E marte, 31.01.2023, 05:47 PM (GMT)

Kulturë

Remzi Salihu: Ndotja e ajrit me antivlera

E enjte, 20.11.2014, 07:16 PM


5.

Çdo gjë është e shtresuar keq në hapësirë. Ajri është i ndotur me artin e antivlerave. Qielli dhe Toka rrëndohen keq nga pisllëqet dhe papastërtitë e shumta të akumuluar gjatë kohë te ne. Ti vepron me tekat e tua të njëanshme, pa marrë parasysh se ndotja e ambientit helmon të tjerët. Ky është urdhri i artit tënd të njëanshëm, që të jetohet me frymëmarrje të rënduar në hapësirë, të jetohet ashtu si thua ti me urdhra të sofistikuara. Me përvojë turbulente, që jep çmimin e vet të rëndë në shoqëri. Ti ke bindjen tënde të njëanshme. Ndoshta kështu është pasqyra e fytyrës sate që të largon ose afron nga e vërteta, që të jep në shqyrtim imazhin e urrejtjes dhe të dashurisë rrejshëm, që të ngritë apo të rrëzon përballë gjykimeve të të tjerëve në këtë botë virtuale me probleme të shumta globale. Ajo është pudra jote e dukshme lokale, që mbetet si ndriçim i pa luhatshëm në vendimet e tua të mara. Dëshirat të pleksen me imponim në lëkurën e qiellit të hapur. Nuk zënë vend në atë shteg të nisur që si dihet fundi. Atje e këtu fati ka të njëjtën bubullimë të tmerrshme qëndrimi, pa e ndryshuar kahen e veprimit. Posa ti largohesh nga shkuja helmuese për ta zbutur shakullinën therëse të kohës, rrëmuja të mban peng prapa grilave të vendimeve tua të salduara si hije.  Sfilitja trupore të erdhi si tronditje e papritur në kohë improvizimesh. Ti vallëzon, vallëzon dhunshëm vallen e muzgut të freskët nëpër ato karvanë mjegullnajash të trishta, e turbulencash antivlerash të derdhura matanë kureshtjes sonë të përplasura me pa kuptim nëpër të papriturat e shumta të ditës. Ti luan me ndjenjat e të tjerëve, luan me gjakun e huaj dhe kamxhikon sekretin e tyre të strehuar në sirtarin e kujtesës së fshehtë. Vardisesh me pa kujdesi nëpër turbulencë mburrjesh, duke u rrëgallur përdhunshëm tek ata jehona zërash që shpërndajnë kakofoni mbi qytet të acartë. Me turboart folklorik e politik defilon anembanë pafundësisë qiellore, ku koha nëpër trupin tënd arnon bubullima, shpërndanë fuqinë e vet ndriçuese me faktimat zjarresh të përhapura egërsisht në bark të qiellit. Herë majtas herë djathtas, shpërndanë veprimin tënd gri, kryesisht duke humbur vëmendjen e ndriçimit të pritur shumë gjatë midis njerëzish. Ndoshta ti nuk e gjen drejtimin dhe kohën, por ti fluturon drejtë qiellit të ndriçuar apo të errësuar. Kërkon me maskë imazhin tënd mbi trupin e lënduar të të tjerëve. Çastet ngarkohen me pabesi të shumta. Të duket se çdo gjë po parapërgatitet për eksplodim të papritur nga droni fluturues në qiell të hapur. Për t’u nxehur keq me të kaluarën e brishtë, nga gjakrat e derdhur gjithandej gjeografisë ballkanike të iletosur me plagë shpërthyese. Ti kalon i pa përkulshëm nëpër këto viktima nuancash të helmuara nga papërgjegjësia kreative. E mugëtira nuk e lë diellin e mekur t’i ndriçojë lirshëm hapësirat dhe shtigjet e nevojshme të vendit, Tokës. Nuk ka ajër të pastër për të marrë frymë lirshëm, pasi dija e përgjithshme e vlerave artistike është ngushtuar një decenie nga errësira e pa humusuar mendore, kryesisht nga ato qenie uzurpuese dhe manipuluese të kohës së mbrapsht, që shpërlajnë trurin ters me karbon antivlerash nëpër trupin e lëvizshëm të këtij regjioni. Ndaj këto vështirësi jetësore te ne kanë ardhur, si pavetëdije, si kod i fshehur i ndërgjegjes sistemore. Sot këto vështirësi zgjaten në hamendje, zgjaten si mënyra të pa kuptueshme interesash, më tej hapësirës së ngushtuar të jetës, që keqtrajtohen me përdhunim në ambient, nëpër qiell të mugët ekzistence. Me pakujdesi të madhe derdhen trishtueshëm prapështi vepruese njerëzore. Përplasen njëra me tjetrën kundërshti të pa pritura intolerancash e mendimesh atakuese për njëri tjetrin, dhe sekretet e jetës vardisen nëpër sprova përjetuese, për t’u zbuluar tërësisht mu nëpër barrikada të thinjura reshë të azdisura në qiell të hapur. Të përgatitura vrullshëm me skenar mjeshtëror, për konflikt të ashpër nga distanca e pa parë më parë, kryesisht nga largësitë e ngjeshura me vetëtima të papritura muskujsh e përgojimesh që përhapin anomali morali të ngritur me temperaturë të stërzgjatur mbi tirazh të madh trazirash shpirtërore, për ngufatje e djegie ide gjallesash të ndrydhura ane mbanë kozmosit, që mandej me pabesi të mbajnë rreptas në prehër fshehtësinë e fluturimit jo adekuat të pëllumbave, korbave e laraskave të pa kontrolluara e të arratisura keq në lartësi arti, me kiç dhe shund politik, nëpër thellësi qielli të pa pritur të kohës. Ato re të thinjura që luhateshin papandehur anembanë shpërfilljes tënde politike të pa kontrolluar, mbajnë peng lirinë e qytetarit të pranishëm nëpër fenomene imponuese të ditës, duke marrë kuptim e vlerësim të shpërndarë dendur mbi vendime të shpejta, e me pa kulturë të rënduar nëpër brinjët e thyer të vendit. Rrënjët e tyre tani më kanë lëshuar shtëllunga krahësh jeniçerësh, pushtues të ashpër vendesh e nëpër qiell të hapur konfliktesh, duke shigjetuar me konkurrencë të ashpër, majtas djathtas, lartë poshtë, fluturimet e pa kontrolluara në natyrë. Me atak bubullimash të papritura demonstrojnë praninë e tyre të egër në pasqyrë. Dhe kështu të dalldisurat re nxitëse pengojnë matanë vëzhgimit syrin e etshëm njerëzor. Shfaqin gjykime thumbuese të shpejta e të hiperbolizuara mjaftë në errësirë. Zvarritja e tyre e pakuptimtë e imazhit të shëmtuar erdh si britmë e keqe dhe ulërimë e përkohshme e dhunës uzurpuese në fragmentaritete idesh përdhosura, duke përmbytur e ngufatur hapësira të çliruara nëpër eter qiellor të dukshëm, e që, tani për tani, kufizojnë kërcimin e lirë të shikimit të pranueshëm të katapulltimit e të diversiteteve të shumta jetësore në shoqëri, kryesisht në kohë frymëmarrjesh shkencash të kontrolluara, nga elektronika e informatika, apo nga gjurmimet e standardizuara njerëzore, për kuptimin e vërtetë të kapjes reale temës së dhënë, për ndryshim standardesh të mirëfillta, në thelb të hapësirave të reja motivuese e frymëzuese, në kozmosin e lirisë së shtegtimit kreativ e absolut, të arsyetuar me racionalizëm mendor të mundshëm nga dijetar, mu në qiell të hapur kuptimesh e vlerësimesh të drejta. Pasi tanimë, të tilla vlera arti të dukshëm dhe çlirim ndjenjash të harmonizuara, në rreth politik kulturor, nuk ekzistojnë bindshëm midis njerëzve të konvencionalizuar rëndë në përsëritje e defekte të përhershme idesh, që mbajnë peng në skenë tempullin romantik të rrejshëm e të tejkaluar nga koha e moda, kryesisht të vendosura nëpër klishe bindjesh të rrëmujshme letrare të trashëguara keq nga mos dija subjektive e leximit alternativ. Tani ky qiell i rrudhosur letrar ka të botuara libra të dobët, por edhe kultivon lexues të këqij gjithandej nivelit të shkollimit, që përmbysin dhe vërshojnë me shumicë kohën me antivlera. Libri i keq të ftoh dhe të lëçit keq shijen e leximit për një kohë të gjatë dhe në sirtarin e kujtesës të sjell epidemi neverie të stërzgjatur, e që terrorizon keq lexuesin. Libri i dobët prapëson dashurinë për lexim, të largon nga ajo fytyrë e këndshme perceptimi. Nuk të mban në tension këndimi të rrjedhshëm deri në faqen e fundit. Ka pallavra të shumta, të arnuara me fragmente plagjiaturash të pa kuptimta. Më në fund të kall tmerrshëm intertekstualiteti i vendosur keq në rrëfim, me papërgjegjësi individuale mban ison e ritmit monoton. Rrëfimi keq ta vështirëson jetën me përmasa moskuptimesh të rënduara përballë shtegut kreativ të imagjinuar kaherë. Jetojmë rrejshëm nën këtë saç të nxehtë e të kaltër të indigos qiellore, për përfitime e privilegje momentale shoqërore të shumta për mbi ne, por me pasoja të mëdha nëpër vite, gjegjësisht duke u renditur keq në sistem fluturimi, nëpër statistikat e shumta të devijimeve kolektive, pa një perspektivë të mundshme për të ardhmen e dëshiruar të fëmijëve tanë. Kundër këtyre anomalive të imponuara shtrembët, dendësia e mendimeve bindëse duhej të ishte korrekte, dhe vendimet sistemore të pranoheshin drejtë që me kohë. Po të duam nivel të duhur të artit të lirë, alternativ, atëherë do të duhej të bënin ndryshime radikale dhe të krijojmë vlera me ndriçim të gjatë estetik, me shije të adaptuar kujdesshëm në përvojë dijesh, kryesisht nëpër aurën e vëmendshme të mbrojtjes së vlerave të mirëfillta të trashëguara nga qytetaria e kultivuar dhe nga pritja reale të kthesave historike në vend. Me arsye bindëse në kohë, duke shpaluar ide të shumta në shkencë komparative, gjegjësisht duke zënë vendin e merituar në qasje të ideve të mirëfillta, për ta shpërlarë trurin e vendin e ngarkuar nga ndotja e gjithanshme e antivlerave vërshuese, nëpër një rreth kontrollues të mundshëm nga hermeneutika  gjuhësore kreative e dijes dhe të shpalosjes shkencore të temës dhe motivit të dhënë gjithnjë në objektiv të çiltër studimi. Kryesisht, për të bindur të tjerët me seriozitetin tonë për kuptimin domethënës të fjalës së argumentuar shkencore, për çështjen e dhënë me alternativë kuptimi, për të arriturat e shumta, si sintezë e kapshme e gjuhës së fshehtë artistike ekzistuese, në interpretim adekuat të gjërave të parashtruara në shkencë deri më tani. Me motive të sistemuara mirë nëpër ngjarje e margjina të plotësuara shënimesh të dukshme nga rrezet e mundshme të interpretimit të ri. Këto argumente bindëse do të ishin vlera domethënëse të pranimit standard, të shprehjes së shtjelluar kthjellët në shkencë, nga drita e verifikuar e njohjes adekuate, sidomos për ngjarjet e pranuara të novatores së dalë, tanimë, nga konteksti epik i ndodhisë së çështjes së verifikuar drejt në kuptim dhe në kërkim gjykimi më të plotë. Dhe kjo sot do të reflektonte te ne dukshëm, si risi, si arritje standarde, nëpër vlera të shumta dhe në panteon të trashëguar kulturor do të kishim zënë vendin e merituar. Pa pasoja rezultuese për të ardhmen, siç janë sot të theksuara vështirësitë e dukshme nëpër shumë shkrime të dobëta, nga mbarështimi i keq i teorive të improvizuara, si dhe nga moskuptimi gjuhësor faktik i tekstit të dhënë në ligjërim të thjeshtë shkencor. Kështu duke pasur kujdes nga këto anomali letrareske, fantazia e ndritur njerëzore do të kishte kujdes të madh për kërkime e fërkime të pranueshme prej nesh, kryesisht të arsyetuara nga të tjerët që dinë të vlerësojnë fenomenet me korrektësi, për fluturim të lirë nëpër margjinat e hapura të kohës ekzistuese. Sot duke jetuar të robëruar nga shumë anomali të mbisunduara të kiçit, paraqiten edhe shkalafitje tjera më të mëdha idesh të errëta, të pa përpunuara shkencërisht sa duhet nëpër lartësitë e qiellit të hapur të kriterit të mundshëm kulturor, ku baticat e zbaticat tronditëse të dijes verifikuese shfaqin kuptim jo domethënës për shoqërinë dhe kundërshtitë e pranishme të tyre marrin formë jo bindëse nëpër reflektime imponimesh të papritura paradoksale.

Njerëzit i përcjellin fluturimet! Edhe fshehja më e vogël e mendimit sintezë shpalohet drejtë në kërkim, bashkë me gjurmët e saja të thella, për deshifrimin e ngjarjeve ekzistuese, gjithandej përplasjes së lehtë të vezullimit mendor në art alternativ të dukshëm. Sot matanë pranisë së ekzistencës njerëzore rrugëtimi ka thashetheme shpifëse dhe vlerësimi për artin e fluturimit, gjegjësisht për uzurpimin e hapësirave të pa merituara kulturore e humb kuptimin bazë të artit të mirëfilltë. Kjo shihet qartë më vonë, kur pengohen dhe anashkalohen vlerat e mirëfillta në shoqëri, apo kur ngrihen në qiell jo vlerat ekzistuese. Mediet, tanimë, përdhosen me poza fotografish individësh, duke u imponuar e reklamuar profile të rrejshme antivlerash të shumta. Kjo mënyrë e tendosjes së baticave dhe zbaticave sunduese në kohë, midis të mirës dhe të keqes, vjen pas kundërshtive të shumta të konkurrencave të ardhura në skenë veprimi, që vijnë gjithandej përvojës së verifikuar shkencore, të adaptuar mirë në qasje permanente, gjegjësisht, mu në qiell të hapur vlerësimesh adekuate, dhe kjo bindje e sprovuar gjurmimi të fakteve ekzistuese shkencore, qëndron në ne e kuptueshme, si ide kërkimi adekuat, ose si kometë shpresëdhënëse e shkencës së mirëfilltë alternative, në lëvizje të kriterit të pranuar, ndriçues e stimulues racional, të risive të shumta nëpër vepra të dalluara të vendit, apo nëpër imagjinatën e shëndoshë të njeriut kërkimtar, nëpër arenë kohe të dukshme, të temave të dhëna shkencore e ekzistuese: “kitsch, konvencion dhe art”.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora