Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Shqipnia në rrjetin e marimangës

| E enjte, 20.11.2014, 08:20 PM |


SHQIPNIA  PRAP  NË RRJETEN  E  MARIMANGËS

NËN  DREJTIMIN  E  INJORANCËS...

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e III.

1944

Josif  Broz Tito me sherbëtorët e vet në Shqipni, Dushan Mugoshen, Enver Hoxhen dhe Miladin Popoviqin, nga viti 1941 e deri në pragun e 1945, i ndihmuem nga “Aleatët”, të cilët i kishin lanë në llogoren e tij edhe djalin e Çërçillit, po zbatonin një anderr të vjetër të shumë e shumë shekujve përpara: Shkatrrimin dhe coptimin e Trojeve Shqiptare, me luftë civile!

Viti 1943 – 44 kishte shkretnue e la në gjak Shqipninë Jugore, deri në Shkumbin... Po e njajta gja po ngjante në Lindje me krahinat e Dibres e deri ne zemer të Kosovës e Maqedoni. Krahinat e Veriut ishin lanë per ma vonë. Roli Atdhetar i Klerit Katolik Shqiptar në Veri, kishte dobsue në maksimum propaganden perçarëse dhe vllavrasëse të PKSh, dhe të zagarëve të saj. Malësia e Alpeve tona, nuk kishte fare besim tek gënjeshtrat e propaganga e sherbëtorëve të Titos. Këte e verteton thanja e Heroit Prekë Cali, kur Mehmet Shehu i tha me datën 17 Janar 1945, kur Preka ishte i lidhun dhe i çarmatosun tradhëtisht nga bandat jugosllave që u printe terroristi Mehmet Shehu: E more Prekë Cali, të pat ardhur koha për ta mbyllur historinë me shkronja ari po t’u bëje me ne komunistët, pse veprove kështu? Vigani hero i Malëve Prenk Cali, u përgjegjë:“Jo zotni, faji bije mbi ju komunistat, se ju u batë me anmikun shekullor të Shqiptarit, me shkaun!” Atdhetari Prekë Cali, nuk e shiti Atdheun si Mehmet Shehu, Enver Hoxha e kriminelët tjerë, që per një sterlinë tradhëtuen Shqipni e Kosovë, Hot’ e Grudë e të gjitha Trojet tjera, bashkë me Flamurin e Gjergj Kastriotit, të cilin e kishin zhigatë me yllin e kuq bolshevik.

E kush asht ai Shqiptar, që edhe këte nuk e quen tradhëti antikombtare?

Ishte pikrisht ky Veri i Alpeve tona, që as bizantinët, as turqit, as Esad Pasha e as, nipi i tij Ahmet Zogu, nuk mujti me i futë në rrjetën e marimangës shoveniste sllave të traktateve të urryeme të Bristolit... E aq ma pak anadollaku Enver Hoxha, që e dinte me kohë thanjen e Nolit: “Mbetën katholikë malësorët e Veriut me armë në dorë!”...Ky ishte piksynimi i komunistëve sllav në Veri! Shfarosja e Atyne Bjeshkëve që në mija vjetë vazhdonin me i këndue Atdheut dhe Fesë me Lahutën e Tyne legjendare! Historianët nuk flasin kurrë per Kontin Galeazzo Çiano, që ka shkrue: “Shkollat e Klerit Katolik në Shkoder, kishin ba aq shumë propagandë antifashiste sa ne atje, nuk gjetem asnjë përkrahje.” (Libri “Kujtime”). Konsulli Meloni, shkruen: “Në shkollat e Shkodrës të drejtuara nga Françeskanët e Motrat Stigmatine...propagandohëshin ndjenja të një nacionalizmi të ekzagjëruar, antipatie e urrejtjëje ndaj Italisë” (Konsulli Meloni. Attivita contraria dei Frati Franceskani. Telegrami i tij dergue me 23 qershor 1939, në ASMAE.)

Pikpamjet e Klerit Katolik nuk i thonë “akademikët” anadollakë, ndonse, gjithshka asht e vertetueme që në shtator të vitit 1944, kur Don Ndre Zadeja u takue me oficerin anglez Neell, në Sheldi, të cilit, i tha: “Theksova nevojën që populli shqiptar, i vorfen e me armiq shekullor, që janë sllavi, bullgari, greku, Italia, ka nevojë për nji mbrojtje nga Fuqitë e hueja...” Prokurori Sotir Dodona, thekson: “Këtu nuk ka bërë tjeter veç detyrën e kollonës së pestë, dhe ka treguar një urrejtje për frontin N.Çl.” (Dosja 677) – Ja pra, kujt i shërbente fronti N. Çlirimtar!..

Pikrisht per këte thanje Don Ndreu u pushkatue i pari klerik në Shkoder, me Atdhetarin Prekë Cali, në Zallin e Kirit, me 25 Mars 1945, plot 20 ditë mbas Don Lazer Shantojës në Tiranë. Dashuninë per Flamurin ia quejtën “fashizëm”... Pikpamjet Atdhetare të Don Lazer Shantojës, At Bernardin Palaj dhe ndonjë tjetri, i cili, per të vetmen arsye: “Bashkimin e Trojeve Etnike me Atdheun Nanë”, e shikonin të mundshem ashtu si u realizue vetem nga Italia fashiste në fillim të vitit 1941, kur as nuk ekzistonte kund PKSh. Asnjëherë nuk asht tregue dokumenti i Ipeshkvijve, që nënshkruen mbas pushtimit fashist, ku i kerkojnë: “Ruejtjen e Pavarsisë kombtare.” (Telegram i Ipeshkvijve Shqiptarë, dergue Mbreti Viktor Emanueli III, 29.IV.1939. Arkivi Shtetit Tiranë)

Të gjithë u mbyten në tortura dhe u pushkatuen me etiketen “fashista”, se: “Dëshira e Tyne per Shqipninë Etnike” u konsiderue kunder të gjithë interesave të shovenistëve fqinjë, në sherbim të të cilëve ishin tradhëtarët e Atdheut të kuadruem në Partinë Komuniste, të vuem  në sherbim të Titos, per interesat e Rusisë Sovjetike staliniste, nga vetë forcat Aleate.

Kleri Katolik Shqiptar e dinte para komunistëve të 1936, porosinë e Leninit në 1922:  “Duhet të angazhohemi në luftë përfundimtare kundër klerit reaksionarë, të asgjësojmë qëndresën e priftërinjëve dhe të murgeshave me një mizori të tillë, që ta mbajnë mend me dekada të tëra.” Atè që “ndokush” me qellim me evitue termin e terrorit anadollak e quen sot “terror bollsheviko – komunist të Enver Hoxhës”.

Nëse katër Klerikë Katolikë, e pranonin Italinë per shanset Etnike, nuk duhet harrue se ishin 186 e sa... të tjerë, që kishin punue për Shqipninë e Gjergj Kastriotit, dhe për të ruejtë Unitetin Kombtar, arrijtën deri aty sa me nderhy nder komandat e pushtuesëve, për me shpetue pa dallim feje nga kampet e tyne rininë Shqiptare, që ishte drogue me pikpamje komuniste, aqsa kur vihej para pushkatimit ky “hero”, thërriste: “Rroftë Stalini i math...Bijtë e Stalinit jemi ne!”

Sa të rijë komunistë kanë shpetue misionarët Don Alfons Tracki dhe At Zef Maksen, të dy me origjinë gjermane, po ma Shqiptarë, se “komunistët tanë”, dhe mbas 1944, u pushkatuen!

Ky shperblim me “plumbin ballit” mori me vete mbi 60 Klerikë Katolikë, e nder ta të flaktin Atdhetar At Anton Harapi, i cili me 4 Shkurt 1944, hyni në dhomen e Xhafer Devës, tue i thanë: “Jo kështu, Xhafer, jo gjak, se edhe komunistët janë vllaznit tanë!” dhe pushoi pushka!

Po, Aleatët, a e dinin sa çifut kishte shpetue Ky At Anton Harapi si Rregjent?

Cili kje “shperblimi” që komunistët me Aleatë, i dhanë At Antonit? – Plumbin ballit!

?Ja dhe disa fragmente të Fjalimit të Tij, të mbajtun në Korrik 1944, në Korçë:

Kush e kishte zanë besë?.. Antagonizmi fetar qiti kryet dhe u fut mizorisht ndër ateistët e ditës. Egërsitë e bame në Jug midis djelmënisë shqiptare vetëm pse muhamedanë e kristianë janë fakte që nuk lanë me lujtë, por janë prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare. Përsa di unë deri me sot kjo çashtje kurrë nuk kje përballue kjartë e mirë sa herë kje kallë, menjëherë edhe kje mbulue si gaca nën hi. T’i mbetët hatri kujt të duen, unë due me e thanë mendimin tem haptas; marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik, e këta jo për besim sesa për inat e për parti. Ndër çastet ma të vështira të jetës sonë kombtare njëmend se shpetuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse në fund të punës mbeti nji tharm, nji fond rryme e partie sa me të trembë e demoralizue.

Tue prekë me dorë plagën vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë ndër né? Ateistët me të gjithë skeptikët, indiferentët, natyralistët, aventurierët e opurtunistët, thonë jo: Na shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiptarizma!..Pra, tezën teme e vé kësodore: Shqiptarët, po të jenë vërtetë të qytetnuem e nacionalistë të sinqertë, besues edhe përnjëmend në nji Zot të vërtetë, nuk ka sesi të mos rrojnë vllazënisht shoq me shoq;...

Pengim i madh për jetën shoqnore, pra për qetësinë e vllaznimit tonë, asht fanatizmi, i cili asht një turp për përsonin, turp për besimin të cilit i përket personi e turp për jetën shqiptare... Besimi në një Zot të vërtetë,..do ta zbusë njeriun për ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë primjet e instinktit ndër të cilat asht egoizmi, që don të justifikohet me shkakun e besimit...Për të rrojtë vllazënisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekë fanatizmin në besim... Ngjitas me kulturën njerzore shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha që ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë...

Një kusht tjetër që rrjedh prej kulturës së shpirtit asht nderimi për bindjet e të tjerëve...Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht! Kështu arësyetojnë ata që besimet i kanë ferrë në sy!..Problemi zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parime që janë: 1. Intoleranca dogmatike, 2. Toleranca shoqnore-qytetare, 3. Toleranca shoqnore-politike...

Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion ...Edhe po patëm arësye e të drejtë ndër çashtje, kurrë nuk kemi arësye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shojnë, të përdorim rrenën, të falsifikojmë historinë, të shtijmë në punë motive të ulta, të polemizojmë me pasion...tjetër asht përsoni e tjetër asht vepra:

Përsonin e falim, veprën e gabueme e dënojmë;.. Ky asht parim bazë që na shoqnon: Me kurrnjë gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët edhe të jenë të gabuem, afrim, dashni, vllaznim...

Pra, Zoti i të gjithë neve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi nji. Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë Shqiptarëve.

Shteti njimend asht afetar, d.m.th. asnjanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnjë besim ma fort se për tjetrin, hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit: Ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë;..

Pra me mbajtë qetësinë midis elementave fetarë: 1. Duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve. E vërteta nuk lot: Intoleranca teorike-dogmatike; 2. Duhet të kemi dashninë e sinqertë midis përsonave: toleranca shoqnore-qytetare; 3. Duhet të mbahët drejtësia me ndërgjegje ndër ligjë e ndër zyrtarë: Toleranca shtetnore-politike.

E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë. Kështu nuk mbet kush shqiptarë, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali as Bajram Curri pse janë muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse janë ortodoksë, as Gurakuqi as Ded Gjo’Luli, pse janë katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare!

Duhet ta pohojmë botnisht se për mungesë kulture jemi këtu.

Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: ta njohim e ta ndiejmë sa duhet këte plagë shqiptare...na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemërime kundrejt shoqi-shoqit; me këta lindim, me këta rritemi, me këta edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na çrranjosë. Do të kalojë edhe ndonjë brezni që muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhdukë krejt idenë “kaurr”, ashtu për një predispozicion të bamë petk, si kristjani i sotëm edhe i nesërmi kenë e pa kenë për çdo punë që nuk i bie për shtat, ka me kujtue e me u ankue: Po më bahet e padrejtë pse jam ortodoks, pse jam katolik...Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo, kjo veti instiktive që kohët e kalueme ndihmoi shumë për me shpetue shpirtin, gjuhën, zakonet e traditat tona, nëse kje fat i madh asohere, sot për jetën tonë kombëtare mund të bahet rrezik i parë.

Kam pa e shoh përditë shqiptarë edhe me kulturë të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetës së vet,...hir e pahir duen të bajnë të vetën; duen vetëm ata me kenë të mendshëm, ata gjela që këndojnë. E po gjetën injorantë, trashamanë, hipokritë, servilë, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbje, pa shpirt, edhe ngrehen kapadaij, udhëheqës, pionjerë a shka po di unë. E ja klanet, partitë prej nga rrjedhin dasitë e kontrastet shoqnore: Hallet shqiptare...Ku asht faji?....-Fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi, këtyne.... u do hjekë e drejta të mësojnë... Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, që mesa macja e qeni nuk e beson as Krishtin as Muhametin, por formon klane...Derisa mos të zbulohen e mos të qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm nuk ka qetësi në Shqipni!..

Mos të më thotë kush se nuk asht e vërtetë se unë jam tue e teprue... as nuk po e çoj ma gjatë për mos me e zbulue të gjithë vobeksinë e shpirtit tonë të kufizuem...

Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin kulturor e kombtar, por personalitetet, që me cilësitë e nalta morale e me zotësi ditunore janë ata që bajnë pikën e gravitetit në një popull.

Derisa të jenë kush që kujton se myslimanët shqiptarë janë Shqipnia apo se, vetëm kristjanët janë nacionalistët e vërtetë, nuk kemi bashkim kombtar, nuk kemi jetë vllaznore, na jemi thikë e brisk. Historia asht e do të mbetet histori! Prandej, historia ja mos të prekët aspak, ja nuk ka kush të drejtë t’a falsifikojë e t’a sajojë vetë, për pa shkaktue zemrime, shqetësime e polemika që nuk ndertojnë, por prishin e rrenojnë.

Mos të rrijmë tue njehsue e tue theksue shka na dallon, por ma fort të ngrehim për shka na bashkon: Na bashkë kemi një Zot në të cilin besojmë, kemi dhetë urdhnimet që Ai na ka vue, kemi detyrë morale, shtetnore e kombtare të perbashkëta, kemi histori, kemi ide, ndjesi, jetesë, zakone, kangë, festa, shpresë, shpirt, interesa, gjuhë e të tjera visare e nevojë nëpër të cilat na jemi një në mënyrë të pandashme.

A nuk mund të përmbahemi pa e vu në veprim atë shpirtin kundërshtar që e kemi në palcë e në lëkurë? Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin, luksin e alkoolin, vesin, dhunën, pasuninë e padrejtë etj, ; e jo, të kapemi për punë feje. Të na mbushet mendja mirë se, sikurse nuk janë fajtorë myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu nuk kanë ma pak të drejtë kristianët vetëm pse numri i tyne asht ma i vogël...

Me gjak të vet e shuguroi Elterin e Atdheut katoliku, ortodoksi e muhamedani. Gjeçovi e Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Germenji e Negovani nuk kanë ndryshim, por janë nji në mendim e nji në vendim, në vepër e në vdekje. Ata e kryen detyrën e vet tue e vulosun me gjak atë shka jemi: Vllazën të një gjaku!

Mirditasit e dukagjinasit, kosovari e dibrani, kurveleshasi e kolonjari  për vjet e vjet hoqën keq me ruejtë të njejtën gjuhë, të njejtin shpirt, të njejtat zakone shqiptare ngase, ata kjenë nji në sakrificë e në drejtim, në saje të tyne trashëguem visarët tona kombtare. Me gjak e ndasi jemi ngopë. Kemi provue edhe se shka asht kthetra e huej. Jemi rysë tashma me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv të partive dhe kemi pa e prekë me dorë se një popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht i gjykuem me mbarue. Rreziku që na rri mbi krye të bjerrim Shqipninë, idealet e interesat që na dalin përpara, gjamët e shpirtit shqiptar e aspiratat e të gjithëve për gjithshka asht për të mbarë e të mirë, vlerë e nderë për popullin e kombin, për historinë trashëgim të breznive shqiptare, janë arësye e shkaqe që na imponojnë të lidhemi e të mbahemi nji ballë i çeliktë pa ndryshim besimi, partie, krahine a privilegji. Do të ishte një tradhti e naltë për brezninë tonë që tashti këtij blloku të çimentuem t’ia ndezim bomben e dasisë me shkëndinë e përçamjeve fetare...Jo, kurrnji mos pritshim t’ ia mërrijmë asaj ditë, kur për shkak të dasive, të shkrihemi porsi krypa në uji e të zhduket prej fëtyrës së dheut  Vatra Shqiptare, mos të jehojë ma ndër kombe zani i Arbnorëve.A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé! Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer...

Nuk shpeton, jo, sot as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë. Të ngrihemi në kambë! Për një Zot të vërtetë për një Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!”

?Kushedi sa herë e kam lexue dhe them me vete: “Ky dijetar, i vobegtë dhe i zbathun me zhgunin e fratit, që aq shumë ka pasunue kulturen Shqiptare, me veprat e veta Atdhetare aq të çmueshme dhe të pasterta si brilanti... Asht pushkatue si “tradhëtar i Atdheut dhe i Popullit”...

?Këto ishin pikpapjet e të gjithë Atyne Klerikëve që u pushkatuen nga komunistët!

?E pra, kjo asht Shqipnia... që po na zhduket ndër duer!

Melbourne, Nandor 2014. Vazhdon ...