E merkure, 30.11.2022, 01:51 AM (GMT)

Kulturë

Dy poezi nga Faruk Tasholli

E hene, 24.11.2014, 07:22 PM


Faruk TASHOLLI

 

TI JE KY QIELL JE KY DHÉ

 

Për Osman Dumoshin

 

Ti nuk je ai atje i shkriri në bronz

Ta thërrasësh shiun në verën e thatë

 

Je heroi i prekshëm që rrin me mua

Në kafenenë u ngushtë me emrin Alo,Alo

Ku brenda një dite të lume

Hyn kërrusur Prishtina e mërzitur

Dhe del e qeshur në buzën tënde

 

Ti nuk je ai atje i shkriri në bronz

Duke shkundur gjethet e vjeshtës së vonë

Kalorës i kujtesës para Teatrit Kombëtar

 

Nuk të ngutin thirrjet as duartrokitjet

Të arrish i pari se vetë del e kthehesh

Te caku i kombit

 

Ti je këtu me mua e frymon atje me Kosovën që derdh

Gjithë këngët e lirisë në zemër të Prishtinës

Për ta gëzuar ditën me diell e paraverë

Te fundi i kësaj gote që kërkon të mbushet

Përditë dashuri

 

O heroi urtak që më mban për krahu

Sa e ngrohtë  vjen buzëqeshja jote në shi

Ku thëllimi ngrin asfaltin e lagur në nëntor

 

Prita se më pret kur kthehen dallëndyshet

Nën qiellin me plepa që rigon pranverë

Ti kishe dalë në anën tjetër të bregut

E të vinte keq e të shponte dënesja

Për qepallat e mia të lagura

 

Ti nuk je ai atje i shkriri në bronz

Je vetë ky qiell je vetë ky dhé

Në zemrën e galduar të Prishtinës

Vetë kjo jetë je

 

 

SHPIRT I BLINDUAR

 

Mallit të pavdeksshëm për

mikun tim , Alishefik Spahiun,

të zhdukur nga forcat policore

serbe më 1999

 

 

Të sodisin sy të egër ushtarakësh

Kafshime dhëmbësh policësh të krisur,

Ti ndez cigaren ndër fjolla tymi

Shikon drejt qiellit lirinë e pritur.

 

Vijnë e të thonë ik se ra zjarri

Ti zjarrin përpin gëllënkë në fyt,

Ti s'ke nevojë të fshehesh te mali

Kur rrezatim drite është trupi yt.

 

Të pret Tetova me sy mbi Sharr

Mos del  mjegullës engjëll i shpëtuar,

Ti zbret legjendat në Ferizaj

Te kënd i përjetshëm Ante i gurëzuar.

 

Sulen të të zënë të të rrëmbejnë

Policë të trishtuar me armë të rënda,

Të habitur në vete ç'forcë e panjohur

Fushes së Kosovës po të mban brenda.

 

Ti ua tall turrin ua poshtëron armët

Ulur në ballkon, me cigare, i qetë.

O armë mbi armët shpirt i blinduar -

Ai shpirti yt sa të mbajti në jetë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora