E enjte, 28.03.2024, 05:14 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Stop korrupsionit!

E merkure, 17.12.2014, 08:33 PM


STOP KORRUPSIONIT!

Nga Frank Shkreli

Këtë javë, Dita Ndërkombëtare kundër korrupcionit tërhoqi vëmendjen e udhëheqsve të lartë botërorë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB) Ban Ki Moon dhe të Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, si dhe organizatave ndërkombëtare jo qeveritare që merren me luftën kundër korrupsionit, siç është Transparency International.  9 dhjetori është Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit dhe shënohet çdo vit si e tillë ç'prej miratimit të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupcionit,    në vitin 2003.   Konventa e OKB-së  përcakton se Kombet e Bashkuara janë, "të shqetësuara për seriozitetin e problemeve dhe të kërcënimeve që paraqet korrupsioni ndaj sigurisë së shoqërive kudo, duke minuar institucionet dhe vlerat e demokracisë, vlerat etike dhe drejtësinë, duke rrezikuar në këtë mënyrë zhvillimin e qëndrueshëm dhe zbatimin e ligjit."

Nuk është e qartë se çfarë efekti ka shënimi i përvitshëm i kësaj dite ndërkombëtare në luftën kundër korrupcionit, pasi Transparency International në raportin e fundit thotë se korrupsioni sa vjen e shtohet anë e mban botës, por qëllimi i shënimit të kësaj dite në nivel ndërkombëtar, është që tu kujtojë njerëzve koston e lartë të korrupcionit për shoqëritë dhe për zhvillimin e tyre në përgjithësi.  Shërben gjithashtu – për ata që duan -- si një rast për të theksuar rëndësinë e të vepruarit kundër korrupcionit dhe njëkohsisht kjo ditë përbën edhe një platformë për qeveritë, organizatat e shoqërisë civile, për median dhe për publikun në përgjithësi që të angazhohen seriozisht për të luftuar praktikat korruptive si dhe sfidat që paraqet korrupsioni për shoqërinë e tyre.

Korrupsioni është një fenomen i mbrapsht ekonomik dhe politik që prekë të gjitha vendet, të zhvilluara dhe ato në zhvillim e sipër, andaj OKB-ja dhe qeveri të ndryshme si dhe organizata të shoqërisë civile anë e mbanë botës, këtë ditë ndërkombëtare kundër korrupcionit e përdorin si një rast të mirë për të inkurajuar një pjesëmarrje sa më të madhe nga të gjithë sektorët e shoqërisë që të merren me shkaqet kryesore të korrupcionit dhe ta luftojnë atë me mjetet që kanë në dispozicion.   Sipas Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-së,  në këtë fushatë kundër korrupcionit, një rol të rëndësishëm duhet të luaj shoqëria civile dhe media, sidomos për të informuar publikun e gjërë mbi faktin se si praktikimi i korrupcionit në nivele të larta të qeverisë dhe të shtetit si dhe në shoqërinë e gjërë, "Minon zhvillimin e demokracisë dhe zbatimin e ligjit -- çon drejtë shkeljeve të të drejtave të njeriut, pengon zhvillimin normal të tregut, ulë standardet e jetesës dhe promovon krimin e organizuar, terrorizmin, dhe paraqet kërcënime të tjera ndaj sigurisë shoqërore."   Ban Ki Moon u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të OKB-së që për të "Shëmbur muret e larta të korrupcionit, ato që nuk kanë bërë ende një gjë të tillë, duhet të ratifikojnë dhe të zbatojnë Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupcionit."

Të prishet zinxhiri i korrupsionit është sllogani i OKB-së me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupcionit për vitin 2014

Në promovimin e shënimit të kësaj dite, thuhet se korrupcioni, ndër të tjera, kontribuon drejtë mos-stabilitetit qeveritar, se korrupcioni përbën një sulm të drejtë për drejtë ndaj bazës së  institucioneve demokratike,   çoroditë procesin elektoral dhe   krijon një situatë jo të këndshme burokratike, qëllimi i vetëm i së cilës është për të kërkuar ryshfet.  Theksohet gjithashtu se ndër kostot e larta të korrupcionit për shoqërinë, është fakti se atmosfera korruptive njëkohësisht çkurajon investimet e huaja dhe thuhet se në një atmosferë të tillë, është e pa mundur që tregëtitë e vogëla të përballin kostot fillestare, pikëprisht për arsye të korrupcionit.

Ndërsa në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry shfaqi më heret shqetësimin e vendit të tij mbi pasojat e korrupsionit anë e mbanë botës dhe theksoi angazhimin e Washingtonit për të punuar me partnerët e SHBA-ve në luftën kundër korrupcionit. "Kostoja morale dhe praktike e korrupcionit nuk është më një çështje debatesh. Korrupsioni promovon mos-stabilitetin shoqëror, nxitë protesta popullore dhe revolucione", tha këtë javë, krye diplomati amerikan me rastin e  Ditës Ndërkombëtare kundër korrupcionit. Ai shtoi se të ardhurat nga praktikat korruptive të fshehura në bankat ndërkombëtare mundësojnë financimin e grupeve terroriste dhe mbajnë në fuqi regjime që nuk kanë asnjë përgjegjësi ndaj askujt, duke shtuar se si rrjedhim, korrupcioni rrezikon edhe sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.  John Kerry tha gjithashtu  se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të jenë shembull për të tjerët, duke promovuar transparencën në qeverinë e vet dhe do të inkurajojnë dhe do të mbështesin organizatat e shoqërisë civile, gazetarët dhe prokurorët, me qëllim që ata të mbajnë përgjegjës zyrtarët qeveritarë për praktikat e tyre në fushën e korrupsionit.

Në mesazhin e tij, John Kerry u bëri thirrje qeverive partnere, shoqërisë civile dhe sektorit privat që tu bashkohen Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupcionit. Ai u bëri thirrje gjithashtu, "vendeve që janë duke përjetuar tranzicionin demokratik që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të vendosur qeveri që janë përgjegjëse ndaj qytetarve të tyre dhe ndaj zbatimit të ligjit.  Sekretari amerikan i Shtetit, gjithashtu tërhoqi vëmendjen e tij të mëparshëme, duke thënë se, "Ne sot po ritheksojmë rishtas paralajmërimin tonë ndaj kleptokratëve anë e mbanë botës: se vjedhja e pasurisë së komuniteteve tuaja nuk do të tolerohet dhe se komuniteti ndërkombëtar është i zotuar se nuk do të lejojë strehimin e juaj dhe as të të ardhurave dhe pasurive tuaja ilegale."

Si në këtë foto të OKB-së, organizata botërore njofton se edhe këtë vit, aktivistë anë e mbanë botës protestuan kundër dukurive të korrupcionit.  OKB-ja thekson se me anë të demonstratave, të protestave, koncerteve, diskutimeve dhe shfaqjeve të ndryshme, aktivistët kudo në botë  të përpiqen të bindin njerëzit se ata, po të kenë vullnetin, e kanë fuqinë për t'i thënë: STOP Korrupcionit!

"Nëqoftse duhet të realizohet drejtësia, ne të gjithë si qytetarë duhet të ngremë zërin, të promovojmë sanksionet shoqërore dhe të flasim haptazi për të demaskuar problemet që rrjedhin për shoqërinë nga korrupcioni dhe të kërkojmë me këmbëngulje bërjen e ndryshimeve", u shpreh me këtë rast, Kryetari i organizatës Transparency International, Jose Ugaz.  Ndërsa Drejtori i kësaj organizate ndërkombëtare, Cobus de Swardt theksoi  këtë javë me rastin e Ditës  Ndërkombëtare kundër Korrupcionit se, "Njerëzit anë e mbanë botës janë lodhur me dukuritë e korrupsionit dhe se ata duan të japin kontributin e vet për të ndaluar dhe për të zhdukur këtë sëmundje shoqërore.   Çdo njëri mund të veprojë.  Çdo njëri mund të bëjë një deklaratë kundër korrupsionit. Secili mund të refuzojë të japë ryshfet kur i kërkohet një gjë e tillë dhe të promovojë luftën kundër korrupcionit, të raportohet kur diktohen dukuri të korrupcionit në veprim dhe të mbështesin udhëheqës me integritet", përfundoi zyrtari i lartë i organizatës Transparency International e cila ekspozon dhe lufton korrupcionin anë e mbanë botës.

Këshilla të mira këto për çdo shoqëri dhe aktivistë të shoqërisë civile kudo, përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën, dhe për të gjithë ata që e marrin seriozisht rrezikun afat gjatë dhe afat shkurtë që paraqet korrupcioni i pa kontrolluar ndaj  ndërtimit të demokracisë dhe të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik të çdo vendi, si edhe ndaj respektimit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut të çdo qytetari.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora