Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Shpalosja e flamurit historik

| E enjte, 27.11.2014, 08:34 PM |


REPORTAZH LETRAR

SHPALOSJA E FLAMURIT HISTORIK

NGA “NIPI” XHA DERALLËS

NGA KALOSH ÇELIKU

Përderisa, Partitë Politike Shqiptare në pushtet luajnë rolin e Arushës me dajre, populli ende gjatë kohë do të përpëlitet në pelena. Vaji në djep do t’i shkojë për qielli. Nënës do t’i shteret gjiri. Tambël nuk do të ketë t’ua ndali lotët rrëke nëpër faqe. Përditë, pas zgjedhjeve lokale e parlamentare  do të shpallim “fitore e Republika të Iliridës”, para këmbëve të Skënderbeut me shpatën në brez. Vit për vit do të organizojmë manifestime kulturore sipas “arshinit” të partive politike në pushtet. Emërojmë anëtarë të komisioneve nëpër ministri, partizanët e tyre gjysmanalfabetë. Nëpërkëmbim manifestimet kulturore tradicionale ndërkombëtare, që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare. Arsimin shqiptar, që të parët tanë nëpër shekuj kanë hedhur farë ugareve me hebet në krah.

Rrugaçët “kuqezi”, i hurit dhe litarit do të merret edhe me kulturë dhe arsim shqiptar. Përbaltin arsimin dhe kulturën shqiptare deri në palcë. Ditenatë do të enden rrugëve të Bit – Pazarit, dalldisen pas Arushës me dajre. Maxhupi e heq me litar për dore dhe i bie dajres. Arusha heq valle duke i përdredhur bythët para Kalit të Skënderbeut. Kryengritësi përgjumshëm me gjithë herdhe, gati i ka hyrë në bark. Krah për krahu si “dëshmorë” lufte fotografohen para kamerave televizive.

Përçudi, kohën e fundit as fëmijët nuk i turren më përmbrapa plot pordhë e piskamë. Duartrokisin për “vallen kombëtare” nëpër Bit - Pazar. Mëkot, Maxhupi i bie dajres. Përpiqet publikun ta mashtrojë me muzika. Përdridhet e hidhet me shami me vallen e mirënjohur popullore të “vëllazërim – bashkimit”. Sokaqeve t’i mashtrojë me bozë e qofte te “PÇELA” (BLETA) e bozë te “Libraria e Çarshisë”. Asnjë fëmij nuk i shkonë përmbrapa me duartrokitje duke i mbajtur brekët me dorë. Duartrokitë në rrugë Arushës me dajre. Vallen e këtij soji e njohin moti kohë. Arusha me dajre i la pa brekë. Tekste shkollore. Lektyra shkollore. Revista për fëmijë.

Problemi: Arusha me dajre nuk sjellë risi në vallet populllore shqiptare. Përmëtepër, vazhdon t’i heq vallet popullore të “vëllazërim – bashkimit”, porositë e “harxhuara” të shokut Tito. veprat “artistike” e pedagogjike të trusakatëve. Poashtu, të njëjtët vallëtarë me tirqit nëpër këmbë, që mezi i lëvizin këmbët e bythët në politikë. Shumica edhe nuk kanë “haber” nga vallja popullore shqiptare. Maxhupi i bie dajres, e ajo hidhet e përdridhet si “hojdodole” nëpër Bit - Pazar. Përfundimi: Maxhupi e mbush torbën me miell, e fëmijët mbesin me gishta në gojë te pragu i derës. Edhe këtë vit shkollor ta nisin pa çati mbi kokë: libra, lektyra shkollore e revista letrare për fëmijë.

Punemadhe. Rilindasët tanë moti janë ulur këmbëkryq te pragu i derës Shtëpisë. Ali Asllani për çdo vit në Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkombëtar, Ditët e Humorit dhe Satirës: XHA DERALLA me poezinë satirike: Hani, pini dhe rrëmbeni:

 

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

 

………………………………………………………

 

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, benet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brënda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mekuar, ësht’ i vëndit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dermon hekur!

 

Dhe, me këto vargje satirike të poetit Ali Asllani, populli shqiptar një ditë do ta përzë nga Bit - Pazari Arushën me dajre. Krah për krahu me poetin Pano Taçi me poezinë nën Rrap: Na bashkoi Rrapi. Lufta vazhdon me penë. Poetët, që ju mendoni se i keni marrë nëpër këmbë, një ditë do t’ju varrosin të gjallë me vargje në histori. Njeri rruge nuk do të gjëndet të ju shpie as në varr, përveç Hoxhës Allahut i dehur me çaj rusi e “tespihe kuqezi” nëpër Bit - Pazar. Nateditë duke bërtitur për “ndryshime” politike si Dexhalli me kokën në xhami e palarenë në polici.

Lufta vazhdon me penë e poezi në Shkup e Kërçovë. Poetët anë e mbanë Atdheut dhe bota përparimtare i kanë nxjerrë vargjet nga brezi. Tymeflakë e shkrepin penën me dy tyta. Ora simbolike letrare me poezinë e “egër” tradicionale të Manifestimit Kulturor Tradicional Ndërkomtar: TAKIME NËN RRAP e shkrep vargun. Him Koça me poezinë e Pano Taçit Na Bashkoi Rrapi. Xhelal Tosku me dy sejmenë përmbrapa: Sami Velçanin e Pëllumb Mane të armatosur deri në dhëmbë me poezi. Plumbin, që ju nuk doni të vriteni nga dora e një gruaje, vdisni si jo “shehit”. Rushit Ramabaja krah për krahu me Avni Deharin e Nebi Bunjakun. Dashnor Selimi me Michela Dërvishi nga Selaniku. Fatmir Minguli, Jokida Mati, Nikolla Spathari e Vladimir Muça nga Durrësi. Vahit Nasufi me çetën  e tij nga Drinia: Besnik Lena e Xheladin Muça. Reshat Sahitaj e Behare Rexhepi nga Kosova. Fadil Curri me dy kaçakë të penës nga Shkupi: Sami Sherifi e Rexhep Bajrami. Remzi Salihu, Rami Kamberi e Bujar Plloshtani nga Tetova. Delvina Kërluku e Nuri Koleci nga  Dibra. Dhimitër Orgocka me Edmond Xhaxhollin e Skënder Demollin nga Korça. Mariana Shkurti me Festim Tomorrin e Ilir Shytën nga Poradeci. Istref Haxhillari e Bujar Balliu nga Lini, në breg të Liqenit. Nehas Sopaj, Sermet Sulejmani e Arben Ibrahimi u vjen në ndihmë nga Kumanova. Xhelal Ademi nga Zajazi, krah për krahu me Him Koçën, Adem Xheladinin, Xhevdet Ukallin, Ahmet Morën, Begzat Rrahmanin e Xhemile Adilin me shoqe e shokë u bënë konak. Vesel Xhaferri - Çeliku me kësulën e bardhë të Bajram Currit vjen nga Zvicra.

Rrethimi poetik, bëhet në Kërçovë (Kalanë e dytë të Skënderbeut). Vendlindjen e kaçakëve të Zajazit. Mauzerri i dikurshëm, kur sot është zëvendsuar me penë. E shkrep vargun në Lepurushkë, e ajo le t’i dali Arushë. Alarmin e jep kantautori Ferid Abdiu: Të pret Poeti. Dervish Dervishi me të Birin me këngën e mirënjohur të këngëtarit kërçovar Rexhep Zajazi: Në bahçe na ka ra bryma. Armët i nxjerrin nga brezi poetët duke e pritur agimin me poezi, këngë e valle në mes të Kërçovës.

Ditën e Nesërme, poetët dhe dashamirët e artit nisen për te Muzeu i Luftës Dytë Botërore, rrëzë Kalasë të Kërçovës. Pusi u ka vënë me ekspozitën figurative Ballkanika, mësuesi dhe piktori kërçovar Ramadan Ramadani - Ballazhi. Sofrën e ka shtruar si shqiptarët. Padashtas, ma kujton një vetaran tjetër të arsimit shqiptar, mikun e tij Hajrullah Ukallin, që një pjesë të jetës e kaloi edhe në Amerikë. Kohën, kur fëmijtë e tij në Kërçovë i kërkojnë para që të hyjnë në shtëpinë e re si shkiet. E ai, u përgjigjet nga  Amerika: unë nuk kam para, por ju hyni si shqiptarët!

Rruga poetike vazhdon për në fshatin Cërvicë, vendlindjen e Xha Derallës. Katundin, ku njëqind vjet është ruajtur i fshehur në arkë flamuri shqiptar plot plumba në gjoks me të cilin mësuesi i fshatit Lajq Prençi nga Shqipëria, krah për krahu me nxënësit e tij, në Ditën e flamurit (28 Nëntor, 1942), u nisë me lodra, cingana e valle duke kaluar nëpër fshatin Strellcë e vazhduar nëpër  Shutovë për të festuar Ditën e flamurit në fshatin Premkë, rrëzë Çelëvjollcës. Mësuesi eci me guxim heroik drejtë zyrës së togerit të policisë italiane dhe me duart lakuriq, sulmoi togerin duke u munduar t’ia rrëmbejë revolen nga brezi. Dyluftim historik, ku si vetëtimë nga qielli, mësuesit trim i vjen në ndihmë një fshatar nga fshati Shutovë me thikë në dorë duke e lënë togerin të vdekur përtoke. Mësuesi me “nagantin” e togerit në dorë, sa herë qëllonte nga një karabinierë e rrokulliste të vdekur në tokë. Ditë historike, kur mësues e nxënës me ndihmën e fshatarëve e shkatërrojnë stacionin e karabinierëve, në fshatin Premkë dhe me flamurin shqiptar kuqezi në gji me gjithë nxënës kthehen krenarë në fshatin Cërvicë.

Pronari i lokalit, Feto Dauti për mikpritje e nxorri nga arka flamurin shqiptar dhe e shpalosi për herë të dytë para poetëve. Plaku i katundit, Skender Xhaferri, por jo ai plaku i Katundit që në kohën e Xha Derallës i shëtiti gjithë natën nëpër Katund xhandarët e serbit, e duke zbardhur agimi mbi Çelvjollcë më në fund i dërgoi te porta, rrëfen për historinë e flamurit që është ruajtë me frikë në arkë gati një shekull.

Sofrën poetike në fshatin Cërvicë me anekdota, barcoleta e poezi e përcjellë matanë malit, “nipi” i xha Derallës, Skënder Demolli nga Korça. Xhelal Tosku, dihet me dy sejmenë përmbrapa. Nikolla Spathari me barcoleta. Avni Dehari me një “vëlla” tjetër të Xha Derallës nga Kumanova. Rushit Ramabaja nga Kosova.

Poetët deri te porta i përcjellë pronari i lokalit, Feto Duti krah për krahu me Kryetarin e Bashkësisë Lokale të fshatit Cërvicë, Skënder Xhaferri me një porosi: Burra, bini rrugës të Xha Derallës nga i shëtiti gjithë natën xhandarët e Serbisë për të dalë nga fshati në Kërçovë. Karavanit poetik, i pri Him Koça dhe na shpie te simboli i Pavarsisë Shqipërisë, në fshatin Garanë. Poetët pasi u fotografuan, u nisën për në Kërçovë, restrorantin hotel “Kiçevo”, ku më u ishte “ftohur” moti dreka.

Natën e Madhe e përcollëm matanë malit me poezi, këngë e valle. Poetët dhe dashamirët e fjalës shkruar anembanë Atdheut i përshëndeti duke u dëshiruar mirësesrdhje edhe Kryetari i Komunës Kërçovës, z. Fatmir Dehari, ku mes të tjerave edhe tha: miq të nderuar poetë, përfundoi koha e kryengritjeve me pushkë. Luftën duhet ta vazhdojmë me penë! Shqiptarët sot duhet t’i rreken arsimit dhe kulturës! Themeleve të një shoqërie. Shteti. Dhimitër Orgocka, regjisor i mirënjohur shqiptar lexoi poezi të “egra” nga Kalosh Çeliku dhe Xhelal Ademi. Edmond Xhaxholli me kitarë një “mishmash” me poezi e serenada korçare. Dikur, u bë edhe përurimi i librave: Zjarr e flakë (poezi) i Shaqir Sadikut, Pretenca (roman) i Istref Haxhillarit, Çapini (dramë) e Nehas Sopaj, Lirika me Hënë (poezi) i Vahit Nasufit dhe Venela 2 (dramë, për heroinën Sulltanë Qafa) e Vesel Xhaferrit. Për librat në fjalë shprehën vlerësime artistike: Fatmir Minguli, Sermet Sulejmani, Ilir Shyta e Rami Kamberi.

Pasmesnate, nën përcjelljen e tingujve të kitarës, juria profesionale e përbërë nga Fatmir Minguli (kryetar), Fadil Curri dhe Kalosh Çeliku (anëtar) i ndau edhe çmimet letrare: Çmimi letrar “RRAPI” për vepër jetësore i takoi shkrimtarit nga Kosova Reshat Sahitaj, “E përcolla Natën” për vepër erotike botuar gjatë dy takimeve poetike, Dashnor Selimit, dhe “Ulu mal të dalë Hëna” për poezi, Sami Sherifit nga Shkupi. Juria ndau edhe dy çmime speciale letrare: “Mikja e Rrapit” i takoi poetes kërçovare Xhemile Adili dhe “Miku i Rrapit”, Xhelal Toskut: Dy shtamba me verë.

Përgëzime, në një sofër të shtruar miqësore kërçovare, e pritëm agimin me poezi, këngë e valle. Dielli me rreze mbi Çelëvjollcë zbriti më këmbë maleve…

 

Shpalosja e flamurit kuqezi historik para poetëve në fshatin Cërvicë të Kërçovës…
 
Fatmir Minguli dhe Vesel Xhaferri - Çeliku në Katundin e Xha Derallës.
 
Poetët para simbolit të Pavarësisë Shqipërisë, në fshatin Garanë të Kërçovës.

Hapja e ekspozitës figurative Ballkanika  e piktorit Ramadan Ramadani – Ballazhi.
 
Poetët para Muzeut të Luftës Dytë Botërore, rrëzë Kalasë historike të Kërçovës.
 
Vahit Nasufi, Rami Kamberi, Nehas Sopaj, Vesel Xhaferri  dhe Fatmir Minguli.
 
Nata e Madhe historike me poezi të “egra”, këngë e valle deri në agim…
 
Skënder Demolli, Ilir Shyta dhe Dashnor Selimi duke dorëzuar diplomat e Lidhjes të Kritikëve Europiane në Patra dhe Shoqatës të Shqiptarëve të Patrës “Emigranti”, Kalosh Çelikut me rastin e botimit të librit me poezi të përkthyer nga Iliaz Bobaj në gjuhën greke: Plaga e dhjetë me Hënën.
 
Behare Rexhepi, Reshat Sahitaj, dhe Rushit Ramabaja gjatë takimeve poetike.

Remzi Salihu, Michela Dërvishi, Rami Kamberi dhe Dashnor Selimi kokë më kokë me poezi e përcjellin Natën e Madhe...