E premte, 29.03.2024, 04:44 AM (GMT)

Kulturë

Ndue Lazri: Jetë e sjellë në art

E merkure, 19.11.2014, 08:32 PM


JETË  E  SJELLË    ART

-Rreth vëllimit me tregime “Dashuria çel në prill” të Drita Lushit-

Nga Ndue Lazri

Gjithnjë kam patur përshtypjen sikur Drita Lushin e kam lexuar paralelisht, edhe në poezi, edhe në prozë. Sepse nuk e dija me cilën gjini e kishte filluar më parë krijimtarinë, me poezinë apo me prozën. Kur më ranë në dorë dy librat e saj të parë, vëllimi poetik “Ëndërr” (botuar në vitin 2012) dhe ai me tregime “Dashuria çel në prill” (2013), mora vesh kronologjinë e botimit, por njëkohësisht kuptova që Drita vinte nga poezia dhe mbetej poete edhe në prozën e saj.

Një tufë tregime, si një tufë lirika. Lirizmi i këtij vëllimi me tregime ndihet që në titullin e tij. Dashuria çel në prill, thotë autorja, si për të na paralajmëruar që tema dhe motivi i saj i preferuar do jenë dashuria dhe stina e pranverës. E në fakt pjesa më e madhe e tregimeve të këtij libri i kushtohen dashurisë.

Autorja Lushi e hedh vështrimin e saj të mprehtë në jetën e përditshme, në mjediset ku jeton e punon, në ambientet që frekuenton. Ajo nuk i kërkon larg ngjarjet e personazhet e saj, përkundrazi duket sikur ajo i merr direkt nga jeta dhe i fut në tregim. Mënyra se si i qëmton ngjarjet, si i ndërton subjektet, si i portretizon apo tipizon personazhet, tregon se ajo e njeh mirë lëndën e parë dhe pastaj e përpunon natyrshëm e në mënyrë të shëndetshme artistike në laboratorin e saj. Në secilin nga tregimet ajo ulet të rrëfejë e duket sikur bisedon nga afër me lexuesin, duke e marrë për dore në atë teatër ku veprojnë personazhet e saj. Ajo t'i prezanton personazhet sikur të ishin të njohur të saj të përditshëm e dora-dorës ti si lexues hyn në botën e tyre e ndahesh prej tyre duke mbajtur në mendje atë portret që ka skalitur autorja. Tek tregimi “Vals me të bardha”, të ngulitet personazhi qendror Etleva, një vajzë sa e brishtë dhe ëndërruese, aq e fortë përpara dhimbjeve të mëdha që mund të të prezantojë befasisht jeta. Ajo e mban sekret përpara pjesëtarëve të tjerë të familjes sëmundjen e pashërueshme të të atit dhe fundin e tij të afërt. E ai sekret mbetet vetëm i tyre deri në valsin me të bardha, që ajo e vallëzon në dasmën e vet pikërisht me të atin. Në atë ditë të gëzim - hidhërimit të saj më të madh, ajo vallëzon në heshtje dhe “vetëm duartrokitjet e të ftuarve na kujtonin se ishim në një gëzim”, e mbyll tregimin autorja.

Në krahët e poezisë i përshkruan ngjarjet e personazhet autorja edhe tek tregimi “Vendim i vështirë”, i cili mund të shtrihej edhe deri në kufijtë e një novele. Janë originale, të natyrshme njohja e Adës me Gjergjin, thellimi i kësaj njohjeje përmes episodesh poetike, ku lëvrin si në një park lodrash vogëlushja Irva. Autorja di ta mbajë ndezur deri në fund kureshtjen e lexuesit, që i ndjek me simpati personazhet deri në momentin e asaj zgjidhjeje te papritur, por aq të thjeshtë, përmes një telefonate nga larg.

Ndër personazhet e tipizuar bukur në libër të mbeten në kujtesë edhe Marco, adhuruesi enigmatik i luleve tek tregimi “Trëndafilat”, ajo e mësues Toninit tek tregimi “Adhurimi”, apo Ylberi tek “Lot burri”. Në këto dy tregime e fundit autorja kap dy tema të veçanta, që nuk i kanë shpëtuar vështrimit të saj njerëzor por edhe misionit të krijueses. Janë dy tema dramatike nga jeta e realiteti i sotëm shqiptar. Tek “Adhurimi” ajo kap temën e gjakmarrjes, kjo plagë e vjetër mesjetare që në mënyrë absurde është rishfaqur në prag të shekullit të ri, me ndryshimin e sistemeve dhe në paaftësinë e shtetit për të siguruar rendin. Drita Lushi e ka trajtuar në këndvështrimin e saj këtë temë, pa futur në mes kanunin apo figurat tipike të misionarëve të pajtimit të gjaqeve. Ajo merret me dramën e një vajze, nxënëse shkolle, që mbetet pa mësim për shkak të ngujimit të familjes për motive gjakmarrjeje. Futet natyrshëm figura humane dhe intelektuale e mësues Toninit, i cili jo vetëm vjen e i jep mësim në shtëpi vajzës, por me pjekurinë, mençurinë e burrërinë që e karakterizon, arrin të pajtojë edhe dy familjet në gjak.

Ndërsa në tregimi “Lot burri”, të duket sikur autorja ka kapur daltën e ka gdhendur me mjeshtërinë e një skulptori në dru figurën e Ylberit. Një burrë i mbyllur në dhembjen e tij për humbjen e gruas dhe të fëmijëve, i lënë në harresë nga indiferentizmi i njerëzve përballë fatit të tij të zi, ka braktisur çdo dëshirë për të jetuar dhe pret fundin e tij në një qoshe rruge. Një dramë që haset jo rrallë në ditët tona e që autorja ka ditur ta kapë e ta sjellë në art. Ajo përcjell bukur mesazhin që nganjëherë  edhe një gjest fare i vogël njerëzor, por i bërë me zemër e pa shtirje, mund të ndihmojë për të rehabilituar këta fatkeqë e për të rikthyer tek ata dëshirën për jetën.

Autorja e librit, në disa nga tregimet e shkurtra të këtij vëllimi, e shpalos më së miri aftësinë e saj për të luajtur bukur me fjalën, ajo është lozonjare e batutave të papritura dhe e situatave simpatike, e kthesave të befta të ngjarjeve dhe ravijëzimit të personazheve tërheqës, duke i bërë ato tregime poetike në vetvete. Të tilla do të përmendja tregimet “Alo”, “Burri i vjeshtës”, “Shiu”, “Sytë” dhe “Vizatim pa penel” .

Vëllimi në fjalë nuk bie në sy vetëm për gjuhën e punuar kujdesshëm nga autorja, duke derdhur dozën e duhur të poezisë në frazat, episodet  dhe personazhet, për larminë e rëndësinë e temave të trajtuara, për personazhet që na i paraqet aq natyrshëm, por edhe për përkujdesjen që ajo ka lidhur me formën. Ndonëse është vëllimi i saj i parë në prozë, ajo ka ditur ta bëjë atë të larmishëm në formë për ta bërë sa më të këndshëm për lexuesin. Diku përdor formën e ditarit (“Shtatë ditë”), ku ajo di t' i ruhet fragmentarizmit dhe të ruajë unitetin e subjektit të thjeshtë por të këndshëm që shpalos ndjenja autentike malli e dashurie të herionës së tregimit në një javë që e ka larg bashkëshortin. Diku tjetër përdor etydin apo trillin si formë të treguari, diku skicimin apo formën e një penelate që gjithësesi lë gjurmë në kujtesën e lexuesit.

Vëllimi “Dashuria çel në prill” është hapi i parë i kësaj autoreje, e cila është një krijuese që nuk pajtohet me prehjen apo me atë çfarë ka arritur me publikimet e deritanishme. Ajo kërkon të provojë edhe gjinitë gazetareske, si ndihmë për qëmtimin e situatave, fakteve e personazheve që mund të zënë vend në galerinë e saj. Autorja udhëton, fotografon me pasionin e fotografes, por gërmon më tej me syrin e mendjes dhe intuitën e krijueses, me kërkesën për t' i servirur nesër lexuesit diçka të re e në një nivel më të ngritur artistikisht.

Ndue Lazri

Gazetar

Bolonjë, Itali



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora