Kulturë
Lumturi Ymeri: Grimca fryme, afër e larg..
E hene, 15.12.2014, 08:04 PM
LUMTURI YMERI
Grimca fryme, afër e larg..
-lirika-
NË PLANETIN TIM
Ti mbjell dridhërimën
në çdo pore
me sy,
me duar
me buzë
e fjalë
ngadalë…
Dhe korr ngazëllimin
në çdo breg
në çdo shteg
e çdo cep
në timin planet…
Do të të duhen hambarë
dielli
qielli
gjithësia
e prapë s’ta nxë
Ndaj të jap borxh përjetësinë
veç,
ma kthe…!
BUZA
Buza
Porta e frymës, e fjalës
pranga e heshtjes.
Pragu, i kripur i lotit
plasaritur etjes.
Busulla e dëshirimit
Prehri i prehjes së puthjes
Gjurma e bukur e gushës
Magji e mishtë
Stoli e gruas...
FUSTAN AJRI
Ajo
veshi fustanin prej ajri
mesnatës së vonë.
Derdhej në shtrat, purpurimë
me butësinë e një mjellme…
Dy buzë
vizatonin dekoltenë
dhe gishtat zgjidhnin
fjongo prej hëne…
Valëzonte fustani prej ajri
nën tingujt magjikë të frymës
U drodhën yjet tek shuheshin
në skutat e fshehta të Hënës...
* * *
Ti
gracka ime
e frymës, e dritës!
Unë
gracka jote
e...jetës!
KUSH E SHKRUAN POEZINË
E kam vënë re ndonjëherë
kur unë shkruaj, ty s’të pëlqen!
Madje, të vjen edhe inat
sidomos
kur t’vonohem në shtrat…
Ti, eh ti!
Turfullon
gërvisht edhe ajrin
që vjen më vret në vesh
mendimin ma lë në mes
Dhe vij ngadalë
rrëshqas në mëndafsh
mos të më ndjesh
veshur me lëndesë…
Por ti, eh ti!
As vetë nuk e di
se si e përpin ajrin e nderë
e më shkruan në lëkurë
me frymë e buzë…
Në çdo qelizë
me flakë e shpuzë…
Ti, eh ti,
më thuaj pra, tani
ndaç, plas nga inati!
S’e shkruaj unë poezinë,
por ti!
Unë thjeshtë e kam gati…
NJË NGA NJË
. . . . . . .
- Mir', po, gishtat
pse mi numëron?!
Ata pesë, kanë qënë dhe jan'!
-
këtë...apo këtë...
Dhe mi puth, një e nga një..
PËR’NATË
Një natë
edhe një natë
dhe një,
bëjnë përnatë,
nxin sterrmenatë…
Por ti mos i shuaj
neonet e syve
ndezur me çelësin e buzëve…
Dhe kur përnata e dimërt
mbi shpatulla var lodhjen,
me mollëza
mblidhi gurët
qetoi shkurret,
edhe drizat
me rrënjë tek mendimet…
Derdhe frymën, moj e mirë
në gjakun e ngrirë
që përdita tromaks...
Thith me frymë idhësinë
përgjysmoje ligështinë
T’i dhembë më pak
edhe më pak
e ca më pak
në çdo përnatë…
Dhe,
ruaja gjumin…
DIELLI NË DORË
Ti më the,
të gjitha “L” janë Lumturi
Unë të thashë,
Nuk
Ti më the
të gjitha “P” janë Puthje
Unë, Joo
për mua qenë të gjitha Pritje
Ti më the
të gjitha “D” janë Dashuri
Unë të lashë
Diellin ne dorë...
GRIMCA FRYME,AFËR DHE LARG
**Fryma ime je ti
Fryma jote jam unë
Fryma jone u pre në mes
nuk gjeti shteg këtë mëngjes...**
** Ti je qielli ku fluturoj
dhe humnera
ku unë fshihem... **
** Ti, stuhi vetëtimash
unë, rrufepritësi i tyre...**
**Mekur pritja nga ikjet
Mekur puthja nga pritjet
Mekur fryma nga puthjet**
FRYMË
*
Të prek frymë njomëzake
puhizë me aromë gjiri
që derdhesh e purpurt mbi ninullë!
Të shoh tek mbjell
buzëqeshje pranvere
me tinguj të kaltër,
në vjershërime
e fluturime
zërash nëpër këngë…
*
Të kam frymë, që mekesh
nga kthinat, në pore
mbi ankthet mishtore!
Vibrimë amplitudash
mërmërimë prej avujsh,
përpëlimë prej zjarri,
drithërimë prej xhani…
*
Të ndjej frymë!
Oh, sa t’i ndjej,
kërcitmat e lëndesës
në pragun e lotit
tek mësyn gjoksit,
shemb plasat e shpirtit
nga klithmat e heshtjes…
*
Të gjej frymë,
pas vjeshtës së zverdhët
tuneleve të errët,
zvarritur për mjegull
ngecur, mbetur pezull,
nën pritje
mbi lutje
si gjethe në këputje
për të fundmen udhë…
e më,
s’të ndjej…!
JAM…Ç’JAM?!
Jam...
Gjethe!
Vesuar sythet pranverës,
drithëruar flladit erës
E mbarsem
me të gjitha të verdhat e Van Gogut,
deri tek ajo
e verdha e pisët...
...e vdes,
shkelur dhunshëm,
murosur
ngricës e baltës,
me të vetmin vegim lumturie
të fluturimit
të... rënies!
Jam..
Degë!
Që mbetem lakuriq
prej sqepash e kthetrash
sorrash dimri!
E ndjej një "krra",
jo prej grabitqari,
por, prej shpirti e trupi
që thyhet,
çahet...!
... Në fund të fundit,
jam...
një fluturim!
Ç'jam?!
...një rënie!
POEZI NË AVULL
...i mbyll sytë...
Currilat e argjendtë
zhveshin shkumën
gatuar me duar
E ajo derdhet nga supet
magjishëm si këmishë...
Bulëzat marin rrugë
lëpijnë çdo pore
vizatojnë perfekt
format trupore
Lakohen, rrotullohen
zbresin në shtigje intime
konturojnë thellësi
me dritë-hije...
Pozim trupi njerëzor
as bojë, as penel
veç vijëza uji
në çdo milimetër
një nishan i përkëdhel...
Pikturë që mbeti
poezi në avull
e fshirë puthjesh...