E premte, 19.04.2024, 09:59 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Ndërroi jetë shkrimtarja Rozi Theohari

E hene, 15.12.2014, 10:04 PM


NDËRROI JETË SHKRIMTARJA ROZI THEOHARI

Nga Frank Shkreli

Të shtunën më 13 dhjetor ndërroi jetë në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Rozi Theohari e njohur si shkrimtare, publiciste, poete, përkëthyese dhe autore e dhjetëra veprave në prozë dhe poezi - veprat e së cilës njihen jo vetëm në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan.

Unë e kujtoj Rozin nga komunikimet që shkëmbenim nga hera në herë me e-mail ndërkohë që i ruaj të gjitha librat e saja që ajo pati mirësinë të m'i dërgonte gjatë viteve.  Lajmi i papritur se Rozi -- e njohur në Shqipëri dhe në diasporën shqiptare në Amerikë si shkrimtare dhe publicist e dalluar, ndërroi jetë në Boston –pikëlloi dhe varfëroi  komunitetin shqiptaro-amerikan, miq e dashamirë dhe të gjithë ata që e njohën atë për së afërmi dhe për së largu.  Rozi ishte e dashur me të gjithë dhe puna e saj çmohet dhe respektohet nga të gjithë.  Ajo mbante lidhje edhe prej së largu me njerzë -- siç ishte rasti me mua, ndonëse nuk ishim takuar ndonjëherë --  nga ajo njohuri edhe unë e ndjejë zbrasëtinë që ajo la në komunitetin shqiptaro-amerikan.  Komunikimi im i fundit me Rozin ishte në tetor, kur ajo pati mirësinë të më postonte librin e saj botuar kohët e fundit në Tiranë, me titull, "Potpuri Dardhare, Kujtime nga Fëmijëria dhe Jeta e Shkollës".  Sikurë paska dashur të linte pas jo vetëm amanetet e saja, por edhe një pëmbledhje të drejtë për drejtë të kujtimeve të saja, të cilat përbëjnë bazën e këtij libri.  Aty, ajo shkruan për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të dardharëve që kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës andej nga fillimi i shekullit të kaluar, e për të cilët shprehet Rozi, "Nënat dhe gjyshet tona dardhare u thinjën duke pritur tërë jetën që t'u këtheheshin shëndosh e mirë bashkshortët nga Amerika".

Në Librin e fundit që më dërgoi Rozi me dedikimin e saj, ajo përshkruan hollësi mbi emigrimin e dardharëve, të cilat thotë ajo për 'të përbëjnë edhe një "sfond historik tepër domethënës dhe mbështetës për ngjarjet e përjetuara prej meje e të pasqyruara në këto faqe kujtimesh".  Duke iu drejtuar lexuesit, në librin e saj të fundit, ajo e konsideron këtë "sfond historik" si "një fill real i pashmangshëm qytetërimi e fisnikërie që lidhë brezat e ndryshëm dardharë, ashtu siç është edhe plaga e dhimbshme e kurbetit, që ka përcaktuar në një masë të madhe jetën e atij fshati."   Nën efektin e kësaj klime, shkruan Rozi Theohari, ka rrjedhur edhe ai vrag ngjarjesh , "ku kam qenë e përfshirë edhe unë në kohën time, e të cilat në mënyrë figurative i kam emërtuar, "potpuri dardhare", paqyrimi i të cilave mëton të tregojë jo thjesht jetën e një vajze dardhare, por edhe vlerat e gjithanshme natyrore, atdhetare, morale e njerëzore të Dardhës, fshtatit tonë të dashur.  Ato vlera që përbejnë magjinë e papërsëritshme të atij këndi të bekuar në prehër të Moravës", shkruan Rozi në paraqitjen e veprës së saj të fundit, të cilën ma kishte postuar, siç duke pak kohë para se të sëmuhej.

Veprat dhe puna e autores Rozi Theohari janë vlerësuar nga lexues të thjeshtë dhe nga personalitete shqiptare dhe amerikane.  At Artur Liolini, Kancelari i Katedralës Orthodokse Shën Gjergji në Boston është shprehur në një mesazh drejtuar Rozit se, "Vërtetë, jeni shkrimtare jo vetëm me laps, por me zemër, sytë e mendje të pastër e të thellë... Shkrimet tuaja përmbeldhin jo vetëm faktet, por edhe frymën. Të gjithë duhet tu jemi mirënjohës", shkruan udhëheqsi i Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë.   Ndërsa ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, William Ryerson falenderon Rozin për prezantimin e historisë së shqiptarëve mërgimtarë, sidomos atyre që kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se, "Ardhësit e parë shqiptarë këtu në Amerikë kanë ndikuar në lidhjet mes dy vendeve tona dhe mendoj se ata duhet të jenë krenarë për rritjen  e miqësisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë deri në atë nivel që ka arritur sot",  është shprehur ish-ambasadori i parë amerikan në Tiranë.  Ndërkohë, i ndjeri Peter Prifti e ka vlerësuar punën e Rozit Theoharit duke thënë se, "Me shkrimet tua, z. Theohari, jo vetëm që e informoni dhe e edukoni lexuesin, por ato në përgjithësi janë shkruar me fantazi poetike dhe vende vende me metaforë të gjetur...Mund të them”, shkruan Profesor Prifti se, "në fushën e shkrimeve për shqiptarët e Massachussetsit -- të gjallë e të vdekur -- ti ke arritur të bëhesh dhe të njihesh si  "Zëri i Shqitarizmit".  Ndërsa përkthyesja Donika Omari e ka vlerësuar më së miri punën dhe personin e Rozi Theoharit duke u shprehur se kontributi i saj paraqitet me  "Shumë fisnikëri, me shpirt plot dashuri për gjyshër e prindër, për të afërm e për të largët, për të huaj e për bashkatdhetarë, qofshin ata nga Dardha e origjinës a po nga Kosova e jashtë kufijve.”   Donika Omari thotë në një letër drejtuar Rozit e botuar në librin "Potpuri Dradhare" se Rozit nuk i mungonte energjia, kureshtja, dhe as përgatitja por mbi të gjitha këto cilësi, ajo thotë se Rozi dallohej për ndjeshmëri dhe talent.

Anëtare dhe pjesëmarrëse e denjë në aktivitetet e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, përveçse kontriboi me shkrimet e saja në fushën e publicistikës në shqip dhe anglisht, Rozi ishte përveç tjerash edhe anëtare aktive e Shoqatës se Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe e Organizatës Pan-Shqiptare Vatra.   Raimonda Moisiu, Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në njoftimin për vdekjen e anëtares Rozi Theoharit, e cilësoi atë si një "transmetuese e përhapjes së humanizmit", duke shtuar se "Pena e saj publicistike mjaft e njohur me editoriale, reportazhe, ese, opinione e kolumnat e saj në shtypin shqiptar në Shqipëri, në gazetën Dielli, Illyria, revista Kuvendi dhe Fjala e Lirë në Londër, paraqesin Amerikën në dy plane, si Vendi i Lirisë e i demokracisë, i mbështetur në ligje të palëkundshme dhe vendi i mijëra emigrantëve shqiptarë."  Aktive dhe e palodhur deri në ditët e fundit të jetës së saj, në reagimin e saj, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me rastin e vdekjes së Rozit, shprehet se, "Në vazhdën e traditës Rozi Theohari, në raport me vitet dhe me epokën, nuk rresht së shkruari, sjell të gjalla ëndrrat, shpresat, kontributin, veprat, idetë e shqiptarëve të parë të vendosur në Boston – e quajtur ndryshe Rilindja Kombëtare e Nolit, Konicës, Qerim Panaritit e Sotir Pecit, Josif e Vasil Panit, Goni Katundit, Kol Tromarës, Anthony Athanas, Kristaq Trebicka e At Arthur Liolini, Kosovës e Çamërisë, e shqiptarëve të vjetër e të rinj, që jetojnë e punojnë në Boston. Ajo manifestoi talent, energji, vullnet dhe ndjenja thellësisht humane", përfundon njoftimin Shoqata e Shqkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me rastin e vdekjes së Rozi Theoharit (Çeku).

Ndërsa, ndër reagimet e para ishte edhe reagimi në emër të Organizatës së Gruas Shqiptaro - Amerikane "Hope & Peace" (Shpresë dhe Paqë), nga themeluesja Mimoza Dajçi e cila shprehet për vdekjen e Rozi Theoharit duke thënë se, "Me shumë hidhërim po e përjetojmë humbjen e të ndjerës Rozi!   Ajo nuk do t'i mungojë vetëm familjes, shqiptarëve por dhe popullit amerikan, e cila me penën e saj të ndritur bëri të njohur në botë intelektin, guximin, butësinë e ngrohtësinë e femrës shqiptare", shkruan Mimoza Dajçi, në emër të Organizatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane.

Lajmi i vdekjes së Rozit u prit me pikllim të sinqert prej të gjithë atyre që e njihshin atë në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe më gjërë.  Rozi kishte një  rreth të gjërë simpatizuesish për natyrën e saj fisnike dhe ishte shumë e shoqërueshme.  Ajo la gjurmë në historinë e jo vetëm të komunitetit shqiptaro-amerikan por edhe në Dardhën e saj të dashur dhe mbarë shqiptarizmin.  Familjes, farefisit, dardharëve kudo në mërgim dhe në Shqipëri, dhe të gjithë përkrahsve të veprimtarisë tone kulturore,  për humbjen e bijës tuaj fisnike dhe të gjithë atyre që e njohën Rozi Theoharin -- nga afër dhe nga larg -- ngushëllimet dhe përdhimtimet më të sinqerta.

KUSH ËSHTË ROZI THEOHARI – Marrë nga libri i fundit “Dardhare”.Potpuri

Rozi Theohari vjershat dhe prozat e veta i botoi qysh në vitet’ 60 në gazeta e revista të ndryshme si “Drita”, “Hosteni”, “Shqiptarja e re”, “Fatosi” etj. Ka lëvruar vjershat humoristike e tregimin humoristik, si për të rriturit, ashtu dhe për fëmijet. Për lexuesin e rritur ka botuar disa libra: “Telashe nga emancipimi” (1969), “Në mungesë të gruas sime” (1973), “Shoku Ndricim hapi kasafortën” (1977), “Pa diagnozë” (1978), “Teto Kalina” (1990). Në vitin 1987 ka shkruar skenarin e filmit artistik “Familja ime.” Për lexuesit e vegjël ka botuar dy përmbledhje me tregime.

Rozi emigroi ne Amerikë në vitin 1994 me familjen e saj. Përvec dy fakulteteve, atij Ekonomik dhe të Historisë e të Filologjisë, të kryera në Universitetin e Tiranës, në vitin 2000 ajo perfundoi me sukses e u diplomua nga North Shore Community CollegeLynn, Mass, USA, në degën “Artet Liberale.” Emri i Rozi Theoharit u vendos në Librin e Nderit “The National Dean’s List”, 1997-1998, si studente e dalluar dhe e nderuar e kolegjeve amerikane. Që prej 13 vjetësh në Amerikë vazhdon të jetë anëtare e shoqërisë së nderit “Phi Theta Kappa”.

Në vitin 2002 ajo botoi në anglisht vellimin me poezi “Two Halves”, në vitin 2003 botoi në anglisht e shqip poemën “Rozafat”, në vitin 2004 romanin “Lajthitje Dimërore”, në vitin 2005 librin “Mbi thinja fryn erë”, ne vitin 2006 librin publicistik “Jehona Skënderbegiane”; në vitin 2007 vëllimin poetik “Rozafa’s Tears On The River Drina” në tri gjuhë, anglisht, rumanisht dhe shqip.

Rozi vazhdon një aktivitet të mirë letrar në USA. Ajo është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe boton rregullisht në revistën “Pena” të kësaj shoqate. Po ashtu, boton vazhdimisht në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”, si dhe në gazetat lokale te Massachusettsit, përfshirë edhe gazetën Dielli etj. Ka vite që ajo ishte edhe anëtare e disa klubeve të shkrimtarëve amerikanë dhe boton poezi në anglisht në gazetat lokale të Bostonit dhe merr pjesë aktive në aktivitetet kulturore dhe shoqërore të Bostonit dhe shtetit Masaçusets.

Për vitin 2005 Rozi Theohari është nderuar nga Shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë me çmimin “Pena e Artë” për librin “Mbi thinja fryn erë”.

Rozi Theohari në vitin 2006 fitoi Honour Prize në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të “Maison Naaman Pour la Culture”, duke u bërë dhe Anëtare Nderi e kësaj shoqate. Në vitin 2011 u nderua me çmimin “Mirënjohje” nga Shoqata “Kosova” e Bostonit. Në vitin 2012, Rozi u nderua me Çmimin “Service Award” nga North Shore Community College, Massaçusets. Po në vitin 2012 ajo u nderua me çmimin “Fan S. Noli”, nga Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në botë, “Drita” për librin e saj “Kur çelin magnoliet në Boston”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora