Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Bomba ''politike''

| E shtune, 22.11.2014, 07:24 PM |


BOMBA “POLITIKE” ZAEVIT

I PËLCITI NË DORË

NGA KALOSH ÇELIKU

Dihet, si zakonisht “ilaçet” e mia i marrë nën Rrap, “Tivoli”, “Firenca” dhe “Gjino”. Ose, te “Pirini”. Ballë për ballë Olimbisë, me fëmijë në gji e prehër. Karshi i kam Mitropilitët e Beogradit: Shën Klimentin dhe Naumin krah për krahu me Shën Kirilin dhe Metodin me kryqa e bibla në duar. Karposhin, ende turqit nuk e kanë ngulur në hu dhe hudhin në Vardar. Vetëm ia kanë ndërruar vendstrehimin, ia kanë zgjidhur duart, e kanë hipur në kalë pa shalë. Ndërtesat e vjetra me ato të rejat si institucione shtetërore njëra përmbi tjetrën ia kanë zënë frymën Sheshit në të dy anët edhe diellin. Xhamitë me minare, kokë më kokë në Bit – Pazar pa asnjë petkë shqiptar. Kishat në çdo park mbijnë si këpurdha. Kryqat maleve si parullat e dikurshme ideologjike të shokut Tito e xhaxhit Enver. Vite tranzicioni, kur më shumë janë ndërtuar kisha e xhamia sesa shkolla. Universitete shtetërore e private, gati në çdo legje e katund. Punemadhe, që ne nuk kemi studentë për ato universitete. Histori më vete është ajo, sesi t’u sigurojmë vende pune. Tekefundit, së paku të kishin kësulën e bardhë të Bajram Currit në kokë.

Edhe pse ato “ilaçe”, ende deri në ditën e sotshme nuk më kanë shëruar, por siç e kanë nisur, një ditë do të më shtrojnë në shtrat. Varrit nuk i trembem, është spitali im rrëzë Çukës. Mëkot përmes E –mailit tim më dërgoni viagër. Falemimderit. Hë për hë, falë Natyrës dhe Zotit  nuk kam nevojë. Kryengtitësin ende e kam me dy kobure në brez. Mundëshisht, nëse më doni aq shumë si shkrimtar, ma dërgoni ndonjë cucë të re, ose grua azgane te Mulliri Arapit ta kaloj Natën matanë malit! Tek atëherë, do të shihni sesi shkruhet poezia, bëhen tërmete në letërsi, fitohet Liria.

Matanë Vardarit, e kam Aleksandrin e Madh i rrethuar me roje nderi: luaj e komita më këmbë e kuaj shale. Gati që të gjithë në duar kanë shpata dhe kobure, janë të armatosur deri më dhëmbë. Pothuajse, përgaditemi për luftë e jo për paqe mes dy popujve të armiqsuar me shekuj. Ende nuk trokasim në dyert e Europës. Isë Boletini po të ishte gjallë, derën do ta thyente me shqelma dhe do t’u hynte brenda me dy kobure në brez. Në këtë anën shqiptare, Filipin e Maqedonisë që i përshendet shqiptarët me grusht si xhaxhi Enver me shpatën në brez. Hë për hë, mungon Edi Rama që e tundi “Rrjetën sportive” në mes të Beogradit, ta shpallë Shqipëri Etnike edhe në Shkup. Ose, “shfercerët” me “Ballistin” e Tetovës të lëshojnë ndonjë “dron” edhe në Bit – Pazar me Baballarët e kombit: Ismail Qemali dhe Isë Boletini. Gostivari ndonjë tollumbë në vend të “bombës” të Zaevit. Hakmerren Cërvenkovskit, lajnë borxhin e vjetër për heqjen e flamurit kombëtar kuqezi mbi derë të Komunës. Lojtarët politik të rroken fytas, jo për topin e Mic Sokolit në fushën sportive, por për “dronin” e Edi Ramës që ateroi nga qielli në Beograd. Megjithatë, e kanë lëshuar një “dron” edhe me “Babain” e tretë të Kombit, Rexhep Qosja, po kësaj radhe jo nga qielli, por nga Prishtina në IRJ të Maqedonisë: në Tetovë, Gostivar dhe Shkup. Përçudi nuk e kanë lëshuar në Kumanovë, Manastir, Prespë, Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër, ku për kryetar komune e kanë me profesion edhe një hoxhë. Larg qoftë dhe mos e dhëntë Zoti të paragjykoj se, këto qytete nuk i takojnë Shqipërisë Etnike. Zot, kësaj radhe nuk i del “Shferceri” i Bit-Pazarit e as “Ballisti” i Tetovës dhe Gostivarit, por ai i Komunës Çairit. Krah për krahu me një shtëpi botuese nga Tirana dhe një librari nga Çarshia, bëjnë biznes familjar me Letërsinë shqipe.

Skenderbeu, rri gati mes makinave në parking si komandant lufte me shpatën në brez. I vetmi hero lufte në ditën e sotshme me shpatën në brez, kur nga të katër anët e kanë rrethuar komitët me thika, bomba e armë në dorë. Përmëtepër, Zaevi edhe i kërcnohet me bombën “politike” nën setre se, do t’ia hudhë në mes të këmbëve të Kalit. Edhe atë, kur Gruevski flet shqip (gjuhën jozyrtare) në Universitetin e Europës Juglindore (Shtulit). Përinat, kur e dëgjoj Sheshelin që posa e kanë lëshuar nga burgu i Hagës sesi çirret në mjetet e infromacionit: “Rroftë Serbia e madhe!”. Përçdudi, nuk e di se si më vjen mu në këtë shkrim publicistik të bërats në kupë të qiellit: Rroftë Shqipëria e “vogël” Etnike! Baba Tomorri, vendi i Perëndive. Mali i shenjtë, ku pihet vera, shkruhet poezia. Dhe, bëhet dashuri me Hënën e plotë në Tyrbe.

Kamarieri saora më vjen mbi kokë me rakinë e rrushit: u bëftë mirë, zotëri. Faleminderit i përgjigjem. Edhe, atë: e di se është “hallall”, po çka t’i bëj realitetit shoqëror mes dy zjarreve, unë jam shkrimtar dhe “prodhim” i kësaj “fabrike ekonomike”. “Haxhilerët” e pinë “haramin” nëpër çajtore. Hoxha i Allahut çajin e rusit. Patjetër, duhet t’i marr “ilaçet” e mia të mëngjesit para buke. Përmëtepër, ara nuk lërohet vetëm me një ka, i duhet edhe një shoq në zgjedhë. Qerrja me katër rrota nuk tërhiqet vetëm rrugës pë në Baba Tomorr. Kamerieri buzëqesh, dhe pas pak kohe ma sjellë edhe “kaun” tjetër me gjithë brirë, arën me dy qe ta bëj ugare. Tashti, i them me plot gojën: mund të lëroj, jo vetëm një arë, por gjithë fushën e Shkupit dhe Pollogut me katunde përreth maleve.

Padashtas, sytë më ikin te permendoret e Gruevskit. Olimbia ka mbetur pa çikë uji mes këmbëve. Fëmijët në prehër e gji, qajnë për një gotë ujë mes shkretirës politike. Filipi i Maqedonisë, edhe ai e shoh ka mbetur pa asnjë shtambë verë me dy vegë. Aleksandri i Madh, nuk e ka as një ibrik me dy çepa nën struke me raki rrushi. Luanët e kuajt, edhe ato ulërijnë e hingëllojnë për ujë në prag të Dimrit Madh. Qielli, kur nateditë na sulmon me shi, rritet niveli i ujit të Vardarit të dalë nga shtrati. Herë pas here na godet edhe me rrufe. Pasmesnate, na sulet me përmbytje. Rrugët, shtëpitë të na i mbulojë me ujëra të zeza. Bora edhe ajo na kërcnohet nga majat e maleve, ende nuk ka zbritur në fushë. Vetëm Tetova heroike, rrëzë Sharrit Plak me gurrat nateditë mbi kokë, në mes të Dimrit digjet e piqet për një pikë uji mes ajërit të ndytë të Jugohromit dhe bërllokut.

Vetmevete them: Epo, kështu është kur Gruevski e Zaevi nuk e lërojnë “arën” e Babait, Gligorovit. Tërhiqen mes ugareve si dy qe nën zgjedhë: njëri në vi e tjetri në lëndinë. Nateditë presin arat e tyre t’i lërojë Ali Ahmeti, burri botës që arat e veta i ka lënë djerrë në Zajaz, ia kanë mbuluar ferrat. “Droni” tjetër i (“Rilindasit fundit”) si “Baba” i tretë i kombit nga Prishtina. Interesant, mungon edhe një “dron” (“Baba i katërt i kombit”, DoktorZiu. Kutadish, ai nuk do të zbresë nga qielli e as nga toka, por nëntoka “artistike”. Copë – copë janë duke e bërë zgjedhën për një grazhd politik. Mëkot, përpiqet Ali Ahmeti t’i tërheqi për kërpeshi, nxjerrë nga grazhdi plot me taxhi ta lërojnë arën rrëzë Çukës me lisa e në Pollog, shpie në Europë. Dhe, vështirë e ke sot të bësh arsim dhe kulturë, kur partizanët e partive politike merren me këtë profesion biznesi familjar. Përpiqen ta fshijnë Lëmën e kojshisë, kur të veten ua ka mbuluar bërlloku: “Ditëtë e Kulturës Shqiptare” i organizojnë në Maqedoni e jo në Shqipëri?! Punemedhe, që ato nuk kanë “haber”, as nga arsimi e as nga kultura, e rëndësishmja është: bëjnë zhurmë kulturore politike. Lugetërit komunist zgjohen nga varri për çdo Nëntor historik. “Fitorja”, plot festivale teatrore në çdo qytet shqiptar pa teatër profesional e dramë shqipe. Tekefundit, të bënin një manifestim të hajrët në një qytet shqiptar. Kokës t’i bien me të dyja duart me grushta: Mjaftë më me trumbetime politike, vetëm me Urën e Rozafatës, që ditën ndërtohet nga ustallarët e kombit, e natën rrënohet nga hajdutët e partive politike. Nuk bëhet artë kulmor me rrugaçë politik, por duhet gjetur shtegun tjetër matanë malit, fluturojmë në qiell matanë mjegullave. Diellin ta rrokim për qafe. Konkurencë artistike t’u bëjmë yjeve që e kanë pushtuar Qiellin dhe i vardisen Hënës mbi mal. Koha është, mëzatit të tredhur mos t’i qepemi si rriqëra për herdheve.

I lumtur me siguri është Skënderbeu, që nuk mvaret nga politikanët e sotshëm ta stërpikin me ujë ‘Xheneti” për Ditë vere.  Kalin t’ia kamxhikojnë me thupër thane. Ibrikun e ka futur me kohë nën sjetull. Vetëm në këtë Shtet “demokratik”, deputetët e popullit dhe partizanët e partive politike pa punuar fare marrin rroga qeveritare dhe rrinë në shtëpi. Kohë kjo, kur shumë artistë vdesin edhe për bukën e gojës. Rrugën e kanë zgjedhur për “dilog politik”, në vend të Parlamentit. Kafenetë, vendtakime politike. Shtepitë publike për rehabilitime patriotike. Shtet, që më shumë nëpër sheshe ka përmendore luftarake ideologjike, sesa misionarë paqe e banorë. “Bomba” kërcnuese të politikanëve që luftojnë për pushtet.

Shtet, të cilin me pak shpresa e mbanë gjallë me infuzione ende politika ndërkombëtare. Shtëpitë publike përplot me mëzetër të tredhur për zgjedhë. Përgjumshëm e pret Borën e madhe të zbres nga Sharri Plak e ta mbulojë bërllokun, pastroj qytetin nga ndotjet ekologjike partiake. Dimrin e Madh, jo atë të Kadares, por të Çajupit. Armën e ftohtë të paqes: Kanarin. Pashterkën e kuqe Xhadisë t’ia flukë mbi kokë. Nateditë t’ia përzë xhindet, lënurë lesh Arapi në Tyrbe. Ose, pret tërmetin katastrofal që e kemi pas dere, çdo gjë ta rrafshojë me tokë. Përsëri të nisim nga fillimi si “vëllezër” të Njerkës, dalim në Pranverë. Padyshim, jo te ajo arabe, por te Pranvera shqiptare…

Bomba “politike”, Zaevit i pëlciti në dorë…