E enjte, 28.03.2024, 03:26 PM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Letër mbretit

E hene, 24.11.2014, 07:16 PM


LETËR  MBRETIT

Tregim nga Resmi Osmani

I sapo ardhuri ishte një arixhi imcak e mustaqemadh me një ksulë të lyrosur. Qëndroi në oborr dhe tha se e kishte dërguar Sali Gashi. Pastaj pyeti se ku ishte kali që kishin nxjerë në shitje. Shota dergoi njerin nga djemtë ta nxirte kalin nga kasollja. Djali erdhi me kalin për kapistre dhe qëndroi para xhambazit.

Arixhiu i erdhi rrotull kalit. Dukej nga racë e mirë: shtatlartë, gjoks të fuqishëm, bark të mbledhur, veshët të vegjël, jele të gjata e të bollshme dhe ngjyra e qimeve e zezë e ndritur. Dukej që e kishin ushqyer me tagji. Nuk dha ndonjë shënjë  në i pëlqente apo jo kali. Ishte hile e zanatit. Pastaj me shkathtësi e kapi nga birat e hundës dhe me dorë të stërvitur i perveshi buzën e sipërme dhe i pa dhëmbët. Kali i bezdisur tufulloi, hingëlliu dhe shkundi kokën për tu çliruar nga kthetrat. Për ta qetësuar arixhiu  e ledhatoi nga jelet dhe i rrahu me shuplakë vithet. Pastaj i erdhi rrotull, i doli anash dhe me kujdes që të mos hante ndonjë shkelm, se kali iu duk i sertë, i ngriti këmbët njera pas tjetrës për ti parë thundrat. Kali ishte i mbathur.

-Si e quajnë?

-Allxh.

- Ka filluar të plaket.Kali i plakur e duhani i lagur s’vlejnë një grosh. Duket që s’e ka vrarë samari, por për kalë shale i ka kaluar vakti,- tha xhambazi

Si këqyri kalin, xhambazi i hodhi një sy gaxhies . Duhet të ishte te të tridhjetat, shtatselvi, me gërsheta, po e ligur dhe e zbehtë, me pamje të pikëlluar. Dukej që kishte qenë femër e bukur, po bukuri e perënduar që e kishte vrarë barra e jetës, mendoi xhambazi.

Ndërkohë çatisi Saliu, që pasi e përshëndeti e pyeti:

-E, si tu duk?

-S’vlen gjë. As për samar, as për shalë. Ka nisur të plaket, duket që këto kohë nuk është ushqyer mirë, s’ja ka parë dhëmbi tagjinë- tha arixhiu.

Saliu e dinte që xhambazi e bënte këtë që t’i ulte çmimin.

-E di i kujt është ky kalë, mor lum Zotnia?

-Jo.

- I Azem Galicës. Ke dëgjuar gjë për të?

-S’kam dëgjuar. Kush ka qenë ky zotnia? Burri i gaxhies?

-Lere fare këtë muhabet,- i tha Saliu i pezmatuar-Ti përveç kuajve dhe gomarëve,nuk di gjë tjetër!

-Si thua,zotni Sali, të bëj një provë me kalin?

Pa pritur përgjigje, i shtrëngoi kalit kapistrën dhe me shkathtësinë e një maceje iu hodh mbi shpinë. Allxhi turfulloi, u ngrit kas mbi këmbët e para dhe shkundi trupin që ta hidhte kalorësin, por ai I shtrëngoi fort kapistrën dhe e goditi me thembrat nën bark,  pastaj i grahu me një thirrje të egër: “Hyja Allxh” dhe e nisi revan për të kalëruar.

Shota dhe Saliu e ndoqën me sy deri sa kali dhe kalorësi dolën në udhë të madhe dhe pritën sa të ktheheshin.

Arixhiu hyri në oborr dhe e mbajti kalin para këmbëve të tyre. I zbriti, po me atë shkathtësi që i kishte hipur dhe pa ia lëshuar kapistrën nga dora, u tha:

-Po ujdisëm në Pazar, do ta marr. E dua me gjithë takëmet: shalën, qinglat, yzengjitë, frerin.

Frynte erë e ftohtë dhe Shota ndjeu të mardhur dhe dhimbje nga plagët. La të vëllanë të bënte ujdinë e pazarit dhe hyri brenda. Sytë i shkuan te fotografia që kishte dalë me Azemin në Shkodër. Iu duk sikur ai po e qortonte.     ”Më fal Azem,- i tha ajo me përdëllim- po e nxjerr duarsh Allxhin. Po e mbajta këtu,do të vdesë bashkë me ne nga urija. S’na ka mbetur më asgjë. Namëta, me ato pak pare që do të marrim prej tij, do të shtyjmë ca kohë vaktet, që fëmijët të shpëtojnë nga urija. Për më tej, ka Zoti, shohim e bëjmë, ja vdesim ja rrojmë”.

Dëgjoi që po e thërriste i vëllai. Pa që me të ishin edhe të katër djemtë.

-Motër,-i tha ai,- ndahu me Allxhin, ai do të shkojë në fat të vet. Zëri dilte i mbytur, nga  gulçi i pikëllimit, që po i shkallmonte parzmin.

Shota e përqafoi Allxhin dhe mbështeti faqen në ballin e tij. Me gishtat që i dridheshin e ledhatoi. Ndjeu një shtrëngesë të hidhur e therëse në parzëm, shikimi iu mjegullua, gjunjët iu prene dhe nga sytë riguan lote te nxehtë. Allxhi, kali i Azemit, ishte si rob i shtëpisë, pjestar i familjes, nuk ishte kalë po një luftëtar, që kishte ngarendur bashkë me të zotin maleve e lugjeve të Kosovës, mes krismave të armëve, plumbave e tymit të barotit. Që kishte vuajtur mundimet e luftës për lirinë e Kosovës. Me të, në shtëpi bëheshin gjashtë. Tani që ai po ikte mbeteshin pesë. Ishte si të përcillte një xhenaze. Po a mund të shitet një pjesëtar i familjes?! Nuk thonë më kot që uria të shpie në derë të hasmit! “Lamtumirë Allxh! Ti po ikën, në tjetër zot, në tjetër shtëpi, në tjetër jetë. Paç fat më të mirë nga ky yni. Nuk do të shihemi më. Do të na pikë malli për ty dhe do të çmallemi veç në ëndërr. Më mirë të kisha vdekur, të më kishte rënë pika, sesa t’ia arrija kësaj dite të kobshme!” Mërmërinte ajo në përhumbje.

Kalin e kishin shaluar. Blerësi nxori nga kuleta paret dhe ia dha Saliut. I kënaqur që kishte bërë pazar të mirë, zere se e kishte blerë për një copë bukë atë deli kalë, iu hodh mbi shalë dhe  mori udhën e largimit.

Saliu I zgjati paratë së motrës, por ajo nuk i mori. E pyeti sesa mund të shkonin me to. Ai itha se mund të mjaftonin per një muaj, por me ekonomi edhe diçka më shumë, deri në të dalë të dimrit.

-Shko në Fushë-Krujë te bakalli. Blij ato që na duhen. Në shtëpi s’kemi asgjë: as miell, as tlyn, as kripë ,as sheqer…asgjë, asgjë, - i tha ajo- fëmijët po sëmuren nga uria.

Saliu bëri si i tha e motra.

Shota hyri brenda. Zjarri ishte duke u shuar dhe bënte ftohtë. U ul në cep të shtratit. Përbrenda kishte një boshllëk si ti kishin shkulur zemrën. Lotët i rridhnin vetiu dhe psherëtimat si ndalte dot. Të katër djemtë u grumbulluan rreth saj si zogjtë rreth klloçkës. Ju lutën të mos qante, por kur ajo nuk u ndal, nisën dhe ata të qajnë. Shota e mblodhi veten. Shkoi te sqolli dhe u hodhi një grusht ujë syve, pastaj më të vegjlit i rroku në qafë dhe i mbështeti në gji. Ata u tulatën dhe u qetuan. Djemtë ishin dobësuar shumë, qafa u ishte holluar si fije peri, ishin të zbehtë dhe sytë u ndrinin si në ethe. “Si do ti bëhet hallit?- I bëri ajo vetes atë pyetje, që ja kishte bërë shpesh. Në luftë, në malet e Kosovës, në Çiçavicë e Drenicë, e dinte që mund të vdiste nga plumbat e shkjaut. Nuk e kishte ditur që këtu, në Shqipërinë nanë ku kishte ardhur për të shpëtuar nga robëria,  mund të vdiste nga uria. Si mund ta linin të mbaronte nga plagët, skamja dhe urija? Në këtë hall ishin edhe familjet e tjera kosovare që kishin ardhur me të dhe kishin zenë vend aty në katundin Shullaz. Por, ajo nuk ishte si kushdo, ishte luftëtare e lirisë, nusja e një fatosi, e Azem Galicës që kishte dhënë jetën për lirinë e Atdheut. Dymbëdhjetë vjet me pushke ne krah! Edhe të katër djemtë, bij në shpirt, ishin jetimët e dëshmorëve të lirisë.  A e dinin autoritetet e vendit  këtë? Duhet t’ua bënte të ditur. E vendosi. Do t’i dërgonte një letër mbretit. Vetë, nuk mund ta shkruante. Doktorët ia kishin prerë gishtat e dorës së djathtë që ishin gangrenizuar  nga bora dhe akulli i dimrave.

Ajo thirri Sadriun, që ishte më i rrituri i djemve dhe dinte të shkruante.

-Merr një tabak letre, penën dhe bojën që të shkruash një letër.

Ai bëri si i tha dhe po priste në këmbë duke e parë me një vështrim pyetës.

-Merr shkambin dhe ulu në bango.  Do të shkrash bukur e me kujdes, se mos të bije ndonjë pikë bojë. Letrën do t’ia dërgojmë mbretit!

Djali po priste me letrën e bardhë para vetes dhe  penë në dorë. Ajo bariste ec e jak në hapsirën e dhomës, duke bluar me mëndje ato që do t’i shkruante. Pastaj u ndal. Si do ta niste? Po i drejtohej mbretit. Ajo kujtdo, në kuvende dhe odat e burrave  i drejtohej me fjalën “zotni”, po mbretit si i drejtoheshin? Si i pëlqente Ahmet Bej Zogollit që ta quanin? “Shkëlqesia juaj mbretërore” , “Lartësia juaj mbretërore” “Mbret i ndritur e i madhërishëm”? Si ndjehej më mirë dhe i llastuar në sedrën e tij beu matjan, që e kishte shpallur veten “Mbret të shqiptarëve”? Asnjë nga këto nuk do t’i shkruante. Me qen se e kërkonte ofiqi, do ta quante thjesht ”Naltmadhni”.

-Sadri ,shkruaj: “Naltmadhnia juaj, vërë presje, unë jam Shote Galica. E shkrove?

Ajo filloi sërish ecejaket, me çap të ngadalshëm, mendueshëm. Shote Galica, Qerime Halili, motra e gjashtë vëllezërve, loçka e babës, kanakare, e llastuar që e donte si dritën e syrit dhe që e merrte në odat e kuvendeve të burrave. Askush nuk e thërriste Qerime, për të gjithë ajo ishte Shota.

-Gruaja e Azem Galicës, prijësit të lëvizjes kaçake të Kosovës.

E kishte si tashti në sy Azemin, që e kishte hasur së pari në odat e burrave. I hijshëm si yll, i ditur si zot, trim si luan. Ajo e deshi që në shikim të parë. U martuan, po ajo teshat e nusnisë si mbajti veshur as pesëmbëdhjetë ditë. Veshi tirqet,  xhamadanin, vuri plisin, ngjeshi gjerdanin dhe hodhi pushkën krahut. Ajo u bë nusja e maleve. Stolija e saj ishin armët. Luftëtare e lirisë krah Azemit që i printe çetës kaçake. Dymbëdhjetë vite luftë , përleshje e përgjakje me armiqtë shkjahë. Në një shpellë të Çiçavicës varrosi Azemin, dashurinë e jetës. Britma e saj ”Ooo, prite, Prite Azem Galicën o hejjj” percillej e jehonte si kushtrim përtej shtatë malesh e kodrash. Tmerronte armikun dhe ngjallte shpresën.

Djali priste me penë në dorë i krrusur mbi letër.

-Shkruaj: “Gjendem në katundin Shullaz të Krujës.Kam edhe katër fëmijë jetim me vedi. Janë fëmijët e luftarëve të vram për çlirimin e Kosovës”

Ajo heshti sërish. Ishte një heshtje dhe qetësi e shurdhër dhe e kobshme. Dëgjohej vetëm gërricja e penës mbi letër. Zjarri ishte shuar. Dhoma përdhese, me shtresë toke të rrahur, ishte e notitur  dhe e ftohte. Këtu i kishin sjellë për të jetuar, në këmbim të kullave të lëna në vendlindje. Fëmijët kishin hyrë nën shtresa për tu mbrojtur nga të ftohtit që të hynte në palcë. Jetimët, fëmijët e shokëve të armëve, që kishin rënë dëshmorë për lirinë e Kosovës. Ishin amaneti i tyre. Ajo deshi t’i kujtonte mbretit që ata ishin fëmijët e Shqipërisë, ajo i kishte bërë bij në shpirt. Nuk kishte fëmijë të barkut të saj. Djali i lindur në malet e Kosovës kishte vdekur nga të ftohtit dhe vuajtjet e luftës. Asaj i dhimbte shpirti kur i shihte: të veshur hollë, të zbehtë, të paushqyer mirë, shpesh të uritur e të mardhur. Ata nuk ankoheshin, duronin, por asaj sa s’i plaste zemra. Çfarë t’i thoshte mbretit? Hallet s’kishin të sosur. Ajo ishte e sëmurë. Plagët e pambyllura dhembnin hala, e kishin lënë fuqitë. Askush s’kujdesej për të. Por ajo që nuk durohej ishte urija. Hija e saj e zezë kishte pllakosur shtëpinë dhe pas saj dukej sikur rrinte e përgjonte në pritje vdekja.

-Bir,shkruaj:”Jam e shtrëngueme të vnoj në dijeni se jam tuj vdek unit bashk me fmijët jetim “

Ajo priti sa Sadriu ta shkruante fjalinë e fundit, pastaj i tha t’i lexonte gjithë ç’kishte shkruar. Djali me zënë e hollë si cicërima e një zogu lexoi letrën:

“Naltmadhnia juaj, unë jam Shote Galica, gruaja e Azem Galicës, prijësit të lëvizjes kaçake të Kosovës. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës, kam edhe katër fëmijë jetim me vedi. Janë fëmijët e luftarëve të vram për çlirimin e Kosovës. Jam e shtrëngueme tu vnoj në dijeni se jam tuj vdek unit* bashkë me fëmijët jetim”

Kaq. I kishte thënë të gjitha. E mbylli letrën në zarf dhe Sadriu shkoi ta hidhte në postën e Fush-Krujës. Doli përjashta dhe e përcolli me sy djalin deri sa u kthye  te rruga e madhe.

Dita ishte e zymtë. Frynte erë. Nga malet e Krujës po zbrisnin re të zeza, vetëtinte dhe larg dëgjoheshin gjëmime. Kur nisën pikat e para të shiut hyri brenda që të ndizte zjarrin që fëmijët të mos mërdhinin.

*Shote Galica, e lënë në harresë, pa kujdes e në mjerim, u shua nga plagët e luftës dhe urija në 10 korrik 1927 pak më shumë se një vit pasi kishte ardhur në Shqipëri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora