Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Bashkë për një shoqëri pa dhunë…

| E enjte, 18.12.2014, 09:21 PM |


Bashkë për një shoqëri pa dhunë…

Nga Entela Binjaku

Prej disa vitesh Shqipëria është bërë pjesë e fushatës botërore kundër dhunës me bazë gjinore. Në kuadër të kësaj fushate në vendin tonë, por kryesisht në kryeqytet,  u zhvilluan  aktivitete kundër kësaj dukurie. Këto aktivitete nisën si çdo vit më 25 nëntor dhe vazhduan  deri më 10 dhjetor kur përfundoi edhe fushata.

Nisur nga të dhënat shqetësuese për praninë e lartë të dhunës në vendin tonë, mbështetur në idenë se në një shoqëri të emancipuar e kulturuar dhuna ka më pak mundësi të gjejë vend, me  idenë se kundër saj duhet të përfshihen sa më shumë aktorë, Fondacioni “Harriet Martineau” si një ndër organizmat e rinj të aktivizmit civil shqiptar, zhvilloi takimin me titull:  “Gruaja në kinematografinë shqiptare: kontributi për një shoqëri pa dhunë”.

Ky aktivitet i konceptuar si pasdite kulturore ndërgjegjësuese u organizua pasditen e së martës, në  datën  9 dhjetor, një ditë para se mbyllej fushata.

Këtë takim e nderoi me pjesëmarrjen e tij  një personalitet i  artit të kinematografisë në vendin tonë, regjizori i mirënjohur z. Kristaq Mitro. Pjesëmarrës në takim ishin të rinj  universitarë, të ardhur nga fusha të ndryshme të aktivitetit studimor, të cilët të mbledhur në një nga strehëzat më interesante të kryeqytetit, quajtur “Foleja ShqipOn” dëgjuan e diskutuan rreth përshtypjeve të sjella nga  regjizori Mitro prej  një kohe të pajetuar fizikisht prej tyre, para viteve ‘90.

Në filmat e z. Mitro gruaja është një nga personazhet qendrore të krijimtarisë, ndaj biseda synonte të sillte përshtypje mbi vështirësitë që paraqiste mendësia e kohës për të sjellë në ekran, gruan,  figurën e saj dhe personalitetin femëror.

Në këtë bisedë që zgjati për rreth 120 minuta, të rinjtë pjesëmarrës i drejtuan pyetje nga më të ndryshmet, diskutuan mbi mënyrën sesi ata e perceptojnë sot shoqërinë shqiptare para viteve ‘90 duke ju referuar prodhimeve  kinematografike të asaj kohe etj.

Në këtë bashkëbisedim miqësor z. Mitro analizoi disa nga personazhet artistikë që kishin interpretuar aktoret më në zë të kohës dhe që sot përbëjnë një pjesë nga fondi i rëndësisë së lartë të artit të kinematografisë tonë siç ishin: aktoret Eva Alikaj, Matilda Makoçi, Margarita Xhepa, Liza Laska, Rajmonda Bulku etj.

Kujtimet nga sheshet e xhirimit, çastet nga magjia e ndërtimit të personazheve artistike, mënyra sesi gruaja vinte në rolin kryesor në filmat e regjizorit Mitro ishin disa nga elementët e kësaj pasditeje. Arti i të krijuarit në një kohë të ndrydhjes, “gërshërët” e pamëshirshme të ideologjisë, mbështetja dhe mirëkuptimi  i shoqërisë për artistët, pasuruan  më tej këtë mikromjedis të krijuar.

Përveç punës së regjizorit në vite ku në vëmendje erdhën filmat e tillë si: “Dimri i Fundit”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Duaje emrin tënd”, “Njeriu i mirë”, “Apasionata” etj., një nga çastet e kësaj pasditeje ishte shfaqja për të pranishmit e filmit  të një prej studenteve të profesorit Mitro. Filmi “Sonatë” i regjizores së sapodiplomuar Anxhela Dervishi,  një zë premtues i në këtë fushë erdhi si një urë lidhëse mes të kaluarës dhe të ardhmes, përmes krijimtarisë së  të tashmes.  Filmi “Sonatë” solli ndër të tjera praninë e dhunës në shoqërinë aktuale ku e ardhmja e pasigurtë e të rinjve sot “kërcënon” edhe ndjenjat më të bukura siç janë dashuria dhe ëndërrat rinore, ku dhuna prodhohet edhe në skutat më të thella të natyrës njerëzore e prej ndjenjave të lënduara nga provokimet e kohës.

Fushata kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore nisi në datën 25 nëntor e vazhdoi deri në datën 10 dhjetor.  Në moton “Bëje botën portokalli” ky takim i zhvilluar në një njërën  nga  këto 16 ditë aktivizmi ju kushtua gruas shqiptare në një dimension të rëndësishëm të kulturës  siç është prodhimi kinematografik dhe mundësia që ky art i jep shoqërisë për të zbutur dukuritë e kohës.

Takimi me titull: “Gruaja në kinematografinë shqiptare: kontributi për një shoqëri pa dhunë” ishte i pari i ciklit të takimit të natyrës “Art-caffe”, që Fondacioni synon të zhvillojë edhe më tej, me të tjera tematika, me të tjerë personalitete nga fusha të artit. Takime të kësaj natyre mungojnë thuajse tërësisht në qytetet e tjera të vendit tonë, më në periferi, apo në zonat rurale ku arti mbërrin me vështirësi apo nuk mbërrin thuajse aspak. Sa më pranë kulturës të gjendet rinia  aq më larg sjelljeve deviante do të qëndrojë ajo ndaj dhe aktivitetet me në qendër kulturën dhe artin synojnë të përmirësojnë shoqërinë tonë duke rritur kulturalisht nivelin e të rinjve pjesëmarrës në to.

Në këtë takim morën pjesë edhe organizata partnere me një profil interesant e bashkëkohor nga aktivizmi civil shqiptar. Një ndër to është lëvizja intelektuale “ShqipOn” ku në emër të saj  koordinatorja  Majlinda Kola i ftoi të pranishmit t’i bashkohen edhe nismave që kjo lëvizje organizon me synim forcimin e aktivizmit civil intelektual shqiptar.  Komuniteti i quajtur "Foleja ShqipON" është një levizje intelektualësh të cilët janë bashkuar ndër të tjera të kryejnë dhe aktivitete kulturore.  Kur arti bashkon në një të vetëm aktorë të ndryshëm të shoqërisë, ai mund të motivojë përmes sensibilizimit edhe shumë të tjerë. Për këtë ka nevojë që shoqëria të kërkojë më shumë aktivitete kulturore që do të mbanin larg njerëzve problemet e ndryshme që lindin nga mungesa e tyre, dhe jo vetëm në 16 ditë të vitit….