E premte, 19.04.2024, 01:11 PM (GMT+1)

Mendime

Lazër Stani: Krijimi, një akt përtej eksperiencave

E diele, 06.07.2008, 06:27 PM


Lazër Stani
Si mendon shkrimtari Lazër Stani, a ka të bëjë përvoja jetësore me krijimtarinë letrare?

E para gjë që më shkoi në mendje, kur lexova këtë pyetje, ishte se mbi çfarë experiencash janë shkruar dy nga kryeveprat e letërsisë së njerëzimit  Iliada dhe Odisea te Homerit. Këto dy libra janë shkruar në një kohë kur nuk kishte eksperiencë letrare dhe, për më tepër janë shkruar nga një poet i verbër. Të paktën kështu thotë legjenda, kështu shkruhet në libra. Eshtë e qartë se këto dy vepra monumentale të kulturës njerëzore janë shkruar mbi një ekperiencë të dyfishtë: ekperiencën e jashtme që Homeri e mori nëpërmjet dëgjimit të historive që rrëfeheshin dhe një ekperience të veçantë e krijuar brenda shpirtit të tij. Në fund të fundit, është shumë vështirë ta përcaktosh se cilët janë faktorët që ndikojnë në formimin e një shkrimtari, sa ndikojnë eksperiencat dhe sa ndikojnë faktorët e tjerë, pasi me sa duket fati ynë është i shkruar fatalisht në genet tona dhe ne nuk mund të ndryshojmë shumë nga ajo që jemi paracaktuar të jemi.
Gjithsesi shkrimtari krijohet midis dy eksperiencave, midis dy historive: ekperiencës së brendshme që për mua është kryesorja, që krijohet prej historisë se brendshme, historisë që ndodh brenda meje dhe që është vetëm e imja, dhe ekperiencës tjetër, ekperiencës së jashtme, asaj që ne përceptojmë me shqisat tona. Kjo lidhet deri diku me kohën në të cilën jetojmë, me njerëzit me të cilët kemi lidhje të ndryshme, dashurie, miqësie, pune, ose thjeshtë nuk kemi asnjë lidhje, po ne  krijojmë një njohje rreth historisë së tyre. Borges-i vetë, gjatë gjithë jetës së tij të gjatë, u përpoq ta nxirrte vetën nga koha në të cilën jetonte, u përpoq ta çlironte vetën nga koha, ndoshta edhe për të sfiduar katastrofën që është e shkruar në trupin tonë: efektin shkatërrues të përkohësisë, të vdekjes. Në fakt është fatale që shkrimtari të jetë skllav i kohës së tij, të mbetët produkt i kohës së tij. Shumë shkrimtarë nuk i shpëtojnë dot këtij mallkimi, ndërsa ka të tjerë që jetojnë kohën njerëzore në kohën e  shkurtër dhe të papërfillshme të trupit të tyre.
Ndërkaq akti i krijimit, akti i shkrimit, është përtej çdo experience, ose është një ekperiencë e veçantë që lind në procesin e krijimit. Çdo vepër arti e krijuar, çdo poezi e shkruar, çdo histori e rrëfyer, është një eksperiencë që nuk i ngjan asnjë eksperience tjetër. Ajo mbyllet me rreshtin e fundit të historisë, në vargun e fundit të poezisë, në penelin e fundit të një tabloje, në daltën e fundit mbi mermer. Kjo eksperiencë, e fituar në procesin e krijimit, ricikliohet vetëm pjesërisht në një proces tjetër krijues, i cili prapë se prapë, shoqërohet me një eksperiencë të re.

A mund të kemi një vepër të mirë kur mungon përvoja?

Jo, nuk mund të shkruhet. Ndryshe veprat letrare do të shkruheshin nga pesëmbëdhjetëvjeçarë. Një vepër letrare, apo një vepër arti është produkt i një ekperience të shumëfishtë, produkt i pjekurisë, imagjinatës,  i dilemave të thella brenda vetes dhe e një prirjeje të lindur për ta përceptuar artistikisht botën. Për fat të keq koncepti i eksperiencës, i përvojes të ne është banalizuar, është keqpërdorur, ka vuajtur nga reduktcionizmi. Shkrimtarët gjatë epokës fatkeqe të socializmit, dërgoheshin në prodhim për të njohur jetën, për të njohur herozimin e klasës punëtore, të ndërtuesve të veprave hidrike, apo të hekurudhave, degdiseshin atje për t’u edukuar me frymën e klasës. Edhe në teoritë letrare të kohës, mësoheshin njëmijë marrëzira, jo vetëm kur interpretohej letërsia e realizmit socialist, por edhe kur analizohej letërsia e mëparshme si letersia e realizmit kritik, romanticizmi, apo ajo mesjetare. Gjithçka ishte mbrapsht, e deformuar. Kjo krijoi një klimë mbytëse për artin, për letërsinë, viktimizoi me dhjetra e dhjetra krijues, çoi në shpenzimin e energjive në drejtimin e gabuar. Një eksperiencë e tillë e imponuar ishte krejtësisht mekanike, e pavlefshme, shtypëse, aq më tepër që e përjashtonte njeriun me fatin e tij kompleks, përjashtonte njohjen reale të natyrës njerëzore, tkurrte dhe përjashtonte guximin për të udhëtuar drejt së panjohurës.
Arti në vetvete, çdo krijim letrar, muzikor, apo i ndonjë zhanri tjetër, është shprehje e shqetësimit tonë të vazhdueshëm, e sfidës sonë të vazhdueshme me realitetin në të cilin jemi të detyruar të shpenzojmë jetën tonë, me të panjohurën që na rrethon në çdo hap që hedhim, me dijenitë tona të kufizuara, me pamundësinë për të shmangur tragjizmin e fundit tonë të pashmangshëm si individë.  Ne, kund në mënyrë të vetëdijshme dhe kund në mënyrë të pavetëdijshme, krijojmë eksperiencën tonë në këto endje marramendëse midis dritës dhe errësirës dhe kjo eksperiencë është e domosdoshme, është energjia prej nga merr jetë një vepër arti, duke krijuar një eksperiencë përtej eksperiencave.

Mund të na tregoni ndonjë rast konkret kur përvoja u ka ndikuar?

Tregimin e parë që e ruaj edhe sot e kësaj dite e kam shkruar në moshën 27 vjeç. Edhe tregimin e parë të botuar ”Mara nuk është e qartë” e kam shkruar në këtë moshë. Këtë tregim nuk e kam përfshirë në asnjërin prej librave të mi, por di që më solli një emocion të jashtëzakonshëm. Miqtë e mi shkrimtarë e pritën me entusiazëm, me vlerësime që në fakt ai tregim nuk i meritonte. Mbaj mend një miken time që më thoshte: “Eshtë tregimi më i bukur i letërsisë shqipe në këto 45 vjet”. E vërteta është se ai ishte një tregim ndryshe, dëshmonte se po vija në letërsi nga ana tjetër e botës, jo andej prej nga kishin ardhur shkrimtarët prej shumë e shumë vitesh. Disa muaj më vonë kur botova “Njeriu i Dosjes” apo “Margaritarët”, mbaj mend se midis miqve shkrimtarë, i mora të gjitha vlerësimet e mundshme, sidomos nga poetët. Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Dritëro Agolli shprehën vlerësime shumë pozitive, madje Dritëroi edhe publikisht nëpër intervista. Nuk ishte pak të gjeje kaq ngrohtësi dhe vlerësim, kur ke botuar vetëm dy-tre tregime në shtyp.
Vetë shkrimi po më krijonte një eksperiencë të veçantë, të shkruarit po më ndryshonte dhe eksperienca e përftuar në procesin e krijimit ishte diçka krejtësisht e re, një ekperiencë përtej ekperiencave.
Natyrisht si nënshtresa të kësaj ekperience janë eksperienca të mëparshme, të krijuara që në fëmijërine e hershme.
Unë kam lindur një një zonë shumë të veçantë, në Pult të Dukagjinit, në zonë nga çdo pikëpamje e jashtëzakonshme, të paktën për syrin dhe për shpirtin tim. Unë isha një fëmijë i vetmuar, nuk shoqërohesha me moshatarët, më shumë rrija me pleqtë, njerëz në moshën e gjyshit tim dhe më të vjetër ende, tetëdhjetë- nëntëdhjetëvjeçarë. Ata nguliten në shpirtin dhe në mendjen time ekperienca të jashtëzakonshme; ngjanin të gjithë si filozofë dhe të gjithë ishin shumë të ndryshëm nga njeri-tjetri. Te këta burra gjithçka ishte e fortë dhe ekstreme; dashuria, guximi, ndjeshmëria, forca, mençuria. Ata e vrisnin shumë mendjen per jetën njerëzore dhe kur nuk gjenin asnjë zgjidhje për dilemat e shpirtit të tyre, i futnin një të qeshur, e merrnin jetën si një shaka, si një lojë që dikush kishte kurdisur në kurriz të tyre dhe ata ndjeheshin të paqufishëm për ta ndaluar ose ndryshuar. Në fund të fundit ata nuk jepeshin dhe nuk kishin frikë: njeri prej këtyre burrave, ndërsa ndodhej në vig, i urdhëroi burrat që e mbanin në krah, ta ndalnin tek një krua dhe një bli shumë i vjetër: “Burra më ulni, tha. E mori dreqi edhe një shpirt”. Qenë fjalët e fundit që shqiptoi përpara se ta lëshonte fryma. Ishin kaq të veçantë dhe kaq trima sa nuk dinin të luteshin, nuk pranonin më saktë.  Prej këtyre eksperiencave të hershme vijnë disa prej tregimeve të mi, si “Shtrati i dytë i lumit”, që edhe i përkthyer italisht, më kanë thënë se është pritur shumë mirë.

 E ka të vështirë letërsia e mirë komunikimin me publikun e gjerë?
 
Kur flasim për publik të gjërë, flasim njëkohësisht për turmë. Dhe turmat kanë instinktin e kopesë, shkojnë pas berihajit. Reklamat, televizioni, gazetat, teknologjia e informacionit, kanë një ndikim të dukshëm mbi turmat, ose mbi të ashtuquajturin “publik të gjërë”. Lexuesi i letërsisë së mirë është një pakicë që ka tendencë të shkëputet nga turma, një pakicë që ka shije dhe prirje elitare. Sigurisht kjo pakicë nuk është ai që quhet “treg”. Tregu gjithmonë është i kontrolluar nga modat, tendecat, snobizmat, madje edhe nga spekulimet e mashtrimet. Letërsia e mirë nuk është modë, nuk është objekt për një show televiziv. Pra, në këtë kontekst ajo e ka të vështirë të ketë marrdhënie miqësore me publikun, vetëm në ato raste kur ka një lidhje midis letërsisë së mirë dhe propogandës, e cila në vetvete mund të mos bëhet fare për motive letrare. Ne shikojmë shkrimtarë të këqinj, vërtetë të palexueshëm, që kanë emër publik. Ky është efekti negativ i tregut, presioni negativ i publikut mbi letërsinë.
Pra në kontekst të pyetjes tuaj, letërsia e mirë i ka të vështira marrëdhëniet me publikun e gjërë. Por, nga ana tjetër, ajo është e vetëmjaftueshme dhe mbijeton përtej turmave.

A duhet të shqetësohemi në mos për një vdekje, për një "nokdaun" të letërsisë?

 Kjo është një temë e diskutuar nxehtësisht në vitet gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë, pas depertimit agresiv të televizionit dhe profilizimit të shoqërisë së konsumit. Në provincën tonë erërat e zhvillimit fryjnë me vonesë, kështu që shpesh vuajmë nga shqetësime të vonuara, nga shqetësime të tejkaluara. Mund të them se gjatë dhjetvjeçarëve të fundit kemi një letërsi të jashtëzakonshme, si letërsia e krijuar nga John Maxwell Coetzee, përshembull, se po përmend vetëm një rast. Pra, letërsia do të mbijetojë dhe arti në përgjithësi, do të mbijetojë, për sa kohë të mbijetojë njeriu, për sa kohë të ekzistojë vuajtja dhe vdekja.

 Morali dhe letërsia ç'lidhje mendoni se mund të kenë me njëra-tjetrën?

Unë do të dëshiroja që letërsia të ishte vepër e njerëzve me moral të lartë, e njerëzve të pakorruptueshëm, e njerëzve që krijojnë një model referimi për jetën tonë. Por kjo nuk është e thënë. Ne kemi një njeri me moral të jashtëzakonshëm si Ernesto Sabato, siç kemi një njeri me moral të dyshimtë si Mihail Aleksandroviç Shollohov. Por, si “Tuneli”, si “Fati i njeriut”, apo si “Mbi Heronjtë dhe Varrëzat” dhe si “Doni i Qetë”, janë libra të rëndësishëm për letërsinë botërore. Edhe shkrimtarët janë njerëz. Ata nuk janë të imunizuar nga dobësitë njerëzore, nga veset njerëzore. Pastaj vetë morali është një koncept relativ. Diçka që është e moralshme në një shoqëri, mund të jetë e pamoralshme dhe e dënushme në një shoqëri tjetër. Letersia qendron disi jashtë ligjeve të moralit.

Po filozofia si pozicionohet karshi letrares?

Jean-Paul Sartre, thotë se filozofet më të mençur kanë bërë nga një pyetje, por asnjë filozof nuk ka dhënë një përgjigje. Letërsia operon në një truall ku nuk arrin dot filozofia, në një truall dhe hapësirë të përtejme. Në këtë kuptim, letërsia është superiore, sepse është ajo që na flet ende, kur filozofia ngren duart. Tendenca për të filozofuar është vdekjeprurëse për një vepër letrare, ndaj dhe autorët më të mirë modernë e kanë shmangur këtë sindrom të së shkuarës.
 
A mund të ketë dallim apo klasifikim të letërsisë në bazë të seksit të aurtorit?

Nuk është normale ta klasifikosh letërsinë sipas seksit të autorëve, ndryshe përveç letrësisë së femrave e të burrave, do të kishim edhe letërsi të homoseksualëve, të leisbikeve etj. Sidoqoftë një farë ndikimi e ka edhe seksi dhe kjo ka të bëjë me diferencat e përceptimit të botës nga sekset e ndryshme, me impulset e brendshme që provokohen nga instinkti seksual. Tek autorët më të mirë, këto diferenca ose tejkalohen e bëhen të pandjeshme, ose shtojnë diçka që është shumë interesante. Unë i kam lexuar me shumë andje librat e autoreve femra, sepse ato shpesh eksplorojnë në një botë që ne burrat, nuk mund ta përceptojmë, për shkak të konstruktit tonë fizik. Ajo që nuk duroj as në jetë, as në letërsi, janë femrat-meshkuj, femrat që përpiqen të imitojnë burrat, që përpiqen të ndjejnë e të flasin si burra.
Kjo tokë, në të cilën jetojmë, është kaq e bukur sepse ushqehet nga dy ngrohtësi të mëdha: ngrohtësia e diellit dhe ngrohtësia e gruas.

Duhet dhe a mund ta thotë krejt të vërtetën shkrimtari  në një autobiografi ose në shkrimin e kujtimeve të tij?

Nganjëherë ne jemi shumë kërkues ndaj shkrimtarit: ngaqë e duam, kërkojmë që ai të na thotë gjithçka rreth vetes së tij, të gjitha hollësitë, të gjitha detajet, të gjitha të fshehtat e jetës. Eshtë një kërkesë ekstreme, sepse siç shkruan një poete, “E vërteta është privilegj i tjetërkujt”. Marrdhëniet njerëzore janë shumë komplekse, shumë të ndërlikuara. Ka të vërteta që ne u shmangemi, të vërteta që ne nuk duam t’i dimë. Shkrimtari vetë, nëse ka vendosur të shkruajë një libër me kujtime, apo një libër për vetën (autobiografi) tregon të vërtetat që ka andje t’i dëgjojë edhe vetë, jo ato të cilave u shmanget që të mos i takojë kund rrugës. Përzgjedhja e këtyre të vërtetave varet nga natyra e shkrimtarit, nga mënyra se si ai e koncepton jetën, botën. Megjithatë, kam përshtypjen, se në libra të tillë, gjithmonë ka diçka të pathënë, diçka që shkrimtari e merr me vete në botën tjetër, sikurse çdo njeri tjetër. Rrëfimi është një akt kristian që dëshmohet para syve të Zotit, jo para syve të njeriut. Por ne, prapëseprapë, duhet ta falenderojmë shkrimtarin për ato që na rrëfen.

Intervistoi: Petrika Grosi
Botuar ne gazeten “Albania”, e diel, 6 korrik 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora