E enjte, 28.03.2024, 02:35 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Të Drejtat e Njeriut, 365 ditë

E enjte, 11.12.2014, 08:29 PM


TË DREJTAT E NJERIUT, 365 DITË NË VIT

Nga Frank Shkreli

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënon çdo vit më 10 Dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut, ditë kjo e cila kujton datën kur Asamblea e Përgjithshme e OKB-ës ka miratuar në vitin 1948 Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, duke shpallur se parimet e kësaj deklarate janë "standarde të përbashkëta për tu realizuar nga të gjithë popujt dhe nga të gjitha kombet."  Kjo deklaratë në tërësi, ndoshta si asnjë marrveshje tjetër ndërkombëtare, potencon se të gjithë njerëzit pa dallim, kanë lindur të lirë, me të drejta dhe liri të barabarta.

Sllogani që Kombet e Bashkuara kanë vendosur të përdorin këtë vit për të shënuar dhe për të promovuar ditën kushtuar zbatimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës është, "Të Drejtat e Njeriut 365".  Me idenë, sipas OKB-ës, për të promovuar zbatimin e të drejtave të njeriut çdo ditë të vitit dhe jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, me 10 dhjetor, duke nënvijuar kështu "Parimin kryesor të Deklaratës Universale, se secili prej nesh, kudo dhe kurdoherë ka të drejtë të gëzojë të gjitha të drejtat e njeriut dhe se ato të drejta janë për secilin indidvid të barabarta dhe pa dallim, të drejta këto të cilat  nga bashkojnë si një komunitet global, me të njëjtat ideale dhe vlera."

OKB-ja pranon se viti 2014 do të mbahet mend si viti i sfidave të mëdha në fushën e zbatimit të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, duke thënë se madje edhe në vendet ku më heret ishte shënuar përparim në zbatimin e këtyre të drejtave, tani vihet re një zmbrapsje, ndonëse thotë se ka patur edhe përparime të vazhdueshme në realizimin e të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar. Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se 10-dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, është një rast për të shpallur rishtas angazhimin e të gjitha shteteve anëtare ndaj zbatimit të parimeve dhe standardeve që janë zhvilluar dhe promovuar gjatë pothuaj më shumë se 6-dekada, ç'prej miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, më 10 dhjetor, 1948.

Në mesazhin e tij me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon tha se kjo është dita që të gjithë të ngrejmë zërin së abshku duke "Denoncuar autoritetet që mohojnë të drejtat e cilitdo person ose grup", kudo dhe kurdoherë.  Udhëheqsi i OKB-ës shtoi në mesazhin e tij se, "Ne deklarojmë se të drejtat e Njeriut janë për të gjithë ne, dhe për gjithmonë, kushdo qofshim dhe nga do qofshim", pa marrë parasyshë ndryshimet dhe dallimet midis nesh.  "Kjo”, shtoi Ban Ki Moon,  "është një çështje tepër me rëndësi për zbatimin e drejtësisë ndaj çdo individi si dhe ndaj stabilitetit shoqëror dhe përparimit global."   Shtetet ku njerëzit gëzojnë të drejtat e barabarta, shtoi udhëheqsi i OKB-ës, janë vende ku  zhvillohet ekonomia dhe ku shoqëria jeton dhe vepron në paqë.  "Shkelja e të drejtave të njeriut është diçka më shumë se një tragjedi personale për një person ose një grup.  Dhunimi i të drejtave të njeriut është një alarm që mund të paralajmërojë paraqitjen e një krize më të madhe shoqërore", nënvijoi në mesazhin e tij, Ban Ki Moon.  Më në fund, ai than ë mesazhin e tij vjetor, se çdo person mund të bëj diçka në luftën kundër padrejtësive, mos tolerancës dhe ektstremizmit kudo në botë dhe iu drejtua shteteve anëtare të OKB-së që të "respektojnë dhe të zbatojnë të drejtat e njeriut për të gjithë dhe për çdo ditë të vitit".  Njëherazi, u bëri thirrje të gjithë popujve që të mbajnë përgjegjëse qeveritë e tyre për zbatimin e këtyre të drejtave, për të gjithë dhe për 365 ditët e vitit.

Në vetë-vete -- Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe parimet që kanë udhëhequr këtë organizatë gjatë më shumë se një gjysëm shekulli, ç'prej miratimit të saj më 10 dhjetor, 1948 --  diskrediton tiranitë e sotëme dhe ato të  shekullit të kaluar si komunizmin dhe fashizmin si dhe diskriminimet, krimet dhe shkeljen e këtyre të drejtave për personat që vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me këto ideologji.

Nuk jam i sigurt nëse bota shqiptare e shënon këtë ditë ndërkombëtare të drejtave të njeriut.  Por nëqoftse autoritetet dhe shoqëria civile e zbatojnë thirrjen e OKB-së për të kujtuar, jo vetëm këtë ditë por edhe për të promovuar çdo ditë të vitit këto të drejta bazë të njeriut "për të gjithë dhe përgjithmonë" – atëherë, kjo ditë duhet të shikohet jo vetëm nga realiteti i sotëm, por edhe nga një perspektivë historike.

Fryma e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, duhet të shërbejë sot në këtë Ditë Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, si një rast i përshtatshëm për promovimin e këtyre të drejtave sot, por edhe për të kujtuar gjithashtu shkeljet dhe dhunën serioze ndaj këtyre të drejtave bazë të njeriut për mijëra viktima të regjimit komunist, me qëllim që të pakën viktimat e atij sistemi që janë ende gjallë, më në fund, ta ndjejnë veten se janë pjesë e pandarë e shqoërisë dhe se gëzojnë të drejta të barabarta, dinjitet dhe liri të plotë për veten dhe për familjet e tyre në krahasim me të tjerët. Trajtimi dhe ndriçimi i këtyre krimeve ndaj kyëtre viktimave dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë një periudhe prej gjysëm shekulli -- madje edhe 25 vjetë pas shëmbjes së Murit të Berlinit -- do të çonte drejtë një shoqërie më të hapur dhe më normale, në pajtim me vetveten.  Mos trajtimi i kësaj historie të dhëmshme gjysëm shekullore për shoqërinë shqiptare, nga pikëpamja e zbatimit ose jo e të drejtave të njeriut pa dallim dhe duke mos u bazuar në vlerat universale të të drejtave universale të njeriut dhe sipas OKB_së, të të gjitha kohërave, e mbanë shoqërinë në një ngërç konfliktesh politike dhe ekonomike, që fatkeqsisht mund të çojnë edhe në konfrontime të panevojshme shoqërore.  Është e nevojshme që trajtimi i krimeve të regjimit komunist nga pikëpamja e shkeljes së të drejtave bazë të njeriut, të konsiderohet brënda përmbajtjes dhe kontekstit të këtyre të drejtave universale.  Një gjë e tillë do t'i shërbente jo vetëm të vërtetes historike, por edhe lartësimit të nderit dhe interesit kombëtar të të gjitha kohërave.  Le të jetë ky një angazhim nga të gjithë pa dallim -- në këtë ditë ndërkombëtare të të drejtave të njeriut -- për tu zbatuar jo vetëm sot, por sipas OKB-së, për çdo ditë të 365 ditëve të vitit, për të gjithë dhe pa dallim.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora