Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemail Peci: Pena që përjetëson lavdinë

| E marte, 02.12.2014, 07:58 PM |


BEDRI TAHIRI DHE PENA QË PËRJETËSON LAVDINË E TRIMËRIVE TË BURRAVE TË DHEUT TË ARBËRIT

(Vështrim për librin e Bedri Tahirit: Përmendorja që mungon (Ahmet Delia 30 vjet në krye të betejave dhe kuvendeve), Prishtinë, 2014)

Nga Xhemail PECI

Dhe vetëm duke u matur me të përjetshmen, njerëzimi kupton thelbin e tij të vërtetë. (Stefan Cvajg)

Atdhetarizmi jeton në përjetësi. (Bedri Tahiri)

 

Haj medet ça na ka kanë,

Na ra shkau n’katër anë

(Trim ish kanë ai Ahmet Delia)

 

- N’oborr t’shqyptarit qysh me hi?

- A e di ktu qi i thonë Shqypni,

- Nuk ke pa hala shqyptar me sy,

- E mys veheten, t’mys dhe ty!

 

Nja p’i prejke Jetullahi,

Ik Jovani akolla gardhi,

Hu p’e myt qaj Ramë Islami,

Ikë Zhivani arës përpjet,

Ban kuku e ban medet

 

Trim ish kan ai Ahmet Deli,

S’ja pa sherrin kurr’ i ship,

As ni shpi, as shpija e vet,

Bani plaki shum gajret,

Për kojshi ai ka nrrue jetë,

Krejt shqyptart i knojnë rahmet.

I knojnë kangën Ahmet Delisë,

I zbardhi ftyrën krejt Shqypnisë!

(Ky Ahmeti trim azgan)

Nderimi dhe lartësimi i një qëllimi: Pelerinata e Gjakut

Profesori, shkrimtari, kronisti e lajmëtari i lirisë Bedri Tahiri, i ka vënë vetes një mision sa të lartësuar po aq edhe fisnik: për të mos lënë pa shkruar për çdo pikë gjaku, për të mos lënë emër trimi pa e gdhendur në kronikat e tij, për të mos lënë levendët e lirisë së Shqipërisë pa i nderuar, pa i lartësuar e pa i përjetësuar në një mënyrë kaq të përkushtuar.

Libri i tij për tribunin e popullit Ahmet Delia, është në të vërtetë një përmendore e përmasave nga më të veçantat, sepse ajo është një përmendore e cila shtrihet në sfondin e saj në dy kohë: dje dhe sot, sot dhe mot. Ajo është përmendorja e ngritur mbi mermerin më monumental të fjalës së bukur shqipe, të gdhendur me pasion dhe të shkruar me një frymëzim për t’u admiruar. Një përmendore e tillë, gjithsesi se i ngjet një shqiponje me dy krerë, e cila bën roje në Drenicën kreshnike, në Drenicën e luftërave të parreshtura dhe të përpjekjeve të pandërprera për liri kombëtare e shoqërore. Përmendore e pagëzuar nga pena e cila ka nderuar dhe nderon Breznitë Orëmira. Pena që ka gjakuar për të përjetësuar trimërinë dhe mençurinë: Ahmet Delia 30 vjet në krye të betejave dhe kuvendeve.

Me dy fjalë zemre, autori e ka shpalosur që në hyrje përkushtimin dhe nderimin e tij. Me dy fjalë ai ka gdhendur një mbishkrim të bardhë që në vete mishëron krenarinë e ligjshme: Drenicës heroike që kurrë s’u përkul.

Tri mbishkrime të bardha si tri emblema ilire

Pas këtij kushtimi, me një shije të hollë estetike, Bedri Tahiri ka vënë tri thënie të cilat rrijnë si tri mbishkrime të bardha në sfondin e kohës, si tri emblema të këtij trualli jetik që s’u dha kurrë në gjakimin e tij për liri. Tri thënie të tre burrave të këtij dheu, të kësaj vatre e të kësaj sofre dardane, tri qëndisma vetëtimash në fjalët e thëna nga Ahmet Delia, Azem Galica dhe Hasan Prishtina.

I pari ka folur me mprehtësinë e fjalës, e në log të luftës ai ka dalur me sopatën e shtëpisë, e cila me tehun e saj prej shpate vigane ua ka këputur shpirtin dhunuesve të truallit stërgjyshor. Trim po, por edhe i mençur sepse Ahmet Delia e ka ditur se sa tinzare janë kohët, prandaj autori ua përkujton brezave testamentin e kreshnikut, i cili krenarinë e vuri mbi lumturinë: Në rrugën e lirisë s’ka luhatje. Të luhatshmit çdoherë dështojnë. Vetëm ata që janë këmbëngulës dhe të vendosur në kërkesat e veta, fitojnë.

I dytin ka folur me grykën e pushkës. Fjala e tij vie si një flakë e pashuar atdhedashurie, si një zjarr i shenjtë që ngrohte gjithmonë atë dhe të gjithë ata që ëndërronin për lirinë e shumëpritur. Azem Galica, ky burrë vigan e strateg i qëndresës në rrethim, i ka folur kohës me zërin prej gjaku: Do të luftojë për vendin tim, ku kanë lindur dhe jetuar të parët tanë, ku kam lindur unë dhe bashkëkohasit e mi. Do të luftojë për bashkimin e trojeve shqiptare dhe për ribashkimin e popullit tim, deri ku i thonë bukës bukë e ujit ujë...

I treti ka folur siç flet mentari dhe atdhetari i një parlamenti. Truri i kryengritjes së madhe shqiptare që u kurorëzua me Pavarësinë e Shqipërisë më 1912, Hasan Prishtina u ka lënë brezave betimin e tij si porosi atdhedashurie: Luftën dhe kundërshtimin do ta ndaloj vetëm atëherë kur të vdes ose kur të çlirohet dhe të bashkohet Kombi im.

Që të tre këta emra, që të tre këta burra, të cilëve u rrahu zemra për lirinë e mëmëdheut dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët, u bënë frymëzim për brezat të cilët nën Trumpetën e Krujës, në Prekazin historik do ta shembnin një perandori e cila ishte ngritur me gjak dhe me krime, me reprezalje dhe me masakra rrënqethëse.

Bedri Tahiri: Eshtrat tresin e shkrimet mbesin

Parafjalën e tij, autori i kësaj monografie, e ka bërë të qartë synimin e tij për t’i folur kujtesës historike: “Heroin që e njeh bota ne nuk e njohim! Hajde botë, hajde! Mohim i vetvetes! Kush nuk e njeh historinë, nuk e do as ardhmërinë. Bota nga balta krijon heronj, ne heronjtë i kthejmë në baltë! - shkruante me të drejtë Skënder Luarasi.”

Duke shrkuar më tej: “Se edhe eshtrat treten e shkrimet mbesin”, Bedri Tahiri na e përkujton kështu thënien e lashtë latine se fjalët i merr era e shkrimet mbeten. Gjithsesi ain a e përkujton edhe zemër-klithjen e Poetit të Himnit Kombëtar, Aleksandër Stavri Drenova-Asdrenit, se: Ëndrrat dhe lotët s’vejnë kot në erë,/kanë edhe ato gjuhë të flasin ndojherë!

Me poetikën e shkrimit të tij Bedri Tahiri e ka thurur preludin e kësa monografie duke bashkëbiseduar me të kaluarën historike. Heroi që sfidoi historinë, është pjesa hyrëse që flet për Betejën e Kosovës, të vitit 1389. Milosh Kopiliqi është një hero shqiptar i kësaj beteje dhe i këtij trualli, të cilin e ka përvetësuar historigrafia dhe miti serb, prandaj me të drejtë autori ngre zërin kundër shtrembërimeve historike.

Në një hapësirë prej vetëm disa faqesh, autori ia dalur ta pëmbledhë gjithë përmasën e një lufte vendimtare dhe pasojat e saj të mëpastajshme. Historia përsëritet si një rreth vicioz duke u ndeshur pushtuesit dhe çlirimtarët, e në penën e denjë për të përshkruar një betejë si kjo, shkrihen realiteti dhe historia, miti dhe legjenda.

Duke shpalosur kronikat e gjakut në sfondin monumental

Kronika e Bedri Tahirit është e një historiani të formuar, e një shkrimtari me prirje të theksuar letrare dhe artistike, në vrojtimin e të cilit gërshetohen letërsia dhe publicistika, qasja analitike dhe prizmi studimor krahasimtar.

Në sfondet e kronikës së kësaj pene që përjetëson trimërinë për lirinë e truallit stërgjyshor, shfaqen ushtri që ndeshen mes tyre në përmasa epike, heronj që pikojnë gjak, përpjekje për të pushtuar toka të huaja por edhe për të përvetësuar historinë dhe mitet tona, synimi për ta shtruar një popull dhe e drejta e gjakut të derdhur lum në mbrojtjte të trojeve shekullore.

Autori ia ka dalur me zotësi ta nxjerrë në sfond kryeheroin e kësaj beteje si një luftëtar trim, i cili nuk u përkul para pushtuesit por ia nguli thikën në zemër.

Ky kapitull për këtë kryehero, i ka shërbyer autorit si prelud një kronike të shkruar me krenari të ligjshme, kronikë e cila në sfondin e një mermeri monumental ka vu majën e një plisi të bardhë si qumështi, maja e të cilit u bë një me grykën e pushkës duke i folur kështu së bashku qiellit të lirisë së shumëpritur.

Përveç dashurisë e cila e shquan natyrën e shkrimeve të Bedri Tahirit, kronikën e tij e karakterizon edhe poetika e ligjërimit dhe e përshkrimit të detajuar, pamja epike e luftës dhe stili i pasur me simbole, ironi a sarkazëm, si për shembull:

“Qershor 1389. Java e dytë. Vapë e madhe, përvëluese. Toka e çarë si pjepëri. Thatësi e paparë dhe e padëgjuar...Trojet dardane nga “të pafetë” do t’i çlironte vetë Padishahu, sulltan Murati I. Perëndia sikur e kishte ngarkuar me këtë mision të shenjtë. Përmes ëndrrës i arriti urdhri hyjnor...Mëngjesi i 15 qershorit 1389 gdhiu ngjyrë gri. Ditë e martë, ditë ters. Zëri i thekshëm i myzeinëve çallmëkuq çau heshtjen e agut freskues në Fushën e Mullenjave. Pas tyre tamtamet e daulleve të mëdha dhe lutjet çoroditëse të dervishëve marroçë. Edhe dy ushtritë ballë për ballë. Në krye kalorësit me flamujt e ngritur lart. Shqipja dykrenare shikonte vëngër gjysmëhënën e zbehur dyllë...Kokat e prera notonin në rrëketë e gjakut. Kuajt e tërbuar qëndronin vetëm në këmbët e prapme. Hingëllonin e turfullonin nga frika. Turqit po përparonin dukshëm. Murati në mes e djemtë përanësh. Ai, i kënaqur dhe i dehur nga sukseset, u tërhoq për të pushuar pakëz. Vajti në çadrën e tij ngjyrë qielli. U shtri në minderin e butë kadifeje. Dy vasha të bukura, si shtojzovalle, me gishtërinjtë të hollë e të bardhë dëborë, ia lëmonin mjekrrën dhe e gudulisnin ngeshëm. Ai qeshte dhe gjajasej me thellësinë e shpirtit. Sytë i vezullonin si të maces në terr, sepse nga beteja i vinin lajme të gëzuara.”

Faqe të një romani epik dhe Heroi që sfidon historinë njerkë

Pasi ka përshkruar këto tablo epike dhe pasi ka sqaruar sesi kishte filluar “zvarritja e tundimshme e lubisë përbindëshe”, pasi ka vënë në dukje gjëmën dhe gjakun, pasi ka shkruar në të vërtetë faqe të një romani epik, Bedri Tahiri e ka përmbyllur preludin e monografisë për Ahmet Delinë, duke shfaqur sërish krenarinë e tij të ligjshme për Milosh Nikollë Kopilqin: “As nata pesëqindvjeçare e krra-krrasë, as djallëzia e ujqërve të stepave, nuk ia dolën mban. Heroi ynë mesjetar sfidon historinë njerkë.”

Rrëfimi paralel është veçori e cila e shquan kronikën historike të këtij autori, i cili nga ky prizëm nuk lë pa përmendur kronistin turk Ashik Zade Pasha, dhe për të cilin thotë se “e shënoi këtë ngjarje në fletët e zverdhura e të zhubravosura, që mezi lexoheshin.” Por, duke vënë përballë njëri-tjetrit kronistët e kohëve, Bedri Tahiri vë përballë njëra-tjetrës të vërtetat historike rreth Milosh Kopiliqit:

“Kronisti tjetër osman Enveriu, këtë trim e quan “Princ” dhe “Ban”. Humanisti raguzan, Feliks Petançi, i thotë “Princ ilir”, ndërsa humanisti ynë, Marin Beçikemi, e pagëzon “Perandor i Mizisë”.

Qëllimisht, autori është ndalur edhe tek detajet e tjera, të cilat si një hije e gjatë do të bie gjatë shekujve përmbi këto troje:

“Heroizmi i princit drenicas mori dhenë. Trupin e tij, të bërë copë-copë, ia bartën shokët deri në Rezallë. Aty e varrosën pranë një bungu njomëzak...Përbindëshi i përtej Dardaneleve nuk u mjaftua me kaq. Ende donte gjak. Dogji dhe shkretoi mbarë vendin. Mllefin hakmarrës e shfreu mbi Drenicën e panënshtruar. Kopiliqin e zhbënë me gjithë ç’kishte. Me javë e muaj e mbajtën të mbërtheyr në rreth. Jeniçerët e lodhur veç me kunguj të zier mbanin shpirtin gjallë. Shumë prej tyre u bënë ushqim për korbat e uritur. Këtë e dëshmojnë toponimet Kodra e Kungujve dhe Lugu i Korbave, që edhe sot i gjejmë në këtë vendbanim.

Të vëllain e princit, Hilë Kopilqin, me gjithë familje i burgosin në Kalanë e Vushtrrisë. I kishte dy djem e tri vajza. E shtrënguan, e torturuan dhe e munduan derisa një ditë u bë Hysk...”

Kronisti që dëshmon për historinë

Bedri Tahiri dëshmon kështu për historinë. Edhe trupin e Azem Bejtës do ta bartnin shokët. Do ta vendosnin në një shpellë. Edhe familja e tij do të pësonte reprezaljet. Edhe Drenica do ta përjetonte aq shpesh qëndresën në shtetrrethime të hekurta. Do të përjetonte burgosjet dhe syrgjynosjet e burrave të saj, sepse pushtuesit vinin të ri por metodat i kishin të njëjta.

Duke qenë kështu dëshmitar i të vërtetës historike të një kombi, ai nuk lë pa përmendur rolin që kanë pasur familjet e mëdha në sendërtimin e idealeve të mëdha. Njëra prej tyre ishte dhe ajo e Prekë Kuçit - thotë autori, i cili përkundër humbëtirave të kohës, e ka gdhendur me dashuri të veçantë figurën e këtij plaku të mençur por atdhetar, duke përzgjedhur fjalët nga më të ngrohtat për të: “Zemra nuk mashtron kurrë. Me të matet mirësia dhe burrëria...Bacën Prekë e gjeje edhe në kuvende burrash. Ishte kokë katërqind dërhemësh, siç i thoshin shkodranët. Fjala e tij peshonte dhe zinte vend në çdo kuvend. Fjala e burrit, pesha e gurit!...S’kanë thënë kot se pleqnarët iu gjasojnë llambave, që botën e ndriçojnë e veten e lënë në terr...”

Pasi e ka bërë gati sfondin në të cilin do ta shfaqë tribunin e vegjëlisë, Bedri Tahiri ka vënë në pah se nga një derë e tillë burrërie e bujarie, fisnikëri e mençurie, doli dhe pinjolli i këtyre Breznive Orëmira, Ahmet Delia.

Heronjtë e kronikave të Bedri Tahirit shfaqen në një sfond prej mermeri në madhështinë e tyre. Por historia u tregua e pamëshirshme me ta. Jo më pak u tregua drejtësia, prandaj autori nuk lë pa përmendur krimin makabër:

“Masakra e vitit 1830, kur pabesisht u vranë 500 krerë shqiptarë në Manastir nga Mehmet Reshit Pasha, i njohur më vonë si “shqiptar-vrasësi” e ngjalli edhe më shumë urrjetjen kundër pushtuesit tiranik.”

Fletët e historisë të lara me gjakun e levendëve të lirisë së Shqipërisë

Autori shpalos pastaj fletët e historisë të lara me gjakun e levendëve të lirisë së Shqipërisë. Ai ka radhitur në kronikat e përjetësimit të tij kryengritjet e njëpasnjëshme që nga viti 1843 e tutje-tëhu, si dhe vuajtjet e nizamëve (“Shkuarja ushtar do të thoshte vuajtje, mjerim e herëherë edhe vdekje. Qëndrmi i gjatë, 7 ose 9 vjeçar larg familjes e larg vendlindjes ishte i rëndë e fatal.”).

Pasi gërsheton faktet me vargjet e këngëve popullore si kronika të gdhendura në drurin e zgavruar të qershisë, nëpër të cilat u këndohej nizamëve (“se e kam t’zezën grue/del e qan krue më krue”), autori shkruan më tej nga prizmi i retrospektivës historike:

“Paskëtaj burgoseshin dhe syrgjynoseshin. Vuanin nëpër qelitë e errëta të burgjeve makabre e enigmatike. Edhe kush i shpëtonte kësaj golgote nuk mbetej për askënd e nuk i njihte askush, as nënat e veta.”

Portreti i një nëne stoike dhe fati tragjik i Atdheut

Pasi që në kapitullin pararendës ka gdhendur portretin e një nëne stoike - atë të nënë Shakes nga Vitaku, të ëmën e Ahmet Delisë (“Emrin e kishte Shakë. Ishte drenushë fare. Në punë të fushës t’i koriste shumë burra. Edhe pushkës ia kishte anën. Mbi të gjitha ishte nënë e mirë.”), autori duke dëshmuar prirjen e tij prej narrartori të rryer, u është kthyer portreteve të nizamëve, më konkretisht:

“Arif Sinanit. Ky i ri, që sintetizoi nizamët shqiptarë, përjeton fat të hidhur...Në roje e keqtrajton një oficer. E fyen aq rëndë sa nuk durohet dhe e vret. E dënojnë me 12 vjet burg. E vuan dënimin dhe lirohet. Kthehet në atdhe, I përmalluar, si Odiseu. Rrugës e takon nënën. Ajo nuk e njeh fare. Ecin bashkë e kuvendojnë.”

Shpaloset kështu sedra prerj nizami por edhe malli e mërgimi i gjatë. E tillë është edhe figura e nizamit tjetër, Deli Zenelit, babai i Ahmet Delisë. Ndonëse ishte djalë i vetëm, edhe atë e kishin degdisur nizam, duke i lënë djemtë fare të vegjël-vazhdon autori:

“Atje shërbeu plot shtatë vjet të zeza. Hoqi të zitë e ullirit. Disa vjet luftoi në tokat e Jemenit, atje ku piqej kafja në diell. tri plagë i kishte marrë në betejat për të huajt. Betonin e kishte gërrye me këmbë, duke qëndruar disa vjet roje pranë dyerve të Pallatit Mbretëror. Kishte ngrënë bukë me krimba. “

Fati tragjik i atdheut i ka ndjekur edhe trimat që e bënë atdheun, me hir o me pahir. Rexhë Delia, i biri i Deli Zenelit, siç sqaron autori, ishte delegat i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili duke u kthyer nga Kuvendi i Lidhjes: “bie në pritat që kishte kurdisur ushtria e Xhavit Pashës dhe për shtatë vjet rrjesht do të vuaj brenda mureve të gurta të burgut famëkeq të Idrizovës në Shkup. Për familjen e tij kujdesej i vëllai, Ahmeti.”

Pena që përjetëson lavdinë, heronjtë e mëmëdheut dhe heroinat që përkundën djepin e lirisë sonë

Në penën e Bedri Tahirit, heronjtë e mëmëdheut ngjasojnë me ata të Lahutës së Malëcis. Heqin zorrët zvarrë për lirinë e shenjtë të tokave shqiptare, dalin hapur në sheshin e betejave ku e shpalosin gjoksin përballë plumbave dhe topave, bien nëpër burgjet e pushtuesve por nuk jepen, qëndrojnë heroikisht dhe dalin edhe më të kalitur, dalin edhe më të përgatitur, edhe më të përbetuar për ta çuar deri në fund idealin e shenjtë të bërjes së Shqipërisë, të lirë, të mosvarur, e zonjë në vete.

Rexhë Delia, shkruan më tej pena që përjetëson lavdinë e burrave të dheut, ishte një “strateg i zoti” i cili: “Edhe pas daljes nga burgu nuk e ndalë aktivitetin e tij atdhetar e luftarak, derisa bie në fushën e nderit.”

Pena e përmallshme e Bedri Tahirit për këta burra të paepur, ndalet më tej tek një krenari e ligjshme, ajo e ripërtëritjes së jetës, e lindjes së trimave. Kjo penë që nderon Breznitë Orëmira, kjo penë që e risjellë të gjallë gëzimin e pararendësve tanë për pagëzimin që falën përmbi djepa, kjo penë që përkujton dhe përjetëson, kjo penë që vallëzon nga gëzimi për lindjen e një trimi, kjo penë që denjëson tek përkujton çdo emër që kullave kreshnike u ka dhënë zemër, nga nënë Shakja ndalet tek nënë Hava. Përkulet në nderim dhe në përkujtim të këtyre heroinave që e përkundën me krenari djepin e lirisë sonë.

Penën e përmallshme të cilën e gëzon dasma dhe rilindja

Bedri Tahirin nuk e gëzon asgjë më shumë se përtëritja e jetës, se rilindja e saj. Dasma e ngazëllen atë, sepse dasma ka ngadhënjyer mbi gjëmën dhe gjakun, mbi mortin. Prandaj, ai e ka shprehur gëzimin e tij në qëndismë fjalësh:

“Marsi është muaj i përtëritjes dhe i gjallërimit. Çdo gjë: lulet, bimët, pemët, bari, gjallesat, marrin guxim dhe shfaqen përsëri, ringjallen. Dhe, Lasgushi ynë i madh, nuk e ka quajtur kot muaji i trimërisë.”

Me lëvizje mjaft të gjalla të penës së tij, ai ka paraqitur gëzimin e vatrës bujare në një ditë marsi e në një ditë me diell, si një simbolikë krejtësisht e veçantë e tepër domethënëse për lindjen e Ahmet Delisë, kundruall habisë që kishin “plakat kurizdala” të cilat “përshpëritnin magjishëm” për një dragua:

“Plakat, si plakat më. S’i shpëtonte gjë syrit të tyre kureshtar. Shihnin larg ato, edhe përtej bjeshkëve. Kishin provuar gjithçka. Jeta i kishte rrahur me vaj e me uthull. Ishin regjur. Përvoja e hidhur ua kishte mësuar të gjitha.”

Pena që ngre përmendore trimash në mermerin e fjalës shqipe

Kjo penë që ngre përmendore trimash e levendësh, kryeheroin e kësaj monografie e ka paraqitur si: “Dardan i vërtetë. Intelegjent e kureshtar i pashoq. Interesohej për gjëra, që nuk i përkisnin moshës së tij.”

Ahmet Delia, paraqitet në sfondin e një jete gjithë sfida, në sfondin e një historie e cila u tregua tepër e padrejtë. Babai i tij ishte dërguar nizam, e kulla po binte mbi shpatullat e heroit të ardhshëm. Por autori të cilit nuk i shpëton të thuash asgjë në vrojtimet e tij për heronjtë që e shtruan me gjakun e tyre rrugën e lirisë sonë, dëshmon se këtyre kullave nuk u ka as munguar pushka e as mençuria: “Në odën e tyre shpesh vinte Sefer Obria. Me vete e merrte edhe të birin Xhemailin, i cili ishte pak para Ahmetit.”

Plaku i urtë e dridhte mustakun dhe rrëfente me shqetësim se si serbët e kishin përvetësuar Manastirin e Deviçit:

I yni ka qenë - u thoshte ai - si gjithë të tjerët. Serbët, pas pushtimit, e adoptuan dhe e përvetësuan. E bënë të vetin, dhe mburren, e mashtrojnë vetveten.”

Nga rrafshi i përvetësimit të heronjve (si ai i Milosh Kopiliqit), autori tërheqë vëmendjen tek rrafshi i përvetësimit që u bënë pushtuesit shekullorë edhe objekteve fetare, duke risjellur në mbamendjen e lexuesit porosinë e plakut të mençur Sefer Obria, porosi e madhe dhe tepër aktuale edhe sot por edhe mot:

“Atdheu mbi të gjitha. S’ka fe pa atdhe!”

E pena ndalet sërish tek kryeheroi që sfidoi zezonat: “Fuqinë ia kishte dhuruar natyra. Ishte si div mali...Disa çobanë, shumica të rritur, e kishin zënë kalin e murgeshës së Deviçit dhe e kishin lidhur për lisi. Provonin ta ngrinin në shpinë pezull. E provonin të gjithë me radhë, por kot.”

Ishte Ahmet Delia ai që e ngriti pezull: “Të vegjëlit brohoritën nga gëzimi. Të rriturit heshtën nga xhelozia.” Djalë kreshnik. Ky është epiteti që ia dha koha, e jo vetëm pena e autorit që emrat e trimave i skalitë në mermerin monumental të përjetësisë. Por një djalë kreshnik e meritonte edhe një nuse e cila do ta shtonte farën e trimave:

“Në vjeshtën e vitit 1876 u martua me Havën, një vajzë e bukur nga Syrigana...Duhej kaluar në Përrua të Keq, që paraqiste rreziqe të papritura. Nuk ishin të rralla rastet, që krushqit ishin kthyer thatë, pa nuse. Ua kishin grabitur mu në atë vendin e qoftëlargut, siç filluan ta quanin më vonë. Nuk u besohej të pabesëve, dilnin ku nuk i pritje. Kukudhët e djallit.”

Një vello nusërie si një bekikm i shenjtë Perëndie

E në sfond shfaqet jo vetëm një vello nusërie, por madje edhe një ogur i bardhë si një bekim i shenjtë Perëndie:

“Në ballë të kolonës me dasmorë, me flamur në dorë, printe kushëriri i tij, Bejtë Galica. Nga kali zbriti nusja e bukur si zanë mali. Si hëna pesëmbëdhjetëshe.”

Simbolika është e qartë. Një krua që ka rrjedhë do të rrjedhë sot e mot. Trimat trashëgojnë vetëm trima. Kullave nuk u mungoi kurrë grykëholla tek këndoi për lirinë e shenjtë të mëmëdheut, por nuk u mungoi as mençuria, e as dora që përkundi djepin e lirisë sonë të shumëpritur.

Drenica - Kështjellë e Pamposhtur

Drenica shfaqet në historinë e përpjekjeve të parreshtura, jo vetëm si kullë kreshnike, por si një kështjellë e pamposhtur, sepse siç e thotë Bedri Tahiri: “Drenicasit lirinë e çmonin më shumë se jetën.” Kishin kaluar 336 vjet nga pushtimet osmane, shkruan autori, dhe këto troje “ende s’e kishin provuar robërinë as nënshtrimin”.

Në monologun e pashallarëve të cilët vijnë për të ngritur Sarajin HAMIDI (“në nderim të sultan Abdyl Hamitit II, që shqiptarët e quanin “Sulltani Gjakatar”) Saraji lëshonte shtat midis Llaushës, Polacit e Prekazit” - siç shkruan më tej autori; ka etje për gjak por edhe afsh për vashat e bukura.

Kundruall këtyre ëndrrave për hareme, shfaqet qëndresa kolektive e popullit: “Urrejtja dhe mllefi i tyre shpërthyen si uragan i pandalshëm.”

Oda e Kullës Kreshnike të Ahmet Delisë, është bërë logu i bisedave e vendi i besa-besës, ku merren vendime jetike: “Sarajin do ta rrënojmë me themel e turiqt do t’i dëbojmë. Nuk na duhet ne HAMIDIA. Nëse është ashtu ne do ta formojmë qytetin tone dhe për hatër të kryetirmit tonë, Skëndërbeut, do ta pagëzojmë SKËNDERAJ.”

Kronisti i kohëve kreshnike

Në monologun e Xhelil pashait, kronisti i kohëve kreshnike, e ka paraqitur me mjeshtëri të pashoqe qëllimin e një perandorie të tërë, ankthin e saj të vazhdueshëm:

“Nuk më kujtohet mirë në cilën kronikë kam lexuar se emri Drenicë vinte nga emri Dreri, përkatësisht Drenusha...

Edhe njëherë ktheu kokën prapa. Saraji po digjej flakë. Gjysëmhëna ishte përdhosur. Në vend të saj valëvitej përplot krenari shqipja dykrerëshe. Ah, mallkuar! Këtë zog e kishte urryer tërë jetën. U shuan të gjitha ëndrrat dhe shpresat...

Ai largohej. Ikte e ikte. Nga vdekja ikte e drejt vdekjes shkonte. Edhe një kokë fatzezë do të radhitej në kamaren e turpit.”

Konotacioni është shumë i qartë e fishtian: Jo s’ka mbetë Shqypnia n’vasha! Pallatit mbretëror i kundërvihet kulla kreshnike, e hordhive të egra u dalin përpara në log të luftës, burra trima e të paepur.

Galeria e portreteve epike

Në galerinë e portreteve të levendëve të lirisë së mëmëdheut, autori ka radhitur një varg figurash të shquara: Bejtë Galica, i ati i Azem Bejtë Galicës ka marrë pjesë në betejën e përgjakshme të 14 janarit 1891, ku siç sqaron autori “afër 2,000 vetë të udhëhequr nga Ahmet Delia i Prekazit e sulmuan dhe dogjën Sarajin “HAMIDI”. Kryekajmekani i ri, Kahreman beu dhe nëpunësit e tjerë, mezi shpëtuan nga flaka dhe lufta.”

Bejtë Galica u arrestua me disa kryengritës të tjerë dhe u dërgua në Shkup, ku: “Pashai turk e dënoi me burg të përjetshëm, me 101 vjet.”  Duke e plotësuar portretin epik të këtij luftëtari trim, Bedri Tahiri shton se ai u lirua pas 11 vjetësh nga burgu, por: “Edhe pas daljes nga burgu, Bejta nuk e ndali aktivitetin e vet luftarak e politik.” Bejtë Galica do të binte në fushën e nderit, duke luftuar kundër ushtrisë së major Vehbi Efendiut-të dërguar nga Shemsi Pasha, për ta shtypur me gjak kryengritjen në Drenicë.

Kalvari do ta ndiqte gjithë jetën këtë familje atdhetare. Bejtë Galica, sqaron autori, bie në moshën 54 vjeçare, dhe më tej: “Pas një jave turqit ia dogjën shtëpinë në Galicë duke i lënë pa kulm mbi kokë Sherifen me dy tjeshtrit (Seferin dhe Zenelin) dhe tre fëmijët e vet: Azemin, Mihanen dhe Ademin.”

Por Bedri Tahiri nuk le pa përmendur edhe prijësin trim Ramë Lutani, pleqnarin dhe luftëtarin e paepur, të cilit siç citon autori: “të tre djemtë ia vrau ushtria serbe më 1915”, dhe i cili më 29 mars 1903 do t’u vente në ndihmë “vëllezërve shaljanë, të cilët e kishin sulmuar qytetin dhe kërkonin dëbimin e menjëhershëm të konsullit rus Shçerbinit. Beteja qe e përgjakshme. U vranë mbi 300 shqiptarë. Nga kodra e Bairit sulmohej me topa. Aty qëndronte dhe Shçerbini, i cili edhe komandonte. Një ushtar shqiptar në ushtrinë turke, me emrin brahim Halit Popovci, nga Suka e Gjilanit, duke i parë këto skena tmerruese e dredh pushkën dhe e qëllon konsullin, i cili vdiq pas disa ditësh. Në këto luftime u dalluan trimat që i udhëhoqi Bejtë Galica.”

Trimi si shkëmb graniti dhe përgjigja e tij solomonike

Duke iu kthyer sërish Ahmet Delisë, autori vë në pah se edhe pas vrasjes në betejë të të vëllait Rexhës, “trimi qëndronte si shkëmb graniti”, dhe kur pushtuesit e tokave shqiptare i thonin të dorëzohej, ai u jepte përgjigjen solominike: “Nuk po më lëshojnë trimat se pata me ardhë”, e popullit: “Katund më katund e kullë më kullë. U jepte zemër e kurajë për të qëndruar.” Ai shfaqet i vendosur në qëllimin e tij: “Në rrugën e lirisë s’ka luhatje, - u thoshte ai. Të luhatshmit përherë dështojnë. Vetëm ata që janë këmbëngulës e të vendosur në kërkesat e veta jetojnë. Liria është e shtrenjtë se i ka rrënjët në gjak. Ajo, as nuk blihet, as nuk dhurohet, por fitohet. Për të s’duhet kursyer asgjë, as jetën. Të lumtë ata që bien për të, I pret pavdekshmëria. Trimit ia ka frikën edhe vdekja. As plumbi nuk e merr. E frikacakun e ndjek nëpër gropa...”

Tribuni i popullit ka dalë nga gjiri i tij dhe qëndron me popullin e për popullin që e lindi dhe e rriti, që e brumosi me idealin e atdhedashurisë. Ai qëndron shkëmb në këmbë, gjithmonë gati, në kuvend e në log të luftës, kundër hordhive të Shemsi Pashës: “Xhelat i shkuar xhelatit”, siç e quan autori.

Ahmet Delia-Komandant i Ushtrisë Vullnetare me Plisa të Bardhë, dhe mençuria që na la trashëgim Xhemail Abria

Ahmet Delia qëndron në ballë të 5000 trimave “nga mbarë Kosova e treva të tjera shqiptare”. Ai është një komandant i një ushtrie me plisa të bardhë, që të gjithë vullnetarë. Së bashku me ta, ai merr vendime historike për të mos lejuar konsullin rus në Mitrovicë, për të mos lejuar “Reforma e as konsullata të huaja në tokat shqiptare!”

Përkrah trimërisë, autori ka gdhendur edhe portretet e dy përfaqësueve të tjerë: Binak Alia e Xhemail Obria. Që të dy të përbetuar për ta ndalur gjakmarrjen e për t’i hapur shteg lirisë. I pari, thekson autori, e ka udhëhequr atë që njihet si: “Kuvendi i Parë i Pajtimit të Gjaqeve është mbajtur në Kullën e Junikut, në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, konkretisht më 1878”, kurse i dyti e ka marrë “gradën Pleqnar i Kosovës”, fjalët e të cilit Bedri Tahiri i gdhend në mermerin e kohës: “Sa të kërset pushka midis nesh, kurrë i huaji prej qafe s’ka me na u hjekë”. Një mençuri si kjo, do t’i mjaftonte Binak Alisë për të vlerësuar lart aktin e mençurisë: “Prej kësaj dite, n’krye t’pleqnarëve të Kosovës do t’jetë Xhemail Obria, e jo unë Binak Alia.”

Gjithsesi, Bedri Tahiri ia ka dalur ta shpalos aq bukur rezistencën kolektive të shqiptarëve në këto anë, ku i madh e i vogël ngriten në këmbë, rrokin armët e dalin maleve duke u betuar përballë pushtuesve të egër: Pushka top!

Autori gjithashtu e gërsheton stilin e tij me vargjet e këngëtarit popullor, me të cilat ai ka skalitur aktet e trimave të një kohe prej zezonash të mëdha, si dëshmi se diplomacia dhe fuqia janë dy binjake:

Xhemail Obria e këqyr Kanunin

Ramë Lutani e shtrëngon hunin.

I Sëmuri i Bosforit dhe Sopotarja e Kombit: Herkuli, Anteu dhe Prometheu shkrihen tek Ahmet Delia

Bedri Thairi është treguar mjeshtër i paraqitjes së përballjeve në prizmin e përplasjeve historike - në përmasat e ballafaqimit dhe të qëndresës së kullës si simbol i rezistencës kundrejt Hamidisë Turke. Pra, përballë një pallati ku pushtuesit synonin ta kishin selinë, ngritet me bedenat e saj si një kala e pamposhtur Kulla e Ahmet Delisë (“Edhe kullës ia futën flakën, por nuk u dogj. I përballoi edhe flakës, e bekuara.”), përballë të Sëmurit të Bosforit qëndron Drenica-Sopotarja e Kombit, përballë kataklizmës qëndron “qielli i përflakur”, përballë gjeneralëve gjakpirës si Shemsi Pasha-qëndron “si Herkuli” e si vetë Prometheu i dalë nga gjiri i tokës mëmë, vetë biri i këti trualli jetik, tribuni i popullit e luftëtari kreshnik Ahmet Delia.

Është pra meritë e pamohueshme e Bedri Tahirit që këtë hero epik të një kohe me sfond tragjik, e paraqet ashtu siç ka qenë: sypatrembur e i dashur për popullin, prijës i urtë por i paepur, një strateg i zoti e një komandant që ndër beteja të shumta del fitimtar.

Ky hero dhe ku burrë i mëmëdheut, nuk ka se si të mos na e kujtojë Vranakontin e Skëndërbeut-një ndër gjeneralët më besnikë e më të zotë në mbrojtje të kështjellave të Arbërisë.

Në tërë këtë përballje kohësh dhe fatesh, autori ka përdorur me mjeshtëri teknikën e romaneve të mëdha klasike, ndonëse në një hapësirë fare të vogël e me krejt pak fjalë, por duke thënë gjithmonë shumë.

Profecia e njerëzve të thjeshtë

Fjala vjen, në rrokullisjen e ngjarjeve shfaqet portreti i një njeriu të quajtur Haxhi Latifi, për të cilin autori shkruan: “Ai me Kur’an në dorë shëtiste rrugëve dhe fliste me vete. Ca e merrnin për të çmendur e shumica për njeri të mbërrimë. Që nga ky moment sa here e shihte Ahmet Delinë i kujtohej ngjarja. Hi-hi-hi, - qeshte e gjajasej ungurueshëm: “E shihni atë njeri. - Bënte me gisht nga ai, - e ka pre guhën e mbretit. Ai me shkje ka me u vra, por emni s’ka me i hup kurrë”.

E tillë është edhe figura e një plake. Pasi që Shemsi Pasha kishte vendosur çadrat në tokat e Ahmet Delisë:

“Vetëm një plakë kishte mbetur atypari. Ajo nuk kishte luajtur nga trualli. Ishte shumë e vjetër, i kalonte të 80-tat. Sillej e mbështillej nëpër ta. Kah rrotullohej i shante e i mallkonte. S’lente gjë të zezë pa u thënë. Askush nuk e ngucte. E merrnin për të çmendur dhe s’e ngisnin. Një ditë i shkoi pashait në çadër dhe ia tha të gjitha:

“... Kjo bukë që po e shkelni do t’u vrasë. Sytë do t’ua plasë. Do t’u verbojë të gjithëve. Pse s’shkoni atje ku kërcet deyfeku. Hë, hë nuk ua mbanë të mateni me djemtë tanë dragonj, jo. Ata do t’ua marrin shpirtin duke ua këputur kokat si vremçave. Ç’kujtoni ju? Thellë i kemi rrënjët, nën shkëmbinjtë e thepisur. Trung i lashtë është ky yni, që s’loz dot nga vendi...

Në një sfond të njëjtë është dhënë edhe përballja në mes të Xhemail Abrisë dhe Shemsi Pashës, për çka autori ka përdorur në funksion të plotnisë së tekstit, krijimet popullore, duke cituar anektodën:

Xhemal Abrinë, Shemsi Pasha e thërret n’Kullë të Ahmet Delisë në Prekaz e po i thotë:

-     Me zullum do ta shkeli Drenicën!

-     S’un e shkelë Drenicën. Drenica i ka parinë e vet. ti n’ta majtë, nisjau krenëve “me zullum”.

-     Kush janë ata krenë?

-     I pari jam unë-Xhemail Abria, e tani vine Ahmet Delia, Aruq Selimi, Hetem Kozhica, Jetullah Luboveci e Temë Dobrashefci. Kur “t’nreqësh punë” me neve kthehu e pie ni kafe te Ali Kryshefci.”

Ballë për ballë: Fuqia dhe mençuria

Përballjet si këto çojnë vetvetiu tek përballja e Gëtes me Napoleonin, kur ky i fundit i kishte thënë Zeusit të Vajmarit të shkruante poemë për të! Gëte nuk kishte pranuar. Napoleoni i pat thënë Gëtes se gati të gjithë poetët e Lindjes u kishin kushtuar libra perandorëve të tyre, prandaj as ky nuk kishte arsye që të mos e bënte një gjë të tillë. Mirëpo ju nuk mund të më sigurini se ata më vonë nuk janë penduar-ia kishte kthyer Gëteja i madh.

Ahmet Zogu i qe lutur Lasgush Poardecit të bënte një poezi për të. Po ku di unë i shkreti të bëjë poezi, për një mbret dhe për një mbretëri?! - ia kishte kthyer me urti Lasgushi.

Edhe kur i vdiq djali Andon Zako-Çajupit, vajti Lartmadhëria së bashku me Faik Konicën, që t’i shprehnin ngushëllime. Mbreti Zog shpresonte se ndoshta do ta bënte për vete, por Andon Zako Çajupin nuk e bleu kurrë as Sulltani e as Zogu.

Pra, ja që kishte të drejtë Pashko Vasa, kur tha se mbret dhe poet janë dy gjëra të papajtueshme. Të papajtueshme mbetën gjithmonë edhe vegjëlia trime dhe opinga e Kamber Loshit përmbi gur-në përballje me armiqtë e egër të atdheut e të kombit tonë martir.

Nuk ishte rastësi që pyetjes së Nikolla Pashiqit: Po thoni se Kosova e ka Shqypninë nanë. E ku e ka Kosova babën? - Xhemail Abria i qe përgjigjur: Pashiq, Kosovës i ka shku baba në kurbet. Por kur të kthehet, edhe n’vorr në kofsh, ke me ja ni krismen!

Nuk ishte pra rastësi, as parashikimi që i bëri përjetësisë së tij Heroi që ia drodhi themelet mini-perandorisë sllave të Jugosllavisë, mu në ditën e Sigurimit - më 13 maj: Kur të vdes unë, gjithë vendi do të ndizet zjarr e flakë!

Nuk ishte rastësi që gjatë epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një nënë e verbuar nga falangat gjakpirëse të shkrepave të Uralit, do të lëshonte zemër-klithjen e saj, e cila u shënua nga Hillari Klinton në ditarin e saj: E Lumja unë që nuk ju shoh më!...

Kronikat në të cilat liria flet me zë prej gjaku

E në kronikat e ngjarjeve të përgjakura të historisë së këtyre trojeve, pena që përjetëson lavdinë e tyre shkruan se toka arbërore u jep forcë burrave të këtij dheu, si vetë Anteu, “i cili kur e prekte tokën ringjallej”. Ringjallej edhe toka, e edhe kulla e Ahmet Delisë kur hynte në të truri i kryengritjeve gjithëshqiptare, atdhetari dhe parlamentari Hasan Prishtina: “Plot tri vjet s’ishin parë, edhe pse kishin qenë shumë afër njëri-tjetrit. Në zemër të Perandorisë, Hasani në Parlament e Ahmeti në burg.”

Bedri Tahiri kujton me krenarinë e ligjshme se pena e Hasan Prishtinës hartoi Memorandumin e njohur  si “14 pikat e Hasan Prishtinës”, kurse: “Zëdhënës i parë i shpalljes së kësaj kryengritjeje u bë Ahmet Delia...Ai dhe Isa Boletini e morën përsipër vijën më të vështirë të frontit: Drenicë-Mitrovicë-Vushtrri-Podujevë-Prishtinë. Këtu ishin përqëndruar edhe forcat kryesore turke nën komandën e Fadil Pashës.”

Në zjarrin e luftës liria fliste me zë gjaku:

“Në çetat e Ahmet Delisë ishte radhitur edhe djaloshi 20-vjeçar, Azem Bejtë Galica, bashkë me dy vëllezërit e vet më të mëdhenj: Seferin e Zenelin.” Trimëria e tij e mbushi gjithë gëzim Isa Boletinin: “Zemra m’u bë mal nga gëzimi, sepse Bejta nuk paska vdekur...Me fat rruga e lavdisë se një vend që lind brezni trimash nuk do të humbë kurrë!”

Kosova e tëra u la në gjak, lëshon zemër-klithjen e tij Bedri Tahiri, duke përkujtuar më tej se: “Shtetet fqinje sodisnin dhe bënin plane djallëzore për copëtimin e tokave shqiptare. E formuan Aleancën Ballkanike dhe, atëherë kur bisha euro-aziatike po jepte shpirt, në njërën anë, dhe shqiptarët ishin molisur nga betejat e pareshtura, në anën tjetër, u inkuadruan në luftë. Kështu, mbi tokat e porsaçliruara shqiptare, u vërsulën si një lukuni uqjish grabitqarë ushtritë serbo-malazeze e greke.”

Për një situatë të tillë, në një mënyrë mjaft bindëse autori ka sjellur dëshmi se si ishin marrë vesh heronjtë e kombit: Isa Boletini kishte vendosur të shkonte në Vlorë, e Ahmet Delia qëndroi në Drenicë, sipas marrëveshjes me Isa Boletinin, duke i thënë: “Këtu e patëm ngritur flamurin e këtu do ta mbrojmë”. Ahmet Delia ia kishte dhënë besën edhe Hasan Prishtinës: “Se n’katund n’na raftë komita. Do t’luftojmë me sakica!”, prandaj thekson me të drejtë autori: “Dhe, vendosi të qëndrojë i patundur, si rrapi shekullor, në truallin e tij të stërlashtë. Po, po aty, që ta rrahnin erërat dhe stuhitë.”

Një kapitull në vete ia ka kushtuar autori aktit heroik të luftës së Ahmet Delisë dhe një grusht shqiptarësh përballë lukunisë së çmendur të gjakpirësve të etur për gjak.

Ishte koha kur sapo kishte ikur një pushtues dhe kishte ardhur një tjetër, një gjarpër që po përdridhte trupin e tij trojeve tona stërgjyshore, e që mezi kishte pritur për t’u zvarritur përmbi tokat e të parëve tanë.

Bedri Tahiri e përfshinë këtë kohë në sfondin e saj të plotë:

“Fund viti i 1912-së shqiptarët e Kosovës i gjeti më keq se kurrë. Të katandisur fare. Betejat e përgjakshme me hordhitë osmane, që zgjaten me disa muaj rresht e kishin sfilitur. Kjo katrahurë ogurzezë mori shumë jetë, la shumë të sakatosur e i mbushi burgjet me të burgosur. Vetë truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Hasan Prishtina, me prijës të tjerë pabesisht ishin arrestuar dhe mbaheshin në kalanë e Kalemgdanit në Beograd. Pra, atje po mbaheshin të mbyllur: Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Shaban Pashë Gjinolli, Xhemail agë Berisha, Nuredin beu, Rushit beu, Muharrem Efendiu, Ibrahim bej Kokalari, Seit Hoxha, Qemail beu, Jashart Pasha, Idriz Seferi me të birin, Kasumin dhe Mustafë Misini. Ca të tjerë, në krye me Isë Boletinin, kishin vajtur për të mbrojtur Vlorën e Ismail Qemalit.”

Zhvillimet politike të asaj kohe ua përkujtonin shqiptarëve thënien të cilën Elena Gjika e kishte nënvizuar nga porosia e Oliver Kromuellit për popujt e Lindjes: Mbajeni barutin të thatë!

Koha i dha të drejtë theksimit të Elena Gjikës, sepse siç shkruan autori Bedri Tahiri:

“Drenica përsëri nyje gordiane. E rrethuar me laps të kuq në hartat e gjeneralëve pushtues. Ushtritë serbo-malazeze u përqëndruan në të. U hapen burgje e u formuan kampe përqëndrimi. Nuk do të harrohet kurrë kampi famëkeq i Runikut.”

Drenica-nyje gordiane. E Prometheu del nga mitet sepse lukunia e ujqve të tërbuar ri-shfaqet në Pragun e Plisabardhëve

Përballë kësaj lukunie të ujqve të Ballkanit, shfaqet epika kreshnike e levendëve që e banë dekën si me le. Në penën e Bedri Tahirit shpalosen portretet e atyre që i dolën zot truallit që i lindi e i rriti. Prometheu del nga mitet antike, epika shqiptare e zgjatë sfidën e heronjve të përjetësuar nëpër gurët e qëndresës vijave të kufirit e pragut të shtëpive:

“Mjaft prekës është rasti i Halil Haxhisë, trimit dhe udhëheqësit të njohur nga Vitaku (dajë i Ahmet Delisë), të cilin për së gjalli, të mbërthyer me hekura, e kishin varrosur. Aty u masakruan edhe 18 krerë të Drenicës...”

Bedri Tahiri flet nëpërmes historisë, në mënyrë që historia të mos na përsëritet, sepse ai e di se po nuk e çmuam drejt të kaluarën, po nuk e mësuam atë mirë dhe qartë, ajo edhe mund të na përsëritet si mos më keq.

Dhjetori i vitit 1912, do të shfaqte një lukuni ujqish të tërbuar prej 13 syresh, në pragun e plisabardhëve. Komitat serbë po bënin reprezalje, terror e plaçkitje nëpër shtëpitë e shqiptarëve të pambrojtur e të lënë egërsisht dhe padrejtësisht në mëshirën e ansambleve të thinjura të diplomacisë hileqare të Euroës plakë. Prandaj, kënga popullore e ka përjetësuar aktin etik, historik, epik dhe kreshnik:

Banaj gati qato sakica

Te Halili kanë hi komita

Kur nuk des për atë kojshi

Nuk des baba, Mursel as për ty...

Bedri Tahiri flet me epikën e numrit 7:

“Shtatë hynë në shtëpinë e Demë Shabanit.” Ahmet Delia e lë kafen që ishte duke pirë në kullën e tij kreshnike: “I bëri zë të birit, Murselit, që po u jepte ujë lopëve tek bunari. Të dy bashkë, me sëpata nën sqetull, dolën në rrugë. I bëjnë zë Ramë Lutanit, duke ia përkujtuar besëlidhjen e mëparshme.” E Rama plak nu niset vetëm. me vete e merr edhe të birin “Jetullahin e ri shtatëmbëdhjetë vjeçar”. Lufta bëhet fyt për fyt. Shkijet me armë e shqiptarët me sopata e me hunj:

Ai Murseli si kreshnik

Me komitë fyt për fyt

T’mirë ni pushkë jau ka grabit

T’mirë ni pushkë me pesë fishekë

Sa herë qet ka nja pi vret

Autori e bën ndërthurjen e epikës kreshnike me tablonë reale nga e cila pamje e njëjtë edhe Ezhen Delakroa përjetësoi gjakimin e një populli të tërë në kryeveprën e tij Liria i prinë popullit.

Edhe tek heronjtë e pragut stërgjyshor, liria ua mbushë gjokset me forcën epike, liria dhe dëshira për të qenë të lirë dhe për të mos u nënshtruar kurrën e kurrës, u jep fuqi krahanorëve të tyre:

“Të tjerët nuk i zinin shkallët. Përplaseshin në njëri-tjetrin. Te dera i priste Rama me të birin. Tre i mbyten përdhunshëm, me hunj. Plagoset keq edhe Jetullahu. Pas pak edhe vdes ky djalosh trim. Më parë kishte ndërruar jetë edhe Ahmeti. Dy cerberë marrin ikën arave. Isuf Hasani u del në pritë, por e plagosin në dorë. Megjithatë, ata nuk arritën ta shpëtojnë, I vrasin para se të hynin në mal. Kishte mbetur gjallë veç Jovani. Të plagosur e zë Rama, por nuk e mbyt. E lëshon të shkojë dhe t’iu kallëzojë të tjerëve për katastrofën. Dhe, ashtu, si pa krye, mezi shkoi deri në Klinë të Epërme, ku gjendej komanda ushtarake serbe.

Nuk është pra epika e Homerit, as miti i lashtë grek. As Termopilet antike - nuk janë. Janë fushëbetejat për jetë a vdekje të levendëve të lirisë së Shqipërisë, të cilët sfiduan barbarët duke e vënë krenarinë mbi lumturinë, në mbrojtje të shtëpive e të vatrave stërgjyshore, sepse siç shkruan autori: “Ato janë kulte të shenjta, të cilat i çmojnë më shumë se sa jetën.”

Pas përfundimit të betejës, pamja është edhe më tronditëse, sepse dëshmohet nga komisioni i kontrollit pasi kishte kontrolluar “xhepat dhe çantat e të vrarëve: Ç’të shihnin? Përplot plaçka; orë xhepi, rruaza grash, qelibar, kutia bakfani, duhan, filxhanë, xhezve, mish të thatë, fasule e shumë gjëra të tjera.”

Besa e Bardhë. Vdekje e Bukur. Vdekje e Bardhë

E veçantë del figura e Ramë Islamit, i cili i përgjigjet kushtrimit të Ahmet Delisë. Besa e Bardhë mbahet dhe vihet në vend. Ajo përjetësohet në shërbim të lirisë. Por Ramë Islami përfaqëson edhe një kod të tërë epik të këtij kombi të lashtë sa rrënjët ilire: Të plagosurin nuk e mbytë. Pa pasur Konventa të Gjenevës, shqiptarët kishin konventat e kodit të tyre për sjelljen në luftë dhe me robërit e luftës, shekuj më parë.

Këtij akti sumblim të sakrificës njerëzore, këtyre figurave legjendare të epopeve të trojeve arbërore, këtyre kreshnikëve që dalin të gjallë si dif dragojtë e këtij dheu e si heronjtë e epikës fishtjane, Bedri Tahiri u ka kushtuar faqe historie e krenarie:

“Ahmeti e Jetullahu, të lidhur dorë për dore me tel xhembaç, qëndronin të shtrirë mbi një sajë. Bora binte pa pushuar mbi trupat e tyre të pajetë. E bija, Hatemja, qante te koka e babait. Qetë e mbërthyer në sajë nuk lëviznin. Edhe ata sikur e kuptuan gjendjen e tendosur e të rëndë plumb. Për krahësh e flakën vajzën në tokë dhe i nisën. Edhe ata i dërguan t’i varrosnin andej nga Tërnafci. Ashtu, të pandarë, Ahmetin dhe Jetullahun, i futën në një varr. Të tjerët nuk i trazuan. Ushtria u tërhoq ftohftas. Lëpihej për zullum, por s’gjeti asnjë shkas. Qëndresë e pastër. Heroizëm i pashoq. Vdekje e bukur. Vdekje e bardhë.”

Po. Një vdekje heroike për lirinë e shumëpritur. Një vdekje që pret romansierët, poetët, skenaristët e filmit, regjisorët, dramaturgët, operat, artistët...Sepse ata kanë rënë për lirinë tonë, sepse ata janë flijuar për ardhmërinë tonë, sepse ata janë bërë therorë për krenarinë tonë, prandaj me të drejtë pena e kronikave të ditëve të përgjakshme, përjetëson lavdinë me të cilën burrat e dheut të Arbërit e shkruan histroinë:

“E zymtë u mbyll ajo ditë e gjatë shekull. Të pikëlluar e zemërplasur mbetën prekazasit. Nuk i lejuan që ta përcjellin trimin e tyre. E kishin dashur dhe nderuar gjithë jetën. Mbi 30 vjet i kishte udhëhequr kudo, në beteja e në kuvende. E sot u ndanë shumë keq. Nuk e përcollën në amshueshmëri. Drejt pavdekshmërisë e çonin kriminelët, ata që e vranë. E futen thellë në dhe, që të mos ngjallej. Edhe të vdekur i druanin, ia kishin frikën, lugetërit.

... Por, kot. Ai vdiq, nuk u varros. Ai nisi të jetojë në zemrën e çdo shqiptari. Data e 25 dhjetorit të vitit 1912 ngeli një histori, e paharruar dhe e pavdekshme. Burrëria dhe trimëria e Ahmet Delisë, e Ramë Islamit dhe e bijve të tyre, Murselit e Jetullahut, mbetet akt heroik i mbrojtjes së nderit familjar e kombëtar. Flijimi për tjetrin është akt i madhërishëm. Altruizëm dhe fisnikëri. Porosia është fare e qartë. Pragu i shtëpisë dhe nderi i familjes janë të paprekshme! Cenimi i tyre nuk lejohet kurrsesi. Më parë përqafohet vdekja se sa poshtërimi. Ato mbrohen edhe me sëpatë. Kështu na mëson kreshniku i Drenicës, i cili, në moshën 62 vjeçare u doli përballë kriminelëve serbë.”

Një kronikë gjaku flet sa një akademi e tërë: Ahmet Delia është vetë Vranakonti i kështjellave të Skëndërbeut

Kjo kronikë gjaku flet sa një akademi e tërë e arteve dhe e shkencave, sepse kjo kronikë e shkruar me dashuri dhe me atdhedashuri, kjo kronikë e shkruar me fisnikëri dhe me bujari, ngre lart një trimëri që e ngriti lart ndjenjën për liri.

Kjo kronikë me gjurmë gjaku vie që nga Teuta e Ilirisë e deri tek Moti Madh i Gjergj Kastriotit, kur Kryefatosi i Kombit ia besonte kështjellat Vranakontit.

Ahmet Delia është Vranakonti me plis të bardhë. Ai e shpalosi gjoksin e tij prej kreshniku si një shkëmb graniti përballë hordhive të egra barbare. Ai u priu trimave në betejat për liri e në odat gjithë urti, për tridhjetë vjet rrjesht, por ai nuk hyri kurrë në bisedime me pushtuesit sepse trimi i fortë e burri i urtë, e dinte fare mirë se po u fute në bisedime me pushtuesit për tokën dhe për truallin e të parëve, atëherë kjo vetvetiu nënkupton se e pranon pushtuesin të ketë hise në të drejtën tënde, e pranon të ketë hise dhe të të bëjë hile. Si i tillë që ishte, ky Vilhelm Tel që e lindi koha jo vetëm një herë, siç e thotë me aq pietet Bedri Tahiri, frymëzoi brezat. Ahmet Delia frymëzoi Azem Bejtën e Azem Bejta frymëzoi Tahir e Nebih Mehën. E përpara varreve të martirëve të kombit shqiptar, përpara varreve të Tahir e Nebih Mehës, u frymëzuan dhe u përbetuan Jasharajt e Përjetësisë: Levendët e Lirisë së Shqipërisë.

Përmendorja që mungon është një zemër-klithje që përkujton, që zgjon ndërgjegje por edhe që me të drejtë akuzon për moskujdesje. Ajo është një përmendore që sfidon padrejtësitë por edhe që ngritet në piadestalin e lirisë, si dëshmi e qartë se koha i nxori në shesh Vilehlm Telët e këtij trualli, të cilët me sopata e me hunj u dolën përpara hordhive barbare. Një akt i tillë sublime na e përkujton tënien e Isa Boletinit se po të jemi të bashkuar, armikun e shporrim edhe me hunjtë e gardhit.

Mursel Ahmeti - koka tjetër kryengritëse e shqiponjës

Mursel Ahmeti është koka tjetër e shqiponjës e cila ngritet në lartësitë e përbetimit për lirinë e mëmëdheut, është përmendorja tjetër që mungon, e që në penën e kronistit i cili nderon pelerinatën e shenjtë të gjakut, sfidon padrejtësitë dhe harresën.

Mursel Ahmeti është një emër të cilin sa autori po aq edhe populli, e mba thellë në zemër. Ndërkaq, është kronisti ai i cili me magjinë e fjalës shqipe e ka shpalosur heroin në sfondin e kohëve gjithë zezona, në të cilat ai hapi gjoksin prej kreshniku:

“Sllavët, që kur zbritën nga degët e lisave dhe u zvarritën këtej deteve, me vete sollën egërsinë, barbarinë, harbutërinë, hipokrizinë, dinakërinë. Këtë të fundit e kishin të përsosur dhe ua kalonin të gjithëve. Historia dëshmon se ata më shumë janë zgjeruar me dredhira e mashtrime se sa me luftëra e me beteja. Atëbotë, sikurse edhe sot, çdo trazirë dhe lëvizje popujsh e shfrytëzuan në llogari të vetvetes. Secilën dramë politike të Europës: Luftën ruso-turke, dy Luftërat Ballkanike si dhe Luftën e Parë Botërore i shfrytëzuan për zgjerimin e kufijve të vet.”

Kronisti futet në mugëtirat e kohëve. Citon shkencëtarin e njohur anglez, Eadham Peocosh: “Hapja serbit derën e shtëpisë e ai të nesërmen ta kërkon gjysmën e saj dhe thotë se është e tij, kurse të pasnesërmen përpiqet të të hedhë jashtë nga dritarja.” Më tej Bedri Tahiri përkujton me të drejtë se besa na ka kushtuar shumë: “Shqiptarët përherë jetuan në trojet e veta. Kurrë nuk qenë pushtues, por gjithë të pushtuar. Çdoherë me armë në dorë e asnjëherë të lirë. Nga të parët e tyre, ilirët, trashëguan trimërinë, bujarinë dhe besnikërinë. Kjo e fundit është veçori specifike e që na dallon nga popujt e tjerë. Fjala b e s ë nuk është përkthyer në asnjë gjuhë tjetër. Nuk kishte nevojë. Ashtu është pranuar në koloritin shqiptar. Dhe, ajo na ka kushtuar shumë herë gjatë historisë. U besonim të pabesëve dhe e pësonim.”

Nikolla Pashiqi - plaku dinak dhe gjarpër

Nga një prizëm i përafërt vrojtimi, shkrimtari Haki Stërmilli do të shkruante se ne nuk na ka mundur fuqia e armikut sa na ka mundur tradhëtia e mikut. E duke e vazhduar fillin e një vrojtimi të tillë gjithëpërfshirës, Bedri Tahiri i ka krahasuar me të drejtë krimet dhe reprezaljet e Mbretërisë Serbo-Kroat-Sllovene me Ferrin e Dantes, Ferr të cilin e kishte përsosur “Plaku me mjekërr të bardhë, Pashiqi dinak”, për të cilin përkujton se “e zbuloi formulën magjike për asgjësimin e shqiptarëve: vrasje, torturime, djegie e masakrime të vazhdueshme. Pastaj pasuan shpërnguljet, për të cilat s’duhej të kursehej as kafshata e gojës.” Autori e ka cituar Pashiqin edhe në kontekstin e aktualitetit të ripërsëritur gjatë historisë:

“Më mirë krizë ekonomike për nja tridhjetë vjet se sa krizë politike për treqind vjet” - u kishte thenë ai serbëve të vet pushtues.”

Nëna e Çetave, Mbreti Zog, Azem Bejta dhe Nëna Sherfe

Kronisti gjithashtu ka rikthesuar lidhjet në mes të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe çetës së Azem Bejtës dhe Shote Galicës, e cila - siç sqaron autori, “u quajt edhe Nëna e Çetave”, kurse në sfondin e përplotësuar të figurës së Mursel Ahmetit, ai e ka shpalosur atë në një raport tejet vëllazëror në mes tij dhe “kryekomandantit të tyre Azem Bejtë Galica”, duke përkujtuar se Mursel Ahmeti ishte “bashkëluftëtari më i ngushtë dhe krahu i djathtë i Azem Galicës...Ishte djali i dytë i Ahmet Delisë.” Ndërkaq, raportet mes tij dhe kryekomandantit, jepen duke cituar në mënyrë lakonike vetë Azem Bejtën: “Çka e duroj Murselin e Ahmet Delisë nuk e kisha duruar as babën Bejtë. Shuplakë me më ra nuk ia kthej dorën.”  Është ky një respekt i ndërsjelltë trimash, prandaj autori i kësaj monografie - përmendore, kujton me krenarinë e ligjshme: “Kur u vra Azem Galica, Murseli kishte qarë me zë, si fëmijë...Edhe më vonë, kur ia këndonin këngën, fshehtas nëpër oda, qante e qante. Përmallohej e ngashërehej.”

Por Azem Bejtën, autori e ka paraqitur me ngjyra të gjalla përballë Mbretit Zog - në takimin që kishte me të, nëpërmjet një dialogu tepër domethënës e ironik:

Natë e ditë po ju vajtoj si nana evlatin e vet”, O Azem Galica - i tha ai, me një lloj mburrjeje.

Mos u lodh kot, o Mbreti ynë, - ia ktheu Azemi, - se boll po na qajnë nënat tona. Për me vajtue e kam nënën Sherife, por, pa dobi. Loti është robëri, është nënshtrim. Ne kemi nevojë të na vajtosh si babë, me armë. Vetëm gjaku është liri. “

Shtrati i Prokursit dhe armiqtë e përjetshëm të Shqipërisë e të shqiptarëve

Luftëtari sypatrembur përjetësohet nga pena që ia ka skalitur mermerin. Kronisti Bedri Tahiri përkujton se Mursel Ahmeti kishte ndërruar jetë në spitalin e Shkupit, më 1931: “Dyshohet se e kanë helmuar me të marrë vesh se ishte i biri i Ahmet Delisë.”

Pra, armiqtë e përbetuar të atdheut e të kombit, për të cilët Samiu i Frashëllinjve nënvizonte se janë armiqtë e përjetshëm të Shqipërisë e të shqiptarëve, me lak e me gjak, me zjarr e me hekur, me petulla e me helm, kishin vërë çdo gjë që frymonte shqip në Shtratin e Prokursit. Edhe varret e martirëve të lirisë i ruanin hijenat e çakërdisura, sepse ata e dinin se ata edhe ringjallen sa herë që bie Trumpeta e Krujës, prandaj kronisti i të bëmave të atyre që përtërinë faqe lavdie e historie të epopeve të Kastriotit, nënvizon se “xhandarmëria serbe nuk kishte lejuar që ta sillnin kufomën e tij në Kosovë. Siç tregojnë ata që i kishin parë, për një kohë të gjatë varri i tij ishte ruajtur nga forcat e sigurisë serbo-maqedone!”

Kronisti i kohëve të përgjakura, kronisti i fletëve të përflakura nga vetëtimat dhe rrufetë, e ka shprehur qartë krenarinë e tij të ligjshme, gëzimin dhe shpresën e tij në një mënyrë tejet sublime:

“Mirëpo, gjithmonë është thënë se trimat nuk vdesin kurrë. Kjo është e vërtetë. Dhe, sot, m 11 mars 2010, pas 79 vjetësh, përjetësimi i Tij në mermer, mu para Muzeut të Lirisë e përbri Vardarit, është shenjë e mirë e vetëdijësimit kombëtar, sepse nuk thuhet kot: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë! Ky është edhe një ugr ndjellabardhë dhe një hap drejt synimit përfundimtar të dëshmorëve-RIBASHKIMIT KOMBËTAR!”

Kronika epike dhe kujtimet e kalldrëmeve me gjurmë gjaku

Kronika epike me gjurmë gjaku shpaloset edhe më. Bedri Tahiri bashkëbisedon me kohët e kohët kujtohen kalldrëmeve me gjurmët e gjakut iliro-dardan, ashtu siç e thotë edhe kënga e bukur polifonike: vetëtimat dhe rrufetë hodhën zjarre e hodhën gurë,/Male t’larta hapin rrugën: po vijnë krushqit me Flamur!

Në këto rrugë dhe shtigje lirie, është portreti i një bije e cila kërkon varrin e babait dhe të gjyshit të saj. Është zemër-klithja e të bijës për babanë, një zemër-klithje e brezave të tërë: “M’i lëmoi flokët. Unë qava. Më kurrë nuk e pashë, as të vdekur.” Është Fata - e bija e Mursel Ahmetit, fjalët e së cilës autori i monografisë i nënvizon si një testament kohe: “Kurrë nuk pamë ditë të bardhë nga serbi.”

Gjurmëve të Shote Galicës

Fata e Mursel Ahmetit është edhe figura e një luftëtareje e cila sa ecën gjurmëve të gjyshit dhe të bababit, po aq ecën edhe gjurmëve të simotrës së saj Qerime Shote Galicës, prandaj kronisti Bedri Tahiri ka cituar autorin e librit SHABAN PALLUZHA dhe personalitete të Lëvizjes 1941-1945, Azem Xani:

Fata inkuadrohet në prapavijë të forcave ushtarake të Lëvizjes, nën komandën e Shaban Palluzhës dhe në luftërat e përgjakshme në Resnik e Vërnicë, duke luftuar fytafyt me forcat e armikut plagoset rëndë.

Trungu Ilir pikon gjak

Saga e familjes atdhetare Delia është saga e familjeve të mëdha shqiptare, të cilat ia vunë shpatullat lirisë së mëmëdheut, prandaj me të drejtë autori shkruan:

“Lisave të mëdhenj kot ua pret degët. Ata kanë rrënjë shumë të thella dhe nuk thahen dot. Përkundrazi, veç ripërtërihen. Një lis i tillë ishte edhe familja Deliaj e Prekazit. Pas vdekjes së Murselit nuk u shua rezistenca në këtë familje. Të tjerët e vazhduan aktivitetin patriotik e luftarak.“

I tillë ishte edhe djali i tretë i Ahmet Delisë, Zymeri. Të tillë ishin edhe fëmijët e Zymer Delisë. Isa Zymeri, ashtu si edhe babai i tij më parë, siç përkujton kronisti, u vu në mbrojtjte të atdheut me armë në dorë “dhe me shumë drenicas u vajtën në ndihmë artakollasve për t’u mbrojtur nga sulmet barbare të bandave të shfrenuara ushtarako-çetnike, të udhëhequra nga komandanti i garnizonit ushtarak të Mitrovicës, kolonel Vojisllav Kaliçanini e në koordinim me kryeçetnikun Drazha Mihajloviqin.”

Kjo familje fisnike mishëron të gjitha tiparet dhe virtytet atdhetare, sepse siç thekson autori, ata ishin: “Trima të pastër e të ndershëm. Siç tregojnë dëshmitarët, ata kurrë s’kanë prekur mall as gjë të huaj. Bukën e shkuat nuk e hanin. Shpesh veç me kumbulla e bënin iftarin.”

Kjo familje kreshnike, i bëri ballë zjarrit dhe plojës, u mbijetoi zezonave:

“Më 27 janar 1945 forcat partizano-çetnike serbe ia dogjën shtëpinë rrafsh me tokë në Duboc. Çdo gjë tjetër e plaçkitën dhe e tretën. Familja, që mezi i shpëtoi zjarrit, u arratis maleve. Të nesërmen e zunë Ahmetin, të vëllain e Isës, të cilin e dërguan në Vushtrri dhe e zhdukën pa shenjë pa dokë. E likuiduan gjakatrët e pashpirt.”

Isa Zymeri një Marathonomak me zemrën që pikon gjak

Isa Zymeri është një Marathonomak, i cili: “Bashkë me Hilmi Zariqin dhe Murtez Qirezin, arratisen nga burgu.” E kronika e telave me gjemba dhe e mureve me grila shfleton faqet e saj: “Të parin, Hilmiun, e vrasin ende pa dalë jashtë telave, ndërkaq të dytin, Murtezin, e zënë në Kralevë.”

Kjo kronikë e kohëve të përgjakshme, shënon vuajtjet e shqiptarëve, flet për to edhe si dëshmi por edhe si porosi shumë e qartë. Me ndihmën e shokëve, Isa Zymeri ia del ta kalojë kufirin e të shkojë në Shqipëri. Në shenjë hakmarrjeje cerberët fusin në burg të birin e tij “mu në qelinë e babës”, prandaj me të drejtë autori shkruan se: “Rruga jetësore e kësaj familjeje trime është e vështirë dhe përplot rreziqe, por e lavdishme dhe krenare.”

Kalvari kolektiv

Në pjesën Dëshmi e Faktografi, autroi i ka përmbledhur vuajtjet kolektive të një populli në kalvarin e tij të gjatë të lirisë:

“Ishte janari i vitit 1949. Burgu i Mitrovicës së Sremit ishte përplot shqiptarë. Mbi shtatë mijë të burgosur mbante i shkreti nëpër ato katër pavijone. Në një dhomë edhe nga 250 veta.”

E lartësuar dhe krenare del figura e Hilmi Iljaz Zariqit, një “ndër organizatorët kryesor edhe i mbajtjes së Kongresit të Lipovicës (Blinajës), më 25 korrik 1946”, për të cilin thuhet me të drejtë se përderisa kishte të tjerë që parapëlqenin të kalonin në Greqi, Hilmi Zariqi me shokë parapëlqenin të qëndronin dhe të luftonin në tokën mëmë.

Fati i këtij martiri të lirisë, është gjithashtu tragjik:

“Hilmi Zariqin e plagosur e zunë pranë një kanali ujitës. Ia dhanë edhe një plumb nga afër. Britma e tij na i këputi këmbët. Të dy qanim në fasule por s’kishim ç’të bënim. “

Kronikat e Bedri Tahirit dëshmojnë kështu se në CZ (Burgu i Nëndheshëm) e Titos, torturoheshin dhe gjakoseshin shqiptarët, pa u kursyer as familjet e tyre atdhetare, prandaj në plotni të kësaj kronike ai ka cituar edhe mendimin mbështetës nga bashkëkohanikët (Jetish Kadishani: UKË SADIKU-Komandant i Forcave Kryengritës të Kosovës, nëntor 1944-shkurt 1947):

“Gjatë mbajtjes së Hilmiut në burg, organet e OZN-ës jugosllave ia arrestojnë dhe ia burgosin për nëntë muaj në burgun e Mitrovicës së Kosovës të gjithë anëtarët e familjes së tij: nënën Qamile, gruan Feride, motrën Sabrie, bijtë Rexhepin dhe Hakifin dhe vajzën Xhevën. Edhe në periudhën e pastajme familja e tij përjetoi vuajtje të vazhdueshme, duke i privuar edhe nga të drejtat njerëzore të shkollimit, punësimit etj. “

Pena që përjetëson figurat kombëtare në Panteonin e Pavdekësisë

Në kapitullin Për Besë e Atdhe, japim jetën si me le, shkrimtari Bedri Tahiri u kthehet sërish figurave epike të tokës jetike:

“As trungu rrënjëthellë i familjes së Ramë Islamit dhe i birit të tij, Jetullahut, i cili më 25 dhjetor ra heroikisht në Altarin e lirisë, nuk u shkëput dot nga rruga e lavdisë kombëtare...Kështu Besim Rama, Rafet Rama, Bahri Rama e ndonjë tjetër pjesëtar i kësaj familjeje, ishin krahë të fortë të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe ndër themeltarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila riktheu nderin, krenarinë dhe dinjitetin tonë të nëpërkëmbur, e cila solli Dritën e Bardhë, solli LIRINË”

Bedri Tahir pra, futet kështu thellë në histori duke e shpalosur atë në plotni të trajetktores së saj. Autori ka përdorur shprehjen e cila në vetvete ngërthe një konstelacion blerues: NJË VEND NDERI NË PANTEONIN E PAVDEKËSISË. Dhe ky vend nderi u takon atyre që shkruan Epopenë e Prekazit, siç shkruan autori: mu në Ditën e Krishtlindjeve, më 25 dhjetor 1912. Heroizmin e këtyre burrave trima që shkruan faqe lavdie, autori e ka përmbledhur me fjalët më fisnike:

“Heroizmi i këtyre trimave u mbyll pastër, vetëm me rënien e tyre. Pra, një vdekje e bardhë, pa pasoja prapa.”

Pasi ka tërhequr vëmendjen se pushtuesit kanë përsëritur metoda të njëjtë (turqit në Masakrën e Manastirit, ku prenë pabesisht krerët shqiptarë), dhe serbët njëlloj: (“Ahmet Delia dhe Ramë Islami, për festën e Bajramit, ishin në Vushtrri. Ishte koha kur krerët e Drenicës i kishin mashtruar dhe pabesisht i kishin masakruar tek Ura e Podrançës, përkatësisht te Dheu i Kënatave, në Vushtrri”), me penën e tij prej kronisti të shquar, ka përjetësuar kujtimin e trimave:

“Ramë Islami e kishte përjetuar shumë rëndë Epopenë e Arbërisë së Vogël apo Luftën e Galicës, e cila u zhvillua më 15 korrik 1924. atë mëngjes të hirtë korriku, kur dëgjoi kushtrimin e Azem Galicës, i cili oshëtiu tej e tej Qyqavicës, i urdhëroi djemtë që t’i lënë pa fshirë duajt e shtruar në lëmë.”

Nga trungu u kësaj familjeje heroike, autori ka shquar edhe figurën e Fetah Ramës: “Gjashtë vjet kishte shërbyer nizam në Perandorinë Turke, diku në Jemen, ku piqej buka në diell, në vend të vëllait, Jetullahut.”; ate të Sokol Ramës: “Madje, akt solemn dhe i paharruar mbetet dhe sjellja e Flamurit shqiptar nga Roma dhe vënia e tij në ballkonin e Prefekturës së Tiranës.”; dhe se kur e kërkoi sërish liria e atdheut: “vetë plaku Sokol Rama ua mblodhi benë djemve se, nëse dorëzoheni për të gjallë ose nëse e theni besën, unë me dorën time do t’ju vras.”

Bijtë e këtij trungu familjar do të reshtohen përkrah komandantit legjendar Adem Jasharit duke i folur lirisë përmes zjarrit të zemrave të tyre por edhe përmes zjarrit të pushkëve të bardha kryengritëse.

Një Libër-Monument

Ky libër nuk është vetëm një libër monument për përmendoren që mungon, por ai është edhe një homazh për të rënët, një shprehje e nderimit, e respektit dhe e mirënjohjes së thellë për të gjithë ata, të cilët sigurisht se nuk kishin dëgjuar për betimin e poetit të pushkëve të bardha-të shkodranit të mençur e të shqiptarit të madh Pashko Vasës, por që gjithsesi se ishin ngritur për lirinë e shenjtë të mëmëdheut sipas parimit të Pashko Vasës, se urdhërat e ndërgjegjs kombëtare duhet të na vijnë për krerë dhe të na bindin për ushtarë...

Përmendorja që mungon është një vepër që lartëson idealin e lirisë, tek bashkëbisedon me heronjtë dhe kohët që flasin me zë gjaku, por ajo është edhe përmendore që sfidon dhe akuzon rëndë harresën dhe indiferencën, përderisa kronika e autorit është një kuvendim me plakun që mba një shekull jetë përmbi supe e me të cilin përpiqet të gjejë se ku është “ai vend i shenjtë”, përpiqet dhe ia del me zotësi dhe me kreanri të ligjshme ta rishfaqë në kujtesën e brezave një figurë prej Vranakonti e prej Vilhelm Teli, fotografinë e të cilit nuk e le ta mbulojë pluhuri i harresës në Arkivin e Vjenës.

Kronisti e nxjerrë nga xhepi emblemën e dikurshme të lirisë dhe përmes fotografisë ia shprushë kujtesën një plaku bashkëbisedues, i cili atë fotografi: “E puthte duke e larë me lot.”

Kronisti Bedri Tahiri i sfidon pra kolonët të cilët erdhën si pushtues në tokat tona: “I çelën malet dhe i bënë ara.” Ai sfidon kështu sa plakun gjarpër Nikolla Pashiqin po aq edhe qorrin e quajtur Adam, për të cilin u flet brezave shumë zëshëm, se i lëvronte edhe varret tona...

Bedri Tahiri me fuqinë e penës së tij ngritet kundër harresës, kundër paradokseve të përçudshme të cilat mund të na kthehen si mallkim po qe se nuk e mësojmë historinë mirë.

Ai përkujton kështu se historia e njerëzimit është në të vërtetë histori e sacrificës dhe e flijimit, është histori e nderimit, e lartësimit dhe e përjetësimit të Vranakontëve dhe Vilhelm Telëve në mermerin më monumental që kanë kombet e qytetëruara.

Kristale mendimesh

Bedri Tahiri shkruan qartë, bukur, rrjedhshëm e me një stil që e bën për vete lexuesin. Veçori dalluese në veprimtarinë e tij krijuese është shkëputja e mendimeve të shkrimtarëve të kohëve të ndryshme, marrja e thënieve nga gurra e popullit, nga mençuria e tij ndër shekuj; mendime dhe citate këto të cilat ai di t’i përdorë në mënyrë tejet të qëlluar e në funksion të tekstit të kronikave a të shkrimeve të tij, në të cilat gërshetohet përkushtimi prej studiuesi, dhuntia prej krijuesi, qasja nga prizmi prej historiani, serioziteti prej kronisti si dhe aftësia e gërshetimit të prirjeve letrare me stilin e publicistikës, e ku shquhet fjalia e qartë dhe e shkurtër, së bashku me përshkrimin e natyrës me tone të theksuara lirike.

Shembujt e mëposhtëm janë dëshmi e leximit me laps në dorë dhe e një kureshtjeje të gjallë për një lexim të parreshtur:

Më mirë është të ndodhin padrejtësitíë se sa të rregullosh në mënyrë të padrejtë (Gëte); Çdo njeri është farkëtues i fatit të vet (Klaudi); I lumtur është ai që ka dinjitet (Mark Tven); Gruaja e vërtetë, shoku më i mirë në jetë (Populli); Fillimi i fitores është guximi (Populli); Kombi kur mbrohet nga populli është i pathyeshëm (Populli); Balta mund t’i përlyej diamantët, por nuk mund t’i kthejë në baltë (R. Tagora); Atdheu është si familja, e ndiejmë nevojën e tij kur na mungon (Flober); Ai që është i mençur dhe i ditur flet vetëm atëherë kur të tjerët rreth tij heshtin (Saadiu); Të gjitha madhështitë e kësaj bote nuk vlejnë sa një mik i mirë (Volteri); Një popull që fle, vdes (I. Qemali); S’ka m’e ëmbël në këtë jetë,/Kur vdes shqiptari për Shqipëri! (M. Grameno); Vepra njerëzore më e bukur është të jesh i dobishëm për të tjerët (Sofokliu); Derisa të na mungojë liria, ne do të jemi gjithnjë kryengritës (B. Xhaferi).

Krijuesi dhe koha. Në mes: Kronikat e Gjakut

Bedri Tahiri është shkrimtari dhe kronisti që lexon me laps në dorë. Duke cituar nga veprat e të tjerëve, ai e dëshmon përmasën e seriozitetit dhe thellësinë e qasjes së tij krijuese:

“Kënga për Ahmet Delinë, e evidenton Drenicën si Shqipëri. Krijuesi shpreh vetëdijen e lartë kombëtare. Dëshmi se tragjedia dhe e madhërishmja janë pjesë e pandarë e historisë së popullit shqiptar. Janë vlerë e mirëfilltë e artit në vijimësi, që frymëzojnë dhe trimërojnë brezat për luftë kundër pushtuesve.” (Prof. dr. Adem Zejnullahu. Vuajtja dhe qëndresa në këngë historike. IAP. Prishtinë. 2010, f. 241.

Marin Barleti në veprën e tij Rrethimi i Shkodrës, na i ka lënë kronikat e shkruara me gjak, Risto Siliqi na ka lënë kronikat e kryengritjeve shqiptare duke e titulluar veprën e tij Pasqyrë e Ditëve të Përgjakshme, Hasan Prishtina na flet nëpërmes Një shkurtim kujtimesh, e Mihal Grameno i ka shpalosur kronikat e gjakut krynegritës, tek flet me veprën e vet Kryengritja Shqiptare...

Bedri Tahiri nuk është shkrimtar që frymëzohet për të shkruar për pupla të buta. Ai parapëlqen për të shkruar rreth botës epike të Drenicës kreshnike, sepse atë e ushqen lavdia e maleve tona liridashëse, për shkëmbijtë e të cilave Dedë Gjo Luli thoshte me krenarinë e ligjshme se e bënin grykën e pushkës së tij, shumë më të gjërë se grykën e topave të knjazave të krajlave.

Mehmet Kajtazi: Në krahët e një suferine

Duke vlerësuar këtë vepër të rrallë atdhedashurie, bashkëkohanikët  janë shprehur gjithë pietet, si për heroin ashtu edhe për kronistin, duke theksuar se: “Ahmet Delia është përherë në krahët e një suferine, por kurrë nuk bie...Edhe vetë Hasan Prishtina e cilëson mendimin e Ahmet Delisë më të zgjuar e më me peshë se Parlamenti turk, të cilit ia kishte kthyer shpinën...Përveç ngjarjeve histroike që i njeh, autori ka edhe imagjinatë të shëndoshë, të cilën e gërsheton me realen, andaj i del vepra e nivelit të shkëlqyeshëm.”

Liman Rushiti: Përmendorja që nuk e bren moti as stina

Mjaft afirmativ është shprehur në mendimin e tij vlerësues edhe prof. dr. Liman Rushiti, duke theksuar se:

“Bedri Tahiri, i lindur dhe i rritur pranë vatrës së kryekomandantit Azem Galica, në Galicën heroike, mori guxim t’i hyjë një pune, sa të vështirë aq edhe të rëndësishme, për të mos i lënë harresës kujtesën historike të jetës dhe veprës së atdhetarit të madh, Ahmet Delisë së Prekazit.

Kështu, në veprën “Përmendorja që mungon”, autori me mjeshtri të rrallë, trajton jetën dhe veprën e Ahmet Delisë që nga lindja, madje edhe me herët duke hyrë në mugëtirat e historisë, tek heroi i parë drenicas, Milosh Nikollë Kopiliqi, e deri në rënien e tij heroike, në betejën e tij të fundit, më 25 dhjetor 1912.

Autori, me të dhënat që i mblodhi si bleta nektarin, duke fluturuar lule më lule, ka arritur që me sukses të shkëlqyer të pasqyrojë jetën dhe veprën atdhetare të Ahmet Delisë e të Ramë Islamit me bijtë e tyre, Murselin e Jetullahun, brenda një tridhjetë vjeçari kohor të historisë sonë të lavdishme.

Me këtë vepër autori i guximshëm dhe i palodhshëm Bedri Tahiri na paraqitet në vitin 1997, vetëm dy muaj para paraqitjes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Lllaushë të Drenicës, më 28 Nëntor 1997.”

E vetë Bedri Tahiri ka sqaruar si është rikthyer veprës së tij, nga një kohë për të cilën ka rikujtuar se “ishte zezonë fare”, tek një kohë ribashkimi kombëtar.

Në përmbushje të një detyre thellësisht kombëtare: Atdhetarizmi Jeton në Përjetësi...

Pena shpesh i ka pri pushkës, prandaj autori kujton se koha kur e kishte botuar librin për herë të parë më 1997, ishte një kohë kur: “Veçsa nuk kishte shpërthyer vullkani përvëlues mbledhur në vite e decenie. Barbaria serbe kishte ngulfatur çdo gjë që frymonte shqip. Etnosi ynë ishte vënë në zgrip të zhbërjes. Në këtë përpëlitje për të mbijetuar unë ia mblodha këmbëzën kobures...Kjo krismë u dëgjua larg e larg. Po ato ditë libri u publikua në vazhdime edhe në mërgatë, tek “Zëri i Kosovës.”

Kur komandanti ynë legjendar, Adem Jashari, dha kushtrimin e lirisë, libri po bënte çapin e parë në jetë. Pa rënë mirë në dorë të lexuesit kureshtar e përpiu flaka e piromanëve mesjetarë serbë...”

Gjakimi i autorit është për të ribotuar veprat, për t’i plotësuar ato edhe më shumë, për t’iu folur brezave që vijnë me porosi mjaft të qarta. Por siç e thotë vetë: “Me rëndësi është thelbësorja. Tashmë libri nuk ka vetëm karakter thjeshtë letrar e publicistik, por edhe historic e studimor.”

Qëllimi dhe porosia e autorit nga ky libër, del qartë:

Kush nuk e njeh historinë, nuk e do as ardhmërinë...Të shkundet pluhuri I harresës e të ndriçohen aq sa munden temat e ndaluara. Kjo është detyrë kombëtare. Çdo vonim është dështim. Vetëm kështu, sado pak mund ta lajmë borxhin dhe t’i shpëtojmë mallkimit të brezave që do të vijnë...Se edhe eshtrat treten e shkrimet mbesin.

Dhe, ia fillova punës aty ku kisha ngecur. Nuk kurseva asgjë. I rashë trup e tërthor Drenicës dhe trojeve të tjera shqiptare të Kosovës. Si bleta mblodha nektar t’ua shuaj etjen lexuesve kureshtarë. E dija që ata duan edhe meritojnë edhe më shumë, por, kaq pata mundësi, ka bëra...”

Lasgush Poradeci: Ku pyesnin këta trima se ç’vendime kishte marrë Europa!?

Duke aluduar me të drejtë tek Paqja e Shën Stefanit dhe Konferenca e Londrës, Lasgush Poradeci i cili gjatë udhëtimit me tren nëpër Kosovë, kishte parë Azem Bejtën dhe trimat e tij që suleshin si era, me të drejtë shtroi pyetjen e mësipërme.

Dhe shkoi Lasgushi të studionte në Vjenë, i mbushur me krenari të ligjshme dhe me shpresë se liria do të vinte edhe në këto troje, gjithmonë duke e kujtuar fytyrën e Azem Bejtës dhe të trimave të tij, e për të cilët pyeste Europën plakë: Hë, kapet era?!

Pa penën, jehona e pushkës mbetet e shurdhër. Pa veprat e Marin Barletit dhe veçmas pa kronikat e kohës së tij, ne nuk do ta njihnim sa duhet dhe si duhet heroizmin e kryetrimit legjendar Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut. Nuk është rastësi që brezat sot i kthehen veprës së Marin Barletit, në etjen për të ditur sa më shumë për epokën e madhe liridashëse të Krye-Heroit Kombëtar.

Pena që Përjetëson: Flakadanët e Lirisë

Nuk është rastësi pse Bedri Tahiri e ka pagëzuar një nga veprat e tij me titullin: Atdhetarizmi jeton në përjetësi. Edhe një dëshmi se epopeja legjendare e Drenicës, epopeja e levendëve të lirisë së Shqipërisë kulmon me Jasharajt, dhe se kjo epope e ka penën e saj të denjë, pena që shkroi dhe përjetësoi kronikat e gjakut të derdhur lum për lirinë e shenjtë të mëmëdheut.

Pa dyshim, një penë e cila duke qëndruar në mes të kronikave të Mihal Gramenos për Kryengritjen Shqiptare dhe tablosë aq domethënëse të Ezhenë Delakroas Liria i prinë popullit, e dëshmon vetvetiu se kronikave të kohëve të stuhishme nuk u kanë munguar kurrë Marin Barletët që përjetësojnë: FLAKADANËT E LIRISË...