E hene, 05.12.2022, 06:50 PM (GMT)

Faleminderit

Gjekë Gjonaj: Nikollë Ivanaj, personalitet i shquar

E diele, 07.12.2014, 06:37 PM


Nikollë Ivanaj, personalitet i shquar i shtetit dhe pavarësisë shqiptare

Nga Gjekë Gjonaj

Asnjëherë nuk  është e lehtë të shkruash  për personalitete të shquara të shtetit dhe pavarësisë shqiptare , mbase      gjithë veprimtarinë e vet  jetësore e vunë në shërbim të lëvizjes  kombëtare shqiptare.  Arma kryesore  për  këta burra të mëdhenj të Shqipërisë  në mesin e të cilëve   zë vend   edhe  trieshjani ( bashkëvendasi im)  Nikollë Ivanaj ( 1879- 1951)  ishte lapsi , ishin dijet, formimi  arsimor për liri , demokraci dhe përparim shoqëror. E veçanta e  Nikollë Ivanajt, bashkë   me elitën e burrave  famëmëdhenjë shqiptarë,  është se  ai  kurrë nuk mbajti “ pushkën  për krahu”  as “ vezme dhe gjerdanin e fishekëve” ngjeshur brezit. Por  i edukuar në një familje atdhetare  siç ishte ajo  Ivanaj nga Bëkajt e Trieshit , e cila rriti , edukoi dhe arsimoi  Mirash Ivanaj – Ministër  i Arsimit të Shqipërisë ( 1932-1935)  dhe në një mjedis të zjarrtë  për  fe e atdhe , siç ishte Trieshi , ai mori gjithçka  dhe si intelektual i mirëfilltë me  një kulturë të gjerë   dhe njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja  hyri me vetëdije  të plotë në rrjedhën e ngjarjeve të lëvizjes kombëtare.

Luftëtar i planeve antishqiptare të Konferencës së Paqes në Paris

Veprimtaria  e Nikollë Ivanajt  me gojë ose me shkrim për përhapjen dhe  ngulitjen e idesë    ruejtes dhe mbrojtjes së shtetit dhe  pavarësisë së  Shqipërisë    masat e gjëra popullore dhe diplomacitë e huaja  është  e një dimensioni të pakrahasueshëm. Mirëpo  në këtë shkrim   modest  dëshiroj   që përmes burimeve  arkivore sllave  ( Ndërmarrja publike Fleta zyrtare e RSJ, Arkivi i Jugosllavisë dhe  Instituti  ushtarako-historik) të  paraqes  ( kujtoj ) opinionit    copëza  të preokupimeve     Nikollë Ivanajt për sensibilizimin e çështjes shqiptare në rrethet   ndërkombëtare    vitin 1920 në kohën e mbajtjes së Konferencës së Paqës në Paris,  e cila , sikundër dihet, nuk u mor drejt përsë drejti me çështjen shqiptare dhe për rrjedhojë në vend që të plotësonte kërkesat e drejta të popullit shqiptar e komplikoi edhe më tej situatën.

Nikollë Ivanaj   si kryetar i  Klubit “ Lidhja Kombëtare “ e Shqipërisë  dhe delegat i Partisë  politike  shqiptaro-amerikane pranë Konferencës së Paqes në Paris  ishte nga më aktivët e brezit të vet, ndër më të vendosurit dhe njëri nga vizionarët më të dalluar në mbrojtje të  të sovarnitetit dhe ardhëmërisë së Shqipërisë.

Ky atdhetar me ndërgjegje të lartë qytetare politike, demokrat  i shquar dhe udhëheqës politik ngriti zërin me forcë kundër vendimeve të padrejta që u morën në  Konferencën e Paqës në Paris  në kurrizë të Shqipërisë,  organizuar nga  fuqitë e mëdha  fituese që morën pjesë në Luftën e Parë Botërore, për t’u diktuar vendeve të mundura kushtet e paqes dhe rindarjen e kolonive si dhe sferave të ndikimit, në të cilën rolin kryesor e luajtën  SHBA,  Anglia, Franca Italia dhe Japonia.  Në vijim po japim vetëm disa  shkresa ( dokumente)  në disponim, të cilat  dëshmojnë dhe dokumentojnë përpjekjet dhe angazhimin e fuqishëm të Nikollë Ivanajt  në mbrojtje të  Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran.

Apel Nikolla Pashiqit

Në dokumentin arkivor jugosllav, 336-28-IV-VII/ 12-5829  figuron se Nikollë Ivanaj , kryetar i Klubit “ Lidhja Kombëtare” e Shqipërisë dhe delegati i Partisë politike shqiptaro-amerikane  pranë Konferencës së Paqes në Pariq, një ditë pas fillimit të saj, më  19 janar 1919 përmes një shkrese ( përkujtesë)   kërkon nga Nikolla Pashiq, kryetarin e Delegacionit të  Qeverisë Mbretërore Serbe      të angazhohet në shpëtimin e pavarësisë së Shqipërisë .

- Duke e patur deri më tani Mbretërinë Serbe, Kroate dhe Sllovene, si mik dhe mbrojtës  tonin  në luftë për pavarësi, populli shqiptar dëshiron  që të mos  lihet në përpkrahje ose papërkrahje të imperialistëve të rinj, të cilët vijnë nga ana tjetër e Adriatikut në Ballkan. Lëshimet që i jepen  Mbretërisë Serbe , Kroate,  Sllovene  me kufi deri në Drin , mund të jenë fatal për unitetin tonë kombëtar, sespe   zonat më të pasura dhe më të banuara  të Shqipërisë së Mesme , mbeten në këtë mënyrë nën dominimin e Italisë.  Nëse Delegacioni i Mbretërisë Serbe, Kroate,  Sllovene nuk mund të ruaj  integritetin e shtetit shqiptar në kufinjt   nga viti 1913,  unë jam i lirë  të apeloj tek Ju z. Kryetar, që kufirin e propozuar  të mundoheni ta shtyni sa më larg në jug  për këto arsye:

1. Sepse   ne shqiptarët nuk kemi besim në  Italinë zyrtare, gjegjësisht  në krijimin dhe ekzistimin  e pavarësisë së Shqipërisë, si    vështrimin  politik dhe ekonomik, sepse ajo, ka për qëllim   që gjatë  mandatit  të italianizojë shtetin tonë dhe kështu më vonë ta aneksojë;

2. Sepse  Italia as me  Traktatin e Londrës  1915  nuk ka të drejtë në pjesën e epërme të Shqipërisë:

3. Sepse fiset e Mirëditës, Matit dhe Malësisë  nuk mund të mbijetojnë ekonomikisht , nëse  ndahen nga qyteti  i Shkodrës me rrethinë - çka  tregon qartë   edhe një shikim  fluturimthi në hartën gjeografike – ne kërkojmë: që kufiri i përkohshëm  të caktohet dhe të tërhiqet  së paku   për atë    vijë , e cila është e paraparë për Serbi dhe Mal të Zi si  eventuale me  Traktatin e  Londrës ,  1915.”

Dy  kërkesat e Ivanajt mikut të tij Krosto Dakos

Nuk po zgjatem në portretin e Krosto Dakos, por  nuk mund të mos theksoj pohimet e njohësve të  mirë të veprimtarisë së tij atdhetare se   emri  i tij ishte ndër më të dalluarit në mjedisin e emigracionit shqiptar në Amerikë. Kjo   mendoj unë  ishte arsyeja  kryesore që  Nikollë Ivanajn e nxitën t’i drejtohet   edhe zyrtarisht mikut të tij Krosto Dakos  për shpëtimin e shtetit dhe pavarësisë shqiptare, nga rreziku i copëtimit të saj në ato vite.

Ivanaj: Populli shqiptar do të derdhë pikën e fundit të gjakut për ruajtjen e shtetit  dhe pavarësisë shqiptare

  shkresën e parë që Ivanaj i dërgon  Kristo Dakos, president  i Partisë politike shqiptare në Boston  thuhet : “Njoftoni kompetentët se  çështja e pavarësisë se Shqipërisë    është  çështje e ekzistimit të  popullit shqiptar. Me asnjë parim dhe me asnjë të  drejtë nuk mund të arsyetohet  shfuqizimi i pavarësisë  së shtetit shqiptar,  e cila ka ekzistuar ndërkombetarisht nga viti  1913.  Aneksimi i Vlorës dhe ndarja e  Gjirokastrës dhe Korçës  e “ vrasin”  eksistencën shtetërore dhe nacionale  të Shqipërisë. Populli shqiptar  nuk do të lejojë  ta komnadoj   as Italia  as  Greqia, dhe as  cilido mandat tjetër kushdo qoftë. Italia nuk ka vend në Vlorë, e cila është  porti  i vetëm  shqiptar. Hyrja e saj ( Italisë – shënimi im)  në Ballkan, qoftë  nëpërmjet Vlorës , qoftë nëpërmjet  mandatit në Shqipëri mundet vetëm    nxisë  ngatërresa te reja  ndërkombëtare. Shqipëria nuk është e rrezikuar në veri  nga Jugosllavia, e cila kërkon  pavaresinë e saj, por nga Italia dhe Greqia të cilat veprojnë  për ndarjen e saj.  Duke u thirrur në të drejtat e mia  të njeriut  dhe  në principe, të cilat përfshihen në 14 pika    presidentit  Wilson , populli shqiptar do të derdhë edhe pikën e fundit të gjakut  për ndalimin e  kërkesave  zaptuese të Italisë dhe Greqisë dhe për  ruajtjen e  shtetit të   formuar dhe pavarësinë kombëtare” . ( AJ, 336 – 28- IV-VII / 12- 5829) . Shkresa   me  firmën e Nikollë Ivanajt është cituare plotë dhe  ka të shënuar datën  Paris, 10 mars 1920.

Pas tri javësh , saktësisht më  2 prill  1920  Ivanaj përsëri  i drejtohet Kristo  Dakos  me një  shkresë të shkurtër me këtë përmbajtje domethënëse : ,, Bindeni koloninë tonë, që populli shqiptar nuk mund të presë  kurrfarë të mirash nga Italia, derisa ajo të  heqë dorë nga  qëllimet e saj okupuese në Ballkan. Ajo duhet të ndjek shembullin e Jugosllavise dhe t’i njohë Shqipërisë   pavarësinë  e plotë politike dhe  territoriale”. ( AJ, 336-28-V-VII/ 12-6031 )

Ndikimi  i presidentit amerikan Thomas Woodrov Wilson

I shqetësuar për fatin e ardhshëm të Shqipërisë  Ivanaj  nga Parisi , më  2 prill 1920 i drejtohet  presidentit amerikan Thomas Woordov Wilson ( 1913-1921) me shkresë, siç vijon :   ,, Në  kohën kur Konferenca e Paqes përfundon punimet e saj, unë apeloj në presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të mirë të popullit shqiptar, përfaqësues i të cilit jam, duke e lutur , që të  largojë ( shmang)   nga shteti  ynë të gjitha qëllimet( projektet) , që shkojnë në dëm të integritetit të tij politk  dhe shtetëror. Marrëveshjet e fshehta kundërshtojnë  pavarësine tonë popullore të cilën  Shqipëria e ka arritur ndërkombëtarisht në vitin 1913. Madje edhe vet memorandumi nga data 9 dhjetor  e asgjëson pavarësinë  e shqiptarëve, sepse e shkëputë  territorin shqiptar duke ia dhene Italisë dhe Greqisë. As shqiptarët nuk mund t’ia lëshojnë  shtetin e vet  kërkesave imperialiste të Italisë  dhe Greqisë dhe as nuk mund të pranojnë  që në Ballkan të instalohet një fuqi e huaj. Ne e lusim    presidentin, të  veprojë ndaj Italisë, në mënyrë që ajo, duke ndjekur shembullin e Jugosllavisë, të pranojë parimin e pavarësisë së plotë të Shqipërisë, në formën politke dhe territoriale , ku edhe  qëndron kushti i zhvilimit tonë të qetë dhe i qetësisë ne jug të Europës” .

Me këto argumente Nikollë Ivanaj kërkoi të influenconte  sadopak në mendimin e  presidentit amerikan Wilson, i cili  në atë kohë konsiderohej  si prijsi më i popullarizuar  i botës.

Çfarë deklaruan   Nikollë Ivanaj dhe Panteli Vangjeli?

Përfaqësuesi i Seksionit malazez  D.S. Gjukiq , më 8 prill  1920   përmes një shkrese zyrtare  njofton  kryetarin e  Delegacionit të Serbëve, Kroatëve, Sllovenëve, kryetarin e Delegacionit si edhe zotëri dr. Milenko Vesniq në Paris me deklarimet   e krerëve  shqiptarë Panteli Evangjelit dhe Nikollë Ivanajt në zyrën e Seksionit malazez.

“Delegacionit të këtushëm shqiptar u kanë ardhur zëra  për incidentin me delegatin tonë  në Shkodër. Sipas versionit, i cili ka mbërrijtë deri tek ato qarqe shqiptare,  pushteti vendor shqiptar në Shkodër  e ka lutur zotëri Nershiq,përfaqësues i  Qeverisë Mbretërore të lëshojë qytetin, duke theksuar si “ arsye”  se “ Mbretëria Serbe Kroate , Sllovene të jetë në Shkodër e përfaqësuar me një përfaqësues të rregullt diplomatik”. Me këtë rast sot kanë ardhur në mesditë në zyrën e Seksionit malazez krerët  shqiptar Panteli Evangjeli dhe Nikollë Ivanaj dhe deklaruan në emër të delegacionit shqiptar:

1.Se u vjen shumë   keq për këtë rast i cili ka ndodhur në Shkodër.

2. Se plotësisht  nuk solidarizohen  me këtë  akt ( veprim).

3.Se i kanë dërguar  Ahmej Beut, Minsitrit të Punëve të Brendshme protestën më   të ashpër dhe kanë kërkuar nga ai t’i japë satifaksionin e plotë  Qeverisë Mbretërore .

4.Se ata dhe i gjithë populli shqiptar i mbesin besnik shtetit tonë, i cili i vetmi mund të realizojë pavarësinë e  Shqipërisë dhe përmes së cilës duhet të orijentohet ardhmëria e popullit të tyre”, thuhet në shkresë e cila mban firmën e D.S. Gjukiq, përfaqësues i Seksionit malazez.  (  AJ, 336 – 28 –V – VII / 12- 6070  )

Ivanaj kërkon nga Qeveria e Beogradit të mos lejojë hyrjen e Esad Pashës në Shqipëri

Përfaqësuesi i Seksionit malazez D.S.Gjukiq , më  15  prill  1920   e njofton   kryetarin e Delegacionit të Serbëve, Kroatëve, Sllovenëve në Paris me   diskutimet e zhvilluara në mbledhjen  e mbajtur një ditë më parë të delegatëve shqiptarë, në të cilën ishte i pranishëm edhe Nikollë Ivanaj. Zotëri Kryetar mbrëmë rreth orës 7 ka ardhur në zyrën e Seksionit malazez z. Nikollë Ivanaj  dhe, sipas  gjasave më deklaroi:

1. Se i gjithë delegacioni shqiptar është shumë i hutuar  me lajmet, të cilat janë publikuar  kohën e fundit në shtypin iatlian mbi  mospajtimet ( mosmarrëveshjet) në delagcionin tonë me rastin e çështjes shqiptare.

2.Se edhe  vet opinioni jugosllav  i ka pranuar këto lajme dhe u ka dhënë  besueshmnërinë ,siç shihet në artikujt e jokahershëm.

3.Se krahas kësaj  ka ardhur deri te manifesti në Podgoricë, me të cilin kërkohet Shkodra për Mal të Zi  e deklarata të tjera të ngjashme   edhe nga qarqet më të larta.

Të gjitha këto dukuri kanë shkaktuar  në delegacionin shqiptar  frikë  se në politkën tonë të jashtmne ka ardhur deri tek  një kthesë , e cila shkon në dëm të popullit shqiptar. Përveç kësaj  delegacioni shqiptar  është njoftuar se  Esad Pasha përgatitet të kthehet në Shqipëri menjëherë mbas përfundimit të Konferencës në San Remo. Kjo rrethanë shkakton tek të gjnithë  ata panik dhe  gati indinjatë. Sipas mendimti të tyre hyrja e Esad Pashës në Shqipëri  do të jetë barazi me grusht shtetin dhe shkatërrimin  e  gjendjes e cila është krijuar në Kuvendin e Madh Popullor në Lushnje. Paraqitja e Esad Pashës në Shqipëri do të thotë rrëzim  i Qeverisë Popullore,  përmbysje   e shtetit dhe   ndarje     Shqipërsië.  Qeveria e Beogradit e vetmja mund  të ndalojë këtë avantur fatale, sepse Esad Pasha vetëm përmes saj mund të hyjë në  shtet. Nëse vërtet vjen deri te ajo që Esad Pasha   gjendet një ditë  në trollin shqiptar, kjo do të thotë se   Qeveria e Mbretërisë Serbe Kroate, Slloovene  me vetëdije do “ të mbysë” shtetin shqiptar, mu atëherë  dhe   kur  ajo  e tëra është angazhuar që të heqë nga vetja zgjedhën ( jarmin)   e okupimit  italian dhe mandatit italian.   Qeveria Mbretërore ndoshta nuk  do    veprojë në atë mënyrë që  popullin shqiptar  ta largojë nga vetja, duke e hedhur plotësisht në   vorbullën e  mahinacioneve italiane. Ky është kryesisht kuptimi i diksutimit të zhvilluar  në këtë mbledhje”, përfundon shkresën e tij Gjukiq (AJ , 336-28- IV-VII /12- 5829)

Përfundim

Nuk po citojmë më burime  e fakte të tjera. Ato janë  shumë dhe mund të përmblidhen  vetëm në një monografi, minimalisht.  Por edhe këto dokumente të cituara nga burime sllave    pasqyrojnë angazhimin e Nikollë Ivanajt në harkun kohor prej vetëm dy muajsh në kohën kur kishte filluar punimet Konferenca e Paqes në Paris, flasin bindshëm  për veprimtarinë e  tij  të pasur patriotike në shërbim të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare. Ky vizionar dhe analist për të ardhmen e Shqipërisë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare me veprimtarinë e tij politike u bë emër i njohur  në botën shqiptare, dhe jo vetëm.  Si politikan Nikollë Ivanaj ishte ndër më aktivët e brezit të vet, ndër më të vendosurit, më luftaraku dhe një nga vizionarët  më të  dalluar në mbrojtje  të sovranitetit dhe ardhmërisë së Shqipërisë. Ai ishte bashkëkohës dhe bashkëpunëtor me pothuaj të gjithë burrat më në zë  të Shqipërisë, nga të gjitha trevat, në ngjarjet më të rëndësishme    Shqipërisë, një nga figurat me autoritet të padiskutueshëm, mendimi i të cilit kishte peshë. Ivanaj ishte propagandues  i të drejtave dhe kërkesave të shqiptarëve për vetëqeverisje dhe pavarësi në Evropë dhe Shtetet të Bashkuara të Amerikës, orator me fuqi argumentuese,publicist ,  shkrimtar e folklorist.Thënë shkurt personalitet me veprimtari të gjithanshme.   Për sintezën e përpjekjeve  atdhetare të Nikollë Ivanajt   na e dha Parashqevi Qirazi, kur shkruante: “ Veprat na veshin me pavdekësi lavdërimi ose ç’nderimi. Ato janë të vetmet tapi që mund të trashëgohen pas vdekjes”.

Kontributi i tij në fushën e politikës i bazuar  me gjuhën e argumenteve,për lirinë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e shtetit dhe pavarësisë shqiptare, nderon brez pas brezi çdo shqiptar në përgjithësi dhe çdo trieshjan në veçanti.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora