Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Farida Ramadani

| E merkure, 03.12.2014, 07:18 PM |


Përshëndetje nga Shkodra! Respekte për ju miq që transmetoni zërin e fjalës shqipe në mbarë botën për t’iu treguar të gjithëve se shqiptarët janë njerëz plot vlera dhe formim. Në unitet me flamurin dhe gjuhën të jemi të gjithë të bashkuar! Ju uroj suksese në punën tuaj! Për revistë tuaj po ju dërgoj 10 poezi të shkëputura nga libri im me 100 poezi "Pikturoj në qiell", që sapo e pa dritën e botimit në shqip dhe anglisht. Ida Rama

Farida Ramadani

 

ATMOSFERA E FITORES

 

Gëzuar Pavarësinë, Kosova ime,

gjithmonë  paç    tilla gëzime!

E përjetoj fitoren tënde dhe unë,

e ndjej atmosferën në shpirt, pafund.

 

Tashmë Shqiponja fluturon e lirë,

duket çdo gjë po shkon  mirë.

Vëzhgimin e ka më të thellë,

kudo, ku  shkon, lule çel!

 

Ngado shqiptarët  po i ujitin,

dhe më të bukura do t’i rritin.

Lule me ngjyra - ngjyra,

“Shqiptari” shkruar në  fytyra!

 

Të shoqëruan malet,

tundi deti me forcë  valët,

Jehona e këngës u shtri,

si një meteor për “Shqiptari”…

 

Gëzo pra, mbarë Shqiptarinë, gëzo!

Lajme të bukura gjithmonë  dërgo!

Merr bashkimin, si mikun tënd,

në këtë epokë  të zëjë  vend!

 

 

VENDI IM

 

Që kur linda,

ishe aty,

  ndoqe me  gëzim

e lot në sy...

Rrodhën vitet,

si “kokrra” magjie,

shtrirë në përjetësi,

  athëta e plot shije...

 

Ëndërrat m’i lexove,

i rendite, i shkatërrove.

Përsëri si meditim,

je  ti,

Vendi im...

 

 

I LUTESH ZOTIT

 

Gjithmonë  i kërkon Zotit:

“Më ndihmo të lutem!”

Po përse si lutesh vetes,

të sillesh si duhet?

 

Përse kërkon nga Ai

të të shpëtojë?...

Përse s’kërkon nga vetja,

që Ai të mbrojë?

 

Brenda vetes kërko,

  mos hapësh plagë,

duhet ta kuptosh,

se  njerëzit  aty,

të godasin me radhë...

 

Duhet guxim për të qeshur,

me mirësi për t’u veshur,

forcë të hedhësh negativin,

të kalosh ditën apo vitin!

 

Kontrollo hapat e veprimit,

të ruash esencën e gëzimit.

Me pastërti hyjnore,

të mbushësh çdo pore!

 

Bërtit një herë  fort,

veshët tuaj    dëgjojnë...

Dhe do habitesh,

sa shumë, ato kumbojnë!

 

 

NËNA IME

 

Sa herë të shoh,

e ndjej veten në faj,

Ti gjithmonë e ngrohtë,

vështirësitë tona mban...

 

Të gjitha s’i kuptoj,

s’i përkthej dot,

Jam fryma jote,

linde të gjallën botë!

 

Sa ledhatime më dhe,

aq sa pika deti ka,

Ti nëna ime,

gjithnjë  më e mira!...

 

Sikur rrudhat t’i largoja,

përsëri të të shikoja të re,

Të vuaj unë s’ka gjë,

ashtu të re të të lë!

 

 

MIRËSINË KËRKOJ

 

Sa herë që diçka dëgjoj,

me ty e lidh bija ime,

më të mirat dua të veçoj,

kurrë  të mos  kesh lëndime...

 

I shkruaj në mendje,

si të realizueshme.

Më të mirat  për ty,

si melodi magjepëse...

Impulse shpërthejnë,

zgjuar më lënë.

Do  të sakrifikoja

çdo gjë...çdo gjë...

simfoni të bukura të të lë!

 

Pyes veten për këtë  ndjenjë,

me sentiment  kaq të hollë,

futet në shpirt pa lejë,

emocione hyjnore  lëshon!

E lehtë, e shumë  e bukur,

me krahë të lehtë, si flutur...

 

Faleminderit, o Zot!

Gjithnjë  të jam lutur,

perlën e çmuar në botë,

në shpirt ma ke futur...

 

Dua vetëm Mirësia,

të jetë mikja e saj përjetë,

shëndet gjithmonë të ketë...

Deri në frymën e fundit,

  prehem e qetë!

 

 

GJITHMONË U DESHËM

 

Embrion…

aq i vogël në qenien time,

me ty flisja,

por nuk dëgjoje,

këndoja,

ti vazhdoje melodinë,

buzëqeshja,

krijoje  emocione.

Pas nëntë muajsh,

shikove qiellin tonë,

Njerëzit, “Jetë”- i thonë.

Ti përsëri  asgjë s’kuptoje.

nga unë s’u shkëpute kurrë,

sa shumë u deshëm ,

shpirtrat tanë e dinë …

 

 

LULEDELJA E BREZAVE

 

Që e vogël të njoh,

përsëri aromën

të këndshme e ke.

E bukur , si gjithnjë,

me kënaqësi të mbaj...

Ti përherë e brishtë,

ashtu pa faj.

 

Më bëri nëna një kurorë,

e unë bijës sime...

 

Ti erdhe përsëri,

mbesës t’i thurësh,

po të njëjtën magji...

Kurorë si atëherë...

 

Luledelja,

në familjen time,

ardhur  me freskime...

Gjithmonë pranverë

mbjell në të njëjtën derë,

kurora dhe qëndisma lumturie...

 

 

NËNA, FËMIJA APO ZOTI!

 

Zotin e kam frikë,

e di që në “dorë” më ka,

çdo ditë i lutem,

prania e tij kudo më ndjek.

 

Nëna, më  bëri të ekzistoj,

sakrifikoi një jetë,

ajo e gjorë.

 

Fëmija, është gjithçka,

pa të jetën s’e kuptoj,

sa herë hap sytë,

dua ta shikoj.

S’e di…, si mund t’i sistemoj,

s’e di!

Po jua lë juve në dorë…

 

 

FJALËT QË MË NDJEKIN

 

Më qortove,

me mua shumë u lodhe,

e zgjuara mësuesja ime.

Këshillat e tua do dëshiroja,

t’i citoja në vazhdimësi,

t’i laja në ar,

t’i them vetes:

“Rrugë e mbarë!”

 

 

RITMI JETËSOR

 

Në fillim vitet,

rrodhën një  e nga  një,

pastaj dy e nga dy.

Si ekran gjysmëmbyllur,

fragmente shkëputjesh.

Diku puplat e pëllumbit,

dritëruan.

Diku si piktura,

ngjyrash të qaraveshura.

Vorbull  idesh,

mendimesh kapluar.

Si det,

gjithnjë valëzuar.

Ja filluan,

tre e nga tre.

Vrapuan, si të tërbuara,

pa fre…