Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Marjan Sebaj-Sopi: Intervistë me Prof. Nazif Laçi, historian

| E hene, 01.12.2014, 10:00 PM |


Intervistë me prof. Nazif Laçi, historian

“ Këta gur janë të Kishës, deri dje kemi qenë në Kishë e tani prej Kishës po e ndërtojmë Xhaminë. Pra, edhe Xhamia edhe Kisha është e jona e nuk na keni sjellë ju nga Karpatet!“  (Feriz Qaushi 1872-1947, nga Smira e Vitisë)

Ekskluzive nga Marjan Sebaj-Sopi

Marjan Sebaj-Sopi: Prof Nazif Laçi i nderuar, është kënaqësi të bashkëbisedojmë me Ju, njëherit që në fillim ju falenderojmë për kohën e çmuar Tuajën e të cilën na kushtoni të gjithë neve e në veçanti gjeneratave të reja të cilat gjithnjë i keni pasur dhe i keni shumë për zemre. Për fillim të kësaj bisede-interviste ju kisha lutur të na prezentoheni me një biografi të shkurtër tuajën?

Nazif Laçi: Jam i lindur më 7. mars 1947., në fshatin Smirë, komuna e Vitisë. Rrjedh nga një familje fshatare, por për fat të keq jam rritur vetëm me njërin prind. Nëna  më ka vdekë qysh në fëmijëri kur isha në moshën tre vjeçare.

Shkollimin fillorë ciklin e ulët katër klasëshe e kam kryer në Smirë, vendlindje, kurse katër klasët e ciklit të lartë të shkollës fillore në fshatin Goshicë. Pastaj, jam regjistruar në shkollën normale „Zef Lush Marku“ në Shkup ku kam kryer dy vitet e para e më pas jam tërhjek në shkollën normale „Zenel Hajdini“ në Ferizaj ku kam vazhduar edhe tre vitet tjera, që do të thot kam diplomuar në shkollën normale në Ferizaj.

Në vitin shkollor 1968/69., kam filluar punën si mësues, gjegjësisht arsimtar lëndorë, ku kam dhënë gjuhën shqipe, kam dhënë histori, biologji… në fshatin Gushicë disa vite, e më pas jam tërhjek si mësues në fshatin Smirë.

Krahas punës edukativo - arsimore kam vazhduar edhe studimet në Universitetin e Prishtinës dega e Historisë ku edhe kam diplomuar.  Siç ceka më lartë në Goshicë dhe Smirë kam punuar si mësues diku rreth njëzet vite dhe me kënaqësi e them; kam përcjellë pesë gjenerata prej klasës së parë e deri në të katërtën.

Vitin 1989., më kanë zgjedhë drejtor në shkollën fillore „Ganimete Tërbeshi“ në Smirë, këtë post e kam kryer në kohën më të vështirë për shkollën Shqipe deri në vitin 1993, dhe nga ky vit jam tërhjek dhe kam filluar punën si profesor në shkollën „Kuvendi i Lezhës“ në Viti ku kam punuar deri vitin 2012., kur edhe dola në penzion. Në këtë periudhë gjatë okupimit Serb nga viti 1989., e deri 1993., kur shkolla shqipe përjetoi gjenocidin më të ashpër atëherë isha edhe kryetar i aktivit të drejtorëve të shkollës Shqipe në Viti. Dhe, me mburrje e them se këtë dëtyrë kuptohet së bashku me kolegët e mi e kam udhëheq në mënyrë të suksesshme, gjatë kësaj kohe edhe ishte ajo ndarja definitive kur u bë nga poshteti Serb.

Marjan Sebaj-Sopi: Ambienti i Juaj familjiar, a mund të na thuani diç më tepër rreth familjes Tuaj të ngusht?

Prof. Nazif Laçi: Po, sa i përket familjes sime, unë i kam pesë fëmijë, tre djem e dy vajëza. Bashkëshortja ime është nga Kabashi, është mbesa e Halit Kabashit një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare i Moravës së Epërme. Jam i lumtur që të gjithë fëmijtë e mi si djemtë poashtu edhe vajzat me mundësitë e mia kam arritur t’i shkolloj. Gjithë e kanë të kryer shkollën e mesme dhe dy nga ta kanë fakultetin, djali i vogël Flamuri ka të kryer Arkitekturën, vajëza Gjezidja është punëtore medicinale, Naseri ka kryer shkollën e lartë inzhinjer i elektros, ndërsa Avniu ka të kryer shkollën e mesme bujqësore, kështuqë vetën e ndiej të qetë e të lumtur sa i përket çështjes familjiare meqë të gjithë janë të arsimuar dhe qëndrojnë mirë ekonimikisht por mbi të gjitha jam i lumtur meqë të gjithë kanë pasardhës-fëmijë.

Marjan Sebaj-Sopi: Juve edhe më të lumtur ndiheni kur shkruani, kur hulumtoni, kur zbuloni e gjeni dëshmi mbi historinë e vendeve apo më saktë të vendbanimeve të Anamoravës në veçanti?

Prof. Nazif Laçi: Është e vërtetë se tërë jetën jam marrë me shënime, me shkrime, që dua të them edhe para luftës së fundit në Kosovë kam gumbulluar shënime, jam marrë me shkrime por të cilat i kam publikuar pas lufte. Kështu për shembull librin e parë „Smira nëpër shekujt“ e kam botuar pas lufte saktësisht në vitin 2001. Librin e dytë e kam botuar vitin 2005 me titull „Brezi i tretë i normalës së Ferizajt“, librin e tretë monografik „Kuvendi i Lezhës“ në Viti e kam botuar vitin 2008., kurse librin tim të katërt për „Laçët e Smirës“ e kam botuar këtë vit, dmth vitin 2014. Pos punës sime krijuese shkencore dmth të lëmisë sime dmth historike ngapak mirrëm edhe me poezi kuptohet si amator, pra shkruaj edhe poezi dhe deri më tani kam një material të pasur që pres të botoi së shpejti, së paku dy përmbledhje me poezi të cilat i kam në dorëshkrim. Pra, këto janë ato aktivitetet e mia dhe frytet e deritanishme çka i përket shkrimeve. Tani meqë jam në penzion, e kaloi kohën e lirë në hulumtime, duke marrë shënime nga pleq tanë, nga intelektual e dëshmitar të kohës dhe rrethanave të ndryshme historike në të cilat ishim, mirrëm me shkrime, dhe kam kohë të mirrëm me aktivitete të shumta, me punë krijuese, kontaktoi me shumë njerëz që mirrëm me këtë lëmi dmth histori.

„Smira ndër fshatrat më të lashtë të Moravës së Epërme… Dëshmitë e gjetuar flasin për vendbanim iliro-dardan të shekullit II…“

Marjan Sebaj-Sopi: Profesor i nderuar, juve Ju njohin gjenerata të tëra si një njeri i afërt, komunikativ, dashamirë i arsimit, guximtar dhe njeri i vendimeve të mëdha, punëtor i madh i çështjes kombëtare e në veçanti dalloheni për punën e Juaj shkencore, mbledhjen e fakteve, dokumenteve të shkruara dhe atyre gojore, vlerave kombëtare, ose më mirë të themi mbledhës i të dhënave historike. Jeni të njohur me shkrimet e bukura që i bëni, me mbledhjen e dëshmive të ndryshme nga shumë dëshmitar nëpër shumë fshatëra veçmas atyre të Anamoravës. Meqë cekët monografinë mbi fshatin Smirë, një libër i mrekullueshëm që keni shkruar,  çka mund të na thuani për këtë fshat të lashtë iliro-dardan?

Prof. Nazif Laçi: Ju falemnderit për këto fjalë miradie. Jam munduar tërë jetën ta zbuloi, ta them dhe përhapi të drejtën dhe të vërtetën e veçmas atë të popullit tim i cili vuajti shumë gjatë historisë, por që pranë gjithave iu ka qëndruar të gjitha stuhive stoikist dhe me mburrje e krenari qëndron. Sa i përket monografisë sime mbi fshatin tim, të them; Smira është në mesin e fshatërave më të lashtë krahas Binçës në Moravën e Epërme, mund të them lirisht ndër vendbanimet më të lashtë edhe në Kosovë e gjetiu, dhe tani për tani Smira është edhe ndër fshatërat e mëdhenjë të Kosovës, ku numëron mbi 700 shtëpi me mbi 5000 banorë. Smira si fshat, siç e interpretonin doherësh brezat e thoshin në gojëdhënë se Smira është e ardhur nga Vokshi i Gjakovës (dmth që kinse njëherë janë vendosur në Radivojc e më vonë në Smirë) nuk qëndron, pasi qe të gjitha hulumtimet dhe zbulimet e deritashëm që kam bërë unë (e disa historian e arkeolog tjerë), pra sipas dokumenteve historike, del se Smira është autoktone. Në favor të kësaj pra flasin edhe dokumentet historike, dëshmitë apo monumentet e gjetura arkeologjike e veçmas ato burime materiale të cilat janë zbuluar vitin 1981-88., kur është ndërtuar Xhamia në Smirë, pra duke punuar në themelet e Xhamisë janë zbuluar gjetje, monumente të rëndësisë së veçant për historinë e këtij vendbanimi dhe historiografinë e Kosovës dhe popullit Shqiptar.

Në këto themele, të Xhamisë në Smirë, janë zbuluar, gjetur, epigrafe – gurë të shkruar të shekullit II., në to është i gdhendur (apo vizatuar) hardhia e rrushit, pastaj një fotografi që paraqet një hyjneshë Iliro-Dardane etj. Kështuqë, të gjitha këto dhe gjetje, monumentet tjera arkeologjike janë argumente që flasin se Smira ka qenë një vendbanim i lashtë antik i banuar dhe se në te qyshmë atëherë kanë qenë të ndërtuara dy Kisha të mëdha.

Marjan Sebaj-Sopi: Ku gjindën këto gjetje, këto dëshmi-monumente, të rëndësishme arkeologjike sot?

Prof. Nazif Laçi: Me këtë punë është marrë një grup arkeologësh të Kosovës në krye me arkeologën tonë të njohur znj. Edi Shukriu. Të gjitha këto dokumente materiale, këto monumente arkeologjike gjindën në hapësirat e fakultetit filozofik në Prishtinë, duke ditur se ato dëshmi-momunente materiale nuk e kanë vendin aty neve kemi bërë një reagim dhe se ato dëshmi të rëndësishme vendin e kanë dhe duhet doemos sa më parë të vendosën ose në muzeun ose arkivin e Kosovës.

Marjan Sebaj-Sopi: Mu duk e rëndësishme të dimë se ku gjindën këto dëshmi materiale, kështu ju ndërpreva aty ku deshët të na tregoni lidhje me ndërtimin e dy Kishave të lashta në Smirë?

Prof. Nazif Laçi: Dëshmitë e njërës Kishë të lashtë gjindën te vendi që ne e quajmë Ledenc, aty kemi shenja të një kështjelle (të një kalaje) dhe pikërisht pranë saj është ndërtuar një Kishë që është dëshmi se Smira është vendbanim i lashtë por edhe që ka qenë vendbanim i madh meqë menjëherë në atë kohë (njëkohësisht) është ndërtuar edhe Kisha e dytë në Smirë. Kjo Kishë e dytë është ndërtuar mbi fshat dmth në pjesën më jugore të fshatit që quhet edhe sot „Te kroi i Kishës“ ku ende janë prezente dhe shihen themelet e asaj Kishe aty me të gjithë infrastrukturën egzistuese përcjellëse të saj si shembull ujësjellës, kanalizim etj…

Fatkeqësisht të gjitha gjësendet monumentale të cilat janë zbuluar e gjetur kohë pas kohe në ato lokacione, janë shkatërruar. Është e vërtetë se ato dëshmi apo monumente materiale arkeologjike të ndryshme i kanë gjetur kuptohet smirakët por fatkeqësisht nuk iu kanë dijtë vlerën e tyre dhe nuk i kanë ruajtur  gjërat të cilat kanë qenë me vlerë të jashtëzakonshme historike.

Marjan Sebaj-Sopi: Kur jemi te fshati Smirë të cekim se sot Smira është e banuar me Shqiptarë të konfesionit mysliman?

Prof. Nazif Laçi: Po, sot Smira është e banuar tërësisht me Shqiptarë të besimit Islam. Mirëpo, në bazë të hulumtimeve dhe gjetjeve historike, dokumenteve të ndryshme, burimeve të shkruara, monumenteve arkeologjike si dhe emërave të cilët janë gjetur në Smirë, del se Smira diku nga brezi i shatë apo i tetë të janë të gjithë të besimit të Krishter. Sipas të gjitha gjasave, dmth nga burimet e paverifikuara tërësisht, por sipas mendimit tim, dhe duke u bazuar sipas emërave që janë gjetur në Smirë, më duket se mos kanë qenë këta banorë (ose një pjesë e madhe e tyre) më herët Shqiptarë të besimit të krishterë-ortodoks?! Dhe gjatë periudhës Osmane që dihet është bërë Islamizimi i popullatës të Smirës sikur që ndodhi edhe në shumë vendbanime tjera në trojet shqiptare. Lidhje me konvertimin e popullatës së Smirës nga të krishterë në musliman flasin edhe disa pllaka të cilat janë gjetur në varrezat e vjetra në Smirë të cilat gjindën në pjesën lindore të fshatit, në ato pllaka është bërë dëshifrimi i disa shkrimeve të cilat i ka deshifrue një studijues i gjuhëve orientale osmane (nuk më kujtohet emëri i tij) e që tregojnë se islamizimi ka ndodhur diku rreth treqind viteve më parë dmth shkon deri tek brezi i shtatë-tetë e më pas gjitha brezat më herët dalin të Krishterë.

Marjan Sebaj-Sopi: Profesor i nderuar, dihet se si erdhi deri tek konvertimi i popullit shqiptar në fenë islame, por ju gjithnjë e cekni se populli shqiptar pamvarësisht përkatësisë së tij fetare gjithnjë ka qenë dhe është  i vetdijshëm përkatësisë së përbashkët Kombëtare, vëllazërisë ndërshqiptare, gjakut të përbashkët. Duke lexuar librin tuaj monografik mbi fshatin Smirë, mua më ka lënë përshtypje sjellja e banorëve smirak gjatë ndërtimit të Xhamisë në Smirë, veçmas reagimi i një fshatari tuaj të urtë lidhje me ndërtimin e Xhamisë?

Prof. Nazif Laçi: Kur është bërë rindërtimi i dytë i Xhamisë e cila është prishë nga themelet dhe rindërtuar për herë të dytë, dhe pikërisht aty gjatë rindërtimit janë gjetur gurët e Kishës, gur me të cilat është ndërtuar Xhamia.

Gjatë kohës së Mbretërisë Serbo – Kroato - Sllovene dmth nga vet banorët e fshatit Smirë janë marrë gurët nga themelet e Kishës, te vendi i quajtur „Te kroi i Kishës“ siç kemi cekur më lartë, për të rindërtuar Xhaminë. Me të dëgjuar këtë, kolonizatorët Serb-Malazez nga fshati Gërmovë në mënyrë të organizuar vijnë në Smirë me vrap për t’i marrë këta gur me arsyetim se Kisha qenka e tyre, dhe thojnë; „Këta gur janë të Kishës serbe, të Kishës tonë...!“

Mirëpo, një plak i urtë Smiras Feriz Qaushi iu del para me banorët e Smirës the iu thot; “ Këta gur janë të Kishës, deri dje kemi qenë në Kishë e tani prej Kishës po e ndërtojmë Xhaminë. Pra, edhe Xhamia edhe Kisha është e jona e nuk na keni sjellë ju nga Karpatet!“

Kjo ishte ajo përgjegja e tij dhe me një fjalë e gjithë banorëve të Smirës të cilët i larguan Serbët nga fshati. Nga atëherë Smirakët kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e gjetjeve arkeologjike në fshatin e tyre, dhe më pas gjatë rindërtimit të Xhamisë vitin 1981., me fanatizëm dhe gjelozinë më të madhe i kanë ruajtur gurët e Kishës dhe të gjitha gjetjet e mëvonshme në këto treva të lashta iliro-dardane.

Marjan Sebaj-Sopi: Kur është fjala te lashtësia e këtyre vendbanimeve, dje me 30. tetor në një emision në Rtk ku ishte musafir kryetari i komunës së Vitisë ztr. Sokol Haliti, mes tjera ai cek që në anën e Moravës janë disa fshatra më të lashtë në Kosovë me kështjellat e tyre, por që ende nuk janë gërmuar e zbuluar sa duhet. Ai, (dhe shumë historian) cek se në këto pjesë kemi pesë kshtjella të lashta si në fshatin Binçë, Gërçar, Velekincë etj?

Prof. Nazif Laçi: Së pari këto kështjella të cilat i cekni edhe juve më lartë, është e vërtetë historike se këto kështjella janë Ilire, si ajo e Binçës, Mjakut, Gërçarit etj…, edhepse mund të themi se nuk janë të zbuluara akoma sa duhet. Por mendoj se është koha e fundit dhe neve na mbetët të punojmë shumë për të dëshmuar më bindshëm lashtësinë tonë. Kosova dhe trojet shqiptare janë të lashta, populli shqiptar që nga Pellazgët-Ilirët-Etruskët-Ilirët dmth sot Shiqptarët kanë lënë gjurmë të pashlyera në kulturën europiane. Nga këto shihet civilizimi i lashtë. Mund të themi lirisht që është fakt i ditëve të sotme që kudo gërmojmë hasim në monumente të lashta të ndyshme si tempuj, kisha, kështjella e çka jo. Kjo na bënë krenar por e jona është të punojmë, të hulumtojmë dhe zbulojmë të kaluarën tonë të lashtë, kudo të graposh, në çdo pëllëmb të tokës shqiptare kudo të hapësh tokë do të gjejsh diç nga lashtësia e jonë. Gjetjet, monumentet, duhet ruajtur me fanatizëm si sytë të ballit sepse ajo është e jona, ka qenë është dhe do të jetë pasuri kombëtare, kulturë e lashtë dhe autoktone e jo siç kanë pretenduar disa pseudohistorian (kryesisht serb) se kinse Shqiptarët na qenkan ardhacak. Jo jo, sepse toka fletë edhe vet kurse e jona është të zbulojmë dhe mbrojmë ato.

„…çështja e gjakut të përbashkët mes shqiptarëve kurrë nuk është luhatur, pamvarësisht përkatësisë së tyre fetare të besimit islam apo të krishterë-katolik. …“

Marjan Sebaj-Sopi: Prof. i nderuar, juve në bisedave me njerëz që sot shumë nga ta nuk  janë në jetë, por që juve keni mbledhë dëshmi gojore të cilat gjindën në librat dhe bibliotekën tuaj, cfarë keni nxjerrë nga ata? Çfarë mund të na thoni lidhje me marrëdhëniet njerëzore apo më mirë të themi ndërvëllazërore gjatë shekujëve ndërmjet këtyre vendbanimeve me kështjella e gjetje tjera arkeologjike të lashta?

Prof. Nazif Laçi: Kurse, sa i përket marrëdhënieve ndërnjerëzore mes këtyre fshatërave si shembull mes fshatit Binçë, Smirë, Gërçarit, Stubllës, Terpezë, Goden dhe fshatëra të tjerë, historikisht kanë qenë të qëndrueshme dhe në marrëdhënie vërtetë vëllazërore si në të mirë ashtu edhe në ditë të vështira. Fatin e kanë të përbashkët si vëllezër shqiptar. Edhepse konfesionet fetare të mëvonshme të cilat u krijuar veçmas gjatë kohës së Perandorisë Osmane fatmirësisht asnjëherë nuk i kanë lëkundur marrëdhëniet ndërvëllazërore dmth çështja e gjakut të përbashkët mes shqiptarëve kurrë nuk është luhatur, e në veçanti në marrëdhënie të shkëlqyeshme kanë qenë marrëdhëniet mes fshatit Smirë dhe Binçë gjatë gjithë historisë. Kemi ato raportet ndërvëllazërore të cilat janë ruajtur në mënyrë zingjirore deri më sot e që do të kultivohen e ruhen për jetë. Unë kam pasur kontakte me njerëz të moshuar të Smirës por edhe të Binçës e në mesin e tyre edhe me Dodë Doda një burr, një nacionalist i përbetuar i Binçës (këtë e dëshmojnë shumë njerëz), ishte një intelektual i shquar për kohën kur ka jetua, një luftëtar i paepur i çështjes Kombëtare, edhe ky si paraardhësit e tij kanë punuar shumë në ruajtjen e marrëdhënieve ndërvëllazërore mes banorëve të fshatit Smirë e Binçë pamëvarësisht presioneve të mëdha që bëheshin nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene më herët dhe pushtetit komunist jugosllav më vonë, për të futur përçarje mes vëllezërve shqiptarë. Pra, ai me bashkëkohanikët e tij si nga Binça ashtu edhe nga Smira dhe fshatërave të tjerë për rreth, në mënyrë të denjë ka punuar për ruajtjen e marrëdhënieve të mira mes shqiptarëve pamvarësisht përkatësisë së tyre fetare të besimit islam apo të krishterë - katolik. Këto marrëdhënie të mira vëllazërore kanë qenë të shkëlqyeshme, janë edhe sot dhe besoi se kështu do të mbesin përgjithmonë.

Edhe Kisha edhe Xhamia janë tonat, dhe asgjë nuk i pengon Smirakët (dhe banorët e fshatërave të tjerë) të shkojnë në Kishën e Binçës apo Binçollët të vijnë në Xhami, bile si shembull kemi fjalë miradie dhe më të mira për shërbimin e motrave të nderit që kanë shërbyer e shërbejnë në Kishën e Binçës. Dikur mungonin ilaçe-barëra, dhe ato papërtes dhe farë dallimi vinin e iu shërbenin nevojtarëve në Smirë e gjetiu. Ato gjithmonë iu kanë dal në ndihmë banorëve të Smirës e fshatërave të tjerë që i përkasin besimit Islam. Kanë shërbyer deri në vetflijim pa farë dallimesh, veçmas ishin në ndihmë gjatë ndonjë lindje të ndonjë gruaje të Smirës, këtë e mbajë mend edhe unë shumë mirë, apo sëmundje tjetër… Për këtë  banorët e Smirës dhe fshatërave për rreth janë mirënjohës e falenderuas për jetë për ndihmën që iu është ofruar e që ende vazhdon t’iu ofrohet saherë e kërkon nevoja e kërkohet nga to. Ato pa përtes kanë ardhur në Smirë natë e ditë, shi e borë, nxeht e acar dhe kurrë nuk e kanë kursyer vetën e tyre por në Smirë kanë qenë të mirëseardhura dhe të pritura sikur në familjen e vet, sepse të gjithë ato janë edhe motra tona, të përbashkëta, për të mirë dhe në dobi të së mirës sonë të përbashkët. Sidomos nuk harrohet shërbimi i motrave tona të nderit gjatë kohës së helmimit të nxënësve shqiptarë. Punuan e iu ndihmuan aq shumë nxënësve saqë lirisht mund të them se me ata vuanin edhe motrat, pacientët qanin por së bashku me ta qanin edhe motrat, bashkëndanin dhimbjen dhe vuajtjen me ta. Këto gjëra nuk harrohen por janë për çdo lavdatë dhe respekt. Kemi shembuj e shembuj të bashkëpunimit të shkëlqyer mes fshatit Smirë e Binçë si dhe fshatërat tjerë për rreth.

Janë të njohura kryengritjet dhe luftërat në këto anë të Anamoravës për liri, pavarësi e bashkim kombëtarë…“

Marjan Sebaj-Sopi: Profesor i nderuar, siç e cekët më lartë, ishim gjithmonë të bashkuar, bashkë në të mirë dhe në vështirësi-vuajtje. Marrëdhëniet ndërvëllazërore mes shqiptarëve të konfesionit musliman e të krishterë kanë qenë të shkëlqyer mes këtyre banorëve, mirëpo a ka ndikuar kjo që kur kanë qenë momentet më të vështira, kur ka kërkuar Kombi apo kauza Shqiptare të janë të bashkuar meqë në veprat tuaja hasim në kryengritje të parreshtura të burrave të këtyre anëve për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtarë? Çka mund të na thoni lidhje me këto kryengritje që duket se edhe është lëmi më e preferuar e Juaja? Ndonjë luftë apo kryengritje?

Prof. Nazif Laçi: Janë të njohura kryengritjet dhe luftërat në këto anë të Anamoravës për liri, pavarësi e bashkim kombëtarë, këto luftëra janë zhvilluar parreshtur që nga koha e perandorisë Osmane dmth kryengritjet shqiptare e veçmas që nga viti 1908., e deri në vitin 1912. Veçohet lufta e Kaçanikut vitin 1910., pos luftës së Kaçanikut janë zhvilluar edhe dy beteja të mëdha në mbrendi të Moravës së Epërme, në Drenogllavë e Nikoc dhe në malet e Smirës dhe të Binçës, ku në këto beteja barrën kryesore e kanë mbajtur pjesa e popullatës së Moravës së Epërme kuptohet duke i përfshirë që të gjitha fshatërat. Këtu doemos veçojmë edhe shumë emëra të trimave e burrave të shquar në mesin e tyre siç ka qenë kreshniku Maliq Vërnakolla, Asllan Pira, Mustafa nga Kabashi, Nuhi Rexhepi e të tjerë, të cilët kanë luftuar për kauzën e njejtë dhe kundër të njejtit armik duke pasur për ballë çlirimin, atdhedashurinë dhe vendin e tyre.

Këto raporte të mira, të bashkimit mbarëshqiptarë rreth kauzës së përbashkët kanë vazhduar edhe gjatë kryengritjeve të vitit 1911., dhe 1912. Kështuqë mund të cekim se nga Morava e Epërme në Kuvendin e Ferizaj (ku janë pranuar ato 14 pika të njohura të Hasan Prishtinës) kanë marrë pjesë edhe disa personalitete nga Anamorava. Pastaj kemi kohën e kryengritjeve - luftërave që zhvillonte Bajram Curri gjatë kohës së islihatit. Islihati është koha kur Bajram Curri dhe njerëzit e shqyuar të asaj kohe dilnin e vizitonin fshatërat e Kosovës duke takuar njerëzit me autoritet, ku në emër të islihatit të pajtimit të gjaqeve, por këtë e bënin me një qëllim të caktuar e ky ishte që të gjithë të pajtuar e të bashkuar të ngritën kundër perandorisë Osmane, pra në këtë mënyrë senzibilizohej popullata me prijësit e tyre si parapërgaditje për kryengritjen e vitit 1912, të cilën e udhëhiqëte patrioti i shquar gjeneral Hasan Prishtina.

Marjan Sebaj-Sopi: Dihet si përfunduan këto kryengritje, beteja të parreshtura për lirinë dhe bashkimin e popullit shqiptarë. Cila ishte gjendja apo rrjedha e pas këtyre kryengritjeve në mes njerëzëve apo prijësve të popullit shqiptar?

Prof. Nazif Laçi: Fatkeqësisht, rrethanat e krijuara në Ballkan edhe përkundër përpjekjeve të mëdha dhe dëshirave të paepura të kryengritësve shqiptarë për bashkim kombëtar, nuk qenë në favor dhe dobinë tonë, dhe ato dëshira nuk u realizuan, mirëpo marrëdhëniet dhe raportet mes patriotëve shqiptarë kanë vazhduar të jenë të mira dhe reciproke dhe dashuria e flakët për atdhe dhe bashkim kombëtar në ta asnjëherë nuk u shua. Kështuqë, lufta për këtë çështje madhore nuk u ndalë as viteve në vijim. Kështu në mesin e dy luftërave dmth të Luftës së Parë dhe të Luftës së Dytë botërore nga Morava e Epërme që ka qenë e okupuar, një pjesë dërmuese ka qenë nën okupimin Bullgar dhe një pjesë tjetër më vonë nën okupimin Italian dhe Gjerman. Si gjithmonë edhe gjatë kësaj periudhe kemi pas luftëtarë të dalluar siç është periudha e viteve 1944/45., apo e ashtuquajtura „Lëvizja e Koqakëve“, udhëheqës i të cilëve për Anamoravë apo Moravë të Epërme ishte veprimtari i shquar, koqaku i njohur, patrioti Hysen Tërpeza. Nga gjitha këto tentime dhe beteja të kryengritësve shqiptarë për liri dhe çlirim është i njohur „Kongresi i Tretë i Kopilaçës“ në të cilin kanë marrë pjesë veprimtarë të shquar e patriot nga mbarë trevat e Kosovës e më gjerë. Ky Kongres apo i njohur në histori si „Kongresi i Tretë i Kopilaçës“ u mbajtë në tetor të vitit 1944., në mesin e tyre kanë marrë pjesë edhe burrat e Moravës së Epërme si Ilaz Pajaziti, Dodë Doda (nga Binça) dhe veprimtarë tjerë të shquar. Kopilaqa është zonë kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë. Nuk duhet harruar askurrë këtu luftërat kundër okupimit serb, lufta që u zhvillonin kundër çetnikëve të cilët luftonin në emër të partizanëve e që në të vërtetë ishin luftëtar çetnik të përbetuar me qëllim të caktuar – zbrazja e popullit shqiptarë, shpërngulja e dhunëshme, dëbimi i shqiptarëve. Kështuqë trimat e kësaj ane morën pjesë në luftë kundër këtyre hordhive çetnike siç është  shembull në luftën e Kipës, në popull njihet apo i thonin lufta „te gardhi i shkaut“, ky vend është mes Gjilanit dhe Bujanocit. Aty kanë marrë pjesë luftëtar edhe nga Binça, edhe nga Smira, Pozherani, nga Stubëlla dhe thuajse nga të gjitha fshatërat tjerë për rreth.

Pastaj këta burra trima tërhiqën në vijën kufitare të Jugut apo vendi i quajtur Guri i Zi në kufirin Kosovë- Maqedoni. Këtu kemi koncentrimin e koqakëve të Moravës së Epërme. Dhe në këtë luftë, pra „Guri i Zi“ që kanë zgjatur rreth dy muaj është shquar Dodë Doda. Doda ishte atëkohë me shkollë të mesme, një intelektual i kohës, i cili edhe dinte mjeshtrish të përdorë armët e ndryshme. Kishte një prirje strategjike ushtarako-luftarake ku organizonte njësitë vullnetare shqiptare në luftë kundër çetnikëve Serbo-Maqedon cilët luftonin te Guri i Zi. Në atë betejë janë vra shumë njerëz, në mesin e të cilëve edhe dy djemë të ri të fshatit Smirë (Raifi dhe Arifi). Por nga këto beteja shihet ai bashkëpunimi dhe uniteti i fshatërave si në luftë, si në ditë paqe, atëherë e deri ditët e sotme.

„Preteksti ka qenë kinse „mbledhja e armëve“ por qëllimi i vërtetë i Sërbve ishte dëbimi i shqipëtarëve nga trojet e tyre stërgjyshore“

Marjan Sebaj-Sopi: Prof. i nderuar, siç na paraqitët edhe juve këtu në pika të shkurtëra disa rrjedha të historisë por në mënyrë thuajse kronologjike, pra shihet se vuajtjet e popull shqiptarë nuk kishin të ndalur gjatë historisë. Neve këtu na intereson edhe një periudhë apo më mirë e njohur „aksioni i  armëve“. Dijmë pak a shumë se gjatë këtij aksioni shumë njerëz janë vrarë, plagosur, e rrahur pamshirshëm deri në vdekje! Mesiguri juve duke qenë mbledhës i dëshmive gojore mes njerëzëve dini më shumë, çfarë mund të na thoni për këtë periudhë?

Prof. Nazif Laçi: Pas luftës së Dytë botërore siç e dimë Kosova padrejtësisht mbeti nën zgjedhën Serbe (Jugosllave) dmth u anashkaluan vendimet e Konferencës së Bojanit, edhepse në atë konferencë ishin pjesëmarrës edhe njerëz të Fuqive të Mëdha. Tani në Kosovë instalohet pushteti ushtarak Serbo-Jugosllav. Dhe pas luftës së Drenicës të cilën e udhëheqte patrioti i shquar Shaban Poluzha tanimë kemi sistem ushtarak të instaluar në Kosovë ku ndodhën shumë maltretime, shpërngulje me dhunë, vrasje të popullatës së pafaj e kështu zgjatë gjatë gjithë asaj kohe por gjendja keqësohet edhe më tepër viteve të pesëdhjeta, kur në krye të policisë Serbo-Jugosllave erdhi kryeçetniku Aleksandër Rankoviqi. Aso kohe gjegjësisht vitin 1955., kemi një aksion të ashtuquajtur „aksioni i armëve“ apo aksion për grumbullimin (mbledhjen) e armëve në popullin Shqiptar. Preteksi ka qenë kinse „mbledhja (grumbullimi) e armëve“ por qëllimi i vërtetë i Sërbve ishte likuidimi, zhdukja, dhe më mirë të themi dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, sidomos tehu ishte i drejtuar tek ato familje që ishin patriotike me ndjenja të forta atdhetare – kombëtare, ku kërkonin armë por jo vetëm armë por edhe simbole kombëtare shqiptare si flamuri kombëtar, pastaj libra në gjuhën shqipe etj… Shkurtë, preteksi ishte „grumbullimi i armëve“ por Serbo-Jugosllave iu pengonte gjithçka ishte shqiptare. Unë mbajë mend shumë mirë meqë atëherë si fëmijë shtatë-tetë vjeçar dhe mbaj mend si sot ku ishin ato punktet e policisë në Kabash, në Smirë (vr. ime në Binçë te godina e shkollës fillore apo dikur ishte aty shtëpia e shumarëve) dhe vende të tjera ku i grumbullonin shqiptarët e ndaj të cilëve përdornin format më të egëra, më të ndyta të maltretimeve, të rrahjeve... gjitha këto i bënin për të shtirë panikë në popull dhe për ta realizuar qëllimin e tyre djallëzor, pra dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Ka ndodhur që shumë atdhetar, shumë patriot si nga Smira, Pozherani, Stubëlla e Binça e fshatëra tjerë nga maltretimet, nga të rrahurat edhe kanë vdekur aty për aty apo më vonë si pasojë e të rrahurave, pra egzistojnë shënime dhe burimet historike lidhje me këto gjëra.

Mirëpo, çka është më e rëndësishme pra edhe përkundër këtij represioni të pushtetit çetniko serb, populli shqiptarë dhe veprimtarët e tyre qofshin ata prijës fetar apo laik nuk kanë pushuar asnjëherë por kanë vepruar dhe punuar në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, ngritjen e vetdijës dhe arsimimin e tyre. Kontribut të çmuar gjithnjë kanë dhënë padyshim prijësit fetar katolik, priftërinjët apo udhëheqësit si të Kishës Katolike të Stubllës, Binçës e gjetiu, poashtu kontribut të çmuar kanë dhënë edhe Xhamitë (prijësit e tyre) në Smirë, Tërpezë dhe vende të tjera ku krahas riteve e shërbimeve fetare aty mësohej, arsimohej dhe edukohej prezi i ri në frymën e atdhedashurisë.

Marjan Sebaj-Sopi: Kur cekët arsimimin, të themi se pikërisht këtu kemi edhe shkollat Shqipe si ajo në Stubëll të Epërme e Pozheran?

Prof. Nazif Laçi: Ashtu është, dhe pikërisht këto janë shkollat e para në gjuhën shqipe në Moravë të Epërme, por jo vetëm në nivel lokal por edhe në nivel të Kosovës dihet se shkolla e Parë Shqipe është pikërisht ajo e Stubllës të cilën vitin 1905., e themeloi dhe ku punoi atdhetari i shquar, mësuesi don Mikel Turabolluzi, një prift, një njeri i arsimuar, një patriot i cili pos punës fetare prioritet e kishte edhe edukimin dhe arsimimin e brezave të rijnë sepse e dinte se vetëm në këtë mënyrë mund të shkohet përpara.

Pastaj e kemi edhe shkollën e dytë në gjuhën shqipe e cila hapet në Pozheran. Mësuesi i parë ishte përsëri një teolog, një prijës fetar, hoxhë, mulla Sylë i Tërpezës, më pas vie një mësues që kishte kryer shkollën në Janinë aso kohe dhe i cili punon me Alfabetin e Manastirit pra kjo është shkolla e parë e cila punon me këtë alfabet të pranuar nga paria dhe patriot shqiptar. Kështuqë këto janë ato celulat e para të shkollës së Parë Shqipe në Moravë të Epërme e Kosovë.

Marjan Sebaj-Sopi: Smira si vendbanim i lashtë sot, Kosova e Shqipëra sot, populli shqiptar në përgjithësi sot, si e shihni në përgjithësi në pika të shkurtëra gjendjen aktuale dhe çka mendoni për të ardhmën e popullit shqiptar e në veçanti për rininë shqiptare të cilën e doni pamasë.

Prof. Nazif Laçi: Unë mendoj se çështja e popullit shqiptarë, gjendja e tij në përgjithësi askurrë nuk ka qenë deri më sot ma në rrugë të mbarë sa është sot. Sepse, populli ynë pranë gjitha vuajtjeve që përjetoi ajo prapë përjetoi një rilindje të vërtetë veçmas pas luftës së Dytë botërore sepse jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë kemi një arsimim masovik. Pra nga një popullat thuajse mbi 90% të paarsimuar apo analfabete, kurse ja tani me krenari mund të themi lirisht se kemi një popullat që mund të krahasohet jo vetëm me popuj të Ballkanit por edhe të Evropës  sa i përket arsimimit. Ja, lirisht mund të themi se shkollarët, jo vetëm me shkolla të mesme por thuajse lirisht mund të konstatojmë se çdo familja ka së paku nga një anëtarë me fakulltet. Pra, shihet se neve shqiptarët, u pa në këtë luftë të fundit që na u imponua nga okupatori Serb e jo që ne e deshëm atë, u pa se shqiptarët me kohë kishin punuar për një çlirim nacional të vendit sepse këtë na mundësoi pikërisht arsimimi dhe kuptohet se këtu pashmangshëm duhet falenderuar Shqipërinë e veçmas ministrin e atëherëshëm të Arsimit në Shqipëri zotëri Ernes Koliqi-n, i cili asokohe na dërgoi mbi 200 mësues më eminent të Shqipërisë të cilët mevetflijim ata edhe më tepër mbollën farën e diturisë dhe atdhedashurisë në Kosovë. Më pas kemi vitet e 60 dhe ato të 70 e veçmas këtu duhet çmuar vitet e 70 të cilat mund të llogaritën si rilindje e vëretë në Kosovë, hapët Universiteti i Prishtinës me thuajse të gjitha fakulltetet e saj ku populli në mënyrë masovike u arsimua. Por ndoshta gjëja më madhore jo vetëm në Kosovë por në nivel kombëtar janë demostratat e vitit 1968., sepse të ngritësh kundër një okupatori se siç ishte asokohe Jugosllavia që udhëhiqej de fakto nga çetnikët serb (edhe pse Tito thuajse ishte vetëm figurë sepse të gjitha planet udhëhiqeshin nga Serbët).

Marjan Sebaj-Sopi: Në këtë periudhë kemi patriot, veprimtarë, cilët në kontinuitet vepruan dhe dhanë më të mirën e mundshme?

Prof. Nazif Laçi: Shihni, kontriboutin e askujt nuk duhet anashkaluar as nënçmuar dhe as harruar. Mendoj se në përgjithësi secili shqiptarë në periudha të ndryshme e rrethana të caktuara ka dhënë kontriboutin e tij, kuptohet kush më shumë e kush më pak dhe pamvarësisht a ishte më vonë në pushtet apo jo.

Pra, lirisht mund të themi se si rezultat i rrjedhave të demostratave të vitit 1968., kemi Universitetin e Prishtinës më vonë, tanimë kemi autonominë e zgjeruar që në të vërtetë ajo autonomi aso kohe ishte shumë e rëndësishme në Kosovë ku thuajse Kosova kishte të gjitha kompetencat e një republike pra i mungonte thuajse vetëm emëri republikë dhe ku Kosova ishte element konstituiv i atij shteti apo federatës të quajtur Jugosllavi. Pastaj unë mendoj se kësaj si rredhojë për çlirimin definitiv dhe demokratizimin e Kosovës i shkojnë edhe demostratat e më vonshme që ndodhën. Tanimë popullin e kishim të vedijshëm, të arsimuar dhe të ngritur kombëtarisht në mënyrë kolektive.

Dhe pikërisht Serbët e nacionalistët e tyre, duke parë këtë hov të vrullshëm të zhvillimit të popullit shqiptar, një lindja apo nataliteti i lartë, pastaj arsimimi superior etj. bënë që serbët në mënyra të ndryshme të inskenojnë apo nxisin problemet e forma të ndryshme që vetëm e vetëm të mund të vijnë deri tek ndonjë tolluvi për të ardhë e përdorë dhunën, terrorin e gjenocidin mbi popullin e pafaj shqiptar, që të ndërhyjnë në Kosovë e sipas tyre definitivisht të shkatërrojnë në popull, politikë kjo e gabuar por e paramenduar dhe planifikuar me shekuj nga akademia e shkencave të Serbisë me çetnikët në krye të saj.

Kështu shembull kemi rrjedhën e viteve të 80-ta apo të ashtuquajturën diferencimin politikë të cilin e përdornin sebët kundër shqiptarëve në veçanti kundër inteligjencës shqiptare, pra në shënjestër kryesisht e në rend të parë ishin intelektualët, dmth ata që punonin për çështjen shqiptare. Gjatë kësaj periudhe kemi të mbushur burgjet serbo-jugosllave me shumë intelektual shqiptar që dua të them jo vetëm të Moravës së Epërme por të mbarë shqiptarëve si nga Kosova pastaj shqiptarë të Maqedonisë, Malit të Zi, kosovës lindore etj… Mirëpo, kulmi i të keqës arrinë me hjekjen e autonomisë vitin 1989., dhe pikërisht këtu kemi edhe reagimin e hapur të inteligjencës shqiptare të asaj kohe në mënyra të ndryshme, ku vijon edhe shpallja e mëvetësisë së Kosovës vitin 1990., deklerata kushtetuese, pra Kushtetuta e Kaçanikut, këtë e bënë pa frikë e me krenari ata trima si luaj para tytave të topave e armëve të serbisë. Gjatë gjithë kësaj kohe Serbia përdori mënyra të ndryshme të shtypjës Shqiptare si shembull edhe mbylljen e shkollave në gjuhën shqipe, dëbimin e nxënësve dhe profesorëve nga shkolla duke qenë të vetdijshëm se aty mbjellët fare e atdhedashurisë. Por, neve nuk u ndalëm por të gjithë të bashkuar si një familje organizuam jetën tonë me fuqitë që kishim, hapëm shkollat – shtëpi tona ku shumë njerëz dhanë shtëpitë e tyre për të vazhduar në kontinuitet arsimimin e rinisë sonë. Pra, meritat  për liri dhe mëvetësi qëndrojnë mbi supe e breza të tërë.

„instanca e fundit apo fitorja definitive do të jetë atëherë kur të gjithë shqiptarët do të jetojnë në një shtet të përbashkët, kur do të formohet një shtet, Shqipëria Etnike…“

Marjan Sebaj-Sopi: Populli ishte i bashkuar, ishte NJË?

Prof. Nazif Laçi: Gjatë gjithë këtyre ngjarjeve populli ishte i bashkuar dhe iu është përgjigjë në mënyrë masovike ftesës apo kushtrimit për fardo ndërmarrje. Më kujtohen mjaftë mirë protestat që u bënë në Viti si shembull viteve 1993/4/5 e tutje veçmas ajo e fundit ishte vitin 1997., ku me qindra mijëra kryesisht të rinjë brohoritën para policisë e ushtrisë serbe; „Drenicë jemi me Ju!“ Uçk… etj.

Si rrjedhim i gjitha këtyre ngjarjeve që cekëm shkurtimisht edhe lindja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, ku djemtë e vajëzat më të mira të Kosovës rrokën pushkën për tu çliruar definitivisht nga dhuna e okupimi shumëshekullor serb. Merita për të gjitha qëndron mbi popullin shqiptar e veçmas për atë që në mënyrë masovike përkrahu dhe ndihmoi Ushtrinë Çlirimtare, mirëpo asesi nuk mund të harrojmë e të mos iu falenderojmë miqëve ndërkombëtar  e sidomos miqëve nga SHBA në krye me presidentin B. Clinton pastaj miqtë Gjerman, Austriak, Italian, Anglez etj… për ndihmën dhe përkrahjen që na dhanë duke bombartuar caqet serbe. Kështu Kosova në mënyrë definitive u çlirua nga okupatori shekullor serb dhe tani po e gëzojmë lirinë. Mirëpo, unë mendoj se ende kemi një çlirim të pjesërishëm, instanca e fundit apo fitorja definitive ose më mirë të themi një çlirim të plotë do ta kemi atëherë kur të gjithë shqiptarët do të jetojnë në një shtet të përbashkët, kur do të formohet një shtet Shqipëria Etnike as e vogël as e madhe por në një Shqipëri natyrale sepse për këtë punuan dhe u flijuan gjenera e gjenerata (breza e breza) të tëra. Dhe besoi fortë që amaneti i të gjithë shqiptarëve dhe gjaku i tyre do të shkoi në vend atëherë kur do të kurorëzohet populli ynë me shtetin e përbashkët, Shqipëria Etnike!

Marjan Sebaj-Sopi: A është ky interes i Bashkësisë Ndërkombëtare?

Prof. Nazif Laçi: Këtu janë ata parametrat që flasin se doemos do të shkoj dhe është kah shkon ka krijimi i shtetit të përbashkët shqiptar. Po, gjithësesi se është interes jo vetëm i popullit shqiptar, por edhe i europës dhe botës, i ndërkombtarëve, pasi edhe ata janë të vetdijshëm padrejtësive historike që iu bënë këtij populli i cili tanimë për momentin është i ndarë (pa dëshirën e tyre) në pesë gjashtë shtete e që kjo nuk është interes i askujt. Këtu është edhe interesi si ai ekonomik, ai politik e gjitha intereset tjera të cilat qojnë kah ky drejtim, kështuqë jam më se i bindur thellë se shumë shpejt do të kemi NJË KOMBË-NJË SHTET, dhe kjo do të realizohet që është mendimi i shumëve, dhe dëshira e të gjithëve por edhe aspiratat e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë.

Marjan Sebaj-Sopi: Nga shkrimet e Juaja të përditshme shpeshherë lexoi komente e reagime lidhje me lëvizjet aktuale politike? Dini të nguxni apo ngxmoni ndërgjegjën e politikajëve?

Prof. Nazif Laçi: Dëshira dhe vullneti i popullit është që gjërat të ecin përpara për të mirë të përgjithëshme Kombëtare. Po, fatkeqësisht kohëve të fundit gjërat pak po na i lakon elita politike si në Kosovë ashtu edhe Shqipëri e cila nuk është sa duhet unike por ende vuan për karrierizëm e forma tjera  e që duket nuk e kanë në planë të parë atë që kanë pasur patriotët, gjyshërit tanë, rilindasit e sa e sa veprimtarë dhe udhëheqës të këtij populli. Pra në rend të parë dhe mbi të gjitha është Kombi, duhet të jetë interesi i popullit, interesi i shtetit sepse nuk ka shtet nëse nuk kemi ekonomi të zhvilluar, nuk ka liri nëse nuk kemi bazë të fortë ekonomike, nuk ka diplomaci pa ekonomi. Pra, këto janë ato proçeze të cilat intelegjenca shqiptare, kam një bindje të thellë, se do i rregullon e do i qes në binarë të duhur me një përkushtim të madh sepse nuk është mirë që rinia e jonë mos ta ketë synim për shkaqe ekonomike të mendoj dhe braktisë Kosovën e trojet e veta.

Marjan Sebaj-Sopi: Nga kjo, pranë problemeve ndoshta aktuale që kemi në trojet tona, duket se populli shqiptarë ka perpektivë?

Prof. Nazif Laçi: Gjithësesi, dhe padyshim se populli Shqiptarë ka përspektivë dhe një të ardhme të ndritur. Sepse, kemi një popullatë të re, kemi një popullatë të arsimuar, kemi në veçanti një rini të mrekullueshme e shkëlqyeshme dhe prosperuese, rini të cilën e ka populli shqiptarë nuk e kanë askush nga kombet tjera, një rini e edukuar mirë, punëtor, rini e cila nuk dallohet aspak nga moshatarët e tyre të shteteve më të zhvilluar nga Europa e gjetiu. Kjo rini sot komunikon në shumë gjuhë të popujve tjerë, pra jemi popull e rini liridashëse, e hapur ndaj të gjithëve, sepse neve askurrë nuk kemi qenë agresor, kurrë nuk e kemi okupuar askend por kemi luftuar me dinjitet për të mbrojtur nderin dhe pragun e shtëpisë. Prapë po them merita qëndron mbi breza të tërë, gjenerata të tëra të Kombit tonë, të cilët në mënyrë të organizuar dhe forma të ndryshme kanë vepruar për çështjen Kombëtare. Kjo e fundit është fat që neve po jetojmë dhe përjetojmë dhe realizojmë atë të cilën e kanë synuar të parët tanë. Pra, merita qoftë mbi popullin shqiptarë. Sepse, të gjitha shtresat duke filluar prej bujkut e deri te akademikët kanë dhënë dhe jep kontriboutin e vet.

Marjan Sebaj-Sopi: Orientimi i popullit shqiptarë gjithmonë ka qenë Perëndimi? Inkuadrimi në Bashkësinë Europiane? Nëse nuk punojmë në këtë drejtim do kemi stagmin, mirëpo dëshirat tona dhe aspiratat tona që është Europa askush nuk mund t’i ndalë?

Prof. Nazif Laçi: Ashtu është më se e vërtetë ztr. Marjan. Meritat e popullit tonë, meritat e mëdha janë duke filluar nga rilindasit tanë, duke filluar që atëherë kur u formua alfabeti i gjuhës Shqipe e që për bazë pati alfabetin latin. Pra, intelegjenca Shqiptare dijti të na orientoj, dhe ky ishte synim dhe orientim i popullit tonë që ta kemi e të jemi në krah të Perëndimit sepse edhe I kemi miq natyral, këta janë miqët natyral të shqiptarëve pra gjermanët, italianët, anglezët… pra, kemi një orientim të duhur dhe të mirë. Populli ynë është orientuar mirë dhe din kah të orientohet, kah të shkoi. Kemi perendimin dhe krahas me ta duhet t’i qojmë proçeset përpara, ata i kemi krah por neve duhet të jemi të vendosur, të qojmë ne proçeset përpara, të ndërgjegjësohemi si shembull ta luftojmë të keqën, korrupsionin etj.

“Fanatizmi, funtamentalizmi i fardo lloji qoftë nuk është i mirë, kështuqë me gjitha forcat e mënyrat duhet ndalur këto dukuri.”

Marjan Sebaj-Sopi: Kur jemi te ndërgjegjësimi dhe luftimi i të keqës, pashmangshëm na shtrohet pyetja lidhje me një dukuri jo edhe të këndshme për imazhin e Kosovës dhe e cila na shqetëson shumë si shoqëri? Kemi shkuarjen e rinisë sonë në luftëra që nuk janë interes i yni, në luftëra vëllavërasëve në Lindje të Mesme, në vendet Arabe si shtetet në Irak, Siri etj?

Prof. Nazif Laçi: Unë mendoj se këto dukuri janë të dëmshme, rinia e jonë siç ceka më lartë është në përgjithësi një rini e mrekullueshme, një rini shembull për të mirë. Mos ta marrim shumë tragjike këtë punë sepse atje kanë shkuar të rinjë edhe nga vende tjera, mos të harrojmë se këta janë një numër i vogël i të rinjëve shqiptarë që janë manipuluar, janë mashtruar, nga persona të caktuar, të cilët nuk ia dojnë të mirën popullit shqiptar. Problem janë shkaqet ekonomike që prapë them faji është tek politikajt tanë të cilët nuk kanë qenë sa duhet vegjilent. Mendimi im personal është se ata të rinjë kanë qenë të manipuluar me premtime të llojllojshme, të indiktronuar dhe të kequdhëzuar për fat të keq, dhe siç duket këta të rinjë janë të gjithë nga familje me gjendje të rënd ekonomike e sociale, mirëpo por prapë them se kjo nuk është e mirë sepse nuk ka nevoj të shkohet e të përzihemi në ato vende meqë ata po luftojnë mesveti, shembull po të luftonte Siria me ndonjë shtetë tjetër cili i bënë atij të padrejtë atëherë forcat demokratike do i dilnin në ndihmë por në këtë rast nuk është e jona të përzihemi atje. Po të ishin ato vende me lëvizje demokratike atëherë normal se edhe neve do i dilnim në ndihmë atyre lëvizjeve domokratike por prapë po them atje është duke u bërë luftë vëllavërase mes tyre kështuqë neve e të rinjët tanë kanë punë më të meçme e me çka të mirrën këtu në Kosovë që t’i qojmë procezet përpara, që të ngrisim ekonominë etj… Fanatizmi, funtamentalizmi i fardo lloji qoftë nuk është i mirë, kështuqë me gjitha forcat e mënyrat duhet ndalur këto dukuri. Jam më se i bindur duke njohur popullin tonë liridashës, duke njohur rininë tonë të edukuar, duke e ditur se jemi kombë i emancipuar rryma e lëvizje të tilla nuk do të kalojnë tek ne, jam I bindur se populli ynë, rinia e jonë nuk do të bijnë pre e askujt. Do ta luftojnë të gjithë me këtë rast fundamentalizmin Islam dhe fardo lëvizje apo indoktrinimi tjetër fetar etj., kështuqë do të ruhet bashkëjetesa, harmonia vërtetë vëllazërore mes nesh shqiptarët që ka qenë me shekuj e që vazhdon e do vazhdoj të jetë përgjithmonë.

Marjan Sebaj-Sopi: Prof i nderuar, ju falemnderit për këto fjalë të mira e shpresëdhënëse për të ardhmen e mirë të popullit tonë. Neve shqiptarët si individ jemi punëtor, të suksesshëm… mirëpo na mungon puna e përbashkët ku ndoshta suksesi do ishte më i madh. Juve keni shkruar, por meqë e dimë se jeni në kontakt me shumë intelektual të Anamoravës, më intereson a keni menduar që t’i bashkojmë forcat intelektuale e të bëjmë diç të përbashkët?

Prof. Nazif Laçi: Po ztr. Marjan dhe keni plotësisht të drejt dhe unë jam përkrahës i kësaj ideje që e cekni. Meqense pas lufte kanë filluar shumë të mirrën me punë krijuese veçmas të shkruajnë dhe kanë shkruar monografi të fshatrave e them dhe kjo është shumë mirë që kanë shkruar, dhe duhet shkruar të gjithë por kryesorja është se do ishte mirë që puna të jetë e kordinuar dhe e përbashkët mes intelektualve tanë (këtu e kam fjalën veçmas për intelektualët e Anamoravës por vlenë edhe për të tjerë, për të gjithë), e them këtë sepse neve kemi potencial, kemi punëtorë intelektual e krijues të mirë në Moravë të Epërme që mund ta bëjmë një punë të shkëlqyeshme të përbashkët duke angazhuar forcat tona intelektuale dhe krijuese dhe ta nxjerrim një vepër – një libër të përbashkët, një histori të përbashkët të Moravës së Epërme së paku.

Unë kam shumë miqë, jo vetëm në Moravë të Epër por edhe ma gjerë, kam shumë miqë intelektual që njoh, në mesin e tyre jeni edhe ju ztr. Marjan që keni aftësi, potencial dhe energji të punës krijuese. Ka edhe shumë të tjerë siç janë në Stubëll prof. Isak Ahmeti, Sarë Gjergji, prof. Engjëll Koliqi, pastaj nga Mjaku prof. i gjuhës ztr. Tefik Ajvazi, i cili ka bë „Monografia e Mjakut“, kemi intelektual të mirë e që janë shumë të interesuar si në Pozheran, Remnik, Beguncë, Kabash e nëpër shumë fshatëra tjerë. Kështuqë të gjithë të bashkuar mund të bëjmë punë për lakmi.

Mendoj se neve së bashku duhet të bëjmë një monografi të përbashkët që është më se e duhur së paku për Moravën e Epërme por edhe më gjerë pra të Anamoravës duke i ndarë në periudha historike. Mendimi im është që gjithë ne duhet të nxjerrim një libër të përbashkët së paku duke e ndarë atë në periudha historike e veçmas ajo që na intereson neve është jeta dhe veprimataria e veprimtarëve të Moravës së Epër por edhe më gjerë të Anamoravës, të dalin në shesh meqë historia shqiptare njeh shumë personalitete nga këto anë, por ka edhe shumë veprimtarë të tjerë që kanë mbetur në hije. Shembull unë kam shumë të dhëna e shënime për veprimtarë, patriot e intelektual si nga Stubëlla, Binça, Kabashi e fshatëra të tjerë për të cilët shumë pak dimë e kurse kontribouti i tyre ka qenë jashtëzakonisht i madh për çështjen kombëtare. Pastaj, kemi një veprimtar tjetër nga Smira  Ethem Pajaziti i cili ishte pjesëmarrës i luftërave kundër okupimit Italian në Shqipëri, pastaj ishte pjesmarrës i lëvizjeve kaqake në Kosovë, pastaj kemi Dodë Doda, e mos të harrojmë edhe monografitë e Kabashit të cilët i kanë shkruar prof. Sabit Abdyli dhe Zenun Rexhepi kështuqë ka se çka të shkruhet për Anamoravën e veçmas për fshatërat dhe veprimtarë të Moravës së Epërme. Sepse, e thash edhe më parë pra që nga vitet 1910., po e përsërisë se bartës i atyre kryengritjeve e luftërave ishin pikërisht Morava e Epërme e që luftërat i udhëhiqëte patrioti i njohur Idriz Seferi duke mos harruar se në shtabin operativ të atyre luftërave ishin pikërisht Moravasit si nga Binça, Smira, Stubëlla, Kabashi, Pozherani e fshatërave të tjerë.

Kështu pra mendimi im është që duhet të punojmë bashkë për të mirën e përbashkët. Kemi potencial, kemi përvojë, kemi mundësi, të bëjmë një monografi veçmas për veprimtarë e patriot mes luftës së Parë dhe të Dytë botërore që mendoj se pakës janë anashkaluar e kontribouti i tyre është i pamohuar.

Marjan Sebaj-Sopi: Prof. Nazif Laçi i nderuar, ishte kënaqësi biseda me ju. Kjo bisedë e këndshme dhe padyshim shumë mësimëdhënse do të shkoj për portalin tonë shumë të dashur „ZemraShqiptare“, kështuqë në emër tim përsonal, në emër të gjithë lexuesëve dhe në veçanti në emër të stafit të portalit më të lexuar Shqiptarë „ZemraShqiptare“ ju falenderojmë dhe ju urojmë shëndet të mirë dhe suksese në punën tuaj të palodhshme intelektuale dhe presim të na gëzoni me vepra e vepra të mira e të dobishme siç keni bërë deri më sot.

Prof. Nazif Laçi: Ztr. Marjan ishin momente kënaqësie ndeja e këtyre ditëve me ju, dhe shpalosja e gjërave historike. Me kënaqësi pranova këtë bisedë apo intervistë për lexuesit e ZemraShqiptare, dhe të gjithëve shfrytëzoi rastin t’iu uroj këto ditë festash meqë jemi në prag të Nëntorit. Pra, urime përvjetori i 102 i mëvatësisë së Shqipërisë, urime Nëntori i dytë e thash Zoti që gjaku i derdhur i brezave të tërë të kurorëzohet me Nëntorin e tretë që do të jetë Bashkimi i gjitha trojeve Shqiptare – Shqipëria Natyrale. Shëndet e të mira për gjithë lexuesit e portalit ZemraShqiptare, Zoti e bekoftë Shqipërinë e Kosovës dhe gjithë shqiptarët kudo të jenë ata. Qofshim gjithmonë unik, të bashkuar dhe mes nesh mbretëroftë paqa e dashuria ndërvëllazërore.

Marjan Sebaj – SOPI

Me; 31. 10. 2014

(Intervista u zhvillua në ambientet e “Mediteran Shop”)

Viti