Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: “Orange your world”…

| E merkure, 26.11.2014, 08:04 PM |


Orange your world”…

Nga Entela Binjaku

Në Shqipëri, të ndërmarrësh një nismë në të mirë të shoqërisë, ciladoqoftë natyra e saj, është shumë e vështirë.

Edhe kur ajo i shërben një kauze me impakt të gjerë, do të kalojë patjetër nëpër disa faza që sëbashku përbëjnë një grumbull peripecish e situatash që zor se mund të përballohen nëse nuk ndërmerren nga njerëz me vullnet dhe këmbëngulës.

Kjo, sepse së pari do të hasësh në vështirësinë e gjetjes së bashkëpunëtorëve; rëndom ndodh që në fillim ofrohen disa optimistë, rrugës tërhiqen,  të lënë në baltë ose nxjerrin  disa kërkesa që në fillimet e iniciativës ju qëndronin të fshehura pas ndonjë “buzëqeshjeje dashamirëse”.

Së dyti,  sepse që ta vësh në punë  të duhet të gjesh mbështetje financiare, por  për inicativën tënde, në disa dyer po të trokasësh  nuk mjafton. Dëshira dhe vullneti për ta çuar deri në fund duhet të jetë aq e madhe sa    tejkalojë çdo portret ironizues  ose  që të komplekson me mosbesimin e treguar. Por edhe kjo në rastin më të mire, në rastin më të keq, as nuk të përgjigjen fare…

Megjithatë edhe kur gjen bashkëpunëtorë, mbështetje financiare apo logjistike duhet të kërkosh ato cilësi burimesh njerëzore që nderojnë punën tënde, të ngushëllojnë për lodhjen dhe sakrificat e kryera dhe të nxisin për hapin e radhës. Zakonisht nuk ndodh kështu.  Sapo mbyll një nismë,  të ndërmarrësh një tjetër, është gjëja e fundit që të shkon ndërmend.

Nga ky mjedis nismash nuk shpëton thuajse askush, ndoshta me ndonjë përjashtim të rrallë.

Aktualisht jemi duke jetuar 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës ndaj gruas, një nismë mbarëbotërore, por që ka kapluar edhe një fushatë kombëtare.

Nën moton  “Bëje portokalli botën tënde” u përfshinë  edhe aktorë nga shoqëria civile shqiptare. Diku një festë në një bar “në bllok”, diku një garë me biçikleta, diku një marshim në të vetmen  pedonale kjo nismë erdhi edhe në mjedisin kryeqytetas. Ndër to, një nga aktivitetet që spikati ishte ajo e një gruaje, regjizore,, një zë bashkëkohor I brezit të artistëve të kultivuar shqiptarë.

Najada Elmazi materializoi me idenë e saj vullnetin e një tjetër aktivisteje dhe së bashku sollën në një mbrëmje te vetme shumë elementë artistikë në shërbim të kauzës kundër dhunës ndaj gruas.

Në bashkëpunim me Qendrën “ACT for SOCIETY” në mbrëmjen e datës 25 nëntorit  Najada solli një formë  artistike si një qasje e re dhe e vecantë ndaj kësaj dukurie. Për këtë ajo përdori  artin si mjetin zbutës të natyrës dhe shpirtit njerëzor dhe si rrugën për të depërtuar në vetëdijen e gjithësecilit për t’i thënë  “Ndal” kësaj dukurie.

Në mesazhet e sjella nga njerëz me përgjegjësi të lartë institucionale siç ishin ata nga fusha e arsimit, e rendit, e  edukimit në përgjithësi, u përforcua ideja e respektit ndaj grave të dhunuara, nevojës për denoncim të dhunës  dhe  domosdoshmërisë së edukimit me dashurinë njerëzore të burrave dhe grave.

Dëshmia tronditëse e një gruaje të dhunuar u pasua nga materialet përshëndetëse të  aktorëve nga  aktualiteti ynë artistik, nga fusha e e interpretimit  e  fjalës, e kërcimit, e këngës me anë të të cilave u synua një mënyrë e re e sensibilizimit kundër kësaj dukurie,  tashmë e gjithëpranishme në vendin tonë.

Ky aktivitet, i ri në llojin e tij, i bëri thirrje të pranishmëve në sallë duke i  ftuar të  kontribuonin edhe vullnetarisht  për gratë në nevojë me ato mundësi që kishin. Protagonistët kryesorë nuk harruan në asnjë cast të falënderonin ata mbështetës që I dhanë udhë këtij projekti.

Ideja e projektit “Stop dhunës ndaj gruas! ”   lindi nga fundi i muajit shtator, gjatë një bisede mes Najadës dhe drejtueses së Qendrës  “Act for Society”, znj. Armela Pengili, ku ajo shprehu dëshirën dhe gadishmërinë për të kontribuar si një grua, për të tjera gra që ashtu si ajo, ja dalin vetë në jetë. Najada Elmazi në formimin e saj ka jo vetëm regjizurën por edhe shkencat sociale, ku psikologjia është një fushë e fortë për të. Ndoshta pikërisht edhe për këtë arsye ajo shfaqi përmes kësaj mbrëmjeje një tjetër dimension të personalitetit të saj.

Arsyet për ta mbështetur dhe falënderuar Najadën janë të shumta, si  në emër të atyre grave që nuk e kishin mundësinë ta ndiqnin këtë mbrëmje në sallë, ashtu edhe  në emër të atyre,  që ashtu si unë, ndoqën nga afër çdo detaj të këtij aktiviteti dhe që kishin në mendje edhe mjedisin aspak mbështetës në cilin lindin nismat sociale në Shqipëri.

Pikërisht,  nisur edhe nga vështirësitë  prej    cilave  mendoj se edhe kjo përpjekje nuk ka bërë përjashtim, vlerësimi për këtë punë është edhe më i sinqertë.

Dhuna ndaj gruas shqiptare ka njohur përmasa shqetësuese, por reagimi ndaj saj është ende i zbehtë dhe në tentativa të dobta.

Aktivitetet e sensibilizimit në kuadër të 16 ditëve kundër dhunës do të vazhdojnë edhe me përpjekje të tjera. E rëndësishme është që shoqëria të kuptojë dhe të mbështesë përmes solidaritetit ata aktorë që në ndryshim nga pjesa tjetër e shoqërisë,  nuk mjaftohen vetëm me vlerësime të punës që kryejnë të  tjerët.

“Bëje botën portokalli” nuk është vetëm një fushatë për ato gra të dhunuara, por është një mesazh i gjerë për  kontribut  aktiv në të mirë të gruas, në të mirë të së ardhmes së shoqërisë sonë.

“Stop dhunës ndaj gruas” në mbrëmjen çelëse të fushatës e dha ndihmën e saj. Të tjera duhet dhe do ta pasojnë…dhe jo vetëm deri në 10 Dhjetor.