E enjte, 18.04.2024, 11:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Sirena e trenit të fundit

E enjte, 04.12.2014, 08:43 PM


SIRENA E TRENIT TË FUNDIT

Kujtimit të Bilal Xhaferrit

Tregim meditativ

Nga Resmi Osmani

Natë, 22 dhjetor 1968

Po Afrohej mesnata. Bilali me Namikun  duhet të ndaheshin.Kishin folur për poezinë dhe artin e vjershërimit dhe mjerimin e tyre. Në këtë natë të errët poezia  ishte drita e shpirtit. Të nesërmen do të shkonin në punë. Por natë kishte ende shumë, ishte nata më e gjatë e vitit 1968. Nata më  e gjatë e dhjetorit ishte e ftohtë , e errët, me shi e erë. E zezë blozë, si kaosi para ngjizjes së botës. Ftohtë, shi, errësirë. Ftohtë, drithërimë dhe errësirë në zemër e në shpirt. Zbritën me tahmina ngadalë bazamakët e shkallëve të drunjta,të kalbura e të ronitura, duke u mbajtur nga parmakët po aq të pasigurt. Shiu, akull i ftohtë e pikamadh, që era e pjerrësonte, u ra në fytyrë. Ngritën kapuçat e mushamave dhe zbritën shkallaret e fundit. Erëësirë, xëc. Nata gëlltiste hapësirën, tokën e qiellin. Verbëri, pështjellim, pa përmasa orientim e horizont. Pa kaluar dy hapa, Namiku i humbi nga sytë, e përpiu errësira. Dëgjohej vetëm pllaquritja e këmbëve në baltë. Po çante terrin, në llohë e natë. Iku. E la në vetmi e terr, me shkretimin shpirtlënduar, pikëllimhidhur. Bota për të aty fillonte e aty mbaronte. Kush tha që ajo ishte e madhe? Kufijt e saj ishin si një lak që e kishin kapur për gryke. Asnjë hap më tej, se nisnin honet e humnerat, hapej vetëm porta e ferrit. U kthye. Këmbët iu fundosën në llucë. Uji  dhe llurba i  hynë  në këpucë. Ndjeu të ftohtit e saj. Udha e përbaltur merrte haraçin . E gjora tokë! Ishin bërë njësh shiu i paprerë, zinxhirët dhe rrotat e traktorëve, të qerreve, thundrat e qeve e të kuaujve, e sillnin dhe e përsillnin si në mokër, e prisnin, e coptonin e bluanin, e zbrunin, e squllnin e kthenin në llurbë në një masë viskoze të shfytyruar. E mbushur me llogaçe, gropa, pellgje, llonxha e ujë të verdhë, si një damar i qelbëzuar, dredhonte fushës drejt bregdetit. Kalimi i saj ishte një mundim më vete. I vinte keq për tokën, i vinte keq edhe për rrugën e përbaltur. Fati i tyre ishte i ngjashëm. Edhe atij i ishin turrur përsipër, si lukuni qensh të tërbuar,tërë prapësitë e fatit.

Hyri në dhomë. E ftohtë, e mugët. Me një shtrat dërrase e dyshek kashte të notitur. Tavani kishte bërë bark dhe suvaja e plasaritur ishte ceflosur. Ky ishte kafazi ku e kishin mbyllur, burgu i trupit të tij. Kaq i kishte rënë në pjësë nga bota e madhe e atdheut.Një gërmadhë e veçuar në sektorin me emrin e çuditshëm Hamalle,ku gjindja ishin hamenj të krrusur të halleve të tyre. As male, lumenj e burime, as pyje, as fusha e lëndina të lulzuara, as liqenj e dete të dallgëzuara, as diell e dritë, ishin të ndaluara për sytë. Vetëm errësirë. Në një dhomë shpellë, i ndryrë, krahprerë, për të mos fluturuar.Puna e rëndë,në kanalet e fushës së përbaltur. Në shpinë hija e frikshme e sigurimit, e ngërdheshur, tinzare, e egër, vrastare. Spiunime, gjithkund pabesi.

Ja me ne, ja kundër nesh, ndryshe bjerë e vdis!

Kandili dritëpakët e linte dhomën në mugëtirë. Flakëza luhatej, xërrinte ngaqë vajguri kishte ujë, kërciste dhe shkëputeshin ca toptha të ndritur si fishekzarë, sipër ngjitej tymi i zi. E zezë nata, i zi tymi, e mugët drita. Zi e më zi! Qëmoti këtij i thoshin syrgjin. Tani e quanin internim, izolim, veçim nga bota e njerëzit. Një lak rreth qafës, që nga dita shtrëngohet, të merr frymën, të trallis mendjen, të err shikimin, në shpirt të mbjell barëra të hidhur. Vetmi  dërrmuese në shkretëtirën e natës së zezë. Shpirti angështohet, zemra shtrengohet e ligështohet, mendja çartet e rebelohet. Kjo gjoja dhomë ishte arkmorti i tij për së gjalli, si një shpellë në tjetër planet, që e ndante me minjtë dhe brumbujt. Vetmi, të ftohtë acar.  Askush se priste, askush se përcillte, askush një fjalë s’i fliste. Trupin ia kishin lidhur me vargonj skllavërie, por mendjen dhe shpirtin, jo de jo, nuk mund t’ia lidhnin!

Nga fotografia  në murin e zhveshur,mbi shtrat, e shihnin prindërit. Nëna e bukur që e la foshnjë, babai me pamje burrërore,  i pushkatuar ngaqë e donte Shqipërinë, varrhumbur, por jo emërhumbur, emërin e tij e kishte bërë mbiemër, pjesë të krenarisë së tij. Ishte edhe shkaku që gjendej këtu. Ishte gjetur një sebep. Kritika e romanit të një kolegu. Por poeti duhet ta dinte. Ai se kishte me të. Ai u ndesh atje me tiraninë, e hodhi jetën e tij në kthetrat e ujqërve, dhe u pa me vdekjen e tij sy më sy! E shpallën armik. Bir i një çami nacionalist të pushkatuar.

Tashmë prindërve u kishin mbetur vetëm eshtrat. Ishin tretur nën tokën e ftohte. Nga fotografia tjetër e shihte motra Antika , e vogla, e dashura, e mira. Jetimja e gjorë, e mbetur vetëm e mjerë e pa kujdes, motër me vëlla e pa vëlla. Hodhi shikimin më tej. Fotografia me shokët, dalë në liri,në një ditë me diell. Dukeshin të qeshur , të zhurmshëm, me shpirtin që u këndonte ,të mbushur me poezi, por jo të gëzuar. Se ç’kishte në vështrimet e tyre një trishtim të fshehur. Ç’bënin tani ata? Ku gjendeshin  shokët e mirë, poetët e zhurmshëm me shpirt rebel: Bedriu, Sadriu,Kostandini, Rolandi, Suzana, Faiku , e të tjerët? Po Vathi  fjalëmbël që recitonte me aq ndjenjë “Baladën çame”. A kujtoheshin  për të, apo mendonin se ç’i priste të nesërmen e pabesë, si pagesë të lirisë së tyre të ëndërruar? Më tej ishte portreti i Elmasë, që ai e kishte vizatuar kur ishte i dashuruar: Ovali i fytyrës qarkuar nga flokët e gjatë e të artë, sytë e kaltër si qielli, goja si një trandafil i kuq në çelje, që fliste fjalë dashurie. Dashuria e parë. Kënga e shpirtit të trazuar nga ndjenjat hyjnore, ndryrë në zemrën e tij, si një lule e kuqe shege nën rrezet e arta të dritës qiellore. Ku ishte ajo? Uronte të kishte gjetuir shortin e saj, por besonte se atje thellë në zemrën e saj regëtinte kujtimi për të. Ja kishte zili atij fatlumi.

U ul në karriken e shkallmuar. Në tryezë ishte letra dhe lapsi i vogël majëtopitur. Ishte poet i ndaluar. Letra e bardhë, e virgjër, priste që mbi të të shkruhej. Mesnatë. Në stacionin e largët në fushë, klithi sirena e trenit të fundit. Nga hatullat e shtëpisë si një jehonë u përgjigj përvajshëm kukuvajka.Namiku kishte ikur. Kush vallë kishte zbritur nga ai tren i natës dhe i kërrusur përmes shiut ,në errësirë kishte marrë rrugën për tek ai që të ndanin tok vetminë? Më kot i shkonte mendja tek ata që e deshën, më kot kujton këtë natë ata që i deshi. Asnjeri s’do trokasë në derën e tij këtë natë. Rrugën e ka mbuluar nata dhe balta dhe në errësirë askush nuk do të nisej për tek ai . “O Zot! Kështu do më rrjedhë tërë jeta, larg atyre që më deshën dhe larg atyre që i desha?” Mori lapsin dhe shkroi titullin e vjershës”Në stacionin e largët” dhe me një frymë hodhi vargjet që ishin si një klithmë tmërruese e vetmisë dhe dhimbjes, trishtimit dhe mallit për  humbjen e miqve, të dashurve dhe shokëve , që fillonte me vargun:”Në stacionin e largët në fushë…”.

Kandilit po i mehej flaka. Përjashta moti tërbohej, era vërshëllente si gjarpër dhe shiu rrihte me kamzhikët e tij muret dhe dritaret. Hapi batanijet që të shtrihej. Kashta e dyshekut binte era myk, çarçafët ishin akull të ftohtë dhe ai i ndjeu gjer në palcë të dridhurat. Nuk i flihej. Do të priste sa ngrohtësia e trupit të vakte shtresat.  Ngriti jastëkun dhe mbështeti në të shpatullat. Në cep të bangos ishin librat: Majakovski, Heminguej, Hajne, Ljermontovi, Lasgushi, Esenini, Dikensi dhe revistat “Nëntori”  ku kishte botuar tregimet e tij. Nuk i lexohej.

I shkuan sytë te qoshja e murit në të djathtë të derës. Aty ishin almiset e tij të punës: zonja lopata dhe zotri  beli dhe çismet e rënda të llastikta! E kishte latuar bishtin e lopatës, që të mos i vriteshin duart, por ato ju mbushën me flluska dhe pastaj me kallo të verdha, si zhguall breshke. E kishte mprehur tehun e lopatës me grihe, por ajo mbante baltë dhe rëndohej sa mga pesha i dhimbnin shpatullat. Eh, duart e poetit!Tani ai shkruante me lopatë poemën e baltës, e ujrave të verdha e të ndënjura, që i mirrnin frymën tokës dhe kalbnin rrënjët e bimëve. E shpëtonte tokën nga kjo lëngatë. Po atë kush do ta shpëtonte nga e keqja e tij? Nga liria e dhunuar dhe e  munguar, nga vuajtjet, mundimet, përbuzja  e pushtetarëve, përndjekja dhe spiunimi i sigurimsave? Burgu shfaqej si një mirazh i zi në shkretëtirën e përditshmërive, si pjesë e ferrit tokësor. Prangat tringëllinin kobshëm në  prag të derës, ishin makthi i kyçeve të brishta të duarve. Askush nuk kish fuqi e mundësi, veç atij vetë. Po. Do të shpëtonte vetveten.

“Medet! -Belbëzoi ai.- Ky ishte atdheu, mëmëdheu. Që nga nënë ishte kthyer për të në njerkë. Eh, për të atdheu ishte dhimbje, dhimbje, ishte kryqi, kryqi që e mban dhe të mban ty në shpirt. Atdheu është toka e premtuar, atdheu është buka e uritur,të ikën nga duart e dot nuk të ngop, ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur, me sytë në errësirë vetveten kërkon. Atdheu është varr i hapur, është varr. Atdheu im i vogli, i vogli, hyjnori, i pavdekshmi si loti! Tek mendonte këto u ligshtua, në gjoks iu mblodh lëmshi i gulçit, vështrimi iu mjegullua dhe sytë iu mbushën me lot.

Ata që kishin në duar prangat nuk e njihnin mirë. Ai ishte bir i egër i shkrepave në jug,i rrahur me shtrëngatë në veri. Ishte si një ujk i uritur, që hungëron me urrejtje, të rreptën këngë të pyjeve të lira. Kaloi pranë vitrinave, pranë librave,pranë dashurisë, qyteteve e rrugëve. U end porsi ujk dhe mbeti i pazbutur, ujk përjetë, s’u mësua si duhet të leh me qentë!

Mëmëdheut do t’i thoshte lamtumirë.

Do të vraponte drejt lirisë.

Atdheun kudo që të shkonte do ta mbante si kryq në shpinë.

Kandili u fik. Pllakosi errësira. Atë e kaploi gjumi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora