Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Një shqiptaro-amerikan Guvernator?

| E diele, 07.12.2014, 09:20 PM |


NJË SHQIPTARO-AMERIKAN PËR GUVERNATOR TË BANKËS SË SHQIPËRISË ?

Nga Frank Shkreli

Media të ndryshme në Shqipëri njoftojnë se pas disa këshillimeve midis Presidentit të Republikës , Z. Bujar Nishani dhe Kryeministrit të vendit, Z. Edi Rama dhe pas shqyrtimit të një numri kandidatësh të mundëshëm për postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë,  thuhet se Presidenti i Republikës  është duke marrë në konsiderim për këtë post të rëndëishëm tre kandidatë -- njëri prej tyre, Nick Markola, një bankier me përvojë shumëvjeçare,  i cili shërben si Drejtor Menaxher dhe Drejtor i Kërkimeve i bankës “Fieldpoint Private Bank& Trust” në Greenwich," në shtetin Connneticut të SHBA.   Zoti Markola, përveç shtetësisë amerikane  mban edhe  shtetsinë shqiptare, që është një ndër kushtet kyçe për detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.  Ai ka një curriculum vitae me një përvojë të pasur.  Në detyrën e tanishme si bankier ku menaxhon disa miliarda dollarë, Nick Markola shërben si Drejtor Menaxher dhe Drejtor i Degës së Kërkimeve për një bankë e cila është themeluar nga mbi 30 persona, ndër më të njohurit në botën amerikane të biznesit dhe të financave dhe njëkohësisht shërben edhe si Kryetar i Komisionit që merret me investimet.  Markola, megjithse në moshë të re, ka bërë një karjerë në Amerikë për t'ia pasur lakmi në fushën bankare, të investimeve dhe të financave, me një përqëndrim në fushën ndërkombëtare të investimeve, në  një numër sektorësh ekonomik dhe në rajone të ndryshme të botës me ekonomi në zhvillim e sipër.

Sipas portalit Linkedin, ndër detyrat e tjera me rëndësi gjatë karjerës së tij deri tani, Markola ka shërbyer si ekzekutiv i bankës  “Thomas Weisel Partners”, me zyra në New York dhe në San Francisco.  Nga viti 2005 -2006, Nick Markola ishte ekzekutiv i lartë me firmën për investime “PGA Fund of Hedge Funds” në New York, ndërsa përpara asaj, ai ka shërbyer si ekzekutiv i bankës së famshme  “Citigroup”, një nga bankat më të madhe në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, me filiale bankare e financiare në më shumë se 100-shtete të botës.  Para Citigroup, ai ishte bankier në detyrën e Zëvëndës Presidentit me Bank of America, gjithashtu një nga bankat më të mëdha në botë.   Përvoja e tij bankaro-financiare mbrenda një periudhe të shkurtër, shtrihet edhe në fushën e investimeve shumë të suksesshme të pasurive të paluajtshme.

Është kjo një  përvojë jashtzakonisht e pasur për një shqiptaro-amerikan me origjinë nga trojet shqiptare autoktone të rrethi të Ulqinit, i cili para se të futej në botën e financave dhe të investimeve, i riu Nick Markola u përgatit në bankat e shkollës, duke ndjekur studime universitare dhe pasuniversitare, në disa universiteteamerikane ku siguroi me “Suma Cum Laude” tri diploma. Ai u diplomua me ddiplomë BS në Accounting (kontabilitet) nga Herbert H. Lehman CollegeNew York. Pastaj markola arriti të bëhet magjistër i dyfishtë pasi që mbrojti dy magjistratura në shkollën e biznesit Leonard N. Stern School of  Business të universitetit të njohur New York UniversityNew York. Diploma e pare e magjistrit ishte MBA in Finance (magjistër i administrimit të biznesit dhe financave) dhe diploma e dytë e magjistrit ishte MS in Financial Engineering(magjistër shkencash inxhinier financiar). Markola pstaj u specializua në fushën bankaro-financiare dhe në degën e investimeve duke arritur titullin CIMA (analist i certifikuar për menaxhim kapitali) nepërmjet IMCA dhe University of Pennsylvania Wharton School of Business, në Philadelphia.

I sukseshëm në fushën e tij të zgjedhur profesionale, Nick Markola është nderuar me një numër urdhërash dhe dekorimesh dhe si ekspert i njohur në qarqet ku punon, ai ftohet shpesh si analist për të komentuar mbi çështjet ekonomike dhe financiare në mediat më të njohura të biznesit në Amerikë dhe në botë, siç janë Fox Business News, Bloomberg News, dhe shumë rrjetë të tjera botërore.  Ai është gjithashtu edhe autor i shumë artikujve mbi subjektin e financave dhe të fushës bankare, ndërkohë që ai gjenë kohë të shërbejë edhe në një numër drejtorishë (boards) të firmave të mëdha amerikane fitimprurëse si dhe të kompanive jo fitimprurëse.

Ndonëse është shumë i nxënë me profesionin e tij në analet e botës bankare dhe financiare me një konkurrencë të nivelit shumë të lartë, Nick Markola prap se prap, disi gjenë kohë që madje të angazhohet edhe në veprimtaritë e shumta të komunitetit shqiptaro-amerikan.  Në të vërtetë, ai është një aktivist i dalluar i brezit të ri të komunitetit shqiptaro-amerikan.  Markola është Bashkthemelues, ish-Kryetar dhe tani Zëvëndës President i grupit APEN, që është një “Rrjetë i Profesionisteve dhe Biznismenëve të rinjë Shqiptarë në Amerikë”.  Markola gjithashtu është anëtar i bordit të projektit të shqiptaro-amerikanëve më të sukseshëm, “Albanian American Success Stories” dhe ka shërbyer në drejtoritë  e organizatave më të vjetra shqiptaro-amerikane, siç janë Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe organizata pan-shqiptare Vatra.

Më duhet të rrëfej kënaqësinë time kur e lexova lajmin në median shqiptare se në listën përfundimtare që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani po konsideron për Guvernatorin e ri të Bankës Shqiptare, ishte edhe emëri i një shqiptaro-amerikani.  Pikëspari më erdhi mirë për ketë lajm sepse me sa kam unë njohuri, kjo është hera e parë që një shqiptaro-amerikan me përvojë të lartë perëndimore si Nick Markola, po konsiderohet për një detyrë të lartë shtetërore ose qeveritare në Shqipëri, siç është institucioni i Bankës Shtetërore të Shqipërisë.  Së dyti, më erdhi mirë se një djal i ri, shqiptaro-amerikan, i cili ka bërë emër si ekspert në fushën e tij këtu në Shtetet e Bashkuara, ku atij i është dashur të konkurojë për pozitat e tija, me më të mirët e Amerikës dhe të botës mund të thuhet – është gati të ofrojë përvojën e tij të konsiderueshme në këtë fushë dhe të japë kontributin e vet për Shqipërinë.

Sipas burimeve të medias, Presidenti i Republikës do të dekretojë brenda disa ditësh kandidatin e preferuar prej tij dhe pastaj ta dergoj tek Kuvendi i Shqipërisë, me shumicë dërmuese, i cili gjithashtu duhet të japë miratimin e tij.  Nëse Presidenti Nishani do të dekretoj Nick Markolën për Guvernator të Bankës së Shqipërisë ose jo, kjo natyrisht është e drejtë dhe privilegj i tij si ekzekutivi i shtetit shqiptar.  Për mua ka rëndësi fakti që Nick Markola, një shqiptar nga diaspora -- e për më tepër një shqiptaro-amerikan -- është në listën përfundimtare të tre kandidatëve që po shqyrtohen për tu dekretuar për Guvernator të Bankës Shqiptare. Unë e shikoj këtë rast si historik, pasi mos u gabofsha është e para kandidaturë nga jashtë për një post në një institucion të lartë shtetëror, siç është Banka e Shqipërisë.  Për këtë fakt, komuniteti shqiptaro-amerikan ndihet i nderuar dhe jam i sigurt se vet Nick Markola e ndjenë veten të nderuar dhe të privilegjuar për mundësinë që i është dhënë për të paraqitur kandidaturën e tij për këtë post të këtij institucioni shtetëror, që mundësisht të ndajë përvojën e tij të konsiderueshme bankaro-financiare të Amerikës me bashkatdhetarët e tij duke dhënë një kontribut të rëndësishëm drejtë zhvillimit të Atdheut të parëve të vet.