Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Njeriu i revoltuar si dominues!

| E diele, 16.11.2014, 07:35 PM |


Njeriu i revoltuar si dominues!

Nga Dr. Ilir Muharremi

I revoltuari na del më i mençur se i zoti, me jo-në, nuk e duron kamxhikun, por thotë edhe po-në nga impulsi i parë.  Nëse “jo” vërteton ekzistimin e një kufiri, atëherë e bënë më të mençur të revoltuarin i cili papajtueshmërinë e shpreh. E drejtë e lejueshme, por sipas Camus edhe konfuze si e drejtë, përse konfuze kur ai mendon që ka drejtë kundër padrejtësive. Padrejtësitë nuk kanë peshë më shumë se drejtësitë. Nuk janë konfuze sepse e drejta te Camusi është në paramendim, jeta e tij shkatërron mendimin për drejtësinë. Revoltën e lidh me ndjenjën si drejtësi absolute tonën, por ndjenja gjykon vet para mendimit, qëllimi i të revoltuarit qenka dominimi dhe paraprija e të zotit, dukshëm shkel mbi barazinë. Robi pohon po-në edhe jo-në, jo-në nga ndjenja pafajësia e arsyes e cila i jep drejtësinë, po-në si padrejtësi që i bëhet. Çdo njeri dëshiron me kokëfortësi të shpreh se ka në të diç që ja vlen, por të kemi kujdes në të, ai paralajmëron zotësinë dhe ashpërsinë e tij. I revoltuari deri në një masë pranon dëshpërimin dhe gjykimin që i bëhet, e pret kufirin që ta zotëroj shtypësin. Nëse analizojmë heshtjen e të shtypurit, qëllimi i tij ishte mos dëshirë, mos kërkesë, por ne veçanti ai kërkonte gjithçka që i kundërvihej, për të zotëruar. Zotërimi vjen nga padrejtësia që i bëhet. Në momentin kur flet, shpreh jo-në, para kësaj qe durimi si ngulmim i zotërimit të zotit që ecte nën kamxhikun e tij. Camus revoltën e ngritë si vetëdijesim-impulsi që bredh diçka brenda të revoltuarit që nuk është ndier deri në momentin final. “Robi i duronte të gjitha keqtrajtimet përpara se t’i ngjallej impulsi kryengritës”, thotë Camus (Albert Camus, Njeriu i revoltuar, Prishitnë, 2010, fq.22.) Kryengritës ndaj padrejtësive që qenë të heshtura, deri në momentin sfidues, i cili kërkon barazi, dhe në të njëjtën kohë zotësi. Më shumë do thosha zotësi. Përse i revoltuari duronte dhe refuzonte në vete padrejtësinë? Ai e dinte interesin e ngulimit të zotësisë më shumë se sa lejimin e të drejtës. Humbja e durimit sipas Camus-it fillon me impuls që mund të shtrihej në tërë atë që më parë ishte pranuar. Pranimi i duruar në heshtje, dhe kundërshtimi dërgojnë robin në fuqinë e zotëruesit, duke e kthyer zotin në rob. Barazia është vetëm qetësi e padrejtësive e cila esencialisht nuk durohet nga të dytë. Në një farë forme robi mendon se ka të drejtë derisa zotëruesi duhet të merr nga robi. Ajo që dikur ishte rezistencë tash është pushtet i mirë për të. Camus nxjerr kërkesën e gjithçkaje të robit ose asgjënë. Revolta dhe vetëdija bashkëjetojnë vetëm se errësira kaplonte heshtjen dhe i revoltuari me pavetëdije ndjente dëshirë për të mirën e kundërthënies në formë totale të sundimit, duke i mbështjell pas kënaqësisë. I revoltuari posedon me shumë fuqi sesa i përuluri përjetësisht ndaj zotit, mirëpo në një farë forme vetëdija posedon revoltën vetëm se duhet më shumë besuar në të drejtat e kënaqshme, për ta provuar forcën e refuzimit. Nuk është qëllimi vetëm te padrejtësia dhe durimi i kohës, gjendja kërkon sfidën e zëvendësimit të pushtimit dhe shtypjes, jo bashkëveprimit dhe barazisë, shkundjes së padrejtësisë për nivelizim të drejtësisë. Camus nuk e shpreh qartë fenomenin e lindjes së njeriut që shkon me revoltën si pretekst, dhe sundimit si qëllim. Ai arsyeton forcën e të revoltuarit si përulje vetëm ndaj vdekjes duke parë këtu lirinë. “Më mirë të vdiset në këmbë, se sa të jetohet i gjunjëzuar”, thotë Camus. Të vdiset në këmbë nga kërkesa e sfidës së paarritshme brenda qëllimeve të drejtësisë ekzistenciale e cila mbështetet te kryengritja për qëllime përfituese sunduese. Në një farë forme robi ngritët kundër fatit, por fati qe shkruar para se të lind ai. Ose ai korrigjon fatin në dobi të vetvetes duke lakmuar pas pushtimit si e mira e ekzistencës.

Camus nga autorët nxjerrë faktin se kalimi në të drejtën, nga e dëshiruara në të dëshirueshmen, zakonisht të përgjithshme. Në revoltë vërehet kjo, e drejta ngritët si zgjidhje, por bashkë me të shkon dhe dominimi si kënaqësi. Pasi që revolta lind nga brendësia individuale e njeriut, në pyetje e vë jo veç nocionin e individit, por edhe qëllimin e pushtimit të tij. Nga kjo nuk mund të iket. “Të drejtat që një njëri merr janë në raport me detyrimet që ai i vendos vetes, me detyrat me të cilat ai ndjehet i barabartë’ shkruan Nietzsche. E mira e tij tani e tutje në radhë të parë është e përbashkët me egoizmin dhe të drejtën. Camus merr pohimin e Schelerit duke potencuar revoltën si vetëhelmim, sekretim i  rrezikshëm i mbyllur në enë me një pafuqi të zgjatur.  Revolta turbullon, ndihmon magmën vullkanike të qenies. Në anën tjetër vet Camus ndjen revoltën me mbrojtjen e asaj që është. Bënë të pranueshëm diçka që ka e cila qe e pranueshme nga vetë ai. Ai dëshiron të tjetërsohet nga ajo që është. Fjala është për kryengritje, vullnet për pushtet me të cilin identifikohet çdo ekzistencë. Camus fsheh pushtimin me imponimin, por prapë e njëjta gjë është. Vetëm se imponimi është më i dyshimtë na raste kur shfaqet.

Revoltën dhe artin Camusi e përqendron te refuzimi, por edhe te pranimi, ngaqë arti merr nga realja. Artisti në llogari të veten merr nga e vërteta, ngaqë çdo esencë është identike me të tjerat. Revolta e artistit bëhet e madhe sepse ngulmon për unitet. Vepra e tij ka të drejtë sipas mendimit, e padrejta ngritët në fuqinë dominuese, imponuese bashkë me revoltën. Të bukurën që nxjerr nga Platoni e vë mbi botën, këtu ka të drejtë dhe vetëm bukuria lejon të revoltuarin të dominojë. Në një farë forme Camusi fsheh këtë proces dominimi duke lënë të bukurën të flasë. Revolucionarët e kohëve moderne dhe postmoderne aplikojnë moralin duke mënjanuar të bukurën. Këtu revolta ka të drejtë në llogari të artit. Ai nxjerr “Artin për progres” si një vend të përbashkët të rrimarë nga Hugo-ja, që sipas Camusit pa mundur të jetë bindës. Nuk mundi të shpreh mallkimin identik. Nuk ka art dominues, dhe Marxi konstaton se shpreh vlerat e klasave dominuese. Camusi artin e vë në shërbim të kohës, të shtypur dhe vetëm revolta e lartëson duke dominuar. Nëse arti del jashtë historisë, atëherë bukuria është absolute dhe racionale. “Transformimin e vetë historisë në bukurinë absolute” thotë Camus. Këtu ai rifillon çdo gjë dhe e mbaron. Tërë rruga dhe pauzat vërtiten kah revolta për të arritur te absolutizmi të cilit nuk i kundërvihet asnjë armik, vetëm miqësia definitive. Atëherë, si mund arti të krijoj unitete absolute kundërpërgjigje, të rregulloj padrejtësi, kur transformon historinë në bukurinë? Bukuria është absolute, historia është proces i kundërt me artin. Nëse shtyjmë artin si diçka të fundit, Camus e cilëson si pendesë. Pendesa përdoret si triumf bërje në llogari të tij, duke u brejt nga ndërgjegjja. Arti luan arsyen, shtyrjen e bukurisë përtej kohëve të revoltuara. Nëse në çdo revoltë zbulohen ngulmimet metafizike të unitetit, atëherë zbulimet, kuptimet dhe faktet e universit janë prodhuese të kthyera përjetësisht nga të cilat nuk mund të dalim. Nëse kjo fabrikon artin siç mendon Camusi, nuk kemi distancë estetike, por pranim real pjesërisht kundërpërgjigjes për atë çfarë i intereson. Çdo mendim i revoltuar ilustrohet në një kuptim si qëllim të mbretërimit, pushtimit e asaj çfarë njeh. “Artisti e ribënë botën për llogari të veten”, ky mendim i Camusit, na bënë më shumë ekzistencialist dhe prirja kryesore e ekzistencializmit është ta verë njeriun në zotërim të asaj çka ai është, përgjegjës të plotë mbi ekzistencën. Nëse ekzistenca mbartë përgjegjësi nga vetja, atëherë njeriu është uni dhe absolutizimi shpirtëror, pa revoltë, pa reale, ekziston një fiksion i vërtetë perceptues që e bënë gjithnjë skeptikë ndaj reales. Arti sipas Camusit na shpie në origjinat e revoltës, ndërsa Nietzsche-ja refuzonte çdo gjë hyjnore, por bukuria mund ta shpie në parapëlqim, edhe pse bukuria është e dyshimtë ndaj vetes, dyshimi zgjon nostalgji dhe fëmijëri naive dhe gjithmonë do të jetë tërheqëse. “Arti ka për qëllim të hyjë në zhvillim për t’i dhënë stilin që i mungon”, mungesa e Camusit shpreh dyshimin e plotësisë që duhet të jetë e që nuk ishte, në një farë forme revolta dominon, por jo vetëm si padrejtësi, por si sundim estetik e që në fund bëhet dyshim ndaj vetes.