E premte, 19.04.2024, 06:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Dedë Preqi: Gjergj Kastrioti

E hene, 08.12.2014, 07:55 PM


Dedë Preqi

 

PËRVOJË VETMIE

 

Me zjarrin e blerimit përcëllues

Me heshtjen e cicërimave në buzë,

Nëpër pluhurin e rrugëve të panjohura

Atje largë, largë u treta pa mëshirë.

 

Ëndërrat u tretën mbi shpatulla

Përherë në ikje si vala e detit

Me ngrohjen e diellit amë në zemër

Largë, largë u treta në një kënd.

 

Nënëlokja e përcjell zogun e trembur

Deri te lugjet e blerta hijerënda,

Ku kryqëzohen rrugët e çmendurisë

Ku bashkohen ëndërrat e vetmisë.

 

Vetmia i shkul trungjet e shpirtit

Sikur stuhia që kambanat i varros,

Vetëm nata e kaltër lëshohet e qetë

Ku dehet dashuria në oqeanin e vet.

 

 

SHTEGËTARI

 

Largë e më largë

Duke kaluar nëpër ura,

Takohemi me hapin e njëjtë.

 

Etja ngjyroset me dhimbje

Duke i falë botës lot,

Disa herë kallet në heshtje

Shtegëtari im i lodhur...

 

 

DIÇKA E RE...

 

Gjethet rrokullisën të lira

Pemët çvishen nga afshi,

Pranvera sjell gjethe të freskëta.

 

Sa herë që troket kjo stinë

Etjen e ngjyen blerimi

Në ngjyrë dielli.

 

 

SHIKIMI QË FLET...

 

Atë që ke brenda

E shpreh me sytë e tu,

Dhe me shikimin e butë

Drejt në ballin tim.

 

Diçka që nuk kuptojmë

E lexojmë në shikim,

Dhe në shpirt e ndjejmë.

 

Gjithçka shikojmë me sy

Në libra nuk shkruhet,

Vetëm e pikturojmë me sy.

 

 

NUK ËSHTË E QARTË

 

Kur vendos vetëm njëri

Të tjerët rrinë shërbëtorë,

Kjo nuk quhet drejtësi.

 

Nuk duket e qartë

Nëse ti merr plagë

E mua nuk m’i jep,

Jeta nuk ka shije

Nëse mbetet pa ngjyrë.

 

 

FJALA E FUNDIT

 

Fjala e fundit vjen si zogu

Dikush në vesh të përshpërit,

Fillon prologu i fshehur.

 

Fjala rrëshqet si argjend

Nëse gjuha nuk lajthitë,

Të shpëtojë diçka pa mend...

 

Fjala vjen e shtrënguar,

E paketuar si dhuratë,

Por diçka ngelet në fyt.

 

 

SHIKIMI YT

 

Sytë tu më bëjnë xheloz

Më bëjnë të dhimbsur

Më bëjnë poet.

 

Shikimi yt

Më shpie në dashuri,

Deri në epitaf.

 

Ndërsa ti më thua,

Mos duaj në thellësi,

Sepse shpirti dhembë.

 

Dashurinë ruaje si sytë

Mos ia fal gjithkujt,

Sepse të kthehet në vuajtje.

 

 

NË ANKTHIN E ETHËVE

 

Në ankthin e ethëve

njeriu flet shumë

sikur në gjumë,

nata memece

nuk është pa gojë

dikush ngadalë afrohet

si shenjt apo shejtan

para qirit ngatërrohet.

E kujton atë vend

ku kurrë nuk ke qenë,

frika të mbulon

ç‘farë merr me vete

asgjë nuk të takon.

 

 

PO THEMI…

 

Po themi se,

vitet na braktisin,

lindin njerëz

të rinj,

krijesa të zotit

në prani të tij.

 

Për rreth nesh

jeta ndryshon,

dikujt asgjë

në jetë

nuk i mungon.

 

Të gjitha të mirat

nuk janë

vetëm për ty

o, njeri,

por ka edhe të tjerë

që e shikojnë

Zotin me mëni.

 

Korbat që ngrehin kurtha

i gëlltiti nata,

kur e ngritën kokën

ata i gjykoi shpata.

 

Shumë armiq të ndryshëm

historia i ka shënuar,

edhe pse ishin të fuqishëm

humbën e ikën të dëshpruar.

 

 

ZOGU I MALLIT

(Gjergj Kastrioti)

 

Me një fije shprese

lëkundet nëpër valë,

rrezja e një vese

i shkëlqen në ballë.

 

Rrugë t e plakin

të derdhura në harrim,

ato se ndalin hapin

deri në amshim.

 

Të vie mallë

për fushën e barin,

të vie mallë

për lisin e malin.

 

Mal në mal

e fushë nëpër fushë,

mos u ndal o zog

me mallin tënd prush!

 

Burim që nuk shterret

me diell të nxehtë,

është malli i atdheut

që nuk të lë me vdekë.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora