E marte, 19.03.2024, 07:44 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Në kufi!

E marte, 18.11.2014, 09:30 PM


Në kufi!

Nga Elvi Sidheri

Kur përçapet njeriu që të kalojë kufirin turko-grek nga zona e Trakisë turke, për në atë greke (se ka edhe një tjetër Traki bullgare ndërkohë), ajo që më tepër të bën përshtypje, janë doganierët e secilës palë...!

Ata turq, të ngeshëm, zakonisht të buzëqeshur vesh më vesh, dhe të mësuar me të huajt e me turistët në përgjithësi.

Ndërsa nga ana tjetër, grekët janë përgjithësisht cazë më tepër përtacë, dhe siç duket nga këto anë, më të pamësuar me flukse njerëzore (përveç emigrantëve ilegalë nga Siria, Iraku e Afganistani, të cilët vërshojnë masivisht ilegalisht për në BE, duke shkelur më pas edhe tokën shqiptare si zonë të ndërmjetme tranziti, deri sa të arrijnë shpresueshmërisht, në Gjermani apo Angli).

Edreneja e këndshme, s'është ende larg, megjithë arkitekturën e saj të spikatur osmane, po aq sa edhe Ibrik Tepeja me kujtimet e vagullta të Fan Nolit, qytezë historike për të cilën, mënjanë librave të shkollave në Shqipëri e gjetkë, pak kujtohet kush në rrethana të tjera...!

Kur bëhem gati të kaloj nga njëra doganë në tjetrën, doganieri turk, pasi ka "shqyrtuar" dhe vërejtur me kujdes e kërshëri faktin që ka të bëjë me një "arnaut", dhe ka vënë në dukje (se turqit rëndom, si nëse janë shitës apo pronarë dyqanesh, ashtu edhe nëqoftëse shërbejnë nëpër recepsione hotelesh, apo punojnë në doganë, llapin përherë pamasë)... faktin se një teze e ka pasur nga Presheva më duket, ia fut një “Ho?çakal” (mirupafshim) dhe njeriu më pas gjendet mbas pak në anën greke.

Aty të pret një doganier grek llapazan, që përhumbet pafundësisht nëpër labirintet për të krejt të pakalueshme, të faqeve të pasaportës tënde, duke kërkuar mesa duket qimen në vezë, apo gjilpërën në kashtë, në një kërkim metodik dhe të mirëperfeksionuar, për të gjetur patjetër ndonjë gjë që s'shkon (pale sa breza policësh kufitarë grekë, e kanë praktikuar këtë sport të veçantë, të "këqyrjes" së hollësishme të pasaportave shqiptare, gjatë 24 viteve të fundit, para dhe pas heqjes së vizave me vendet e BE-së, për qytetarët e Republikës së Shqipërisë) !

Si përfundim edhe ky heleni djersëmadh (se ndryshe nga kolegu i tij turk, që shullohet në diell, dhe pikën e djersës s'e lëshon mbi dhé, ky greku ynë se ç’mbytet në shtatë palë djersë ndërkohë, sikur të jetë duke punuar pranë ndonjë furre buke i gjori, dhe jo brenda një kabine komode kufitare), ta jep pasaportën me qesëndi, dhe pas një logorreje fjalësh pa sens (ose thënë më mirë..., që kuptim në greqisht, padyshim gëzojnë, por që veshi im "greqisht-moskuptues", nuk i shqipëron dot kurrësesi), të thotë edhe një "????????" që mua rrjedhimisht (siç thuhet tek një film Real-Soc... "Gjindje pa shkollë zotni msus", meqë shkollë ose qoftë kurs të gjuhës helene s'është se kam bërë ndonjëherë) , më tingëllon si urdhër për të “Parakaluar” aty…!

Por nuk është e thënë që të jetë kështu, pasiqë siç rezulton nga një tjetër udhëtar që po hyn në Greqi nga Turqia, ashtu si edhe unë, i cili siç duken bathët, greqishten e “mbllaçit” (kupton) njëçikë, kjo fjalë dashka të thotë asgjë më pak sesa “Të lutem” !

- Epo në rregull atëherë ore zoti doganier - them unë - meqë qenke i kulturuar, edhe unë po ta kthej "me të njëjtën monedhë".

-“Te?ekkür ederim”  ( faleminderit shumë) i them unë, duke harruar aty për aty, se i kam folur grekut turiperënduar në turqisht (është lodhur shumë gjë duke punuar i ngrati, a mos vallë janë përtacë si rracë këta grekët ?...Who knows anyway !)...!

- "Hapu dhé të futem" - mendoj unë menjëherë.

Hamendësoj se greku lëkurëpjekur nga rrezet e pamëshirëshme të diellit Trakas, do të jetë lënduar ndoshta thellësisht, në ndienjat e tij helenocentrike, por njëkohësisht, për lehtësimin dhe çlirimin tim të madh, vërej se doganierit grek, as që i bëhet qoftë edhe largësisht vonë për fjalët turke që porsa patën dalë paturpësisht nga goja ime, faqe tij, brenda tokës greke.

-“Güle güle” - më thotë ai pa e vrarë aspak mendjen, dhe duket se ky incident diplomatik potencial "shqiptaro-turko-grek" është mbyllur pa u ngjizur akoma mirë.

Teksa çaj përpara me ngadalë në brendësi të truallit grek, nga mendja gjithësesi nuk më largohet dot përshtypja sesi nga të dyja anët e kufirit, gjuhët e huaja, mënjanë greqishtes dhe turqishtes sigurisht, janë ende një "mollë e ndalueme" (me dashje), për doganierët dhe funksionarët kufitarë të këtyre dy shteteve të mëdhenj e të fuqishëm...

Ndryshimi deri diku substancial midis dy palëve, në këtë kontekst, mund të qëndrojë ndoshta në faktin, se të paktën, doganieri turk, megjithë injorancën e tij të pakufijshme gjuhësore, rreket zakonisht me këmbë e duar (mimikë fytyre përfshirë), që të bëhet i kuptueshëm për të huajin e rradhës që vë këmbë apo largohet nga shteti turk.

Ndërkohë që kolegu i tij grek, teksa rrufit me një qetësi vërtetë "olimpike" (fjalë më e duhur, nuk mund ta ilustronte këtë rast)... varësisht sipas stinës, frapenë e ftohtë plot shkumë, ose kafenë turke (Uppss, në anën helene të kufirit, e quajnë domosdoshmërisht dhe vetëm... "GREKE"), paditurisë së tij globale gjuhësore, i shton edhe një dozë të fuqishme kryeneçësie tipike ballkanike, të modelit: "Po ti ça ke që s'di akoma të flasësh greqisht, që të merresh vesh me mua?"

Ç'e do që ti në ndërkohë mund të posedosh një njohuri të gjerë gjuhësore, që varion në mbi dhjetë gjuhë po të jetë nevoja...!

- "Greqisht nuk di, vetë e ke fajin"! - duket sikur më thonë sytë moskokëçarës, më tepër sesa të acaruara, të doganierit grek përballë meje.

E gjithë kjo skenë që prek shpesh trajtat e një surrealizmi të vonuar të datuar 2014, zhvillohet ndërkohë që dy protagonistët doganierë, të kësaj ndodhie frymëzuese (me mua, që vazhdoj në "eksplorimin" tim kurioz, këtej dhe andej kufirit në Trakinë turko-greke), më shohin me të njëjtin vështrim të perënduar.

Ndoshta pyesin veten: "Po ky "arnauti", ky "Alvanosi", pse s'e vendos njëherë e mirë se nga do të vejë, e të na lerë të qetë neve, që të numërojmë delet në dremitjen tonë të paqtë këtu?!"

Më duhet ta pranoj se mund të kenë edhe të drejtë.

Fundja kjo është një pikë e vockël kufitare, që edhe në harta të duhet mikroskopi për ta dalluar, dhe pak njerëz, e aq më pak turistë, do e kenë prurë kokën nga këto anë, për t'u aventuruar në të dyja krahët e këtij kufiri.

Vendos atëherë, të largohem dhe t'i le të qetë në (mos)punën e tyre të përditshme, në atë "dolce non far’ niente" (asgjëbërja e ëmbël) që përmendin ca mesdhetarë të tjerë të njohur, pra italianët.

Por sërish, para se të largohem, nuk ia bëj dot pa i pyetur edhe për diçka...

- "More miq, po kjo "Musakaja", gjellë turke, apo greke është vallë"?



(Vota: 9 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora