E merkure, 08.02.2023, 04:30 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Mëngjeset e bardha në kafe "Rostand"

E enjte, 18.12.2014, 07:14 PM


Mëngjeset e bardha në kafe "Rostand"

(esse)

Nga Përparim Hysi

Jam i magjepsur nga libri i fundit të Ismail Kadaresë dhe, tek do mundohem të jap përshtypjet e mia si lexues, nuk qeshë i zoti që të gjeja një titull të saktë dhe shtova veç epitetin të bardha. Se, kur thotë dhe imeshoqe: Kadare është si rrobë kadife: nuk mban qime! Shkurt: është vështirë që të flasësh për të. Vendos të heshtësh, po nuk të lë ai. Dhe ja tek më vijnë në ndihmë nja dy vargje nga Poeti i bukur Agim Shehu: "... rri, po nuk më rrihet/ se më vijnë mornica/". Kështu që vendosa të them përshtypjet e mia.

*     *    *

E lexova me një frymë " Mëngjeset në kafe "Rostand" dhe them (ndoshta nuk është vetëm imja kjo bindje) se ka shkruar librin më të bukur qëkur  ka lënë Shqipërinë. Për kafenetë në Evropë dhe ca më tutje ku  më ka çuar hera, kam parë e dëgjuar. Kafenetë vetëm në Shqipëri janë vend çeplendisjeje e   më the të thashë, se jashtë është fare ndryshe. Në  Florida ku kam jetuar jo pak, por 12-vjet, kish kafene nga të cilat nuk të bënte zemra të largoheshe. Kafe-librari dhe, në kishe nevojë për të dëgjuar muzikë, atje kishe kufjet, disqet dhe e ndjeje veten sikur në të njëjtën kohë ishe dhe në bibliotekë, por edhe duke ndjekur një muzikë dhome, simfonike apo klasike. Më mirë se kaq, nuk kish se si bëhej.

Për kafenetë në Evropë dhe sidomos në Paris kam dëgjuar prej kohësh. Aty, në Paris, gati 100-vjet më parë ka patur një kafe "Rotondo" ku mblidheshin shkrimtarë e artistë, sidomos nga  emigracioni. Mblidheshin atje dhe, në shkoj me mend atje para  gati 100-vjetësh, ndodh se edhe duke lexuar për Kafe "Rostand", tak dhe më ravijëzohet një personazh emblematik: piktori italian me prejardhje hebre, Amedeo Modiliani. Atje Modiliani i madh sikur e kish ngritur "atelien" dhe bënte vizatime në kartë ( me laps, sigurisht), dhe i shiste fare "shtrenjtë": qoftë dhe me një pjatë makarona nga pronari i Rotondos. Atje, veç tjerash, një ditë prej ditësh, u rrëfye "Hera që ngatërroi Perënditë" aliaz Anna Ahmatova  një bukuroshe që, aq ia prishi mendjen Modilianit, sa ky, aty për aty, ia bëri portretin që, thonë, e panë të varur mbi kokën e një poeti tjetër të bukur, Aleksandër  Bllok. Modiliani  vdiq në përkorje. Pronari i Rotondos vuri pasje me pikturat  e tij dhe të vjen që të vësh kujën, kur jo më vonë se vjet një pikturë e Modiliantit u shit 25  millionë dollarë!!! Por jo më kot nuk  përmend Rotondon. Se kam edhe më. Në Rotondo dukej edhe Aleksej Tolstoi bashkë me të shoqen. Edhe filofrancezi rus, Ilia Ehernburg që, fare rastësisht, i shpëtoi gijotinës së Kobës (Stalinit). Pra, kafenetë në Evropë janë si "qela" ku mblidhen shkrimtarë e artistë. Nga kjo anë, them: dhëntë Zoti që kjo gjë të arrihet dhe në Shqipëri. Kjo dëshirë nuk duhet të jetë vetëm imja. Aq më tepër kur të vetmin  klub  që kishte Lidhja e Shkrimtarëve e mbylli ish ministri i ç(kuturës), Ylli Pango, dhe  e zhbëri për të mos u bërë më. Shkrimtarët bredhin si "çifutët në shkretëtirë" dhe akoma nuk ka dalë një Moisi që t'i shpëtojë. Po kështu kryetari i fundit i Lidhjes bredh duke mbajtur në çantë "tapitë" dhe vulën e thatë. Pak paradoksale, por është e vërtetë.

*     *    *

Thonë që njeriu plaket duke nxënë. Kësaj thënieje do t'i shtoja vetëm kaq: gjithmonë ka vend për të ndryshuar bindjet. Kur them kështu, nuk flas me apriori. Si një lexues që nuk kam lënë pa lexuar (dhe blerë)  qoftë  dhe një vepër të Kadaresë, kam patur bindjen që veprat që shkroi, pasi  la Shqipërinë, nuk e kishin atë tharmin dhe magjepsjen. Mirëpo ja  tek lexoj këtë librin e fundit: "Mëngjeset në kafe "Rostand"  dhe bindjet bien. Përmbysen dhe, sado  që kam dy ditë që e kam lexuar, nuk ndahem dot. Bëhem agravues po nuk e pashë atje, mbi tavolinë, dhe jo vetëm kaq: jap e marr sikur kam rënë në  dashuri. Është kthyer tek unë adoleshenca. E lexoj, i rikthehem dhe prapë më bëhet se dua të them diçka dhe nuk di nga ta nis. Vërtet që libri hapet me " Mëngjeset...", por këto mëngjeset u ngjajnë atyre përrallave të "Njëmijë e një netëve" kur Shehrezadeja vinte në gjumë sulltanin. Në një gjuhë kafeneje: "Mëngjeset...", janë si kafe me bisht.

Tek lexon, befasohesh: e sheh shkrimtarin herë me kobure si  Isë Boletinin në Londër dhe herë përbri emrash që të trondisin: "... qe një afishe ku lexoje Shekspir, Miler dhe Kadare... Sikur vetëm kaq, nuk do qe pak. Pastaj, pak nga pak, je dëshmitar i ngjarjeve pa preçedentë: Kadare do dekorohet a do shpallej si anëtar akademie dhe, për turpin e Sqhipërisë, "koksit që mos ta kenë kokën", përtonin që të assitonin në këtë ceremoni që i bënte nder Shqipërisë më shumë. Pohimi: "Nuk më duan as të majtët dhe as të djathtët" është rrufe në qiell të  kthjellët. Tek lexoj, e zezë mbi të bardhë, këtë pohim tronditës, më vinë ndër mend vargjet nga "Visaret e Kombit"( në pastë menden,  me ma korit fisin/ gjujma re, njitash, me kokërr rrfeje"). E meritojnë këtë rrufe mbi kokë të gjithë ata shtetarë që e lanë vetëm Kadarenë në atë moment ku, veç tjerash, nuk u luajt himni vetëm e vetëm për këtë nonsens fare të pakuptimtë.

E gjej me vend që të them. Në Turkmeni ku  ka vlerë të çmuar ujë, ka një porverb: "Burimit ia dimë vlerën vetëm kur thahet". Për fat të mirë, Kadare për mabrëshqiptarët, është një burim që kurrë nuk do të thahet. Aty, në kafe "Rostand", përmjet penës së autorit, has dhe në shkrimtarë të dëgjuar të kohës: ja Le Clezio që nuk ndahej nga Modiano... derisa i pari mori çmimin Nobel dhe, thuaj,se "lidhja" u prish. Modiano nuk është askush tjetër po frnacezi Patrick Modiano që, siç lexojmë, jep e merr me Kadarenë deri për një vizitë familjare. Me sot, me nesër, duket vizita nuk është bërë dhe ka  një përkim të çuditshëm: dhe Modiano, dhe Kadare janë nominuar për Nobel.

Kadare për  herë të tridhjetë ( vini re: për herë të tridhjetë dhe Modiano për herë të parë). Ku ta dinte Kadare që, ndërsa libri priste dritën e botimit, Modiano në tetor të këtij viti mori çmimin Nobel. Hë, dhe diçka tjetër: sado francez, ky, Modiano, po paskësh pika gjaku (kushëri  i largët) me atë Modilianin e "Rotondos". E, ndërsa Kadare,e pati për të tridhjetën herë, unë, si pak "kumarxhi" që jam, them: -Tridhjettë e njëshi merr paratë! Urimi im në  vesh të Zotit!

*     *    *

Se ku kam  lexuar:" Prozatorët e mirë lindin nga poetët e këqij". Në rastin Kadare, kjo sentencë bie. Kadare ka qenë Poeti më i bukur i Letërsisë Shqiptare dhe nuk e la poezia  atë, po qe Kadare që la poezinë. Sa për mua, bëri pak mëkat: sa shkroi poezi, ai qe më i paarriri. Iku si një poet i bukur dhe u bë  edhe më i bukur me  prozën e tij.

Këtu tek "Kafe Rostand" të ngre mendjen. Nuk di se ku të qendrosh më parë: tek esseja për "Makbethin" apo tek "Requemi" për RReshpjen. Askush si Kadare nuk e ka "qarë" RReshpjen. Është një "requem" aq rrënqethës sa t'i ngre flokët gjemb; mishit ta bën kokrra dhe, qoftë të jesh dhe zemërgur, do të ligështohesh e do mbresohesh. RReshpja është ai Princi i  Bukur që përfundoi si një barbon ku nuk kish ku të futte kokën.

*     *   *

Pak popullorçe: bakllavaja hahet në fund. Në po tentoj që të shkruaj diçka për kafen "Rostand", dua të jem  i drejtpërdrejtë: ma ka bërë mendjen çorap dhe tërë natën nuk e bëj gjumin rehat nga "Kukulla" alias "portreti i nënës". Është rrëfimi më emblematik, më i bukuri i shkruar  në letërsinë shqipe. Më antologjiku. Më prekësi dhe më... që nuk mbarojnë. Ka të drejtë populli, kur thotë: "  Pas çdo të keqe, ka dhe ndonjë të mirë". Parë me këtë sy, unë them: Kadare, po të jetonte në Tiranë, kurrë nuk do shkruante ( më drejt: kurrë nuk do ta jetërsonte kështu portertin e nënës.). Me "Kukullën" ai  vjen aq i bukur,aq njerëzor, aq tokësor dhe i vërtetë, sa nuk i gjendet shoku jo vetëm në Shqipëri, po dhe në botë. Dhe mos kujtoni se po hiperbolizoj. Kadare i ka ngritur nënës monument. E ka treguar ashtu  si është: pa makiaazh; pa atë parfumin që mbante në sepete, si nuse e porsaardhur  që ia rrëmbyen gjermanët. E ka  rrëfyer që nga "çupëria" kur pa "atë" nga dritarja dhe "realizoi" dashurinë e parë!!! E rrëfen duke qenë  "vikitmë" të një shtëpie të madhe që po e "ha"; e ka parë në "bankon e drejtëssë" (ziqit të familjes) në raportet vjerrë-nuse; baticat dhe zbaticat e këtyre gjyqeve qenë" lotët" e nuses kur e humbte gjyqin, dhe "mbyllja" në kat të dytë të vjerrës, kur  ballanca (ziqi) anonte nga nusja. Sa jetë  ka në këtë tregim! Të duket për një çast që nëna nuk është me këmbët në tokë. Tek mbyllet e stërmbyllet me vetveten, ajo bëhet aq e bukur dhe  e papërsëritshme, me propozimin aq shpotitës: dua bisedime!!! Pa më gjeni diku të gjashmen! Dhe më tej: a nuk mundesh shkrimtari që ta retushonte këtë figurë dhe ta bënte nga ato nënat që rrezëlinin vetëm intelegjencë e mënçuri. Jo. Retushimet do ta prishnin të gjithë portretin. Ajo është "Kukull" dhe ashtu mbetë në gjithë tregimin. Dashuria nuk ka brirë.Kadare, pse e do sipas mënyrës së vetë, domosdo, na e jep këtë "Kukull" të gjallë, të bukur dhe, gati- gati, si një portret që nuk qëndron i varur në mur, po vete e vjen në gjithë sheshveprimin e tregimit. Jo më kot autori, e vë "Kukullën" që kërkon bisedime, përkrah figurash të tilla potente, të njohur nga të gjithë, si: regjisori Piro Mani që shkëmben mendime për tetarin dhe pikërisht, për "Përbindshin". Apo ca më tej me kinoregjisorin Kujtim Çashku. A mund që t'i shmangte këto nga tregimi i tij? Patjetër. Do t'i shmangte, mendoj unë, po të jetonte në Tiranë. Po, kur vdiq "Kukulla", shkrimtari ynë qe në Paris dhe vrapoi me gjithë Helenën që o ta ngjente gjallë, o , në fund të fundit, t'i hidhte një grusht dhe. Ai erdhi me një frymë dhe plotësoi një nga "kërkesat për bisedime": të më varrosni me "atë".

Natyrisht, as  që më mbarojnë përshtypjet për "Kukullën". S'ka monument letrar më të bukur. Kjo "Kukull" që, çuditërsiht, më ravijëzohet ngado që lëviz dhe më duket dhe si nëna ime dhe  si të gjithë nënat që janë aq të mira.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora