E marte, 21.09.2021, 12:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Rrugëtimi im...

E merkure, 17.12.2014, 07:49 PM


Rrugëtimi im...

 

Poemë nga Kristaq Turtulli

 

I

Rrugëtimi im i parë

Në mikrobotë,

Ndodhi në pragun e pashkruar në fletë,

Aty ku merr frymë  dhe dëgjon harmoninë e drithëruar të sferave

Aty ku copëra ëndrrash varen si pezhishka në parvazin e fjale,

Aty kryqëzoheshin rrymat e dëshirave,

Aty ku drithëroheshin petalet e luleve,

Aty ku zienin valët e pasioneve,

Aty ku përplaseshin dallgët e kundërta të mendimeve,

Aty ku derdheshin me mllef shikimet tinëzare,

Aty ku gurgullonin burimet e nëndheshme të pathënave.

 Aty ku telat e kitarës u këputën,

Aty ku u prenë meteorët e rremë.

Aty ku buzëqeshja u tha prej erërave, u bë fletë cigare,

Nuk ka buzë ta prekë dhe ta ndjejë.

E prekin dhe e djegin në tymosje arinjtë e shpellave.

 

II

Aty ku dielli kërkon të përkëdhelet, të shkelë syrin

Dhe të derdhë rezet e ngrohta.

Në liqenin e mjellmave si qilim i kadifenjtë.

Ku fëmijët silleshin përqark si  peshq gazmorë.

Aty, në parvazin e ëndrrës fluide,

Kish qëndruar pëllumbi i bardhë.

Por u godit kur mori fluturimin

Prej një dore vrasëse.

Aty ku më e vogël se një bulës vese

Pikoi mbi fustanin e bardhë të një nuseje...

 

III

Rrugëtimi im u ndal një copë herë në degën e një mështekne

Ku e kishte ngritur folenë, një ëndërr zog i vobektë, si lesh i palarë.

U ndal, të mbushej me frymë dhe të zbonte mjegullën e një rruge.

Nuk të kalërohej, patkonjtë kishin rënë.

Nuk mund të ndehej skajeve, pa mbetur copërat e një gote...

Ku kishte vënë buzët vajza e liqenit të mjellmave.

Si çdo e drithëruar gjallesë, kishte pirë ujë.

Por vajza iku, u zhvesh, u bë mjellmë.

Teshat e linjta  i vari në një degë.

 

IV

E trishtuar iku që me natë mbretëresha e ujërave.

Liqeni i mjellmave s’ishte më.

Peshqit e artë i futi në një trastë,

Mbushi xhepat më këngë,

Legjendat e fundit i fshehu nën xhaketë.

Nuk mund të qëndronte më,

Liqeni po thahej prej kërleshjeve të rëndomta të mërive,

 Prej fateve të pazgjidhura të rastësive.

Prej brengave dhe shqetësimeve,

 Sekondat grindeshin në fletën e ronitur të një gjetheje...

 

V

Rrugëtimi im i pandierë,

Në çerek botë

Ndodhi, kur hëna e ftohtë piu me etje vesën.

Mbërtheva gozhdën  në shkëmb dhe vara xhaketën.

Kur përqark ish hedhur kuverta e trashë,

E vazhdonte të binte borë,

Te bënte ngricë e ftohtë,

Dhe foshnja motake qante me dënesë

Zbritën prej gërxheve çakejtë.

Aty ku qyteti gërmuqej si plak kockëdalë.

 Mërdhinte, rrufiste çaj të ngrohtë,

Duke u kollitur rëndë,

Mbi supe ngrinte

Pelerinën e ngrirë të plogështisë,

Të shqyer prej teheve të mprehta të thashethemeve.

 

 VI

Malet nuk mbanin më si dikur kryet përpjetë,

Lëviznin kryet me ngathtësi, qenë bërë qerosë,

Kurorën me gjemba hekuri kishin vënë në krye.

Gjaku mellan i zi rridhte tatëpjetë.

Rrufetë shkreptinin orë dhe minutë

Përzhitnin kodra, skërka, monopate.

Të gërmuqur, hidhnin krahëve kuvertën e reve

Dhe kalamendeshin drejt banjës pleqtë me prostatë..

Pantallonat e përmjera vareshin ankueshëm telave...

 

 VII

E ndjej në thellësi të ftohtin dhe të nxehtë.

Ankohen kockat e duarve dhe të këmbëve.

Brinjët e thyera si harku i vjetër i një ure.

Dridhen kur kalërojnë

Hijet e lashta, që shkojnë dhe trokasin nëpër porta.

Të zgjojnë zemrat e sfilitura...

 

 VIII

Përplasen dyer e dritare me ankth e frikë ,

Gurët e rrugicave u bënë arinj të bardhë,

Turren të ndërkryer drejt mjegullës së hirtë,

Njëri tjetrin kafshojnë përmes ulërimave.

Hëna si nuselale shket shelgjeve

Kërkon të bëjë lodra bajate.

Mos përgjigja e hollonte,

E bënte kosore,

Me urrejtje të priste

Të kaltrat mëngjese.

Pastaj si pleq në mykët ti flakte prej dere.

Ta linte si lypsar në cepin e një rruge.

 

IX

Rrugëtimi im i pandierë

Në gjysmë botë

Ndodhi, kur babai numëronte mendimet e sinqerta me gishta,

 Terri tinëzisht i shponte me zemrën me heshta.

Ai qe një  zjarr i gjallë,

Unë isha akoma në pelena.

Ai donte të shtronte rrugë të pastra,

Por nuk mund ti shprehte.

Qe lindur, ritur dhe burrëruar për tjetër botë.

Mendimet e zymta, të hienave,

Prisnin kryq e tërthor horizonte.

Shtegtonte im atë brigjeve të gjelbra,

 Kënga e tij e shpresës qe por mua parashutë.

Por ende qenë të mbuluara me ferra dhe driza.

Ndaj ecte ai pa fjalë,

 Pleqërinë e ftohtë rreket ta largojë,

Duke mbartur mbi shpinë,

Kasollen e ëndrrave.

Një copë qiell pa ngjyrë,

Në sy detin me valë,

Në fytyrë mëngjeset e shartuara

Me gërmuqje mbrëmje.

Ai ecte,

Të gjente dhe shpinte prej topitjes

Zërat e largëta të breznive.

 

 X

Rrugëtimi im në treçerek bote...

Këmbët po më lodhen, s’jam si më parë.

Drurët kundërmojnë ekstazë...

Për mua që endem nëpër rrugë pa rrugë.

S’mund të ndërtoj dot një frazë,

Kur vërtiten të uritur ujqër, derra të egër, luanë...

 

 XI

Mes labirinteve dhe fjalëve kryeneçe

Çapiteshin vëllezërit e mi të dobët, me rrahje të drithëruara zemre,

Mes dredhisë së urrejtjes dhe dashurisë,

Me bluzat e holla mbështjellë,

Të punuar me shtije nën dritën e zbehtë,

Me merakun dhe dertin e nënosë.

Ata dridheshin, kishin të ftohtë.

Qielli ishte pa fund, pa anë dhe s’ kishte asgjë.

Ndriçimi i zbehtë i pellgjeve i ftonte, i joshte,

I hutonte, i kërcënonte,

Provoni po deshët të shkelni mbi ujore.

Të shkruani të përbaltur hieroglifë.

Aty ishin përzierë të gjitha hijet e së keqes.

Sa shumë gropa kishte.

Tutje në lokalet e natës,

Dëgjohej, llapashitje e këmbëve të qullura

Dhe: Ju lutem blini bajame me kripë.

Diku pas një gryke kuiste ujkonja plakë...

 Prapë na dukej sikur ishin në shkretëtirë...

 

XII

Çdo shpend që fluturon në ajër, është një botë.

Ndërsa unë jam akoma treçerek bote.

Diku në çerekun e kësaj pjese, janë motrat e brishta,

Me ëndrra të çiltra

Dhe fustane të holla, basme,

Me mollëza të përskuqura nga një ëndërr që s’u tha.

Shpendi fluturoi aty pranë, në sqep kishte gjethe panje.

E  copëtuan skifterët botën delikate.

Gjethja e panjës u lëkund, ra përdhe, u tha.

E panë shpendin që prej qiellit ra, të brishtat, të mirat motra.

Me gishtërinj të bardhë, të butë,

Vizatonin në dritare të tjerë zogj dhe fluturza luleshqerre.

Hu, hu, hu hukatnin duart me ngrira me frymë.

 Sa ftohtë, sa ngricë,

Dhe qiellin e njomnin me lot.

Donin të krijonin sipas dëshirës, një diell të ngrohtë,

Zogj këngëtarë, pa shpendë grabitqarë

Dhe fustane të bardha nusërie...

 

XIII

Macja e kuqe, topalle,

E Doruntinës shurdhe,

E gjeti zogun e vrarë në cepin e një kthine.

E shtyu e vërtiti, e hëngri dhe mjaulliu zëçjerrë.

Doruntina shurdhe e harroi jashtë, në të ftohtë.

Tak, tak, hape dhe macja që hëngri një zog të vrarë,

Përsëri ka nevojë për një strehë ngrohtë.

 

 XIV

Qentë kockë e lëkurë të rrugicave,

Kafshojnë të ligështuar qoshet e shtëpive.

Nuk kanë ç’të hanë.

Janë bosh kazanët e plehrave,

I mbyllën dyqanin dhe kasapit Mele,

E çuan të hapë kanale...

 

 XV

Rrugëtimi i pandierë në botë

Ndodhi,

Kur dridhshëm zgjata gishtërinjtë të prekja pragun e fjalës,

Të krijoja botën time dhe pak botë prej shpendit të vrarë.

Por ishte tharë që në ajër si gjethja e panjës.

Pragu u bë e akulltë.

Gishtërinjtë më ngrinë,

Nuk po zgjidhja dot udhëkryqe.

 

 XVI

Në se do çdo minutë e ka një vel të kaltër,

Dhe xhamat e dritare u veshën

 me avullin, fjalën,

Dhe frymën e nenës.

Të mbështetësh kokën në divan dhe të flesh i shkujdesur.

Por s’mundesh, se fshihet një skërmitje e hidhur prapa dritares...

 

Thoshin se pranvera do vinte,

Qielli do kthjellohej dhe do mbushej me yje,

Por akoma kishte re, re, re,

Mjegull dhe erë të ftohtë.

Ndërkohë kuajt e viteve, dekadave.

Prej padurimit shkrofëtijnë,

Të mprehur qëndrojnë

Gati për nisje.

Vërtet u nise apo do nisesh, më tha një zë,

Në Rrugëtim, në kërkim të një bote të re?!

 

Lart, në kupë të qiellit,

Tik taku i orës së madhe buçet,

Varur në çengelin e memories...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora