E enjte, 28.03.2024, 05:05 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Orizi kinez

E enjte, 11.12.2014, 06:27 PM


Orizi kinez

Kujtimit të Enver  Dragotit

Tregim nga  Përparim Hysi

Qe ditë e dielë dhe, sado që e kishte ditëpushimi, doli heret nga shtëpia. E kishte lodhur ajo puna rutinë  në zyrë ( tërë jetës mbyllur brenda), dhe e kishte vendosur: do kënaqej duke lozur tërë paraditen domino. Zakonisht, shokët e lojës mbrrinin pas orës 8-00, po deri sa të vinin ata, e gjerbte  ndonjë filxhan kafe në  një nga klubet e afërta dhe, pastaj, fillonte beteja. Sa u bë gati që të mbyllte derën, dëgjoi zërin e së shoqes: - Enver,- foli ajo,- meqë po del, bli  1kg oriz se do bëj speca të mbushura. Po shiko: orizi të jetë oriz vendi, se ai është i shijshëm. Tek dëgjoi porosinë e së shoqes, as që i erdhi mirë, por më nuk u kthye brenda dhe zbriti shkallët e katit të dytë, pothuaj, me një frymë dhe u lëshua që të merrte orizin. Tha me vete: dyqani dy hapa është që këtu. E ble orizin dhe, si e çoi në shtëpi, e kam hequr samarin nga kurrizi. Gjerbi kafenë dhe frymën atje: në "fushëbetejë".  Sa u përcoll dhe me katin e parë, sytë në ishte hapur dyqani a jo dhe, tek bëri këmbë për andej, doli një i njohur i tij i vjetër. I njohur, por i "ftohur" qe ky dhe xha Enveri (se moshatar dhe në pragpensioni qe) as që donte të takohej me të, por, në fund të fundit, vrarë e prerë nuk qe. Vrarë e prerë nuk qe, por Enver Dragoti nuk e harronte dot atë që i kish punuar ky që i doli, ashtu si befas, sot kur xha Enveri nxiton për ta hequr atë të shkretë "samar". Ky, miku i beftë, është Nashua me të cilin xha Enveri njihej që nga vitet e para të pasçlirimit. Punonin tok në komitetin ekzekutiv të rrethit dhe që të dy jetën e partisë e bënin në një organizatë. Se komunist qe xha Enveri, po komunist ishte dhe Nashua. Po ku komunisti Enver Dragoti dhe ku një komunist si Nasho Petraqi. Ndërsa për xha Enverin kishin respekt të gjithë ata që e njihnin, për këtë, Nashon, sa e shihnin, ose ulnin kokën ose i bënin bisht, se nuk donin që t'i shihnin sytë. E sa për atë "proçkën" që i kish bërë Nashua, kjo kish ndodhur larg e larg  në vitn 1953. Kish vdekur Stalini dhe kryetari i komitetit i kish thënë Enverit (asi kohe Enver Dragoti qe sekretar i komitetit ekzekutiv) :- Dëgjo, Enver! Do shkosh zyrë më zyrë dhe do lajmërosh punonjësit që të lënë zyrat e të shkojnë në shtëpi, se do bëhet pushim se ka vdekur baba Stalini. Shkoi Enveri  dhe, tek punonjësit po mbyllnin zyrat, një nga zyrtarët ia dha të qarës.

Ore,- i tha Enveri,- ç'ke që qan? Po ja,- qaravitej zyrtari,- ka vdekur  baba Stalini.

Ka vdekur, baba Stalini,- përsëriti fjalët e punonjësit Enveri,- por  ç' e kishje Stalinin ti  baba apo xhaxha?!!!   Nashua i dëgjoi në ligjëratë të drejtë fjalët e Enverit dhe, pa u ftohur pilafi, drejt e tek kryetari:- Jo kështu dhe jo ashtu. Kryetari që Enverin e donte ( që të dy qenë fis bejlerësh që qenë bashkuar me  komunistët), bëri sikur nuk i dëgjoi jargavitjet e Nashos, por për ta rrahur hekurin me të nxehtë, bëri një rrugë e dy punë: i thirri që të tre në zyrë dhe iu drejtua punonjësit:- More ky, Nashua, më tha kështu-kështu për Enverin, është e vërtetë a jo? Punonjësi qe burrë i ndershëm dhe duke i njohur dhe Enverin dhe Nashon, diti të ndante shapin nga  sheqeri. Ia zbardhi faqen Enverit dhe ia nxiu Nashos. Ky i fundit, pasi u fshikullua mirë e mirë nga kryetari, mend e bëri gjak buzën nga e keqja. Tek po linte zyrën e tij, kryetari i tha:- Beu i Dragotit, mos loz më me zjarrin se do digjesh.

*   *  *

Ja kështu iu kujtua ajo ditë e premte e vitit 1953. Tani xha Enveri është nëpunës kuadri në një ndërmarrje dhe ky, Nashoja, punon në "firifistun".  Është nga "ata" që të ngjitin "flamën" edhe po t'i takosh rastësisht dhe jo, kështu, si po i ndodh sot xha Enverit.

- Mirëmëngjes, Enver!- përshëndeti Nashua.

-Mirëmëngjes,- ia ktheu Enveri.

-Paske dalë që në sabah,- tha Nashoja.

- E, më porositi imeshoqe, që të blej 1kg oriz.

- Po vij dhe unë,- tha Nashoja

-Po hajde. Se mos do të mbaj në kurriz,- ia ktheu me shpoti Enveri.

Shpejtuan këmbët dhe frymën në dyqanin e ushqimeve.

- Ke oriz?- pyeti Enveri.

-Kam,- tha shitsja.

-Më bëj 1kg, po të jetë oriz vendi.

- Xha Enver,- foli shitsja,- nuk kam oriz vendi. Vetëm oriz kinez.

-Jo, jo,- ia preu Enveri,- nuk dua oriz kinez.

La atë dyqan dhe o burra diku në dyqan tjetër. Edhe atje vetëm oriz kinez. Xha Enveri po nervozohej: le oriz vendi nuk po gjente, por dhe dominotë po i merrte dreqi. Hajde tani dhe bjeru kryq e tërthor lagjeve për të gjetur atë të shkretë oriz vendi. Nashoja po nuk iu nda. Nuk të lë vetëm,- tha. Pastaj, i ngeshëm jam,- u mbrojt ai. Që mos bëhem i bezdisshëm pr lexuesin, xha Enveri, i mori dyqanet që kish qyteti me  radhë dhe asgjëkundi nuk gjeti oriz vendi. Kinezin nuk e  begenisi sipas porosisë  të së shoqes, dhe, tek po kthehej i lodhur për në shtëpi, u nda nga "flama" i nxheur dhe as i ktheu sytë nga ata që loznin domino. Ngjiti shkallët  tërë nerva, iu zbraz së shoqes që njëherë nuk ia hoqi samarin nga kurrizi, i tha:- Mos ngrënçë orizin e  vendit që më le pa domino! U mblodh kutullaç atje mbi divan  dhe qe hundë e buzë.

*    *   *

E nesërmja e gjeti në punë dhe, mbyllur atje mbi dosjet e punonjësve, ndjen zilen e telefonit që bie. E ngriti dhe sa dëgjoi zërin e kryetarit, e njohu. Enver-bej,- shpotiti zëri i tjetrit,- lëre "çifligun" dhe urdhëro tek zyra ime. Xha Enveri e mbylli zyrën dhe u nis drejt e në komitet. E kishte marr malli për mikun e vjetër dhe një rrugë e dy punë: edhe të çmallej, edhe të merrte vesh pse e kish thirrur. Trokiti dhe, kur hyri, pa që miku nuk qe në "ujëra" të mira.

Ore,- i tha kryetari,- mos të ka ardhur ngordhja? Ç'ke ti që shan kinezët?!

Xha Enveri. në vend që të shpjegohej, tha:- Ah, Nasho Petraqi! Ah, Nasho Gjarpëri! Prandaj m'u bëre rrodhe dje tej e tej dyqaneve të qytetit!

Pse?- si është puna, kërkoi të sqarohej kryetari.

Xha Enveri i tregoi fill e për pe se si qe "sharja" për kinezët. Kryetarit i erdhi mirë që "sharja" kish qenë vetëm trillim dhe, pasi e uli xha Enverin që të qetësohej, i ra telefonit. Urgjent,- urdhëroi ai,- për dhjetë minuta Nasho Petraqi të jetë në zyrën time. Nasho Petraqi i ngjiti me një frymë shkallët e komitetit dhe sa trokiti në derë, dëgjoi zërin me ton të lartë të kryetarit, hyr! Hyri dhe kryetari, sa e pa, iu lëshua: - More ligavec! Tfu! Po kështu gjete të hashë bukë ti, duke zhbërë fjalët  dhe, gjasme, ka sharë kinezët. Këput qafën dhe të mos ta shoh bojën më! Turp dhe atyre që u besojnë "proçkave" të tua. Nasho Petraqit iu duk sikur iu hap dheu para këmbëve dhe humbi shkallëve.

*    *   *

Po deles së zezë i ngjiten rrodhet. Qemë prishur me kinezët dhe Xha Enveri kish  dalë në pension. Qe me grip dhe, tek hyri në klub, i thotë banakieres: - Shiko, moj nuse e xhaxhait, më bëj një çaj, po të jetë pak e fortë.

Xha Enver,- tha banakierja,- çaji është kinez!

Ah, m'u bëftë mu në grykë,- mallkoi xha Enveri. Prapë me kinezët. Le të vdes dhe nuk e dua,- i dha dum.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora