E enjte, 25.04.2024, 03:46 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Kujtesë LDK-së!

E merkure, 19.11.2014, 08:03 PM


KUJTESË LDK-SË - NËSE LDK IKËN NGA BLLOKU DHE DEL NË OPOZITË KJO BEHET PËR LLOGARI TË  HASHIM THAÇIT

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Isa Mustafa ka lajmëruar që në mëngjes në Facebook anëtarësinë dhe simpatizantët e LDK-së se sot mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës rreth vendimeve që do të marrë kjo parti pas situatës të re të krijuar. Uroj që këto vendime të jenë në interes të vendit dhe njëkohësisht të partisë së liderit historik të Kosovës.

Mesazhi i Isa Mustafës bie ndesh me lajmet që janë përhapur e botuar në gazetat që i paguan klani titisto-thaçist brenda LDK-së, se LDK do të dalë nga Blloku dhe do të kalojë në opozitë, nëse nuk merr postin e kryeministrit. Mosangazhimi i LDK-së në mbështetjen e një shtypi të lirë e të pavarur ka qenë gjithashtu në funksion të fuqizimit me pushtet politik dhe ekonomik të këtij klani.

Duke mos dashur të paragjykoj, po bëj një vështrim retrospektiv që ka patur impakt negativ si për vendin ashtu edhe për vetë LDK-në, që kur LDK u shpall aleate e Hashim Thaçit. Rreziku i këtyre skenarëve ekziston edhe sot.

Nën ndikimin e segmentit titisto-thaçist, LDK mund ta mbështesë Hashim Thaçin me dy skenarë:

Skenari i parë, më i pamunduri, është duke e tradhtuar Bllokun për të hyrë në aleancë direkte me PDK-në, ashtu si veproi LDK-ja në zgjedhjet e 2007, ku pranoi Hashim Thaçin kryeministër dhe Fatmir Sejdiu u bë president i Kosovës. Në një vend demokratik, pas humbjes drastike që pësoi LDK-ja, kryetari i partisë do të duhej të jepte dorëheqjen menjëherë. Ndërsa nën trysninë e segmentit titisto-thaçist, Fatmir Sejdiu e shiti partinë e Rugovës dhe nuk e pati aspak problem të hynte në aleancë me Hashim Thaçin, në këmbim të postit të Presidentit të Republikës dhe posteve të tjera ministrore.

Skenari i dytë, më i munduri, duke e tradhtuar Bllokun e duke dalë LDK në opozitë. Ashtu si preferoi LDK-ja të dilte në opozitë në zgjedhjet e 2010, kur ia dha në tabaka fitoren Hashim Thaçit, sepse nuk pranoi asnjë aleancë parazgjedhore me partitë që kishin dalë po prej LDK-së pas përçarjes së madhe që bëri Sejdiu në kongresin famëkeq të 2006.

Në zgjedhjet parlamentare të 2010, do të mjaftonte që LDK-ja të bënte aleancë parazgjedhore me partinë me të cilën tradicionalisht kishte bërë aleancë Ibrahim Rugova, siç ishte partia e Mark Krasniqit, me LDD, Partinë e Nexhat Dacit, me FER dhe partinë e Ukë Rugovës, që të dilte partia e parë e t’i i fitonte zgjedhjet. Në zgjedhjet e 2010, prej trysnisë së elektoratit rugovian, LDK-ja nuk mund ta riciklonte aleancën me PDK-në, dhe mënyra e vetme për ta mbështetur Hashim Thaçin ishte që të pranonte opozitën. Ndërkohë që kryetari i LDK-së, në vend që të merrte postin legjitim të liderit të opozitës në parlamentin e Kosovës, zgjodhi postin e kryetarit të bashkisë së Prishtinës.

Sa i përket zgjedhjeve të 2014-ës, LDK-ja, po nën trysninë e klanit të njohur titisto-thaçist, hodhi poshtë çdo aleancë parazgjedhore, përmes së cilës do të dilte lehtësisht si partia e parë. Moshyrja në aleanca parazgjedhore e LDK-së në zgjedhjet e 8 qershorit 2014 ishte në favor të Hashim Thaçit, ashtu si edhe në vitin 2007 dhe në vitin 2010. Pra LDK ripërsëriti skenarin e njohur në favor të PDK-së.

Por çdo gjë ka kufirin e saj. Tani klani titisto-thaçist ka humbur totalisht reputacionin në elektoratin e Kosovës. Ai mbahet në fije të perit vetëm prej strukturave të partisë. Dhe tani janë duke luajtur me kartën e fundit, që është dalja nga Blloku dhe kalimi në opozitë, gjithmonë në favor të Hashim Thaçit.

Kjo lëvizje është totalisht një manipulim i fundit që bën klani titisto-thaçist dhe uroj me gjithë zemër që Isa Mustafa dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së të mos bjerë në rrjetën e tyre.

Të gjitha pretendimet janë vetëm trushplarje për elektoratin. Dhe ja përse:

Së pari, LDK nuk mund të ketë asnjë pretendim për Ramush Haradinajn, sepse LDK e Fatmir Sejdiut në vitin 2007 bëri aleancë me Hashim Thaçin.

Së dyti, LDK nuk ka argumenta që të mos e pranojë Ramush Haradinajn në postin e kryeministrit të Kosovës, kur me Ramush Haradinajn bëri aleancë vetë lideri historik i LDK-së Ibrahim Rugova, në zgjedhjet e 2004. Në atë kohë LDK-ja kishte dalë parti e parë me një fitore të qartë, e votuar nga rreth 300 mijë votues ose me 46 % të votave, ndërsa partia e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte marrë rreth 54 mijë vota ose 8.28%, dhe Ibrahim Rugova i dha Haradinajt postin e kryeministrit.

Pra, siç shihet, LDK-ja nuk ka asnjë arsye për të justifikuar mospranimin e Haradinajt si kryeministër apo daljen e saj nga blloku në opozitë.

Uroj që LDK të udhëhiqet nga interesat kombëtare të vendit dhe jo nga verbëria e klanit që ka qenë fatalitet për partinë e krijuar nga lideri indipendentist i Kosovës. Sepse kjo do të jetë autogol ose knock down-i që LDK do t’ia japë vetvetes.

Sepse kam bindjen se asnjë nga partitë e Bllokut AAK-VV dhe Nisma nuk do të pranojnë ofertat e Hashim Thaçit dhe Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohëshme, ndërsa LDK-së do t’i duhet të bëjë edhe Kongresin e jashtëzakonshëm, që do të ketë efekte të thella katharsisi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora