Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rrustem Geci: Djemtë e lirisë së burgosur

| E marte, 09.12.2014, 10:15 AM |


DJEMTE E LIRISË SË BURGOSUR

Ese për librin e shkrimtarit, Kadri Rexhaj, ''Pikëtakime letrare''

Nga Rrustem Geci - Dortmund

Shkrimtari, publicisti, ish i burgosuri politik, veprimtari dhe patriot i radhëve të para për çlirimin e Kosovës, Kadri Rexhaj, këto ditë doli  me libër të ri, „Pikëtakime letrare“. Me këtë libër të eseistikës moderne shqiptare, shkrimtari Kadri Rexhaj, e begaton letërsinë tonë të bukur me një vepër të mirëfilltë. Veçanti të librit, „Pikëtakime letrare“ janë; stili i shkrimit, estetika e kuptimeve, dramaturgjia e përgatitjeve dhe përmbajtja e veprimit për luftë finale. Esetë e shkrimtarit Kadri Rexhaj, janë mesazhe veprimi dhe kulturimi, se ku fshihet e vërteta, dhe pse duhet të luftojmë.

Jam i dashuruar i së së bukurës, shprehet poeti Rexhaj. Poetikë e kam kokën, shpirtin dhe zemrën. Unë i kam dy të dashur të mishit dhe të gjakut tim, Atdheun dhe motrën e tij, Lirinë. Pa këta të dashur të shpirtit e të mendjes, mua do më merrej goja, do më zihej fryma…Ky libër i botuar nga Radio Kosova e Lirë, i bën nderë edhe botuesit, edhe lexuesit, edhe autorit.

Libri i Kadri Rexhajt, „Pikëtakime letrare“, shtrihet në një hapësirë shkrimesh në 64 ese. Në këtë libër gjeografia e atdheut tonë, hapet përmes krijuesve të vullnetit kryengritës të shqiptarëve për liri, pavarësi, dhe bashkim kombëtar. Që në faqen e parë të librit me ese, „Pikëtakime letrare“, shkrimtari Kadri Rexhaj, zëshëm shpalon dashurinë e tij për artin, për letërsinë, dhe përcaktimin e vetes së tij në beteja.

Për një popull qytetërues si ky i yni, pushtimi ishte poshtërim i rëndë. Prandaj, gishti në këmbëz për Çlirimin e Kosovës ishte i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Shkrimet e mia shprehet shkrimtari Rexhaj, para se t´i realizoj si art, i kam konceptuar dhe artikuluar si porosi, thirrje, mobilizim…Unë kujtoj shprehet autori i librit „Pikëtakime letrare“, se me arsim të mirëfilltë gjeopolitik dhe historik, shqiptarët janë në udhë të mbarë që t´i rikthejnë tokat e tyre të humbura.

Fjala kryengritëse në letërsi është ndërgjegjje e shkrimtarit, muziktarit, piktorit, artistit, dhe ndërgjegjje e gjithë patriotëve që përfshihen në luftën për çlirim. Libri i Kadri Rexhës, „Pikëtakime letrare“, është përmbledhje esesh, që nga De Rada i madh e deri tek shkrimtari i zëshëm, Ahmet Qiriqi.

Kadri Rexhaj u lind me 7 shkurt 1949, në Cercë të Burimit. Është magjistër i shkencave filologjike. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Veprimtaria krijuese dhe patriotike e shkrimtarit Kadri Rexhaj është e gjerë dhe me taban kombëtar. Shkrimtari Kadri Rexhaj, deri më tash ka botuar këto vepra; 1 . Kosovë, gurrë e bardhë, 2 . Fati i luleve ( monografi për Jusuf Gërvallën ), 3 . Pushkë lajmëtare ( monografi për Edmond Hoxhën ) 4 . Dervish Shaqa ( monografi ), 5 . Pikëtakime letrare, dhe 6. Thirrjet e kohës.

Në këtë libër autori na sjell një portretizim të krijuesve shqiptar. Bardhësia shpirtërore e poetëve shqiptar hetohet edhe në vargjet me plagë betejash dhe luftash. Nuk ka shkronjë shqipe që nuk është përballur me armikun pushtues, dhe me djemtë e lirisë së burgosur. Libri i Kadri Rexhajt, „Pikëtakime letrare“, i takon llojit të eseistikës kryengritëse.

Në çdo betejë shkruan autori, fjala dhe flamuri ishin të parat. Fjala kryengritëse e brezit të autorit Rexhaj, ishte nevojë dhe domosdoshmëri, për të zgjuar masën milionshe të popullit tonë kundër pushtuesit.

Gjërat që kanë ngrohtësinë e diellit unë i pelqej shumë shkruan shkrimtari Kadri Rexhaj. Unë kudo e ndiej këtë tokë, pëshpërimat dhe dhimbjet e saj. Në shpirtin tim prej shkrimtari kurrë si kam bërë strehë marrëzisë. Jeta pa dashurinë e atdheut për mua është e zbrazët dhe e pakuptimtë. Pa idenë krijuese të bashkimit, çdo gjë do mbetet e vogël dhe midis vogëlimave.

Nuk mjafton të jesh nën hije, e të bëhesh shkrimtar. Jeta nën pushtues do që ta bësh dorën grusht. Ambient lufte dhe krengritjesh ishte e tërë jeta ime dhe e brezit tim shprehet shkrimtari, Rexhaj. I frymëzuar nga betejat e poemave të shkrimtarëve të rilindasve tanë, Kadri Rexhaj, në librin „Pikëtakime letrare“, na e jep një peisazh mbresëlënës të letërsisë sonë të bukur. Me kujdesë i kam lexuar ëndrrat e mia, ujqërinë e fqiut armik, të tashmen time të ardhshme, dhe të kaluarën time të tashme.

I frymëzuar nga një grusht i këtillë i popullit kryengritës si dhe nga betejat e poemave të shkrimtarëve dhe rapsodëve tanë më të mirë, me librin „Pikëtakime letrare“, shkrimtari Kadri Rexhaj, na e ka dhënë një dimension të veçantë letrar dhe një tablo me peisazh ndezës të letërsisë sonë të bukur. Uroj autorin Kadri Rexhaj, për këtë libër të mrekullueshëm. Sukses o i nderuari shkrimtar!