Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rrustem Geci: Atdheu nis tek zemra

| E diele, 21.12.2014, 06:10 PM |


Rrustem Geci

ATDHEU NIS TEK ZEMRA

- poemë për shpërnguljen

 

Atdheu nis tek zemra, tek

gjuha, flamuri, se në dhé të

huaj, ndrron emrin dhe guri!..

Stamboll, Prill,1993

 

Re të luftës,.. dallgë dhe stuhi

S´na u hoqën mbi qepallë

Më të fortë ishim se vetë Sparta

Natën mbi Trojën nuk di ta falë

 

Dielli mbi Shqipëri nuk digjet

Shqipëria s´rron e poshtëruar

Roma Çezarit, Nata Osmanlliut

tokave tona flakën ia vunë

 

Në një kontratë të vitit 1937

Të dënuar ishim,...me kalvar

Në atë ( kontratë ) të fqinjëve

Shpërngulja ish atentati i parë

 

Ku jemi, dhe a jemi gjëkundi

Që t´i bëjmë ballë shpërnguljes

Vrasjeve, djegieve, zvogëlimit

Doktrinave fashiste të fqinjëve

 

2

 

O populli im i munduar

tejpërtej i kami rënë ferrit

me vuajtje e kami këtë jetë

prangat po m´i hanë duart

 

Burgjet kudo janë njësoj

uniformë, hetuesi , tortura

zvogëluesit e trojeve tona

të gjitha mynxyrat i dinin

 

Krajla, mbretër e perandor

që s´ i patëm kurrë asgjë

na shkulën dhe degëdisën

nëpër vende krejt të huaja

 

Njerëz të mirë të atdheut

ende s´jemi krejt i harruar

gjakun si t´ia fshij plagës

plagën si t´ia fshij zemrës

 

3

 

Lexues, hapi regjistrat e kohës

hape shekullin e 19 dhe 20-të

dhe arkivat tona me Turqinë

brenda janë 2 qind kryengritje

 

Nuk ka njeri në këtë botë, që

ta fshij gjakun e shpërnguljes

plagët janë shumë shekullore

dhimbjet janë të çdoditshme

 

Udha për Selanik me qerre

ishte një dramë më shumë

një përgjakje e papërshkruar

në ato ndjekje dhe shpërngulje

 

Një mik i imi, Armir Kosova

pjesëmarrës i (tre) luftërave

me lot në sy më drejtohet;

si t´ ia fshij gjakun plagës

 

Në çastin kur më dëbuan

tregon miku im i shpërngulur

putha pragun e shtëpisë sime

dhe mora një qese me dhé

që të mos më bjerë hiadha

apo ndonjë gjëmë çmendie

 

4

 

I shpërnguluri në dhé të huaj

bën luftë me të aktorët

ai s´pajtohet në asnjë çast

të heq dorë nga atdheu i tij

 

Në këtë luftë të pashpallur

unë gjuhës i kërkoj ndihmë

fjalët ia pastroj çdo ditë

me gjuhën të mos harrohemi

 

Në ato vite të shpërnguljes

Stambolli ishte një vrasje

ku “vetëdorzohej” identiteti

gjëja më e çmuar e njeriut

 

Në Bashkinë e Stambollit

në Zyrat e tyre për të huajt

tek po prisja në korridor

të merrja kombësinë turke

në radhët me ne, ishte një

Vajzë bjonde, vjeç 16 , nga

Keçekolla e Prishtinës, serbi

asaj ia kishin vrarë 17 veta

të familjen, vëllëzërit, xhajat

ndërsa vajza kishte shpëtuar

duke u fshehur në plevicë

 

5

 

Ajo vajzë me tërë ato varre

doli nga zyra e zemëruar

ç´janë këto deftere turpi

unë kthehem në Kosovë

te varri i mamit dhe babit

dhe te varri i 3 vëllëzërve

o e gjallë s´ndërroj komb

dajë, dua diellin e fshatit tim

diellin e padjegur të fushave

fshatin me fytyrë bari

në Kosovë dua të bëhem nënë

dhe të lindi shumë fëmijë

 

O më të mirët e shpirtit

Gjergj, Aleks , Trëndëlinë

dhe juve që s´ po u njoh

gjuamëni me gurët tuaj

se unë biri juaj, Azgani

do duhej të isha me ju

të jepja dhe unë pak gjak

nga ( gjaku ) i trupit tim

Sa ( herë ) përmallohem

i bie telefonit e bisedoj;

Kosovë, tungjatjeta, si je

 

6

 

katundi s´i është; si dolët

në mëngjes, a pati bastisje

a jeni të gjithë shëndosh

dhe sa nuse lindën fëmijë

 

Në varrezat e Stambollit

prehen me mijëra shqiptarë

thonë se vdiqën në këmbë

dhe me mall të atdheut

 

Nuk ka ilaq në këtë botë

që ma fshinë mallin e zemrës

në Selanikun e atyre viteve

Selaniku ishte një përgjakje

 

Dëshimtari Kastrati rrëfen

tragjedinë e shpërnguljes

e kam përjetuar në Selanik

në një anije të vjetër greke

që transportonte shqiptarët

për në humbje dhe harrim

 

Në atë anije unë kam parë

një grua nga rrethi Gjilanit

pasi gjuan djalin nga anija

edhe ajo pas hidhet në det!..

 

7

 

Në botën e të shpërngulurit

i shpërnguluri vuan çdo ditë

për të siguruar një gropë varri

dhe një ëndërr për tokën e tij

 

Të shpërngulurit në Turqi

me mund e bëmë këtë jetë

i këputur, i degëtisur, i huaj

shpërngulja çdo ditë më vret

 

Kosovën një jetë se kam parë

Tiranën çdo natë e ëndërroj

lexuar kam mjaft për atdheun

për fushat, malet dhe detin

 

Me mall për atdheun po vdes

moshë më s´ më ka mbetur

veshët më ushtojnë shumë

e shoh se jam i përmalluar

 

Tokë e florinjtë është Çamëria

tronditëse është ëndrra e çamit

në det kur trapi d r e m i t e t

dhe çami me çamen puthen

 

8

 

Mosha s´ më lë të kap largësi

fëmijët po na i përtëritin emrat

për ju që e kuptoni këputjen

degën e thyer edhe era e than

 

Atdhé, o i shtrenjti im atdhé

Nxirre këngën që ti vetë e di

Na lësho një za prej atje

Të mos vdesim pa të dashurën liri

 

(I huaji në dhe të huaj, as varr

nuk ka, ligjet e shtetit të huaj

edhe për varre lypin qira!..)

 

O vëlla i gjakut tim, o zemër

jam lindur ku rritet rrushi

jam lindur ku piqet molla

kam gjakun e ujit të Drinit

aty ku i njoh dhe më njohin

 

(Atdheu nis tek zemra, tek

gjuha, flamuri, se në dhé të

huaj, ndrron emrin dhe guri!..)

 

9

 

Grykën e Bosforit, pyeteni

se flet; gjysma është lot

dhe gjysma është det!..

 

Kjo luftë e ky mundim, do

sjellin një ditë të bardhë

edhe sikur koha të zbres

në zero, Shqipëria do të

jetë një, dhe e bashkuar!..

Stamboll, muaji prill,1993