E premte, 29.03.2024, 08:37 AM (GMT)

Mendime

Myftaraj: Enver Hoxha pohoi injorancën e partisë

E enjte, 04.12.2014, 07:40 PM


Si ka pohuar Enver Hoxha publikisht se partia e tij ishte partia e injorantëve

Nga Kastriot Myftaraj

Në 30 prill 1965 Hoxha do të thoshte në një takim me përfaqësues të rretheve marksiste-leninistë të Italisë:

“Kur u çliruam, ne kishim gjithsej 380 kuadro të lartë.”(Enver Hoxha: Vepra, vol 29, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1979, f. 507)

Me termin “kuadro të lartë” në këtë rast quhen njerëzit me arsim të lartë, pra me diplomë universitare. Kështu, del se Shqipëria në 1945 kishte rreth dy herë më pak njerëz me shkollë të lartë se në vitin 1923, kur vendi doli nga Lufta e Parë Botërore. Në krye të tre dekadave të para pas krijimit të shtetit shqiptar, vendi arriti të kishte një grup të diplomuarish në universitetet e huaja, kryesisht ato perëndimore, si në sajë të bursave të shumta për studentët që dha shteti shqiptar në periudhën 1913-1943, ashtu edhe në sajë të shpenzimeve të familjeve që ishin në gjendje t’ i dërgonin bijtë e tyre për studime universitare jashtë vendit. Nga bursat shtetërore përfituan edhe drejtuesit e Shqipërisë komuniste, duke nisur që nga vetë Enver Hoxha qëe shkoi me studime në Francë, te Mehmet Shehu, që shkoi në një shkollë ushtarake, në Itali etj. Në 1922, Shqipëria, sipas të parit botim zyrtar statistikor në vend, kishte pasur 600 të diplomuar universitarë. Deri në 1943, kjo shifër ishte shumëfishuar.

Në vitet 1943-1944 Shqipëria humbi pjesën më të madhe e njerëzve të mësuar të tij, të shkolluar në Perëndim, e gjithë kjo si rezultat i vrasjeve politike të kryera nga komunistët në vitet 1943-44, si dhe i arratisjes së njerëzve të shkolluar në prag të ardhjes së regjimit komunist në vend. Ata 380 njerëz me diplomë universitare perëndimore që regjimi i ri trashëgoi nga e kaluara, do të qenë shënjestra të parapëlqyera të terrorit në vitet në vazhdim, si intelektualë borgjezë. Ata do të qenë kontigjenti nga i cili do të furnizoheshin trupat e të pandehurve në gjyqet e montuara politike të regjimit për dekada të tëra, kur një apo disa intelektualë borgjezë do të qenë si «qershia» e përgjakur mbi «tortën» e gjyqeve të montuara që i shërbenin “popullit” organet e dhunës së regjimit. Lufta e regjimit komunist kundër intelektualëve qe e ngjashme me luftën e regjimit kundër ekonomisë së vendit. Ajo krijoi një vakuum njerëzish të shkolluar në vend, se regjimi komunist ende nuk kishte të shkolluarit e vet të cilët do të dilnin nga shkollat sovjetike dhe të vendeve të tjera komuniste, në vitet pesëdhjetë. Enver Hoxha tha në Kongresin I në 1948:

“Prej 143 mësuesve të shkollavet të mesme 48 veta kanë arsimin e lartë ose arsimin e lartë të pambaruar.”(“Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë”, Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 181)

Kjo do të thoshte se katër vjet pas ardhjes së regjimit të ri në pushtet, në arsimin shqiptar gjërat qenë kthyer pas në fillim të viteve njëzet. Regjimit të ri do t’ i duheshin së paku 15 vjet për ta çuar komunitetin e njerëzve me diplomë universitare në vend në nivelin e vitit 1943, dhe kjo në sasi por jo në cilësi se niveli i dijeve në universitetet e vendeve të Lindjes komuniste, ku niveli ishte më i ulët se në ato perëndimore. Në 1957 regjimi komunist shpalli me mburrje si arritje të vetën të madhe krijimin e universitetit në Shqipëri, por sipas të gjitha gjasave ardhja në fuqi e regjimit të ri e kishte vonuar këtë gjë me së paku dhjetë vjet. Në rast se nuk do të kishte qenë terrori komunist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ardhja e regjimit të ri, universiteti në Shqipëri ishte dashur të hapej fill pas Luftës së Dytë Botërore, se tashmë vendi kishte intelektualë të përgatitur për këtë gjë.

Partia e cila u vetëshpall si çliruese e Shqipërisë nga pushtimi i huaj dhe që mori përsipër të ndërtonte Shqipërinë e re, Partia Komuniste (më pas Partia e Punës), e drejtuar nga Enver Hoxha, e cila ishte përgjegjëse për gjenocidin ndaj intelektualëve të panjohur në vendet e tjera europiane, ishte partia e injorantëve dhe nuk kishte turp ta pohonte këtë gjë. Në Kongresin I të Partisë Komuniste të Shqipërisë, në nëntor 1948, Enver Hoxha nuk parapëlqeu që t’ i shpallte vetë statistikat për shkollimin e anëtarëve të partisë, por ia la këtë detyrë Tuk Jakovës, sekretarit të Komitetit Qendror për kuadrot. Shkollimi i anëtarëve të partisë paraqitej kështu, sipas shifrave që dha Tuk Jakova në raportin e tij:

“Për sa i përket zhvillimit kultural dhe arsimor Partia jonë paraqitet mjaft e dobët. Nga të 29 137 anëtarët kemi:

Analfabetë… 543 d.m.th. 1.8%

Dijnë shkrim e këndim por pa shkollë…5684 d.m.th. 19.5%

Me shkollë fillore…18185 d.m.th. 62%

1-4 klasë shkollë të mesme 3410 d.m.th. 11.5%

5-7 klasë shkollë të mesme 919 d.m.th. 3.1%

Studentë universitarë 328 d.m.th. 1.2%

Që kanë mbaruar universitetin 68 d.m.th. 0.2%.” (“Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë”, Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 551-552)

Partia ishte definitivisht parti e injorantëve. Ndër 68 anëtarët e partisë me diplomë universitare, nuk bënte pjesë kreu i partisë, Enver Hoxha, si dhe asnjë nga anëtarët e Byrosë Politike të partisë. Me “studentë universitarë” kuptoheshin jo ata që ishin duke kryer studimet momentalisht por kryesisht ata të cilët i kishin ndërprerë studimet universitare dikur. Kjo kuptohet nga fakti se katër vite më pas, në Kongresin II u tha se partia kishte vetëm 96 anëtarë me diplomë universitare.

Në 1948 kishte më tepër komunistë me diploma universitare në burgje, se në rradhët e partisë. Komunisti më i shkolluar shqiptar, Zai Fundo, i cili kishte pasur dy diploma universitare perëndimore, ishte pushkatuar si antistalinist.

Në 1952, në Kongresin II të PPSH, katër vite pas “çlirimit” të vendit, një nga pjesët më interesante të raportit të Enver Hoxhës në këtë kongres ishte ajo për nivelin arsimor të partisë. Enver Hoxha, duke folur për këtë tha se në parti kishte 289 vetë (0.96%), që ishin analfabetë, 7543 vetë (25.2%) që nuk kishin mbaruar shkollën fillore, 15356 vetë (51.3%) me shkollë fillore, 3992 vetë (13.3%) me shkollë shtatëvjeçare.( Enver Hoxha: “Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur në Kongresin II të PPSH”, Botim i Komitetit Qëndror të PPSH, Tiranë 1952, f. 73)

Kështu, tetë vjet pasi partia kishte ardhur në pushtet dhe drejtonte vendin, 77.46% e anëtarëve të saj kishin e shumta shkollën fillore! Organizata pararojë leniniste në Shqipëri përbëhej më së shumti nga filloristë. Hoxha tha më tutje se 2344 vetë (7.7%) qenë me shkollë të mesme. Sipas shifrave që dha Hoxha, tetë vjet pasi partia kishte ardhur në pushtet, vetëm 96 anëtarë partie, ose 0.2% kishin një diplomë universitare. Ajo çka ishte më e keqe, shumëfishi i kësaj shifre me shkollë të lartë, si në parti dhe jashtë saj, qenë eliminuar fizikisht si armiq. Perspektiva nuk dukej më e mirë, as në vitet e ardhshme, sipas shifrave që dha Enver Hoxha për nivelin arsimor të kandidatëve të partisë. Nga 14436 kandidatë partie, 723, ose 4.9% qenë analfabetë, 5847, ose 40.3% nuk e kishin përfunduar shkollën fillore, 6464, ose 44.6% qenë me shkollë fillore, 923, ose 6.3% qenë me shkollë shtatëvjeçare.(po atje: f. 73) Duke bërë mbledhjen e shifrave që dha enver Hoxha del se 13034 kandidatë partie, ose 89.8% kishin e shumta shkollën fillore, 456 kandidatë partie, ose 3% kishin shkollën e mesme. Vetëm 23 kandidatë partie, ose 0.1% kishin një diplomë universitare. (po atje: f. 73)

Partia mbetej parti e injorantëve. Hoxha do të pranonte në kongres se: “E hidhur është, por duhet thënë se ka edhe udhëheqës partie dhe të organeve shtetnore që nuk e lexojnë shtypin dhe literaturën. Merre me mënd pastaj si mund ta çojnë punën përpara këta katranë.”(po atje: f. 85)

Në tetor 1958 Hoxha i dha një delegacioni të komunistëve finlandezë, të cilët i priti në Tiranë, këto shifra për përbërjen e PPSH: “Tani në Parti kemi vetëm 0.3% analfabetë, këta janë nga partizanët e vjetër dhe gra me moshë të shkuar; 17 përqind e efektivit të Partisë dinë të shkruajnë e të lexojnë; 47 përqind kanë vetëm shkollën fillore; 26 përqind kanë shkollë 7-vjeçare, gati 8 përqind janë me arsim të mesëm dhe afro 2 përqind janë me arsim të lartë.”(Enver Hoxha: Vepra, vol 16, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1973, f. 218)

Nga viti 1944 në 1958 ishin 14 vjet, çka do të thoshte një periudhë e gjatë sa pjesa më e madhe e asaj mes dy luftrave. Pse edhe pas kaq kohe që partia ishte në pushtet, niveli i saj arsimor mbetej i ulët? Por gjëja më domethënëse ishte se treguesit arsimorë të viktimave të regjimit komunist, qenë e anasjellta e atyre të anëtarëve të partisë në pushtet, duke qenë viktimat e regjimit shumë më të shkolluar se anëtarët e partisë komuniste. Kjo e bënte partinë të dukej si një forcë barbare. Pas 14 vitesh në pushtet, partia që kishte marrë përsipër të ndryshonte vendin mbetej parti e injorantëve.

Një nga mitet që do të krijonte më pas Hoxha për Kongresin I ishte ai se ai i dha fund luftës kundër intelektualëve, që kishte bërë Xoxe deri atëherë. Por mosbesimi ndaj intelektualëve vazhdoi edhe më pas, madje në Kongresin I u fiksua në Statutin e partisë. Për këtë mjaft të shikosh rregullat e ndryshme për pranimin në parti të punëtorëve, fshatarëve dhe intelektualëve:

“Për ata që vinë nga radhët e punëtorëve të qytetit dhe të fshatit duhet rekomandimi i dy antarëve të Partisë që kanë jo më pak se një vit jetë Partije dhe që e kanë njohur kandidatin personalisht në punë të paktën 6 muajt e fundit.” (“PPSH: Dokumente kryesore”, Instituti i Historisë së Partisë pranë KQ të PPSH, Tiranë 1960, Vol. 1, f. 410)

Për fshatarët ishte ky rregull:

“Për ata që vinë nga radhët e fshatarëve të varfër duhet rekomandimi i dy antarëve të Partisë, njëri nga të cilët duhet të ketë jo më pak se një vit jetë Partije dhe tjetri 2 vjet jetë Partije dhe ta kenë njohur kandidatin personalisht në punë të paktën vitin e fundit. Për ata që vinë nga radhët e fshatarëve të mesmë dhe të zanatçinjve dhe shtresave të kësaj kategorije të qytetit duhet rekomandimi i tre antarëve të Partisë, të cilët duhet të kenë jo më pak se dy vit jetë Partije dhe ta kenë njohur kandidatin personalisht në punë të paktën vitin e fundit.”(po atje: f. 410)

Ndërsa për intelektualët ishte ky rregull:

“Për ata që vinë nga radhët e intelektualëve duhet rekomandimi i tre antarëve të Partisë, të cilët duhet të kenë jo më pak se 3 vjet jetë Partije dhe ta kenë njohur kandidatin personalisht në punë të paktën vitin e fundit.”(po atje: f. 410)

Deri më atëherë regjimi kishte deklaruar se të dyshimtë për të qenë vetëm intelektualët borgjezë, ndërsa tash po pohonte se intelektualët në përgjithësi qenë ai grup shoqëror të cilët shiheshin si të dyshimtë nga regjimi. Dhe jo ishte në pajtim me racionalen e regjimit. Çdo njeri i shkolluar që ishte specialist në një rrafsh të caktuar të dijes, ishte dhe një disident sui generis ndaj regjimit, duke qenë se e kuptonte qartë se sistemi shoqëror-ekonomik në fuqi nuk funksiononte. Punëtorët dhe fshatarët edhe mund të mashtroheshin pak a shumë nga propaganda e regjimit, se shkaku që gjërat shkonin keq kishte të bënte me sabotimet e armiqve të kamufluar, bllokadën e huaj. Por intelektualët e kuptonin pak a shumë se ky ishte një shpjegim demonologjik që kamuflonte realitetin, se të ashtuquajturat sabotime qenë një alibi për mosrealizimin e planeve ekonomike dhe aksidentet në industri të shkaktuara nga teknologjia e vjetëruar, mungesat në furnizime me lëndë të para e pajisje, si dhe nga kaosi i shkaktuar nga planifikimi ekonomik i llojit sovjetik.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora