Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Kukudhët ia nxorën kokën...

| E marte, 25.11.2014, 07:22 PM |


‘Kukudhët ia nxorën kokën...’

Apologji për vete dhe për të tjerët

(pjesa e shtatë)

Nga Kristaq Turtulli

‘Kukudhët ia nxorën kokën kartonit të Enverit,’vijnë prej mëmëdheut, lajme të revoltuara, të trishtuara si shpendë shtegtarë, të lënduar prej mërisë së shurdhër. Kapërcejnë oqeane ku ka tajfune e shtrëngata. Është mjaft ftohtë dhe krahët e shpendëve lajme u lodhen, pendët u bien si shami të qullura, të ronitura prej lagështirës, merakut, dhembjes dhe pështjellimit.

Lajmet vazhdojnë: ‘Më parë në përvjetorë, xheku shihje si nëpër të, ndonjë karton të fshehur, të irnosur, të trembur që dukej e zhdukej, por që brenda, prapa atij kartoni, ose nën të fshiheshin fytyra të mbushura, të myrrëtuera me urrejtje të gërmuqur. Pastaj nostalgjikët me kasketa, e mbulonin kartonin nën kapotë të mos kishte ftohtë dhe përloteshin si hiena në muzg. Por tani kartonët me ashikun e tyre janë shtuar dhe janë të madhësive të ndryshme. Ato nuk janë më të gërmuqura, me shijen e hidhur të pendesës, për çka ndodhi popullin e shumëvuajtur, me veten dhe me të tjerët. Shfaqja e kartonëve është bërë më e përballëshme. Mbajtësit e tyre të bëjnë karshillëk të hapur, zgërdhihen pa turp për atë që ndodhi, për 45 vjet me radhë dhe për atë genocit të pashembullt, mbi mijëra familje fisnike dhe një populli të mjerë, të vrarë, të persekutuar, të shpronësuar, të hequr zvarrë, të dergjur në radha të pafundme, për një copë bukë, bunkerëve e transheve të përbaltura dhe gjithë lagështirë.’

Ndërkohë ikën, ashtu, hiq e mos e këput, si nëpër këmbë, 24 e kusur vite që kur u përmbys flama, diktatura më e egër e Evropës lindore dhe kur ai që tani krekoset pa sy e faqe në karton, e shndërroi vendin burg, rrethuar tela me gjemba, u tërhoq zvarrë nëpër rrugët e qyteteve, për të mos u kujtuar më. Të niste një frymë e re, një epokë e re.

Eh, ç’të bësh, kështu qenkan këto punë, mund të thonë, ata që duan të thonë. Por këto vitet e fundit, koka e atij vulë humburit, Enverit, në kartonë, po shfaqet me kryeneçësi, gjithë këmbëngulje në sheshe dhe dëgjohet, nuk mërmëritet më, kënga acaruese, flamose, mynxyrose: ‘mirë se erdhe!’ Me thënë të drejtën dhe tashmë është e njohur, përgjatë jetës së tij, as dhe më vonë, kartoni asnjëherë nuk erdhi vetë. Atë e përgatitën dhe e sollën të tjerët, e dërguan me porosi, në atë kohë të trazuar... Ata, dërguesit, që dhe sot goditën me shkopinj futbollistë tanë të mrekullueshëm, të cilët mbrojtën flamurin kombëtar dhe Shqipërinë etnike, me Ismail  Qemalin dhe Isa Buletinin. Ata që grabitën me dhunë trojet më të mira shqiptare. Ata që bënë një genocit të tmerrshëm kundër vëllezërve dhe motrave kosovare. Ata, si gjithnjë janë në përgjim, mprehin tehet e shigjetave, tendosen harqet dhe dërgojnë me duart e përgjakura shigjetat e errëta, helmuese,  vdekjeprurëse, siç ndodhi edhe në nëntëdhjeteshtatën. Ata me duar të njollosura, që asnjëherë nuk janë fshirë. Ata, duan të errësojnë, të nxijnë qiellin e kaltër, paqësor, të mëmëdheut plot dritë dhe jetë.

Pastaj lajmet shtojnë: ‘Këto ngjarje të përsëritura, shkallë- shkallë me kartonë, nuk janë vetëm si reklamë për të mbushur me gjepura trurin e mykur. Ndërkohë veprimet, dhuna nuk është e njëjtë si dikur, me hekura, pranga dhe kërbaçë. Ato tashmë janë bërë më stërholluara, kartoni me ashikun brenda është karton, paçka se duket i krekosur. Ai po kalbet diku, as shikon as dëgjon. Por brezin e përgjakur dhe helmin e ka lënë mbi dhe, në mbarë vendin, të kujton të tmerrshmen dhe të lëndon plagën, zemrën e plagosur.

Pasardhësit e tij të cilët janë të dukshëm dhe të fshehur i kanë vënë dhe i vënë popullit pranga më të moderuara, të tendosura najloni, por ato janë më të këqija, më torturuese se prangat e çelikta. Ndërsa kartonat si korba kobndjellëse shfaqen, duken dhe zhduken, në një mënyrë ose në tjetër si ta dojë nevoja. Por ujku qimen ndërron, zakonin nuk e harron. Ne me besim të tepruar, nuk donim ta besonim, por ishin të pritshme, përderisa, si i thonë fjalës, Leskovik e tatëpjetë siç ka qenë do të jetë.

24 vjet ‘demokraci’ janë shtyrë me këmbë e duar dhe akoma...Dëgjohet një zë i shuar që pyet: ‘More vëllezër, më tregoni, sepse akoma nuk e kam të qartë, u dënua diktatura dhe diktatori, për krimet që u kryhen mbi popullin tonë të shumë vuajtur? U bë një gjyq i ngjashëm me gjyqi i Nurembergut në Shqipëri, që të vihej pika mbi ‘I’? ‘Po çne ore, atij vulëhumburit, Enverit, nuk ia kanë hequr akoma tituj dhe medaljet që i dha ai vetes për dyzet e kusur vjet dhe ti më flet për gjyqe dhe dreqe, kam dëgjuar që vite të shkuara u bë një gjyq për kafe. Më thuaj kush ta bënte?’ Ia pret me padurim një tjetër: ‘Populli ta bënte, di populli nga këto punë!’ ‘ Dale pritë, thotë dikush tjetër me nervozizëm, ne kemi një skodë plot me parti në Shqipëri.’ Kemi gjithashtu dhe dy parti të mëdha, të mëdha fare, që i paçim sa malet, të cilat thonë se janë kundërshtare të hapura për pushtet, por ta themi mes nesh, të mos e marrë vesh kush, ata janë ortakë në para.’ ‘ Bah, çfarë thua more, e bëjnë këtë punë ata!’ ‘ Hesht e dëgjo. Një parti është e majtë dhe një parti është e djathtë. Mirë e majta që është e majtë dhe kandari do ti anojë nga ajo anë që e lindi dhe e riti, po e djathta çfarë bëri?’ ‘ Çfarë bëri?! Politikë bëri, hipi në pushtet mbushi xhepat dhe zbriti. Pastaj hipi tjetra, sherr dhe shamatë, pastaj zbriti dhe kjo. Kështu me radhë. Pastaj a ishte vërtet e djathtë?! Të rimë shtrembër dhe të flasim drejt, e djathta e mirëfilltë, që përfaqësonte interesat e të burgosurve, të përndjekurve, të shpronësuarve, u çavalit që në shtytka prej dy partive të mëdha. Le të mbeteshin në mes të katër udhëve si më parë për dyzet e pesë vjet me radhë, u është stërvitur kurrizi prej rëndesës e dhunës, pastaj duan s’duan, do tu ngjiten pas qerres të ndonjë partie, e përsëri të mbeten me gisht në gojë... siç ndodhi në të vërtetë,  Nejse. Janë të korkolepsura këto punë. Ndoshta partitë hallemëdha duhet ta kenë bërë ato gjyqe brenda përbrenda, që thua zotrote, Ne popull, si popull, se kemi marrë vesh. Se helbete, popull jemi dhe shumë gjëra të tilla, si allosoj me gjyqe të mëdha, nuk i dimë. Ose aksidentalisht, baballarët e kombit kanë harruar të na i thonë.

Më thanë me dhembje dhe trishtim qytetar: ‘E more vesh, po shkatërrohet deri në themelet spitali, që ndërtoi Thoma Turtulli me arkitekturën e bukur dhe mjetet më moderne të kohës, për ti kuruar e shëruar bashkëqytetarët e tij. Ky spital qëndronte me dinjitet krah të Liceut e bibliotekës së qytetit. Të tre godina madhështore, tre pika kyçe që i nevojiteshin një qyteti me frymëmarrje perëndimore si Korça, dhurata nga më të rëndësishmet që i bëri vëndlindjes Thoma Turtulli në vitet tridhjetë, të shekullit të kaluar. Dihet botërisht që ai mbetet filantropi më i madh, në shkallë Ballkani. Thomai donte me gjithë shpirt që Korça, qyteti tij i zemrës, të ecte krahas qyteteve dhe vendeve të tjera të përparuara të kohës. Jo më kot të huajt e shumtë që vinin dhe vizitonin qytetin e Korçës, filluan ti thoshin Paris i vogël.

Po a e dinë sot këta biznesmenët dhe politikanët e sotëm, sa mund dhe sakrifica ju desh Thoma Turtullit dhe familjes së tij, deri në flijime jetë, të zhvillonte tregtinë e ndershme, të grumbulloheshin ato të holla për ti a dhuruar me bujari qytetit të tij të zemrës, Korçës. Që më vonë në kohën e komunizmit, fisi Turtulli u përbuz, u shpronësua, u përndoq fizikisht, moralisht, bile dhe vetë korçarët nuk u kujtuan për ta, përkundrazi ata e inkurajuan persekutimin. Sigurisht nuk kanë si ta dinë këta biznesmenët e sotëm, sepse e gjetën sofrën të shtruar, lanë pushtetin politik dhe rrëmbyen atë ekonomik. Ata shitën me ngut qysh në vitet e para të ndryshimeve sociale, pa e vrarë mendjen, të gjitha fabrikat, kombinatet, uzinat, makineritë moderne, në shtetet fqinjë, për hekurishte, gjoja do ta fillonim nga zeroja. Por dhe ky është një krim më vete, i lënë në harresë. Atyre nuk u vrau aspak ndërgjegjja se aty, në ato uzina, fabrika e kombinate punuan, u robtuan, mbajtën frymën gjallë me ndershmëri dhe përkushtim të admirueshëm breza të tëra. Aty në ato, vepra të ndërtuara në vite dhe dekada ishin të gjitha sakrificat, mundi, djersa e një populli të tërë, që u rropat dhe e shtyu jetën me skamje, me triska dhe tallona.

Këta, baballarët e rinj dhe të vjetër njëherësh, e lanë popullin i gjorë si zakonisht me gisht në gojë, sepse fatkeqësish edhe po ta mbledhësh, prej zeros zero del. Tregtarët dhe pelinvanët e sotëm, të majmur nuk provuan vështirësitë e tregut të kohës, ku jetoi dhe punoi Thoma Turtulli me shokë, kur mallin e sillnin me mushka mes dëborës, furtunës, pritave të hajdutëve dhe të luftës për një kacidhe. Prandaj të sotmit e hekurosur nuk kanë ndjenjë, dhembshuri dhe përgjegjësi qytetarie. Këta të rrumbullakosur prej nginjesh dhe luksit të shfrenuar, të shohin me përçmim nga lart poshtë.

Ju lutem, më jepni një shembull të vetëm nga mijëra e mijëra biznesmenë që ka sot Shqipëria të ketë ndërtuar me të hollat e veta dhe dhuruar me bujari e mirësi një copës fare të vogël për qytetin apo fshatin e tyre dhe për mëmëdheun e dashur, cili është akoma në vështirësi ekonomike?! Të ngopurit e sotëm, për të uriturin dhe të vuajturin nuk mendojnë kurrë.

Kjo po ndodh sot e gjithë ditën, sepse nuk qysh në fillimet e para të ndryshimeve sociale, trumbetimet pompoze për njohjen e pronës, ishin qiqra në hell dhe nuk vajti haka tek i zoti. Prona e ligjshme, e patjetërsueshme, toka, u copëtua, u sakatua dhe nuk u mor se ku shkoi. Por dhe pronat e dhuruara me bujari të pashoqe, prej filantropëve të mëdhenj, si i pakrahasueshmi Thoma Turtulli për fat të keq po shkatërrohen. Kush kërkon ti përvetësojë? Sigurisht, të rinjtë, të pasuruarit, bashkë me politikanët. Ata, i kanë bërë planet dhe hesapet qysh më parë. Siç po ndodh dhe sot e gjithë ditën me pronat e pakthyera në kodrat e qytetit të shumë qytetarëve të vjetër e të nderuar korçarë. Bashkia me të tjerët i vërtitin qytetarët e vet si tu dojë qejfi... Të gjorët pronarë të vjetër. Por zengjinët e rinj asnjëherë nuk mendojnë për të drejtat e ligjshme të tjerëve dhe për qytetin e tyre. Kurrë s’mendojnë ata, ashtu siç menduan dhe sakrifikuan jetën dhe gjithçka të tyre fisnikët e vjetër, të shumëvuajtur Korçarë si; Jovan Banka, Anastas Lakçe, Mandi Tërpo, Sheko, Merdani etj, me në krye të pakrahasueshmin Thoma Turtulli...

Kështu nuk kemi përse të habitemi për kartonët që ngrenë krye dhe shfaqen herë pas herë, nëpër përvjetorë të ndryshëm. Bah, sa naivë! Ne kujtuam se ata do kishin pak hipokrizi, sa për sytë e botës dhe do ta mbulonin diellin me shoshë. Por ata nga dita në ditë po bëhen ‘ustallarë dhe rrobaqepës të mëdhenj, si dikur, dinë ta vërtitin sherianë...

Përsëri vjen problemi i kartonëve, që shfaqen mbi kokat e njerëzve. Luftën për çlirim nuk e bëri individi, i futur në kornizën e kartonit, i cili qysh në fillimet e veta, shiti, bëri kompromis për karrierë dhe pushtet aspiratat e një kombi të tërë. Ishin të tjerët ata që e frynë dhe ngritën në majat e pushtetit, por nostalgjikët e politikanët e përdorin e nxjerrin me qëllim. Luftën heroike për liri dhe pavarësi kundër pushtuesit e bënë bijtë dhe bijat më të mirë, të cilët derdhën gjakun e tyre të pastër. Shumë prej tyre trimave që bënë luftën, ai ua punoi nën rrogoz, me djallëzi nisi ti shfaroste sistematikisht, pa nam e nishan, i vrau, i preu, i burgosi. Luftën madhe çlirimtare e bëri një popull i tërë, luftoi heroikisht, i cili ndër shekuj e ka dashur dhe e do aq shumë lirinë, përparimin dhe jetën e vërtetë.