E enjte, 28.03.2024, 06:54 PM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: Në Malësinë e Gollakut përfundoi manifestimi tradicional

E merkure, 09.07.2008, 06:58 PM


Demir Krasniqi
Reportazh

 

Në Malësinë e Gollakut përfundoi manifestimi tradicional

 

TAKIMET E VENDLINDJES “TUGJECI – 2008”
/Tugjec- Dardanë, më 29 Qershor 2008/

 

Nga Demir Krasniqi

 

Në fshatin Tugjec, të Malësisë së Gollakut – komuna e Kamenicës, të dielën e fundit të Qershorit, u mbajt Manifestimi Tradicional (i VII-ti me radhë ) Takimet e Vendlindjes “Tugjeci – 2008”.

            Në këto “Takime” tashmë tradicionale dhe ndër më të lakmuarat e këtij lloji në trojet shqiptare, edhe këtë vit morën pjesë më se 15.000 mysafirë nga të gjitha krahinat e banuara me shqiptarë e në veçanti njerëzit të cilët kanë migruar nga kjo Malësi, nëpër vendet urbane dhe mërgata.

            Tanimë, për çdo vit kalendarik kjo Malësi legjendare pret me padurim të dielën e fundit të muajit Qershor, ditë kjo kur kjo Malësi ka dasmë të madhe dhe gëzime të pa përshkueshme. Ajo, të dielën e fundit, nuk është e vetmuar dhe e zbrazur sikur që është gjatë 364 ditëve tjera të vitit. Atë ditë, ajo është e veshur në petkun festiv dhe solemn si kurrë më parë. Turma e madhe e mysafirëve, veturat me gjithfarë lloj tabelash, restorantet e improvizuara, muzika, hareja, kënga e vallëzimi, të bëjnë të imagjinosh një metropol të dëshmuar të artit, kulturës dhe qytetërimit evropian.

            Në Takimet e sivjetme, përpos mijëra mysafirëve që kishin ardhur nga të katër anët e botës shqiptare: pleq, plaka, gra, burra, nuse, djem, vajza, fëmijë, artistë, poetë, rapsodë, valltarë, instrumentistë, nuk mungonin edhe fytyra të njohura të lidershipit kosovar dhe familjarë të dëshmorëve të kombit. 

            Pa dyshim, se të gjithë këta njerëz ishin shumë të mirëseardhur dhe shumë të nderuar  në këtë Malësi, por kësaj radhe, nderi më i madh iu takonte këtyre mysafirëve të nderit:

1. Rasim Plakiqi – djali i  të ndjerit Ukë Plakiqi, që ishte mësuesi i parë në  shkollën e sapo hapur fillore në Tugjec, më 1947, mësues ky që gëzonte një autoritet shumë të madh në këtë Malësi, sepse ai ua mësoi shkronjat e para fëmijëve të kësaj Malësie dhe ngeli përgjithmonë në zemrat e këtyre malësorëve, si mësuesi i parë legjendar për ta kujtuar gjithmonë me nderime e pietet të lartë njerëzor.

2. Adnan Bylykbashi– djali i Kapiten Shefqet Bylykbashit, oficer ky që ishte vu në shërbim të Atdheut dhe në rojë të kufirit shqiptaro-serb, duke udhëhequr forcat vullnetare shqiptare të kësaj Malësie në vitet 1939 – 1942. Emri i Kapiten Shefqet Bylykbashit edhe sot e kësaj dite, brez pas brezi kujtohet me respekt dhe dashuri të madhe ndër vëllazërore. Ndërsa, i ndjeri Shefqet para se të ndërronte jetë, ua kishte lënë amanet bijve të tij:”Biro, mos e harroni kurrë Tugjecin dhe Malësinë heroike të Gollakut, nga se atje e kam lënë pjesën më vitale të rinisë sime, në mbrojtje të kufirit! Ju, shkoni atje dhe kudo që të thirrni:”O, Kapiten Shefqet Bylykbashi!”- çdo lis dhe trung i atyre maleve, do të ju përgjigjet me zë të lartë bujarie e krenarie:”O, hajde byren e mirë se na vjen!”

3. Tri vajzat jetime te të ndjerit Behlul Klaiqi, i cili në dimrin e vështirë të vitit 1956, kur UDB-ja serbo-jugosllave me në krye Aleksandër Rankoviqin dhe e udhëhequr nga kryeudbashi i quajtur Vllada Shilegoviq, kishte nisur plojën e aksionit për mbledhjen e armëve nga shqiptarët, duke i rrahur ata në mënyrat më barbare dhe më brutale, me pretekst të dorëzimit të armëve dhe me prapavijë të trasnisë mbi shqiptarë, që ta braktisin Kosovën dhe të shpërngulen përgjithmonë në shkretëtirat e Anadollit! I ndjeri Behlul Klaiqi, i cili ishte një njeri shumë i urtë, bujar dhe shumë i varfër, nuk kishte as bukë në sofër për fëmijët e vet, e lërë më që t’i blinte dy pushkë për t’ua dorëzuar udbashëve që ia kërkonin me çdo kusht, kishte zgjedhur rrugën e vdekjes dhe të vetë sakrifikimit, duke u viktimizuar kështu si kurban i të gjithë shqiptarëve të Kosovës!

Ai, kishte shkuar në shtëpi, ishte pastruar mirë dhe kishte marrë litarin duke u përshëndetur me gruan e tij dhe fëmijët e mitur, kinse do të shkonte tek livadhet për t’u marrë një barrë sanë, bagëtive të tij për ushqim!

Me atë litar në dorë, del karshi shkollës fillore të Tugjecit, ku po ushtrohej dhuna dhe tortura e pa parë e UDB-së, mbi popullatën e pafajshme shqiptare të këtyre anëve, e zgjedh një qershi dhe hipë në te, ku edhe ia merr vetes jetën në lak të litarit!

Me të kuptuar UDB-ja, për varjen e tij, në mbarë Kosovën dhe ish Jugosllavinë, krijohet një rrëmujë e madhe. Që nga ajo ditë, jepet urdhri zyrtar nga Beogradi, që menjëherë të ndërpritet ky aksion famëkeq!

            Vajzat e të ndjerit, Behlul Klaiqi, atë ditë u shprehen të pakënaqura me vetë faktin se që prej vitit 1956 e deri në ditët e sotme, askush nuk bëri asgjë për këtë martir të lirisë! Madje, askush nuk e shkroi asnjë të vetmen fjalë për të dhe askujt deri më sot, nuk i shkoi mendja që së pakut një mbishkrim t’ia bëjë mbi rrasën e varrit të tij?!

            Këshilli Organizativ i këtij Manifestimi, sivjet kishte paraparë që t’i nderojë me mirënjohje disa nga emrat më të shquar të kësaj Malësie, ca nga të gjallët dhe ca prej tyre “Post mortum”.

Me këto mirënjohje u nderuan këta persona:

  1. Fatmir Limaj, ministër i TPTK-së,
  2. Bajram Kosumi, deputet, ish Kryeministër i Kosovës,
  3. Rexhep Berisha, baba i dëshmorit Nuhi Berisha,
  4. Halil Fejzullahu, post mortum , për kontribut gjatë jetës së tij,
  5. Bejtullah Këqiku, post mortum, për veprimtari dhe humanistet,
  6. Behlul Klaiqi, post mortum, për vetësakrifikim, viktimizim dhe martirizim për ndërprerjen e dhunës serbe – kërkimit të armëve nga regjimi i Aleksandër Rankoviqit, më 1956 në Kosovë,
  7. Zijadin Munishi, post mortum, për kontribut në lëmin e arsimit dhe në fushën e albanologjisë,
  8. Liman Kadriu, veteran i arsimit,
  9. Fehmi Krasniqi, aktivist i dalluar,
  10. Hetem Kosumi, aktivist i dalluar,
  11. Begzad Sinani, Kryetar i KK të Kamenicës,
  12. Fatmir Matoshi, aktivist i dalluar,
  13. Shaban Kosumi, bujk i dalluar i këtyre anëve,
  14. Familja e Hasan Pirevës, për mikpritje e bujari,
  15. Familja e Hysen Kosumit, për mikpritje e bujari,
  16. Familja e Mehmet Osmanit, për mikpritje e bujari,
  17. Familja e Demir Kosumit, për kontribut dhe lirim të trojeve të tyre për Manifestim,
  18. Halil Kosumi, për risimtar dhe aksionist të dalluar,
  19. Me mirënjohje të veçanta u nderuan edhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it amerikan dhe Policia e Kosovës.

Mirënjohjet i dhanë anëtarët e KO të manifestimit: Mehmet Osmani, drejtor i Shkollës fillore “Nuhi Berisha” të Tugjecit dhe Nexhat Buzuku, gazetar i të përditshmes “Koha ditore”.

            Në pjesën foljore të programit festiv të këtij Manifestimi, fjalën kryesore e mbajti Drejtori i Shkollës Fillore “Nuhi Berisha” të fshatit Tugjec, z. Mehmet Osmani, i cili ndër të tjera, u fokusua në kushtet e vështira me të cilat punon shkolla fillore e këtij fshati, e cila është në gjendje para rrënimit, mungesën e ujit të pijshëm për nxënës, mungesën e inventarit shkollor, nevojën e riparimit të objektit shkollor, objektit të banimit të mësuesve, mungesën e lokalit shkollor në fshatrat Sfircë, Zajçec dhe Meshinë, si dhe nevojën akute për ngritjen e një objekti për shtëpi të kulturës në këtë fshat.

            Ai, gjithashtu shprehu brengosjen e pakësimit të vazhdueshëm të numrit të nxënësve të këtyre fshatrave, familjet e të cilëve në vazhdimësi po e braktisin këtë Malësi, pikërisht në saje të mungesës së infrastrukturës dhe kushteve për shkollim. Mjafton të ceket vetëm e dhëna se në vitin shkollor 1970/71 në kuadër të kësaj shkolle vijonin mësimet rreth 780 nxënës, kurse sivjet nga 5 fshatra sa gravitojnë në këtë Bashkësi Lokale, mësimet i vijojnë vetëm 90 nxënës?!

            Z. Osmani, në fjalën e vet përshëndetëse, në emër të banorëve të pakët të kësaj Malësie, ua drejtoi thirrjet qeveritarëve të Republikës së Kosovës, që ta hapin sa më parë vendkalimin kufitar Kosovë-Serbi, të quajtur “Kapi”, si dhe një Stacion policor, nga se këto dy institucione shtetërore do të ndihmonin në punësim e aq më tepër do të shtonin sigurinë dhe mbrojtjen institucionale të këtyre banorëve!

            Pjesa përmbyllëse e programit të këtij Manifestimi iu la në disponim artistëve popullorë të këngëve, valleve, instrumenteve dhe recitimit, ku pra publikut u prezantuan më se 40 pjesëmarrës, që të gjithë në baza të vullnetit të mirë, që kishin ardhur nga të katër anët e Kosovës, për ta nderuar këtë Malësi dhe mysafirët e saj.

            Pjesën e programit kulturor - artistik të këtyre “Takimeve”, qe shtatë vite me radhë e drejton pedagogu, kompozitori, krijuesi dhe rapsodi i mirënjohur i kësaj Malësie, z. Demir Krasniqi.

 

          Si lindi Manifestimi Tradicional Takimet e Vendlindjes së Tugjecit?

 

          Duke e parë  se Malësia e Gollakut, kjo zonë kufitare e njohur nëpër shekuj për sakrifica e heroizma, dita–ditës po zbrazet nga banorët e vet, të cilët për shkaqe të ndryshme dhe mungesë të infrastrukturës, kushteve të rënda për jetesë, shkollim e shërim,  dhe duke pasur parasysh faktin historik se fshati Tugjec, dikur ishte qendër administrative komunale, më vonë qendër e Bashkësisë lokale, ku kishte edhe një zyrë për shërbimet e ofiqarisë, e që sot të gjitha këto nuk i ka, me nismën e një grupi intelektualësh të këtyre anëve, që jetojnë në qendrat urbane: Dardanë, Gjilan, Prishtinë e gjetiu, në pranverën e vitit 2002, u mblodhën dhe vendosën që ta organizojnë një Manifestim të këtillë, me shpresë se do t’ia rikthejnë shpirtin dhe jetën sërish kësaj Malësie!

            Këtë nismë, i pari e mori Demir Krasniqi, i cili aso kohe punonte si gazetar në Radio “Viktoria” të Gjilanit, përmes valëve të së cilës vazhdimisht njoftonte popullatën dhe publikun për këtë nismë. Nisma u mirëprit nga të gjitha shtresat dhe strukturat dhe mezi prisnin ditën e këtyre Takimeve!

            Së shpejti, kësaj nisme iu bashkuan: Hysen Kosumi, Mehmet Osmani dhe Nazim Korça me të gjithë aktivistet e fshatrave të BL të Tugjecit. Nga Dardana, iu bashkëngjiten Fatmir Matoshi, Fatmir Krasniqi dhe shumë të tjerë. Nga Gjilani, kësaj nissme iu bashkuan: Bislim Pireva, Nexhat Buzuku, Hetem Kosumi, Jakup Berisha, Gani Korça dhe shumë të tjerë. Nga Prishtina, iu bashkuan: Fehmi Krasniqi, Fejzullah Krasniqi, Liman Matoshi, Ismet Ismajli, Muhemet Krasniqi e shumë të tjerë.

            Që të gjithë këta aktivistë, angazhoheshin dhe kontribuonin me forca të veta materiale dhe fizike. Çdo njëri prej tyre i kishte të ndara punët dhe rolet e organizimit sa më të mirë të këtij Manifestimi.

            Që atëherë, Këshilli Organizativ i këtij Manifestimi, kishte marrë vendim unanim, që të shpallet Manifestim tradicional dhe të mbahet gjithmonë të dielën e fundit e Qershorit.

            Prej atëherë, e deri më sot, për shtatë vjet rresht, në këto “Takime” kanë marrë pjesë nga 10 deri në 15 mijë mysafirë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Medvegjëja, Turqia dhe mërgata shqiptare.

            Në baza vullnetare, në këto “Takime” për shtatë vjet me radhë, kanë marrë pjesë me qindra artistë të këngës popullore, rapsodike, instrumentistë, valltarë, humoristë, poetë dhe figura të shquara të jetës publike e politike. Asnjëherë nuk ka ndodhur as edhe një ekses më i vogli, për sa i përket rendit dhe qetësisë publike.

            Takimet e Vendlindjes në Tugjec, mbahen tradicionalisht për çdo vjet, të dielën e fundit të Qershorit dhe kjo datë në asnjë mënyrë nuk mund të ndërrohet, për shumë arsye.

Takimet janë të hapura për çdo qytetar, pavarësisht se prej nga vjen. Takimet nuk kanë karakter përfitimi, as politik. Qëllimi i këtyre Takimeve, janë afrimi dhe njohja e njerëzve në mes tyre, ruajtja e lidhjeve familjare me vendlindjen dhe njohja me bukuritë natyrore të kësaj treve, por edhe motivimi dhe nxitja e njerëzve për të investuar në këtë zonë kufitare. Joshja për të hapur perspektivë dhe ringjallje të jetës në këtë anë.

            Këshilli Organizativ e koordinon punën me faktorët vendorë lokalë, me strukturat komunale: Dardanë, Gjilan, Prishtinë, Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, si dhe me organet e rendit dhe të qetësisë publike.

            Në Manifestimin Takimet e Vendlindjes në Tugjec, njerëzit e këtyre anëve në vazhdimësi njihen edhe me të arriturat kulturore, arsimore, ekonomike, bujqësore dhe me gjithë çka ka të bëjë me interesat e kësaj Malësie.

 

Synimet e Takimeve të Vendlindjes në Tugjec në të ardhmen

 

            Këshilli Organizativ i Manifestimit Takimet e Vendlindjes në Tugjec, ka një vizion të qartë rreth synimeve se si do të organizohen ato në të ardhmen.

Kështu që ky Manifestim, do të regjistrohet në drejtoritë komunale të kulturës në Dardanë, Gjilan, Prishtinë, Medvegjë, Bujanoc, Preshevë dhe Artanë, në mënyrë që këto komuna ta ndihmojnë në mënyrë institucionale mbarëvajtjen e këtyre manifestimeve.

KO  do të regjistrojë këtë Manifestim në Ministrinë e Kulturës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, nën patronatin e  së cilës do t’i mbajë përherë këto Takime dhe njëkohësisht do të kërkojë përkrahje materiale për mbarëvajtjen e këtij manifestimi me karakter republikan.

Manifestimi tradicional i Takimeve të Vendlindjes në Tugjec, në të ardhmen do të merr dimensione të karakterit mbarëkombëtar, si i vetmi i këtij lloji në vend, ku do të përurohen vlerat e gjithëmbarshme të traditës dhe kulturës mbarëkombëtare.

Duke e pa interesimin jashtëzakonisht të madh për pjesëmarrje në këto Takime, Manifestimi në të ardhmen, mëton që të zgjas plot një javë rresht, ku do të quhet:”JAVA E KULTURËS SË GOLLAKUT”. Gjatë asaj jave, nga të gjitha trevat shqiptare do të përurohen vlera kulturore te të gjitha lëmenjve: folklor, etnomuzikologji, artizanat, ekspozita, lojëra sportive, lojëra tradicionale, doke, veshje, zakone, mbrëmje poetike, tribuna shkencore...etj.

Me këtë, do të nxitej edhe më shumë ndërtimi, kthimi, turizmi, tregtia dhe të gjitha segmentet e jetës në këtë Malësi.

 

Manifestimi që i zgjoi nga gjumi qeveritarët

 

            Manifestimi tradicional kulturor Takimet e Vendlindjes në fshatin Tugjec, që filloi të mbahet që nga Qershori i vitit 2002, si duket njëherë e përgjithmonë i zgjoi nga gjumi qeveritarët dhe institucionet e Kosovës, të cilët deri atëherë kishin rënë në agoninë e gjumit shekullor, për çka fitohej mbresa se këta njerëz as që e dinin fare se ku gjendet Gollaku dhe a është kjo Malësi, në hartën gjeografike të Kosovës?! Deri atëherë, kjo Malësi ishte lënë anash në çdo aspekt dhe llogaritej si zorrë  qorre e Kosovës, ku askush nuk investonte në ngritjen e infrastrukturës së saj, askush nuk e vizitonte, madje askush nuk e zinte në gojë toponimin e quajtur Gollak?!

            Me shekuj të terë, në këtë Malësi që shtrihet në lindje të Kosovës, për rreth brezit kufitar Kosovë-Serbi, që nga Vranja e deri tek Orllani, as një qeverie, as një pushteti, as shteti, nuk i kishte shkuar mendja që së paku një lopatë asfalti ta hidhte në rrugët e egra të kësaj Malësie?!

            Si duket, më në fund, manifestimet e Takimeve të Vendlindjes të mbajtura në zemër të kësaj Malësie, më në fund, ua nxorën gjumin qeveritarëve dhe pushtetarëve të Republikës së Kosovës. Kështu që MPTK-së, në vitin 2007, asfaltoi rrugën Kamenicë – Tugjec, me gjatësi prej 18 kilometrash.

            Po në vitin 2008, kjo Ministri është duke e trasuar dhe asfaltuar rrugën Tugjec– Zajçec-Hajkobillë-Dabishec-Keqekollë-Prishtinë, rrugë kjo që shtrihet për rreth brezit kufitar me Serbinë dhe lidh gati të gjitha fshatrat e Malësisë së Gollakut me qendrat urbane:Dardanë, Gjilan, Prishtinë, Medvegjë.

            Me hapjen e kësaj rruge, do të hapen perspektiva të reja për banorët e kësaj Malësie, por njëkohësisht dita më ditë lindin shpresa të reja se njerëzit që e braktisën këtë Malësi, pa dëshirën e tyre, do të krijohen favore të reja për rikthim dhe ringjallje duke hapur shtigje të reja për punësim, zejtari, bujqësi, blegtori, bletari, hoteleri, turizëm e çka jo tjetër.

            Qysh tani, vërehen përpjekje për hapa të parë drejt hapjes së fermave të bagëtive, kultivimi i pemëve, perimeve dhe patateve nga ana e disa njerëzve të vyeshëm të kësaj Malësie.

            Tani edhe banorët e Malësisë së Gollakut do të jenë më afër botës dhe Evropës, por njëkohësisht edhe të tjerët do të jenë më afër Gollakut, do të investojnë kapitalet e tyre dhe këtu do të lulëzojë jeta, të cilën do ta ketë lakmi shumë kush që nuk e ka parë dhe njohur për së afërmi Gollakun!

 

Tendencat për manipulime në dëm të Manifestimit

 

Duke mos i kuptuar drejt, qëllimet dhe të mirat që i afrojnë për njerëzit e kësaj ane, Takimet e Vendlindjes, krahas atyre që dhanë mund, kontribut dhe përkrahje të madhe në organizimin dhe mbajtjen e këtyre manifestimeve, gjatë viteve të shkuara jo rrallë, pati edhe zëra të cilët u përpoqën me çdo kusht që të bëjnë destrukcione në  organizimin e tyre!

Njerëzit e tillë, janë të prirë nga xhelozia shpirtërore që t’i bëjnë bishtnime dhe shërbime të djajve çfarëdo aksioni qëllimmirë që organizohet në të mirën e popullit, me qëllim që t’ua prishin imazhin dhe masivitetin që e kanë këto Takime!

Në këtë drejtim, fatkeqësisht, ka pasur individë të cilët i ka gëlltitur lakmia për të përfituar materialisht pa djersë e pa mund, në kurriz të tjetërkujt dhe në dëm të manifestimit. Ata, kanë gjetur mënyra të ndryshme, për t’i mashtruar mysafirët e ardhur nga vendet e largëta, për t’iu marrë para, kinse në emër të KO, ose në emër të ndihmave për shkollë, në emër të pagesave për parkimin e veturave, pagesave për vendosjen e shitësve ambulant, kanë shitur majica me emblema të manifestimeve dhe lloj-lloj mënyrash!

Ka pasur tentime, për mbledhjen e parave, kinse për asfaltimin e rrugës, për ngritjen e përmendoreve, pllakave përkujtimore, për botimin e librave dhe revistave të ndryshme, por që të gjitha këto veprime kanë qenë jashtë dijes së KO të Manifestimeve, të gjitha kanë qenë trillime dhe mashtrime me qëllim përfitimesh personale dhe me qëllim të njollosjes së Manifestimit?!

Manifestimi tradicional Takimet e Vendlindjes në Tugjec, gjithmonë është organizuar në baza vullnetare dhe pa ndihmën materiale të askujt.

Ka pasur organizime të fshehta, që këto Takime të organizohen nëpër disa fshatra tjera, me të vetmin qëllim që ta prishin imazhin dhe masivitetin e Takimeve të Tugjecit!

Njerëz të tillë, të prirë nga etja për karrierizëm, përfitime materiale dhe ngritjen e pozitave personale, kanë shkuar aq larg, sa kanë grumbulluar me mijëra emra e mbiemra të njerëzve që kanë lidhje me Malësinë e Gollakut, me të cilët kanë përpiluar lista me qëllim që këtë Manifestim kulturor e familjar, ta shndërrojnë në një Lëvizje të re politike, apo subjekt të ri partiak, ku madje paraprakisht i kanë ndarë edhe postet e kryetarëve dhe nënkryetarëve në mes vete?!

Për këto takime të fshehta, janë mbajtur shumë mbledhje ilegale, bankete, darka e dreka në të cilat kanë rënë viktima shumë qengja, gjela dhe shpenzime të mëdha materiale!

Lëvizja e tillë, ka pasur për qëllim që kinse për hir të kurbetçinjve ta shtyjnë terminin e Takimeve, me shpresë se kurbetçinjtë do t’u japin para me thes, për organizimin e këtyre manifestimeve, duke menduar se ata mezi presin me ju dhënë para kush të ju del përpara! Por, ata kanë harruar se budallenjtë kanë vdekur që moti!

Lidhur me këto tendenca shkatërrimtare, K. O. i Manifestimit, në përbërje: Hysen Kosumi, Mehmet Osmani, Nexhat Buzuku dhe Demir Krasniqi, në mbledhjen e vet të rregullt të mbajtur në Tugjec, me datën 22 Qershor 2008, ka marrë vendim të prerë me vota unanime, që termini i mbajtjes së këtyre Takimeve, me asnjë kusht nuk do të lëvizë dhe Manifestimi Tradicional Takimet e Vendlindjes në Tugjec, do të mbahet gjithmonë të dielën e fundit të Qershorit.

Për të gjitha këto vendime, secili anëtar i K.O. e ka nga një kopje të Procesverbalit, të nënshkruar dhe të vulosur, si që edhe kopja origjinale mbetet në arkivin e Shkollës Fillore “Nuhi Berisha” në Tugjec.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora