E merkure, 18.05.2022, 02:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Milazim Kadriu: Vargje me shprehje të fuqishme

E marte, 02.12.2014, 08:01 PM


Vargje me shprehje të fuqishme të një zëri të çiltër poetik

Zyeafete Kryeziu- Manaj  - “Vasha e valëve”, “Mbi uraganin e dhembjes” dhe “Aty ku prehen dashuritë “

Nga Milazim F. KADRIU

Poetja Zyeafete Kryeziu- Manaj kohë më parë  para lexuesve erdhi me përmbledhjen e katërt në poezi. Nga autorja ditë më parë më erdhën tri përmbledhjet e fundit e që të tria kanë një lidhmëni mes vete.

Në përmbledhjet “Vasha e valëve”, “Mbi uraganin e dhembjes” dhe “Aty ku prehen dashuritë “ autorja na sjell plotë poezi e tema të ndryshme  dhe plotë mesazhe,ndjenja ,që ajo di ta përcjell bukur tek lexuesi.

Poezitë e poetes Zyrafete Manaj dallohen sa për mendimin e thelle plot mesazhe aq edhe për formën e bukur artistike plot metafora dhe figura te gjetura letrare që i japin poezisë së saj një tingëllim të veçantë ku destinacion kryesor e kanë Atdheun - fjalëkalimin e damarëve të trupit. Ndjesi kjo, që poeti e bart edhe në ëndrrat e fjetura.

Poetja Zyrafete Manaj jeton larg vendit të saj Kosovës,por që kokën dhe vështrimin e ka përsëri nga Atdheu i të parëve, i burrave e patriotëve të vërtetë.

Poezitë e Zyrafetes  shprushin fatin e njeriut bashkëkohor. Fati, vuajtjet, plagët, dhimbja, ngushëllimi, ëndrrat, buzëqeshjet, shpresa, vetmia, dashuria, jeta,  vetëdija,….,janë temat e poezive të kësaj autoreje ku frymëzimet vijnë si lirika dhe përjetime trazimesh të erërave të shpirtit që bukurinë e kanë edhe në dhimbjen njerëzore të dashurisë.

Që në të tri përmbledhjet me poezi që I pata në dorë  shihet se autorja i qëndron besnike temës së Atdheut, e cila zë pjesën më të madhe të vëllimit poetik të saj. Kjo është e justifikuar duke qenë se ajo jeton larg tij, por edhe duke kaluar një kalvar vuajtjesh e peripecish në kohën e pushtimit serb,të cilat e detyruan të emigronte.

Motivi i atdheut, motiv që dominon më së shumti në vargjet e poetes  që nga e kaluara, me ndjenjën e dashurisë ndaj mëmëdheut.

Motivet që kanë ngjizur krijimtarinë e kësaj autoreje shtysën e kanë në vëzhgimin e hollë e të vazhdueshëm të evoluimit e të transformimit të botës shpirtërore të individit dhe të kolektivitetit.

Në poezitë e saj, zënë vend dhe njerëz e heronj të njohur, emra të përveçëm që i japin poezive të saj, një dimension të gjerë, të një njeriu që nuk sheh vetëm një drejtim, por të një gruaje të gjithanshme, me veprimtari të zgjeruar të interesave të saj jetësore dhe poetike.

Vargjet e Zyrafetes   janë shprehje e fuqishme e një zëri të çiltër poetik, që në botën e tyre zihet shumëçka që ka të bëjë me kohën dhe realitetin.

Vargu i saj  është jeta, në tërë dimensionin e saj, e bukur dhe e brishtë. Jeta me dimensione të tjera në zgavra të etura për dritë dhe ndriçim. Në këto vargje na vjen një botë e tërë mendimesh, një botë e pashterur. Ajo krijoi edhe atëherë kur ishte vështirë të krijohej, edhe kur i mungonte liria. Ajo gjen magjinë e fjalës, jo sa për të shpërthyer një emocion, që bartë thellë në shpirtin e saj, por për të treguar se në shpirtin e saj krahas veprimtarisë atdhetare është edhe fuqia e fjalës së vargëzuar. Krijimtaria e saj është imagjinatave, realiste, rebeluese në kushtrim, fjalë paqe në emocion.

Në poezitë e saja poetja Manaj jep mesazhin me një kuptim të plotë e të lirë, i cili merr një kuptim të përgjithshëm e të qëndrueshëm. Mesazhin e këtyre poezive e nxjerrim nga tërësia e tyre që përbën një strukturë të thellë, nga e cila dalin dimensionet e kuptimit.

Përbrenda shumë vargjeve rrjedhin lotët por rrjedh edhe dashuria. Vargjet  flasin me zjarrin e flakën e  dashurisë që janë vargje me plotë lulëzim, diell,ajër e oksigjen.

Zyrafete Manajn e lexojmë në tërë këtë rrugëtim ëndrrash të guximshme si një dëshmi të gjallë mes vargut, ritmit, jetës dhe tërë asaj që ajo sjell pas për brezat në varg dhe në rreshta. Ajo njeh mirë tërë kompleksin e së mirës dhe po ashtu tërë konvencionin e së keqes. Na dhuroi  vargjet kuptimplote për kohërat nëpër të cilat kaloi vendi ynë.

Vargu i sajë  ka muzikalitetin , figuracionin , metaforën që frymojnë në çdo fjalë e rresht ! Ajo e shpalos bukur dhe thellë botën e sajë  poetike , sa fluide , po aq të prekshme dhe konkrete . Pena e saj është sensuale dhe e ndjerë dhe vargjet e saja  bartin ide e mesazhe sa të këndshme , po aq edhe të bukura e të hijshme për një poezi !

Në krijimet e saja ka zërin e protestës, ajo nuk hesht, nuk behet pale me padrejtësitë dhe autoret e padrejtësive.

Në përmbledhjet e saja me poezi  njohim vargun vargun brilant të Zyrafetes, atdhetare, veprimtare e pa lodhshme, nënë e mësuese, bashkëshorte, bijë. Na sjell vargje të çiltra e të afërta me një thjeshtësi e fuqi njëkohësisht, që aq mirë e bashkëndjen dhembjen me të gjitha shtresat e bashkatdhetarëve e sidomos  kategorive me nevojë.

Zyrafete Manaj është një autore sfidante, dominues mbi varg, e cila e shtrinë vargun bukur ne simetrinë e tij. Stili i saj është loja me fjalën, përdorimi i figuracionit ne shkallen e duhur, koloriti ngjyrues i krijimit, tematika e larmishme jetësore, subjekti i krijimit është realiteti i kohës dhe aktualiteti i saj.

Portretizimi ne përmasa reale i ndjenjave, emocioneve dhe vëlimeve të brendshme, duket se është detyrim i talentit krijues te poetes Zyrafete Manaj për t'i prezantuar opinionit artistik e lexues pasionin e vet krijues!

Zyrafete Manaj gjithmonë për temë ka realitetin në kohë, realitetin social, njerëzor apo fatet e kombit gjithandej, dhe pastaj si një personazh që fatet e jetës e hodhën në botën ku meditimet, malli e ëndrrat janë përditshmëri e pa evitueshme, forcohet në rrënjët e unit dhe të idealit dhe ashtu përmes vargut të larmishëm e forcon identitetin, qëndresën dhe dashurinë.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora