Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Bamirësi i madh i Ulqinit

| E marte, 16.12.2014, 08:46 PM |


Bamirësi i madh i Ulqinit

Nga Gjekë Gjonaj

Në fillimshekullin e kaluar  shumica e popullatës së  Komunës së Ulqinit,  dhe jo vetëm,  ka jetuar në   një varfëri  majft të theksuar ekonomike, për shkak  të rrethanave të njohura  të kohës. Njerëzit  e asaj kohe, për dallim nga sot  në kohën moderne, kur vlerat  janë në nivele të ulëta dhe të pamjaftueshme,  kanë qenë  më solidar, më fisnik, më bujar, më mirëbërës. Ata me veprime konkrete, të sinqerta, të prirur  nga  shpirtmirësia dhe shpirtmadhësia e  tyre dhe ndjenja e vlerave njerëzore   janë angazhuar që të zbusin  hallet dhe nevojat  materiale të njëri-tjetrit. I këtillë ka qenë edhe Gjekë Pjetër Hiri Rudaj.

Prejardhja e familjes

Ai lindi  në Shtoj të Ulqinit  në vitin  1894, në një familje  malësore, e njohur  sidomos  për fisnikëri, për mikpritje, për bamirësi,për shpirtmadhësi, për bujari dhe për atdhedashuri. Origjinën e kishte nga  fshati Selcë  në zemër të Kelmendit, prej nga të parët e fisit të tij  Ruda Pretashi dhe  Gilë Pretashi, para më se  300 vitesh zbritën në vërri , në Shtoj. U rrit  dhe u edukua në një familje patriarkale  aristokrate nga babai Pjetri dhe nëna Tringa ( bijë  e fisit Frangaj  nga Rapsha e Hotit të Malësisë së Madhe) me vlera dhe norma të rëndësishme të kulturës tradicionale të Malësisë,  me  dashuri, mirësjellje e rrespekt midis pjesëtarëve të familjes dhe me respektin ( nderimin)   ndaj  mysafirit dhe mikut të shtëpisë.

Sekreti i kësaj familje, sikur i të gjitha familjeve kelmendase,  përveç edukimit fetar ishte kodi moral i saj i pëcjellur ndër shekuj nga brezi në brez, e që janë: mikrptija, besa, ndera dhe burrëria. Këto virtyte shqiptare  për  familjen Rudaj ishin të shtrenjta dhe të shenjta.

Ekonomia shtëpiake

Familja Rudaj ishte e madhe. Numëronte  deri në 53 anëtarë. Konsideroheshin ndër familjet e pasura në komunën e Ulqinit.  Kishin pronë të madhe  në Shtoj, rreth 100 hektarë tokë bujqësore,  të cilën kjo familje e  kishte blerë nga disa familje ulqinake. Dëshmi për këtë  është   një  kopje e  kontratë blerjejes në gjuhën turke, që daton nga viti 1857, në të cilën thuhet se “ Gjelo  Rudi dhe Mark Gila atë vit  kanë blerë  për 550o grosh, nga Hysein dhe Beqiri, djemtë e Tul Beqirit, dhe vajza e tij Emina   me njohuri të  administratës së Sheriatit, në prani  të vëllait të Eminës,   tokë në fshatin Shtoj, kufi me Avdullah Katanën deri te kneta dhe me rrugë të madhe …  dhe bëhen blerës  dhe pronarë të ligjshëm. Këtë kontratë blerjeje e ka nënshkruar dhe vulosur  në prani të dëshmitarëve Hys Nuraja, Brahim Ali Dabi, Halil Bali, Nel Haxhi Gjeka, kadia i atëhershëm Shaqir Isufi, me 1857.

Rudajt tokën bujqësore e punonin me  pesë çifçi ulqinakë: Beciq, Kaleziq, Durak dhe dy  të tjerë. Secili prej tyre, përveç ushqimit dhe fjetjes falas  kishin  edhe  nga një pendë  qe, me të cilët  punuar tokën, ndërsa  produktet bujqësore i ndanin për gjysmë.

Pjesë e ekonominë shtëpiake të kësaj familje,përveç bujqësisë ishte edhe  blegtoria. Kishin  shumë bagëti të imta dhe të trasha. Tufa të mëdha delesh, qengjash, lopësh, viçash, qeshë,  dhishë e kuajsh.  Zhvillimi i blegtorisë mbështetej në shtegtimet blegtorale, dimrit në fushat e Shtojit dhe verës në  kullotat e bjeshkëve të Kelmendit. Këtë përvojë e kanë përdorur deri vonë, kur  definitivisht është mbyllur  rruga e karvaneve siç është quajtur atëherë, respektivisht   kalimi i kufirit me Shqipërinë. Prodhimet blegtorale    Kelmendit,si: djathi, gjiza, gjalpi e tjerë ishin të përmendura  dhe nga ato familja siguronte   mjaft të ardhura.

Humanist i pashoq

I lidnur dhe i rritur në gjirin e një familjeje të  njohur për të gjitha ato veti të përmendura  Gjeka si i ri trashëgoi shumëçka. Kur dëgjojmë emrin e tij  s’mendojmë gjë tjetër, veçse për  një humanist  të pashoq,për një bamirës të veçantë, dora e të cilit ka qenë e shtrirë në shumë drejtime dhe në të gjitha kahjet, për të qenë afër atyre që vërtet kanë nevojë. Nga cilësitë më të rëndësishme të këtij malësori ka qenë që t’u bëjë njerëzve sa më shumë mirë që mundet, qoftë kjo mirësi monetare, si ushqimi, shlyerja e borxheve , etj., ose mirësi morale, sikurse pajtimi midis dy të ngrindurve, ndërmjetësimi, ndërhyrja në dobi të  njerëzve, etj. Moto e tij ishte të jesh human, të mbash qëndrim njerëzor e fisnik dhe të tregosh dashuri të thellë ndaj të gjithë njerëzve.

Shpirti i fukarasë

Të gjithë ata që e kanë njohur Gjekë Pjetër Hirin kanë një vlerësim unik dhe të vetëm se ai  ka qenë dhe mbeti   njeri human, shembull  model i bamirësisë. Shumë qytetarë të  moshuar    Komunës së Ulqinit me të cilët biseduam  më treguan disa  episode  bamirësie të këtij  njeriu të vogël me trup, por me shpirt të madh, e zemër të hapur. Zemra e e këtij kalorësi të humanizmit  ishte e madhe, në të cilën  kishin vend të gjithë njerëzit pa dallim kombi, race e besimi.

Rrok Hoti, 82 vjeç,nga Shtoji  kur e pyeta  se kush ka qenë  Gjekë Pjetër Hiri  dhe si e ka njohur ai atë,  m’u përgjigj:

“ Burrë i nershëm, prej nji familje bujare.  I ka nimua gjithkuj ç’i ka pas nevojë. Shqiptarve, shkijeve, katolikve, muslimanve,ortodoksve, pleqve e  t’rive, grave e fmive, pa dallim. E ka nie vetin keq, kur s’ka  perri  m’u nimua të tjerëve. Por ka kënë  i lumtun e  shumë i gëzuem kur e ka  kënaq  tjetrin kjoftë edhe me gjanë ma të vogël. Ma shpirt mirë e ma dorëdhanë  vshtirë s’e ka le ndonji tjetër nanë. Ka kënë shpirti i fukarasë,  e nera e mahallsë. Shtylla e konakut  dhe   faqja e bardhë e bajrakut.   I dashtun me gjithkan. Gojamël. Fjalëpak, e punëmath. Njeri me autoritet. Kudo ka shkua mas ti kanë vrapua. Si në katun ashtu edhe ën  shehër, e  ën pazar, qytetar e katunar . E kanë prit e përcjellë me  dashni si ma të mirin e kohës.  Kur ai  ka dalë në Ulqin në kalin e tij të shalës ulqinakët e kanë prit tue rrah shplakë për shplakë, në shëjë rrespekti që kanë pas për ta. Kur asht ulë Gjeka ën mejhanë atë ditë s’ka lëjua njeri   me e shti  dorën ën xhep.U ka pagua te tanve ç’i kanë kënë aty. Kavaler si Gjekë Hiri! S’ka muj me ia kalua kush. Shpia e tij  ka kënë e hapun 24 sahat për çdo njeri në nevojë. Për të   njoftun e të panjoftun.  Çdo ditë në shpinë e tij asht shtrua sofra 2-5 herë në ditë vetëm për miq e dashamirë. Sa buka asht hagër në shpinë e tij ?  Vetëm i Madhi Zot  ën qiell e di!  Thuhet se ai u ka falë ulqinakëve në nevojë për festën e Kurban   Bajramit  17 deri në 30 deshë në vjet. Nuk  kam nije se ka kthye njeri në nevojë duerthatë. Secilit ia ka njomë dorën. Ia ka kënaq shpirtin.  Vaso Jançiqit në Ulqin i ka falë nji kal drith, nji qerre dru dhe lopën me viç. Me nji fjalë ai u ka dhanë shpresë njerzve me jetua ma mirë. Të rrallë kanë kënë burrat  si  ai  në këto vëset tona. Në tri fe, siç thomi ne,  s’ka mujt me kënë ma humanist se Gjekë Hiri.”

Edhe Lekë Kola Lugjuraj , tashmë i ndjerë  vite më parë më ka treguar një episod nga  veprimtaria humanitare  e Gjekë Pjetër Hirit.

“ Në kohën kur merresha me tregti kisha  ble   derra në Sërbi , të cilët   i çova  me i   shit në Hercegovinë. Atje më zuni nata , pa i shitë tetanë derrat. M’u deshti me fjet atje. Trokata në disa dyer,por të zotët e shpisë  kur u thoja se  me veti kam  derra nuk më pranuan. Njani prej tyne më dveti :

-           Si e ke  ëmnin?

-           “ Lekë, i thaç.

-           Prej nga je? – më tha.

-           Prej rrethit të Ulqinit -Shtojit,  ia ktheva.

-           A e njeh Gjekë Pjetër  Hirin ?

-           Po si jo. Atë e kam  kojshi të parë - iu përgjegja.

-           Atëherë, pra , ti sonte do të flësh këtu, më tha gëzueshëm.

Edhe vetë u gëzova. Falë  bujarisë së Gjekë Hirit më  mori për krahit  dhe më shtini mrënë. Biseduem gjatë si të ishim miq të kahershëm.  Kur shtroi darkën m’u drejtua me këto fjalë:

“ Ha biri im e mos u tyrpno! Ti këtu sonte e han bukën tande. Eeee, si më ka prit e përcijellë mua Gjekë Hiri në shpinë e tij në Shtoj!?  Si askush tjetër në këto vjetët e mia.   Mikpritjen dhe buajrinë e tij  nuk do ta harroj sa të kam ymër me jetua. “

Cafo,  nepu malësorëve  çka u duhet për festë !

Gjeka në Ulqin ka patur shumë miq të mirë. Ndër ata ka qenë edhe Mustafë Dollaku ( Cafi i Muharremit 1878-1963)  Në dyqanin e tij tregtonin edhe shumë malësorë nga Shtoji.  Familjet e malësorëve  në gjendje të vështirë ekonomike  pagesën e bënin kohë pas  kohe. Gjekë Hiri, duke patur mirëkuptim  për  malësorët në nevojë  në prag të festave të krishtera i thotë  mikut të tij, Cafit të Muharremit, pronarit të dyqanit që t’u japë malësorëve çka u duhet për festë , kurse ai do të shlyejë borxhet e atyre që nuk do të kenë mundësi të paguajnë borxhin. Dhe kështu ndodhi .  Gjekë Pjetri shleu borxhin e malësorëve. “ Me këtë veprim Gjekë Pjetri e tregoi sinqeritetin, bujarinë dhe humanizmin e vet me çka u dallua si person në këto treva”, më tha  Shaban Dollaku para shtatë vitesh.

Vrasja e nipit

Në kohën e Luftës së Dytë Botërore , në vitin 1942  në Kodra të Ulqinit vritet me armë zjarri nipi i Gjekë Pjetrit, Dedë Coka ( 29 vjeç) , nga dorasi Zarija Jankoviq. Ishte kjo  një vdekje e dhimbshme dhe  e rëndë  për  familjen e Cokë Hirit dhe farefisin Rudaj. Zarija ishte në radhët e partizanëve , ndërsa Deda në radhët e ballistave.

Prof.dr. Janko Jankoviq, djali i axhës të babait të tij  Zarija ( Zaro) Jankoviq këtë ngjarje të hidhur e  tregon kështu:

-           Xhaxhi Zaro ( Zarija, djali i axhës së babait tim) ka rënë në duart e çetnikëve në rrethinën e Cetinës. Çetnikët ia dorëzuan italianëve, të cilët e gjykojnë në Gjykatën e Shkodrës me mbi 90 vjet  burg . Pas shpalljes së dënimit komunistët shkodran e grabisin dhe e transportojnë deri në afërsi të qytetit të  Ulqinit. Kur ka rënë muzgu Zarija është nisur në drejtim  të qytetit  dhe  është ndeshur në dy prita. Kur e kanë ndaluar i janë drejtuar në gjuhën malazeze. Atëherë e ka kuptuar se e presin atë dhe u është përgjigjur në gjuhën shqipe.  I është afruar njëri prej anëtarëve të pritës dhe pas një kontakti fizik e plagos. Pjesëtari tjetër i pritës shtinë me armë zjarri dhe e varros  xhaxhin Zaro .  Ashtu i   i plagosur ai ka shtënë me pistoletë  në drejtim nga e shtëna e dytë dhe e  godet për vdekje Dedë Cokën. Zarija,  sapo është përmirësuar gjendja e tij shëndetësore nga plagët,  është kthyer në radhët e partizanëve si luftëtar i Brigadës së katërt malazeze të proleterëve. Pas rënies së Italisë  Zarija ka vendosur kontakte me familjen e të ndjerit Dedë Cokës me ç’rast ka shprehur keqardhjen e tij të  sinqertë dhe u ka shprehur ngushëllimet  familjes Rudaj, tregon Janko i cili  shprehet se ka dëgjuar fjalë miradie për familjen Rudaj.

Falja e gjakut

Gekë Pjetri   ka qenë i njohur edhe për burrni. Ai    pasi që  kuvendoi dhe u muar vesh me  farefisin e tij vëndosi që  t’i ftojë familjarët e  dorasit Zarija ( zaro) Jankoviqit    të mos rrinë të mbyllun në shtëpinë e tyre. Zemra e Gjekë Pjetër Hirit u bë granit dhe një ditë u tha pajtimtarëve: “ Ishte ky nji moment  lufte. Të dy e gjuan me armë  njani-tjetrin. Zarija Jankoviqi ka  kënë jetëgjatë, kurse nipi ëm jetëshkurt. Si ka vdek nipi ëm ka mujt me vdek edhe Zarija. Burra falë u  u kjoftë gjaku i nipit! Të pranishmit i thanë:

-           Kjosh faqebardhë o burri i Malësisë! Ma burrni asht me falë se  me vra. Kështu duhet me veprua edhe të tjerët. Ti nuk fale vetëm nji gjak,por edhe shumë gjaqe.

Burrnia e Gjekë Pjetrit pati jehonë të madhe.   Burrat e vjetër të Shtojit më kanë thënë se ky veprim i shkoi në vesh edhe Bllazho Jovanoviqit.    Kjo vepër e Gjekës  mbeti e paharrueshme  tek shqiptarët në përpjekjet e tyre për zhdukjen e hakmarrjes.

Njohja me autoritetet e kohës

Falë kontriburtit të tij  të madh shumëvjeçar humanitar u bë i njohur jo vetëm  brenda shtetit ku jetoi,por edhe jashtë kufijve të tij.  Krijoi miqësi me shumë autoritete të kohës  jo vetëm në qarqet shqiptare.  Burrat e njohur  të Malësisë së Madhe e nderuan  këtë misionar të  humanizmit  deri  në ditën e fundit të jetës së tij, në vitin 1968, kur në moshën 74 vjeçare i mbylli sytë përgjithmonë.  Për ilustrim, po përmendi  vetëm dy vargje, ditën e varrimit të Gjekë Pjetrit, nga    vajtimi i Gjon Mark Pllumit, nga Shqipëria:

“ …G’ju për g’ju bashkë me Prekë Calin,

Ën bjeshkë t’Kelmendit ndanë xhibalin…

Njeriu është i madh aq sa jep

Të jeshë  human , zemërgjerë dhe   i ndjeshëm , si çishte Gjekë Hiri, do të thotë të keshë veçori   njerëzore të cilat   vlerësohen  kudo dhe kurdo. Këto janë vlera universale  të njerëzimit, të cilat duhet kultivuar përherë. Nuk është i madh  vetëm ai që ka pasuri monetare.  Njeriu është i madh aq sa jep. Prandaj, duhet dhënë nga zemra njerëzve  në situata të vështira njerëzore. Gjithmonë duhet të kemi parasysh se fati rrokulliset:  Kush është keq sot , nesër është mirë. Ai  që është mirë sot, nesër është keq. Gjithkujt  mund t’ ndodhin sëmundjet, skamjet, bankrotet, fatëkeqësitë, vërshimet e tragjedi   të ndryshme. Por gjithmonë, kur kemi mundësi duhet  të jemi solidar, të ndihmojmë nevojtarët, të sëmurët…,  sepse kjo është një ndjenjë të cilën çdo njeri ( natyrisht  ata me shpirt)  e bën të madh, të përmbushur dhe fatlum. Apo, jo?