E marte, 16.04.2024, 02:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Ekrem Ajruli: Plutokratë

E diele, 23.11.2014, 07:37 PM


PLUTOKRATË

“të dashur e të nderuar”

Nga Ekrem Ajruli

Përkrah “mirëqenies” jetësore të cilën e konsumoj- e të cilën ju ma përgatitët ( do t’u jem mirënjohës, por nuk e di si t’u falënderoj, madje nuk e di sa do të jetoj, prandaj mora guxim dhe vendim t’ua shkruaj këtë falënderim, të mos thoni se për JU nuk shkrova as fola në mënyrë korrekte, të mos thoni se jam bukëshkalë apo bukëharam...

Pa marrë parasysh cilit tabor politik i (përskitni) përkisni, pozitës apo o(h)pozitës, ju nuk keni dallime, andaj dua t’ju falënderoj nga zemra, për arsye se ia arritët që nga një popull vital përplot optimizëm për jetë, të vendosur e atdhetarë, popull punëtor, për dy dekada e gjysmë arritët ta shndërroni në lypsar, rrugëhumbur, rrahederë, servil, milet me tru të topitur, të cilin e tërhiqni për hunde sa herë që keni nevojë, e tjetërsuat në turmë që u vjen pas-si dhentë dhe blegërin sa herë që Ju i fishkëlleni.

Ju dhe vetëm ju- askush tjetër, për këtë periudhë të “ndritur” arritët të bëni një MUT….kolosal dhe asgjë më shumë...

U përgëzoj për këto vepra epokale- Krenohem me ju Plutokratë, sepse Fushë-GROPËN e Pollogut, nga Gostivari deri në hyrje të Shkupit e shndërruat në GROPË FEKALE gjigante, këtë fushë dikur hambar drithi e prodhues kulturash të ndryshme e shndërruat në rezervat kolumbian apo laborator eksperimentesh mafioze. U përgëzoj juve PLUTOKRATË  të “nderuar”, ngase edhe ato pak fabrika që kishte kjo trevë, ia arritët t’i mbyllni, t’i shkatërroni apo t’i shndërroni në ndotës më të mëdhenj të ambientit jetësor (nëse ka ambient në këtë qytet), si rasti i JUGOKROMIT famoz-mafioz. U akuzojnë për këtë përbindësh industrial, se me ndihmën e tij do t’na vdisni parakohe. Kjo nuk është e vërtetë, ngase Ju BONZ , “shpresa jonë e vetme”, me ndihmë të këtij përbindëshi bëni vetëm testim, sa jemi rezistues ne njerëzit e “vegjël” ndaj sëmundjeve kancerogjene.

Jo, jo, kot u bien në qafë juve. Ju as mizën nuk e shkelni, ngase me dekada ecni mbi kurrizin e popullit.

Mos ua merrni për të madhe;-Ku din raja se Ju digjeni si kandili për mirëqenien tonë.

U përgëzoj nga zemra!-ndihem krenar me ju.

Ju, ia arritët të shkërdheni edhe firmat më të mëdha të kësaj treve, të cilat dikur punësonin një numër të konsiderueshëm punëtorësh, ato i shndërruat në gërmadha, ndërsa punëtorët në kufoma të gjalla migjeniane.

U përgëzoj, ngase edhe në ato pak vende pune në institucionet e shtetit ia arritët të shtyni:-jo të pranoni por të shtyni fisin dhe farefisin farëhumbur tuajin, dhe tani neve njerëzve “të vegjël” na ngel vetëm sa për sy e faqe të paraqitemi në të ashtuquajturën agjenci për “punësim” unë do të thosha vetëmashtrim, agjenci kjo e cila po të shndërrohej në subjekt politik do të ishte më i madhi në këtë shtet.

Pirolla u qoftë, për një periudhë dy dekadash ia arritët përmes tenderëve të thithni për vete edhe ato pak ndihma që na i jep lëmoshë BE, dhe të cilat një ditë do t’i paguajmë ne njerëzit e “vegjël” o me drith o me b....U kuptoj se këtë e bëni vetëm për vete dhe për bijtë e bijat, nipat dhe mbesat, të cilët dëfrehen gjersa ne hamë mutin që keni bë Ju.

Falë përkujdesjes TUAJ unë u mësova edhe të kalëroj.

-Do të shtroni pyetjen si?!

Po ja, derisa Plutokratët bëjnë gjumë, unë merrem me lavatriçen e tranuar (të cilën e kam mësuar të pijë ujë me kovë) që ia mësyn korridorit si pelë e azdisur dhe unë jam i detyruar të kalëroj mbi të për ta ndalë, sidomos kur aktivizohet centrifuga. Siç e shihni lirisht mund të garoj në “Rodeo-t” e kaubojve amerikan.

-Besoj se jam i vetmi që e kuptoj hallin tuaj, prandaj krenohem me ju NJERISHKELËS!

Krenohem me ju, ngase kur është në pyetje njeriu i ri shqiptar, i cili sapo ka dalë nga bankat e shkollës së mesme ose universitetit, endet rrugëve i papunë, jo vetëm që nuk di gjë por nuk ka as ku të mësojë. Këtë ju ia mundësuat.

-Zot, sa shumë ju dua, krenohem me ju.

Sa zemërmirë e human që jeni, edhe pas dy dekada plaçkitje e shkatërrim ia arritët të shkërdheni çdo gjë që ec, zvarritet ose rrëshqet mbi tokë, ndërsa krateret në arkën e shtetit duhet t’i mbyllim ne-njerëzit e “vegjël”.

Me këtë ndërzim, ju shkërdhyet njeriun e “vogël” e të sinqertë, i cili mundohet të bind veten se është i paaftë, por realisht... në këtë mutpiramidë që keni bë ju mund të mbijetoj vetëm mbinjeriu-SUPERNJERIU. Prandaj, dëshiron të shpërngulet diku larg, si për shembull: në Madagaskar ose në Guineja Bith(s)au.

Sa i përket patriotizmit, edhe në këtë drejtim ishit dhe jeni në ballë, sepse të rënët i ngritët në buste -i ringjallët, ndërsa neve të gjallëve na shndërruat në shtatore që zvarritemi, ngase nuk mund të ecim me këmbë të mpira.

-Ju LUMTË! Nuk mund ta përshkruaj sa krenohem me ju Plutokratë.

-Andaj, i lutem Zotit që sa më shpejt t’u caktoj një vend të merituar në Firdaus apo në Kopshtin e Edenit, si shpërblim për këtë që bëtë për ne “vegjëlinë”.

Ekrem Ajruli

Poet dhe ish-gazetar i Flakës

P.s. E nderuara redaksi dhe të nderuar lexues: Ky dialog u dërgua në konkursin letrar: “Tetova feston Nënt(q)orin 2014”. Por, falë jurisë letrare “profesionale” mbaroi në koshin e Plutokratisë. Si duket nuk kanë mundur ta gëlltisin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora