E premte, 29.03.2024, 10:55 AM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Beteja për çlirimin e Tiranës...

E marte, 18.11.2014, 07:12 PM


Beteja për çlirimin e Tiranës ka vetëm një dëshmor “Hero të Popullit”, historia zyrtare e vrasjes të së cilit është dukshëm e gënjeshtërt.

Nga Kastriot Myftaraj

Në librin “Historia e Shqipërisë”, botim zyrtar i shtetit komunist thuhet: “Beteja e Tiranës është lufta më e madhe dhe heroike e UNÇSH (Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Shqipërisë) kundër pushtuesve dhe tradhtarëve për çlirimin e atdheut.” (“Historia e Shqipërisë”, Akademia e Shkencave e Republikës Popullore të Shqipërisë, Tiranë 1965, vëllimi 2, f. 812-813)

Beteja për çlirimin e Tiranës supozohet të ketë qenë beteja më e gjatë e ushtrisë partizane. Sipas historiografisë komuniste kjo betejë vazhdoi 19 ditë, nga 29 tetori në 17 nëntor 1944. Kuptohet se beteja më e madhe dhe më e gjatë e Luftës Nacional-clirimtare duhet të kishte pasur edhe numrin më të madh të dëshmorëve, të cilëve iu është dhënë titulli “Hero i Popullit”. “Hero i Popullit” ishte titulli më i lartë i nderit që jepte regjimi komunist i Enver Hoxhës për ata që kishin kryer akte trimërie. Dhe beteja që ka pasur numrin më të madh të gjermanëve të vrarë, duhet të ketë pasur më shumë akte trimërie. Për Betejën e Tiranës historiografia komuniste thotë se gjatë saj u vranë më shumë se 2000 gjermanë. (“Historia e Shqipërisë”, Akademia e Shkencave e Republikës Popullore të Shqipërisë, Tiranë 1965, vëllimi 2, f. 812)

E njëjta shifër e gjermanëve të vrarë jepet edhe në botimin kryesor të historiografisë komuniste për Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare (“Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Popullit Shqiptar”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1989, Vëllimi IV, f. 807)

Në çdo betejë në historinë ushtarake botërore, pala e cila mësyn për të marrë një qytet ka humbjet më të mëdha njerëzore. Prandaj, nëse në Betejën e Tiranës u vranë mbi 2000 gjermanë, ishte dashur që të ishin vrarë rreth 3000-4000 vetë nga pala sulmuese, pra nga partizanët. Por nuk ndodhi kështu. Në librin e parë të rëndësishëm të historiografisë komuniste për Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare, me titull “Kronikë e ditëve të stuhishme” u dha shifra 127 dëshmorë. (“Kronikë e ditëve të stuhishme”, Botimi i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Popullore, Tiranë 1962, f. 449)

Në librin më të rëndësishëm që u botua në kohën e regjimit komunist për Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare, që është historia e kësaj lufte në katër vëllime, në vëllimin e katërt të botuar në 1989, jepet shifra 194 dëshmorë. (“Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar”, vëllimi IV, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1989, f. 806)

Nuk thuhet gjë se nga dolën këta 67 dëshmorë të tjerë. Gjithsesi faktet e mësipërme tregojnë se nuk ka pasur aspak Betejë të Tiranës, ku partizanët sulmonin, ndërsa gjermanët mbronin qytetin. Ajo që ka ndodhur është se gjermanët lëshonin pjesë-pjesë qytetin, varësisht agjendës së tyre të tërheqjes nga Shqipëria, ndërsa partizanët hynin në zonat nga ku ishin tërhequr gjermanët. Sigurisht që në kohën që të ndodhnin këto lëvizje të dy palët qëllonin me armë më kot, gjermanët për të shpenzuar municionin të cilin nuk e merrnin dot me vete, ndërsa partizanët për të treguar se po bënin luftë.

Nga 127 apo 194 dëshmorët e betejës për çlirimin e Tiranës vetëm njërit i është dhënë titulli Hero i Popullit nga shteti komunist, Estref Cakës, që njihet edhe me emrin e fshatit si mbiemër, Estref Osoja. Për Estref Cakën (Osoja), të vetmin Hero të Popullit të Betejës së Tiranës, historiografia komuniste ka dhënë një version kundërthënës dhe absurd, sa i përket vrasjes së tij. Në një libër të botuar posaçërisht për Heronjtë e Popullit të Luftës Nacional-çlirimtare, nga shteti komunist, për të thuhet vetëm se: “Estref Osoja ra heroikisht në luftimet për çlirimin e Tiranës më 2 nëntor 1944” (“Heronj të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare: përmbledhje dokumentesh”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1984, f. 159)

Në këtë libër ku thuhet data e vrasjes së tij, nuk tregohet se si u vra. Dhe kjo gjë nuk ndodh rastësisht. Në librin “Yje të Pashuar”, një botim i kohës së diktaturës komunistë me biografitë e dëshmorëve, ka vetëm një faqe tekst për Estref Cakën. Në këtë libër përshkruhet vetëm vrasja e tij, pa u dhënë data e vrasjes!!! As kjo nuk është rastësi. Ja se çfarë thuhet për vrasjen e Estref Cakës në librin “Yje të pashuar”: “Brigada I luftonte nëpër rrugët qendrore të Tiranës. Partizanët hidheshin përpara duke sulmuar me trimëri pozicionet e armikut. Një kompani luftonte në sheshin qendror, në sheshin ‘Skënderbej’. Që lart nga katet e ministrive qëllonin mitralozët gjermanë. Shumica e tyre heshtën, por njëri ende qëllonte mbi partizanët. Edhe ai duhej asgjësuar. Një djalosh i rri shtrihet rrafsh me tokën dhe zvarriset drejt korbit të zi që villte zjarr, që mundohej t’ u merrte jetën shokëve të tij. Ai ishte komandanti Estref Caka dhe ai vetë do të asgjësonte atë fole zjarri vendosur në dritaren e një ministrie.” (“Yje të pashuar”, Botim i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, Tiranë 1971, vëllimi 2, f. 361-362)

Në jetëshkrimin e Estref Cakës në librin “Yje të Pashuar” qëllimisht nuk jepet data e vdekjes së tij, por thuhet vetëm “Ishte nëndor”. Kuptohet se nëse do te thuhej data e vrasjes, atëherë do të zbulohej gënjeshtra në historinë e vrasjes së tij. Në 2 nëntor 1944, tre ditë pas nisjes së sulmit të partizanëve mbi qytetin e Tiranës, nuk qenë zënë ende prej tyre pjesa më e madhe e pozicioneve luftarake gjermane në ndërtesat e ministrive, në qendër të kryeqytetit, siç thuhet te libri “Yje të pashuar”, pra se se shumica e mitralozëve gjermanë të vendosur në ndërtesat e ministrive kishin heshtur që në 2 nëntor, me përjashtim të njërit. Kjo është një gënjeshtër e kuptueshme për çdo njeri.

Mbi të vërtetën e vrasjes së tij hedh dritë paksa një komunikatë e Divizionit I partizan e nëntorit 1944, në të cilën shkruhet: “Është për t’ u shënuar heroizimi i shokut Estref Osoja i cili vendos mitralozin mbi ndërtesën e librarisë ‘Argus’ dhe rreh armikun së afërmi drejt e në fortinët e tij të Xhamisë së Vjetër.”(“Heronj të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare: përmbledhje dokumentesh”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1984, f. 159)

Librari “Argus” ishte libraria më e madhe në Tiranë në atë kohë. Estref Osoja vdiq brenda në librarinë “Argus” por jo nga plumbat e gjermanëve. Ai vdiq për shkak se hëngri bukën që e kishte lyer me lëndën ngjitëse të cilën punonjësit e librarisë e përdornin për të ngjitur librat, të cilët ndodhte që dëmtoheshin gjatë qëndrimit në librari. Ky partizan vdiq me dhimbje të tmerrshme se iu ngjitën zorrët. Për këtë duket se u shpërblye me titullin më të lartë, atë “Hero i Popullit”.

Kjo është e vërteta e palavdishme e Heroit të vetëm të Popullit të Betejës së Tiranës. Një tjetër betejë, e cila në fakt nuk ka qenë fare betejë, por thjesht ekzekutim në pritë i pesë komunistëve, që kishin hyrë në Mirditë, ndonëse u quajt nga historiografia komuniste si Beteja e Vigut (Mirditë) e 21 gushtit 1944 ka pesë Heronj të Popullit. Për Betejën e Vigut historiografia komuniste nuk thotë që të jetë vrarë qoftë edhe një armik i vetëm. Për shkak të vendit ku ranë në pritë, pesë komunistët nuk kishin shans të vrisnin qoftë edhe një nga rrethuesit. Për Betejën e Vigut, në botimin zyrtar historik të regjimit komunist për Luftën e Dytë Botërore, “Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Popullit Shqiptar”, thuhet:

“Më 21 gusht të pesë partizanët u gjendën të rrethuar nga 200 xhandarë dhe mercenarë të tjerë. Thirrjeve të armiqve për t’ u dorëzuar ata u përgjigjeshin prerë: ‘Partizanët nuk dorëzohen për së gjalli’. Kështu nga pozicionet ku ndodheshin të rrethuar luftuan deri në fund për atdheun e për popullin”. (“Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Popullit Shqiptar”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1989, Vëllimi IV, f. 239)

Nga sa shkruhet këtu kuptohet se në Mirditë nuk kishte gjermanë, por vetëm “xhandarë” (forcë policore që ruante rendin publik), si dhe ata të cilët quhen “mercenarë të tjerë”, dhe që kuptohet se ishin fshatarë vendas të armatosur. A nuk është një paradoks domethënës që një betejë fiktive e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të ketë pesë Heronj të Popullit, ndërsa ajo që pompohet si beteja më e rëndësishme të ketë vetëm një Hero të Popullit?! Për të vrarë mbi 2000 gjermanë, a nuk duhet që të jenë kryer shumë akte heroizmi nga ana e partizanëve? Prandaj Beteja e Tiranës duhet të kishte shumë heronj të popullit. Por nuk është kështu. Merret vesh, nuk ka pasur betejë për çlirimin e Tiranës, ajo është shpike e propagandës komuniste.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora