E premte, 19.04.2024, 04:35 PM (GMT+1)

Mendime

Vangjush Saro: Vodevili i dosjeve

E shtune, 29.11.2014, 07:05 PM


Vodevili i DOSJEVE

N/titull: Një histori pa dosje, nga e cila dikush, disa, kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë, ndërkohë që hapja e tyre është emergjente

Nga Vangjush Saro

Këto ditë, për të disatën herë, në mjediset shqiptare, përfshi edhe mediat, shoqërinë civile dhe politikën, është hapur sërish debati për hapjen e dosjeve; ato të ish-Sigurimit të Shtetit. Kjo është një histori e vjetër, një plagë e hershme, një dramë, sipari i së cilës dikur duhet të ulet. Ka tashmë disa thirrje, mes të cilave edhe ajo e shkrimtarit më të njohur shqiptar Ismail Kadare, që pranon se ato (dosjet) duhen hapur dhe kjo jo vetëm që nuk do të sjellë tragjedi, përkundrazi do të na heqë nga tragjedia ku po jetojmë. Vendet që dikur kanë ndjekur pothuaj rrugën tonë dhe kanë pasur gjithashtu fatin tonë (edhe pse në kushte më të lehtësuara) e kanë mbyllur këtë proces, duke e shpëtuar tashmë shoqërinë nga një makth i pafund. Por ashtu siç është vodevili një lloj komedie e lehtë dhe me humor të stisur, kështu është trajtuar dhe trajtohet gjithsaherë në Shqipëri edhe problemi në fjalë.

Realisht, gjatë gjithë tranzicionit, politika shqiptare e ka shndërruar çështjen (e hapjes së dosjeve) në një mekanizëm abuziv, përmes të cilit, grupe të caktuara, klane të caktuara kanë përfituar në mënyra të ndryshme. Janë të njohura tashmë lojërat me një sërë deputetë, të cilët për një arsye apo për një tjetër, kanë qenë të groposur nga këto dosje dhe kësisoj nuk kanë mundur dot të ngrenë kokë asnjëherë, por e kanë shkuar karrierën politike duke thënë në mjerim të plotë “Urdhëro? Siurdhëron!” Gjithsesi, ndonjëherë ata kanë fituar fshehjen e pseudonimeve të tyre e mbase edhe të bëmave të tyre, pikërisht duke shërbyer në mënyrën më të verbër te padroni. Rëndom ky padron ka qenë kryetari i partisë, kryeministri, titullarë të dikastereve që ndonjëherë janë edhe ata me “pseudonime”. Fshihu të fshihemi.

Gjithnjë, kur flitet për dosjet, na shkon mendja menjëherë te pseudonimet. Me sa kemi lexuar e dëgjuar në këto vite, një pjesë e madhe e individëve me dosje - shumë prej tyre janë sot njerëz të politikës, medias dhe artit - janë pagëzuar me ato pseudonime nga ish-Sigurimi i Shtetit. Njerëzit me pseudonim kanë rënë në këtë rrjetë në mënyra të ndryshme dhe në rrethana ku ata janë gjendur ngushtë: për të bërë karrierë; për shkak të biografisë së “keqe” familjare; sepse iu është premtuar dhënia e të drejtës për shkollën e lartë apo një vend pune; duke qenë se janë kapur keq në një krim tjetër, etj. Në këto kushte, ata janë shtrënguar të informonin në Degën e Punëve të Brendshme apo thjesht te operativi i Sigurimit të Shtetit për veprime e mendime - të të afërmëve a miqve të tyre - të tilla që binin në kundërshtim me parimet, demagogjinë dhe praktikën e PPSH-së.

Herë pas here, ka pasur edhe publikime të këtyre pseudonimeve, duke bërë rebus me ato; pseudonimet kanë ardhur dhe kanë ikur faqeve të shtypit dhe sallave të Parlamentit në mënyrë të përsëritur, por rëndom vetëm si grotesk. Ato pseudonime, asnjëherë nuk kanë prekur sadopak mbajtësin e tyre. Njerëzit që kanë pasur në dorë zgjidhjet, janë tallur me këtë punën e dosjeve në këto dy dekada e gjysmë tranzicion; ndërkohë të dhënat e fshehta e tinzare, ata i kanë shfrytëzuar për të forcuar pozitat e tyre, për të bërë shantazhe e presion njerëzve të dobët, si dhe për të korruptuar kundërshtarët e vendimeve apo hapave të gabuar a të diskutueshëm. Kështu, njëherë, në Parlament, kur ka rënë fjala për një gazetar (të njohur), ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se nuk merret me “kapterët” e Gramoz Ruçit (ish-Ministër i Brendshëm në vitet e fundit të monizmit). Qesh të qeshim.

Gjithsesi, ja tek u afruam edhe më në temë. E djathta shqiptare (përfshi PD-në, PR-në dhe disa parti të traditës politike, si Balli Kombëtar e Legaliteti, pavarësisht nga transformimet dhe pjelljet e sforcuara që kanë ndodhur në të gjitha këto formacione politike,) nuk e ka kryer këtë proces të vështirë, edhe pse ka qenë dy herë dhe për një kohë të gjatë në pushtet: prej vitit 1992 deri në vitin 1997 dhe më pas, prej vitit 2005 deri në vitin 2013. Arsyet përse ky grupim politik ka zgjedhur të heshtë, mund të jenë të ndryshme dhe disa: druajtja nga hakmarrjet dhe përndjekjet në një tjetër formë, frika nga bashkëpunëtorët me dosje, prirja për të përfituar dhe për të mbijetuar politikisht në kurriz të viktimave të rendit tjetër, etj.

Në të njëjtën gjatësi vale, e majta gjithashtu ka heshtur në këtë çështje. (Ende po hesht.) Edhe ajo ka pasur arsyet e veta. Ajo ka qenë shumë pranë atyre që krijuan dosjet. Madje, njerëz të saj po duan sot të dekorojnë pikërisht kontigjentet që i bënë dosjet, siç ndodhi me Feçor Shehun. Jam shprehur në disa shkrime në lidhje me politikën e sotme të dekorimeve, të çmimeve letrare dhe të disa “përzgjedhjeve” të tjera që bien erë të keqe. Shoqëria shqiptare po vuan rëndë nga anësitë dhe pap-ërgjegjësitë e institucioneve. Mjeshtre e Madhe, Mjeshtër i Madh, “thonë” kohë e pa kohë Presidentët e vendit, sa njëri, tjetri… Po çfarë ka bërë ky mjeshtër i madh atje në një rreth të vogël, fundja një krijues si shumë e shumë të tjerë? Ka shënuar ndryshime rrënjësore e ka sjellë risi në letrat shqipe dhe kjo është “zbardhur” nga kritika dhe institucionet a forumet e çertifikuara? Është përkthyer bindshëm në gjuhë të huaja dhe i ka shërbyer kështu njohjes dhe përhapjes së kulturës shqiptare nëpër botë? Dekoro të dekorojmë.

Por është e turpshme të lëshosh dekorata pa arritje të dukshme dhe të verifikuara. Ca më keq, kur veprime të tilla cënojnë shtresa me të cilat shteti shqiptar ka luajtur “Hapa-dollapa!”. Përpara disa kohësh, ish-të përndjekurit politikë ngritën zërin për dekorimin (nga ana e ish-presidentit Bamir Topi) të një ish-prokurori që… na vazhdoka karrierën në drejtësi edhe sot e gjithë ditën miku (!) Kështu, në vend që të ndihmojnë për hapjen e dosjeve dhe për ndarjen njëherë e mirë nga disa struktura dhe individë që ishin tehu i diktaturës, institucionet e larta iu bëjnë “fresk” lloj-lloj emrave me vlerë mesatare a më pak se kaq. Në të njëjtën kohë, edhe dekorimet për arsye thjesht biografike, pa merita speciale, bindëse, janë gjithashtu një vodevil për të rudhur buzët. Janë njëlloj imitimi i (shumicës së) dekorimeve të kohës tjetër.

Më në fund, institucionet dhe disa vrojtues që s’dinë nga lidhet gomari, edhe sot e gjithë ditën mbajnë anën e atyre që e kanë kthyer druajtjen (për hapjen e dosjeve) në sistem. Është e qartë që klanet në pushtet (nga të dyja krahët) nuk janë të intresuar për ta hapur dhe për ta mbyllur këtë proces. Nëse po, nuk merret vesh se çfarë presin. Askush nuk iu thotë atyre të merren me çdo njeri e me çdo “dosjexhi”. Edhe fqinjët dhe bota e kanë zhvilluar procesin së pari duke e sistemuar lëndën dhe dosjet, e mandej duke ndarë kategoritë (e pseudonimsave) të cilëve duhet t’iu përplasen denoncimet dhe pseudonimet në fytyrë: këta mund të jenë politikanë deri në një nivel të caktuar (kjo është punë marrëveshjesh); zyrtarë të lartë, përfshirë ata vendorë; shkrimtarë dhe publicistë aktivë (jo të rastësishëm) në gazetat e përditshme, etj. Përzgjedhjen e kategorive, institucionet mund ta bëjnë shumë më mirë se përzgjedhjen e atyre që i dekorojnë dhe iu japin çmime pse ashtu ia ka ënda një bashkiaku mediokër, një ministreje snobe a një presidenti pa autoritet, e fundja kujtdo që paska në dorë të prodhojë vlerësime të padenja dhe tym për të çoroditur më keq shoqërinë. Në vend që të hapin e të mbyllin këtë proces, ata, thuhet, kanë futur duart në dosje, kanë prishur e deformuar, kanë kryer një krim të ri. Kjo e bën edhe më emergjente hapjen e tyre, për sa pa u mbuluar gjithçka me mjegullën tranzicionale.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora