E premte, 29.03.2024, 11:41 AM (GMT)

Mendime

Arsim Spahiu: Pseudoanalistët dhe studiot televizive

E enjte, 20.11.2014, 06:23 PM


Pseudoanalistët dhe studiot televizive

Një vërejtje nga larg Zotëri Fevziut

Nga Dr. Arsim SPAHIU

Blendi Fevziu, me emisionet që drejton ka arritur të tërheqë vëmendjen e shumë shqiptarëve brenda e jashtë vendit. Mirëpo nganjëherë sikur gabon në zgjedhjen e të ftuarve. Sidomos këto ditët e fundit që ndjenja nacionaliste e shqipëtarëve mori zjarr nga qëndrimi shovinist i serbëve ndaj shqiptarëve, nga njëra anë dhe patriotizmi e burrëria e sportistëve tanë nga ana tjetër, na dalin në ekran dy persona ndoshta të padëshiruar : Ali Ahmeti për të na propaganduar politikën sllavomaqedonase antishqiptare mbi ndarjen e Maqedonisë dhe internacionalisti Fatos Lubonja për t’i mbajtur ison Ali Ahmetit !

Ali Ahmeti e di se krijimi i disa shteteve me të njëjtin komb në Ballkan ka hapur probleme esencialisht gjeopolitike; prandaj, ai nuk dëshiron të ndeshet me problemin e një riorganizimi territorial shqiptar në hapësirën gjeografike tradicionale të kombit shqiptar; prandaj ai nuk dëshiron një “etnicizim” tjetër të Ballkanit, pra një përkufizim të ri të kufijve të shteteve të këtij gadishulli, që të përputhen me sovranitetet shtetërore.

Këto janë arsyet pse Ali Ahmeti nuk do që të ndahet Maqedonia, më saktë të realizohet bashkimi kombëtar shqiptar. Ai mbase nuk e njeh mirë historinë e vjetër. Me veturë luksoze ai na bredh i lumtur në trojet e Maqedonisë Perëndimore, përmbi tumat ilire të këtij vendi, ku prëhen ende eshtrat e ilirëve, të parëve tanë me armët e tyre, prej të cilave nuk ndaheshin as në varre. E pra, ato eshtra i kanë të gjitha tiparet antropologjike të ilirëve; disa nga ato tipare i ruan në ballë edhe Ali Ahmeti, sikundër i ruajmë edhe ne, bashkëkombasit e tij, por ky fakt, me sa duket pak rëndësi ka për të. Nuk mjafton as nderimi që ai i bën varrit të babait. Ai duhet të njohë e t’i mbrojë të drejtat historike të shqiptarëve të Maqedonisë; ai nuk duhej të thoshte për monumentet e Lekës së Madh dhe Skenderbeut në Shkup: “Ata (sllavomaqedonasit) e ngritën Lekën, ne ngritëm Skenderbeun”. Jo, zotëri. Leka i Madh ka qenë ilir aq sa ka qenë shqiptar Skenderbeu. (Për këtë mjafton që Ali Ahmet t’i shohë botimet e fundit të autorit). Ali Ahmeti e di mirë se kur kanë ardhur sllavët në Maqedoni. Rivendikimi i Lekës së Madh nga sllavomaqedonasit nuk ka … ku të rrijë. Këtu po flas si një shqiptar i indinjuar. Përveç kësaj, shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë pushtuar arat e Akademik Bllazhe alias Vllazhe Ristevskit në mesjetë; shqiptarët përbëjnë të vetmen popullsi autoktone të Maqedonisë.

Duke mbajtur të njëjtin nivel teorik si ky i Ali Ahmetit, na flet edhe Fatos Lubonja. Në pamundësi për të parashtruar argumente që t’i bëhej krah Ali Ahmetit, Fatos Lubonja zuri të na fliste për historinë e ilirëve të Maqedonisë së vjetër, që na kujtonin ato dituri, të cilat i kemi nxënë në klasën e shtatë. Asgjë nga ato që tha ai, nuk lidheshin me temën ”ndarja e Maqedonisë”. Dua të dal këtu: internacionalistët, sado të ditur të jenë, nuk dinë të zgjidhin problemet nacionaliste. Ajo që harrova, ai e zuri ligjëratën me njëfarë përkufizimi të termit nacionalizëm. Ne i themi jo zotëri; në përkufizimin e termit nacionalizëm nuk hyn kurrqysh mëria ndaj një populi tjetër.

Ne shqiptarët e kemi nxënë termin nacionalizëm nga frëngu. Lindja dhe zhvillimi i idesë së nacionalizmit lidhet ngushtë me shtetet moderne të Evropës - Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, ku është formuar dhe përdorur për herë të parë nocioni nacionalizëm, si doktrinë dhe ideologji, e cila kristalizohet në ato vende, në shek. XIX dhe XX.

Nocioni i sotëm anglo-sakson dhe francez i nacionalizmit, i nxjerrur nga Oxfordi dhe Larousse-i, është diametralisht i kundërt me nocionin  mbi kombin, tashmë të shkulur edhe nga Fjalori i Gjuhës Shqipe i partisë dhe i pushtetit popullor i vitit 1984.

Sado të ndryshme të jenë formulimet doktrinale të nacionalizmit në vendet anglo-saksone dhe në Francë e kudo në Perëndim, vihet re prania e një fondi ideologjik të përbashkët, të organizuar rreth katër temave kryesore:

- Nacionalizmi lind bashkë me vullnetin e kombit për të fituar sovranitetin. Këtu fitojnë rëndësi të madhe flamuri dhe himni kombëtar.

- Në të gjitha rrafshet - etnik, shoqëror, politik, administrativ, gjuhësor dhe nganjëherë fetar - manifestohet e njëjta prirje për të luftuar kundër veçorive krahinore, për të zhdukur shkaqet e antagonizmave të brendshme.

- Të gjithë bashkëkombësit duhet që, pa tjetër të formojnë vetëdijen se i përkasin të njëjtit komb.

- Ekzaltimi i të kaluarës nacionale lidhet ngushtë me afirmimin e vlerave universale të qytetërimit të njerëzimit mbarë.

Kaq. Këto formulime që mësohen në programet shkollore të Francës dhe mund të nxirren edhe në Enciklopedinë franceze Universalis.

Ky është nacionalizmi.

Sot nacionalizmi në Shqipëri e kudo s’është gjë tjetër veçse doktrinë politike, që afirmon parësinë e interesit të kombit ndaj interesave të grupeve shoqërore, partive dhe individëve, që e përbëjnë. Asgjë më tepër se kaq. Me fjalë të tjera, kudo në Perëndim, « ç’bëri patriotizmi, ç’bëri nacionalizmi”, ose ndoshta më popullorçe: nacionalizmi dhe patriotizmi janë Ali Hoxha, Hoxhë Alia.

Zotërinjtë duhet të mendohen për opinionin që do të formohet për ta ndër shqiptarë e më gjerë. Prandaj ata duhet të flasin ndryshe. Tashmë gjjendja ka ndryshuar. Këtë e pamë qartë te sportistët tanë se si u vlonte gjaku me t’u gjendur ballë për ballë me nacionalizmin, më saktë me shovinizmin antishqiptar. Këtë e pamë dhe e shohim edhe te të rinjtë e tjerë shqiptarë, ku janë e ku s’janë ; madje dhe te shqiptarët e moshuar e pleq.

Në rrethanat e rrezikshme armiqësore të serbëve, qëndrimi i sportistëve shqiptarë në stadium qe vërtet burrëror. Akti i rrëmbimit të flamurit tonë kombëtar nga duart e serbëve përmban elemente me përmasa historike dhe heroike. Edhe përgjigja që lojëtarët shqiptarë i dhanë agresionit serb me karrike, qe burrëror. Në rrethanat aq të pabarabarta e të rrezikshme ku gjendeshin, shqiptarët nuk mund të bënin më shumë. Bravo u qoftë !

Nacionalizmi lind e forcohet si një prirje intelektuale dhe politike, që përfshin të gjithë popullin. Prandaj të përpiqemi të kapërcejmë ndasitë ideologjike, të bashkohemi si shqiptarë rreth historisë dhe identitetit tonë të përbashkët kombëtar dhe të ngrihemi në nivelin e kombeve të tjera, pra të formojmë edhe ne një lidhje kombëtare për bashkimin dhe mbrojtjen  e atdheut të përbashkët shqiptar nga ambicjet e fqinjve të panginjur.  Tekefundit, t’i vemë gishtin kokës, të na vijë rëndë nga vetja e nga i gjithë njerëzimi dhe t’iu kundërvihemi fqinjve me mënyrat e mjetet që ata përdorin për të formuar Shqipërinë. Prandaj, të gjithë ne shqiptarët, ku jemi e ku s’jemi, të kërkojmë bashkimin kombëtar me kryeqytetin në Tiranë.

Të kthehemi aty ku qemë, ne do të kërkonim nga Blendi Fevziu që në emisionet e veta të mirëpritura, nëse bëhet fjalë për probleme nacionaliste, të shihnim vetëm bij të shqipes si Zoti Zhej, zoti Thaçi (Maqedoni) dhe zoti Koniufca i Vetëvendosjes sonë atdhetare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora