Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Drita Lushi: Vjersha vjeshte për dashurinë

| E premte, 05.12.2014, 08:59 PM |


VJERSHA VJESHTE PËR DASHURINË

cikël poetik

NGA DRITA LUSHI

 

JU (S)E NJIHNI TE DASHURIN TIM...

 

Unë e kam treguar Atë çdo herë, për ju;

Kur i kam shkruar dashurisë,

kur u kam shkruar (l)ojnave

(k)odeve të gëzimit dhe puthjeve

 

s’ua kam thënë kurrë emrin e tij

as ngjyrën e syve

as zërin .

Ndërsa veshtrimin,ua kam thënë veç këngëve…

 

I dashuri im,

ështe një burrë që lexon poezi

por më shume, ti dojë ato di ;

 

E nëse të gjitha këto s’mjaftojnë:

Ju tregoj time bijë…

Ka çdo tipar të tij…!

 

 

MUND TË NDODHE QË BRENDA NJË ORE

 

***

Ndodh,të të shoh sytë,

të më bësh të qesh,

E (padashje) të të dashuroj deri në fund të një ore.

Pastaj, përnjiherësh të të urrej qoftë dhe për një xhest .

Brenda një ore,

Mund, mos të të puth asnjëherë,

Por,të bëj të më duash pikërisht për këtë.

Brenda një ore,

mund të jetoj-më një jetë të tërë…

dhe e gjithë jeta të mbarojë pikërisht atë orë…

Oh, ju se dini se ç’mund të ndodhë në një orë

kur jemi aty tre;…une,dashuria dhe ai…

***

mund të nënqeshësh,

Ose, thjesht të mos besosh.

***

Por,

Nëse do të degjosh duke të thënë, “të dua”, këtë duhet ta besosh vërtet.

Dhe kur të them “Të urrej e kurrë s’do vij të të shoh”…kurrë mos më beso.

Sepse s’besoj as veten kur e them ketë.

Këto?

vetëm nëse jam e pushtuar nga Dashuria.

***

Ndryshe?

Nuk ndodh asgjë, asnjë nga këto…!

Madje ajo orë, kurrë s’do të ekzistojë.

 

 

VJESHTËN, MUND TA KTHEJ MBRAPSHT…

 

Sot,

është dita e fundit e vjeshtës;

Ti trishtueshëm heq sytë nga unë,

Duke parë ngultas veç pemët…

Çdoherë,

kështu trishtohesh ti…

Sa herë kjo stinë mbaron

Thua:”iku dhe një copë dashuri”

Hej, pa shiko!

Unë mund ta kthej vjeshtën mbrapsht po të dua.

Në çast, mund të të bëhem

Shtator,

Tetor,

Nëntor;

Për më shumë?

Vjeshtë mund ti bëj të gjitha stinët e tua.

Ndoshta,

dhe një vit, mund ta lëviz

e ta çoj atje ku u nis…!

*****

trishtimi (t)ikën

qesh,më sheh,

e sytë nga pemët heq…

(s)është dita e fundit e vjeshtës…!

 

 

DO TË ISHA E QETË, PO TË KISHE NJË VAJZE.

 

Unë do të doja që ti të kishe pasur një vajzë…

Sa here t’a them këtë, të ravijëzohet një buzëqeshje,

E largohesh tutje pa fjalë, duke marrë me vete heshtje…

E di,

s’jemi ne që percaktojmë,

gjininë e pasardhësve..

Por,

Nëse do të kishe një vajzë

Do të kishe më shumë flokë të zinj

E më pak rrudha në ballë;

Do dilje me gaz nga shtëpia

E do të ikte e gjithë lodhja në kthim,

Vetëm nga i saji përqafim;

Nëse do të kishe një vajzë

do të buzëqeshte fytyra

dhe çdo ind;

S’do të kisha merak

në trishtimin, mërzine apo vetminë,

që ndodh të kaplojnë çdo njeri

Ja pse do të doja, që të kishe një vajzë…

***

Por ti nuk ke vajzë…

Dhe unë, nuk jam e qetë..

S’mund te jem…!

 

 

PO TË LË MBI TRYEZË, KËTË POEZI

 

Kur s’je,

vij e ulem në poltronin tënd;

Prek letrat e shpërndara

Librat e lënë hapur…

Një rremujë që jam mësuar ta dua…

Ah, paske harruar të marrësh dhe sot,syzet e tua…

Vë gishtat mbi të tutë,

në tastat ku formon fjalë aq të bukura,

ose që të mundojnë jo rrallë,

tek lidh gërmat të nxjerrësh aty shpirt e mallë..!

Ndihem ti një moment..

Ndërsa ty të bëj vetveten;

Mbyll sytë të imagjinoj ardhjen…

E befas,

Vrapoj në dritare të shoh rrugën,

Dhe vërtet shfaqesh…

Unë qesh…

Qesh…me parandjenjat e mia…

Te vërteta, sa e verteta,

E ndjenjës sime për Ty

Eh…

Te dua edhe në mungesë,

duke dashur çdo send që prek ti;

e kur shfaqesh…

ndihem dyfish në dashuri…!

Unë kam pak fjalë…

Dhe këto s’ti kam thënë kurrë..

As edhe tani…

****

Thjesht,po të lë mbi tryezë …

këtë poezi…!

 

 

DHE PRAPË TË DUA

 

Se përqafova asnjëherë,

…dhe e desha

Se putha kurrë,

…dhe e desha

kurrë s’i thashë që e doja

…dhe e desha

Ai, më donte gjithashtu njësoj;

veç me sy;

pa fjalë,

pa përqafime,

pa puthje…

Për gjith’ fjalët që s’ia thashë

…më shumë më donte.

Për gjith’përqafimet,

e puthjet e padhëna,

e desha më shumë…

…dhe prapë e dua.

 

 

TË PATHËNAT

 

I dashur!

Kemi lënë shumë fjalë pa thënë,

e jemi dashur qetë unë dhe ti;

Unë hesht gjithnjë kur zemërohem

E ngazëllimin çel si maj,në dashuri!

Papritur, nis e flas e them gjithë të pathënat

Të pëshpëris,

Dhjetë

Njëqind,

Njëmijë…

Ti, me sy arrin të futesh brenda meje

E buzët mi ndal veç me një vështrim…

Pastaj nis edhe betohesh

“Ti je e vetmja histori e dashurisë”!

kur Unë dyshuese të shoh në sy…

Ti shpejt e shpejt ca flokë me shpupuris.

Unë rregulloj balluket ballit,

E fjala në buzë më vjen vetiu;

“Unë historia jote e dashurisë?

Ti je dashuria që po shkruaj në timen histori..”

“ Prit… mos u lumturo kaq shumë…

Sepse, di të jem dhe djall kur duhet,

e jo veç ëngjëll unë…”

- Në rregull?

 

 

KA ENDE DASHURI

 

Jashtë,

Ka ende vjeshtë…

 

Brenda meje,

Ka ende dashuri për Ty

 

…sepse një zemër,

mund të mbajë brenda saj,

vetëm një zemër

dhe kurrë  dy…

 

Vjeshtë, 2014.

Drita Lushi, Shqipëri.