjen e begatinë e shumë urime të tjera.

Kaluam nga shkallet lëvizëse dhe u gjendem pran portës se metrosë. Këso netësh para kërshëndellave shumica e qytetarëve ju shmangen veturave në qytet sepse është trafik shumë i dendur dhe natyrisht parapëlqejnë metronë apo trenin. Ashtu vepruam edhe ne. Sa do qe mundohesha ti largojë nga mendja ato dy plaka, se ç´me shtynte të mendoja edhe për nënat, motrat dhe gjyshet tona në këto kohë të pa kohë. Mu kujtua vargu i një komentuesi në artikullin tim  të më hershem“Identiteti jonë i nëpërkëmbur”

”Lahuta mbet’ varun në trâ,

Mixha kalbët në dhé,

E, nipat s’dinë me i rá!” I. H.

Ku ti marrim nipat ore i uruar mendova unë, i përpiu eksodi. Ofshama ma përshkojë shpirtin dhe mendja si e shpejt që është sillej vërdallë sa në Prishtinë sa në Stockholm.

Më besoni mu dhimbsen këto plaka të gjora por krenaria ime që ne si komb kujdesemi për prindërit dhe farefisin ma rriste edhe më shumë ndjesinë shpirtërore që jam shqiptar. Ndihesha krenar me popullin tim ndihesha shumë i lumtur që i takoj këtij populli dhe që është një ndër popujt më human në mesin e popujve të tjerë. Apo ndoshta mua të ziut mu kishte ndalur ora, kisha ngelur akoma në ato vitet e shkuara   kur mbrëmjeve të pasdarkes ju tregoja fëmijëve të mijë për humanizmin dhe krenarin e kombit tonë.

Kohë më parë ju kisha treguar për demonstratat e vitit 81 kur si student kishim ngelur të izoluar nga njësitë speciale të Jugosllavisë në rrethim të plotë më ditë të tera të pa ngrënë dhe të pa pirë në lagjen e romëve në Prishtinë, atje prapa binarëve të trenit. Rastisi të depërtonte një shqiptarë që ishte futur disi në atë lagje më një fugon më ca bukë furre. Asnjëri nuk mësyu për të marrë ndonjë copë buke por vetëm prisnin dhe shikonin. Më kujtohet se të gjithë kujdeseshin më shumë për shokun apo shoqen  sesa për veten e tyre edhe pse ishin shumë të uritur vet. Të gjithë e ndanin kafshatën e bukës me njëri tjetrin. Edhe tani më mban kjo kujtesë dhe dashuri ndaj  jetës studentore të asaj gjenerate. Nuk e thash këtë pa qellim dhe thjeshtë ashtu rastësisht, sepse kështu po i parafytyroj edhe njerëzit e kombit tim që një ditë të afërt edhe mund ta humbim krenarinë tonë më shekuj si shqiptar. Varfëria të çon në derë të hasmit thotë populli. Një ditë mund të ndodh ti shoh edhe bashkëkombësit e mi para dyerve të metrove apo stacioneve të autobusëve  duke kërkuar lëmoshë. Sa do të ishte e dhimbshme dhe trishtuese për të gjithë, ashtu si për mua. Dhe pyetja bëhet vetvetiu: Pse, pse bëhet kjo kështu?  Shumë kujt në ditën e sotme do ti duken ndoshta këto rreshta të tepërta e sidomos politikanët që do të tallen më mua për këto fjalë që i them sepse ata tani janë të “ngopur materialisht”  dhe të tallur edhe vet kur nuk i shohin këto turma njerëzish në ikje e sipër. I “keshuri të përkeshë është një thënie e popullit”. Ata kanë hallet e “mëdha”  të dasmave të shtrenjta familjare veturave të blinduara e bythëve të kallashit. Kurse ne i kemi hallet e “vogla” ato të mbijetesës, të bukës se përditshme të munguar në sofër, të ndonjë pune sa për ta mbajtur veten dhe familjen gjallë. Por le të tallet kush të dojë më mua dhe  më realitetin që është realitet i kohës se sotme koherent më situatën. Kur nënat tona kanë ngelur në piken e mjerimit skamnor e ata po bëjnë sehir me dreka e darka në Brezovicë dhe hotele të tjera luksoze duke u kënaqur e bërë çefe me gra të përdala. Kur të rinjtë tanë kanë humbur shpresat e jetës e ata u thonë mos e lëshoni vendin sepse ne me muaj të terë nuk u morëm vesh kush do të qeverisë. Kur gjyshet tona kanë ngelur pa një dorë për të ua ndezë zjarrin e ata u thonë se askush nuk ka jetuar për gjithmonë. Kur muaj pas muaj autobusët mbushen më të rij dhe familjar në një rrugë me trishtim që nuk dinë as ku vënë e as ku është stacioni i fundit për ta, e ata u venë policinë për ti ndaluar e arrestuar. Kur Kosova jonë e shenjët po zbrazet nga shqiptarët e ne po gjejmë 1100 arsye e shkaqe nga më të ndryshmet për të justifikuar ikjen masive nga vendi i jonë. Plakat që kërkonin lëmosh ma përkujtuan apotheozën e misrit të Migjenit dhe grushtin për ta shembur bjeshkën. O sikur ta kisha një grusht të fort... edhe pse nga natyra ime asnjëherë në jetë nuk e kërkova një grusht të fortë për popullin tim përpos atë të dashurisë për te.

Eh populli im sa shumë durove e sa shumë po i duron, këta bij kopil që i rrite vet me mundin, djersen e gjakun tënd. Kurrë nuk menduam ne kështu se paku gjenerata jonë, që do të vije kjo ditë, që më plumbat e kursyer nga lufta më armikun ti vrasim bijtë tanë më të mirë. Qe më barërat serbe te skaduar afatit ti “shërojmë” fëmijët, familjet tona. Qe më ushqimin e kontaminuar të importit ti ushqejmë foshnjat tona. Dhe të shtiremi duke pohuar  se kemi bërë punë të mëdha për shtetin. Jo zotëri jo i keni në qafë më qindra e qindra luftëtarë që kanë bërë vetëvrasje nga zhgënjimi dhe halli i mjerimit, nga se nuk kanë gjetur rrugë tjetër. Vetëm për 11 muaj të këtij viti 51 persona kanë bërë vetëvrasje. Për mua shokuese dhe alarmante. Edhe nëse kanë pasur probleme psikike si thoni ju, faj nuk është i tyre sepse ne nuk u kemi siguruar asnjë përkujdesje mjekësore dhe asnjë ndihmë jetësore. I keni në qafë më qindra e qindra motra vajza tona të dhunuara, dhe të shitura si skllave për prostitucion. I keni në qafë qindra mija të rinj pa ardhmëri jete vetëm për faj të grykësisë suaj. I keni në qaf më mija e mija të rinj e të moshuar për indroktrinimin fetar vehabist aziatik që me dhjetëra gra e fëmijë të tyre të dhunuara rënkojnë në shkretëtirat e Sirisë. Zoti ju mëshiroftë po pat mëshirë për ju!. Më besoni të gjithë besimtarët e devotshëm do ti lusja të luteshin për ju për tu këndellur.

Gati çdo ditë bisedoj më nënën time dhe thjeshtë më thotë: “Loke është çuar rahmeti, mëshira ndaj të afërmeve, prindërve e sidomos pleqve askush nuk do ti shoh me sy e të kujdeset për ta”. Unë e kuptoj atë dhe e di saktësisht ku qëndron faj. Faji është tërësisht i juaj politikan sepse nuk keni krijuar azile pleqsh nuk keni krijuar spitale si duhet nuk keni krijuar shërbime për pensioner e mos të flasim për aktivitete rekreative për ta, sepse nuk keni pasur kohë duke keqpërdorur dhe keq qeverisur shtetin.

Kosova po zbrazet, këtë e dëshiroj armiku ynë shekullor dhe ne i ndihmuam atij. Pleqtë po ngelin në mes katër muresh në mëshirën e fatit e ndoshta disa edhe në qiellin e hapur pa asfare lloj ndihme për të jetuar. Shtrohet pyetja: “Athua e merituan ata jetën kështu, si shpërblim qe na linden e rriten na ruajtën historikisht kombin, gjuhen, kulturën e atdheun”. Jo dhe jo edhe pse pjesa dërmuese ishin analfabet të pa shkollë, sa herë serbi rrezikonte kufijtë shqiptar jepej kushtrimi o shpejt o burra ta mbrojmë atdheun se na ra turku a sllavi. Kaq ata dinin, por ishte e mjaftuar për kohen dhe atdheun. E tani ç´far të themi që jemi bërë për faqe të zezë të “shkolluar” e më njëqind diploma të falsifikuara Dr. shkencash aq shumë sa për ti mbartur me qerre kuajsh. Bile se paku pak më mirë do të duhej të dinim pasi kemi bërë më shumë  “shkollë” apo jo!. Por jo, kajtja, kajtja e pa merituar e ka prishur gjithmonë njeriun.

Në jetë nuk është krejt çdo gjë politikë, dhe më çdo kusht,  për ti fituar votat për të qeverisur, duke mos zgjedhur mjete e as rrugë vetëm për të ardhur në pushtet. Nuk është krejt çdo gjë të mbetesh në pushtet sepse ka më mija rrugë për tu marr me diç tjetër dhe për të jetuar më dinjitet. Identiteti i njeriut humbet atëherë kur ai mundohet të tjetërsohet në diçka çka nuk është e natyrshme , apo duke u shtirë për tu bërë diçka tjetër qoftë në pikëpamje kombëtare apo fetare. Këtë gabim fatal e keni bërë ju politikanë kur keni përkrahur lëvizjet ekstreme fetare vetëm për të pasur mbështetje nga elektorati. Ja tani pasojat që do të duhen vite e vite për tu shëruar.  Andaj  lëshoni rrugë  gjeneratave të reja sepse thjeshtë jeni të konsumuar. Pikërisht këto gjera e kanë shtyrë këtë popull dikur shumë krenar, tani në mjerim të thellë,  për të marr rrugët të botës pa krye. Mos kërkoni dhe shpifni diçka tjetër, këto që i ceka më lart dhe shumë të tjera janë arsyet e ikjes se njerëzve nga vendlindja. Këtë nuk e them vetëm unë. E thonë më qindra e qindra njerëz si unë që ju dhemb shpirti për këtë popull të shumëvuajtur.  Prandaj  ju politikanë me influencë vehabiste dhe njerëz që po e keqeverisni shtetin po ua sjell ndërmend se asnjëherë nuk ka faj një popull i terë që dëshiron të mbijetoj për ekzistencë. Më duket se tashmë është bërë vonë, treni po i afrohet stacionit të fundit për ju.



(Vota: 16 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora