E enjte, 23.01.2020, 04:49 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Berisha: Fryma e fundit e babait dhe vjeshta në Pejë

E premte, 14.11.2014, 08:19 PM


R e f l e k s i v e

FRYMA E FUNDIT E BABAIT DHE VJESHTA NË PEJË...!

Një ditë, herët në mëngjes, posa isha zgjuar, në mendje m’u krijuan dy dilema: a të dalë si zakonisht te restoranti “Nositi” apo sot të ndërroj diçka. Por, nuk vonova për të vendosur, sepse, një erë e përmallshme vjeshte, në oborrin e vogël të shtëpisë sime i hodhi disa gjethe të lulëse nga molla e fqinjit, sepse në oborrin tim nuk kam asnjë pemë. Dhe se çfarë bëri ai “fluturim” dhe rënie gjethesh. Aq shumë më provokoi, sa mendja harlisi dhe ec e merre me të mirë. Më detyroi të shkoj përmjedis atyre thepave të shkëmbinjve të Grykës së Rugovës, ku tash isha i rrethuar me drunj nga më të ndryshmit, që edhe ata pedateshin me dhembjen se përshëndeteshin me gjethet e tyre. Isha  plot mllef e dhembje.

Nga Sejdi BERISHA

1.

U ula mbi një shkëmb dhe pa me penguar askush, vura plugun e mendjes në atë fillimin e fillimit, kur isha dikur i vogël dhe ngadalë ngjarjet i futja si rruazat në pe.

Dua t’u them se m’u kujtua në atë vjeshtën e atëhershme, ishte mëngjes dhe isha i uritur. Nuk doja ta ngushtoja nënën time, dhe kishte kohë që i kisha pikatur dy dardha hasi, që kishin ngelur në kurorën kësaj peme në bahçe, të cilës edhe gjethet i kishin ikur. E mora një shtagë dhe me të paren ia qëllova shenjës. Të dy dardhat ranë në tokë shumë më shpejtë se gjethet e zverdhura dhe plotë mall e zemërim në të njëjtën kohë.

Të ju them të drejtën, shumë u gëzova, u ula pranë gardhit dhe me oreksin më të madh i ngrëna ato dy dardha që ma rrudhen gojën, por e kreva mëngjesin. Mirëpo, pa e përfunduar së ngrëni dardhën e dytë, nëna ia behu në bahçe, e cila në dorë mbante një copë bukë misri duke avulluar dhe një spec turshi:

-Ja, biri i nënës. Po ku më ike aq herët...?!

Nuk desha t’ia shpjegoj qëllimin tim, për atë edhe nuk iu përgjigja. Por, buka misëroke dhe speci plot kripë, është e vërtetë, ma kënaqen shpirtin.

Tash, të kthehem tek shkëmbi ku isha ulur. Faqet m’u kishin bërë qull nga lotët, dhe të ju them të drejtën, fortë më erdhi inat. Por, kisha dëshirë prapë të vazhdoja udhëtimin, sepse, sot nuk më pengonte askush, përveç erës bukur të sertë të vjeshtës dhe gurgullimës së ujit të Lumëbardhit që përplasej nëpër shkëmbinjtë shekullorë. Dhe, pas pak, një fshatar me një tubë bagëtish zdirgjej nga Rugova, më iku mendja atje larg në vjeshtën e vitit 1954. Atëbotë, ore isha shumë i vogël, por edhe sot habitem sa kam pasur aq dhembje e mall për gjithçka, dhe kjo veti përherë më ka përcjellë edhe si barrë, por edhe si një lloj kënaqësie e krenarie. Nuk e di se a është mirë apo jo...! Mirëpo, nuk po ua zgjas. Atë vit, atë sene, babai kishte vendosur që tani e tutje jetën ta kalojmë në qytet. Shkaku kryesor isha unë, si djalë i vetëm në familje, në mënyrë që të mund të shkollohem dhe të mos mbetëm njeri me sharrë dhe shat e kosë në krah. Por, ajo ditë ishte e tmerrshme. Nuk mund pajtohesha ta lë shtëpinë, edhe pse nuk ishte jona, por paradoksi tjetër: kur u përshëndeta me të gjitha këndet e shtëpisë, me oborrin dhe me derën

e improvizuar, më e rënda ishte kur hyra në ahur dhe kur e pashë atë të zbrazët... Babai për të m’i krijuar kushtet e jetesës në qytet i kishte shitur të gjitha ato pak kafshë: lopën Kuqeshë, kalin allç dhe murrojën e larojën, me të cilët sa arat e fshatit i kishte lëvruar... I tëri isha dërmuar nga dhembja e malli... U nisëm kështu me cak, por pa ditur fatin se si do të rrjedhë jeta, që edhe në qytet në fillim ishte me përplasje e shpirt të thyer... Kjo ishte vjeshta e atij viti, që na përcillte me rënie gjethesh...!

2.

Rrugëtimi përherë është interesant, por padyshim se nuk është kopsht me lule. Mbi shkëmbin që tani më ishte shndërruar si një qilim fluturimi, erdha deri tek viti 1964. Atë kohë kur e mbarova shkollën fillore dhe duhej të regjistrohesha në gjimnaz. Edhe gëzim, edhe dhembje edhe frikë... Kush e di se a do të mund të regjistrohesha, sepse, ma thoshte mendja se babai me tirq dhe opinga nuk do të mund të bënte punë?! Ky rrëfim do të ishte i gjatë shumë për t’u shtruar në këtë shkrim, por edhe këtë sfidë e kalova. Tani, në gjimnaz, dita e parë më ishte plotë dilema. Në shkollë shkova me opinga... Nuk po ua komentoj më gjatë, as nuk do t’i theksoj e përmendi pantallonat me arna dhe as xhemperin e çantën-janxhikun që kishte vite që ma kishte thurë motra... Por, koha më e ngrohtë dhe përcëlluese ishte shkollimi në gjimnaz, sepse, tash kuptoja shumë gjëra, e shpirtin e kisha rebel e mendjen bukur të mprehtë, të cilat, në situata të këtilla bijnë ndesh, dhe kështu, njeriu gjithmonë është flakë e zjarr për gjithçka...

Ashtu edhe ndodhi dikur më vonë,... kah përfundimi i shkollimit. Ngase, edhe pse i kisha premtuar babait se do të mësoj e do ta kryej me sukses shkollën, diçka nga brenda, nuk dua të tregoj se çfarë, por më përjashtuan nga procesi mësimor,... Dhe, kjo ishte, të them kushtimisht, vjeshta historike e plotë dhembje besa edhe nostalgjike për mua!

Edhe kjo ishte stinë që kalova në qytetin e Pejës... Por, dua t’ua them ndoshta për të shumtën herë: gjethet e vjeshtës i dua shumë, prandaj edhe më krijojnë dhembje, sepse historia jonë është e çuditshme dhe plotë ngjarje e rrëfime rrëqethëse... E Peja ka ngjarje të shumta, sa herë kam thënë, ka traditë, ka histori,... e të gjitha këto i kanë rrëfimet e veta, edhe stinët e vjeshtës, edhe gjethet që i shtresojnë motet, deceniet e shekujt... E, më së shumti zemërohem se nuk kemi traditë për t’i kontrolluar dhe për t’i shkruar defterët e jetës... Kurse, vjeshta ka simbolikë qortimi dhe qortimi...

3.

Duke medituar mbi shkëmb, bukur shumë kishte ikur koha, dhe m’u ngulit viti 1973. Atë vit më kishte vdekur babai, legjenda e jetës sime dhe e familjes. Nuk dua të them shumë, vetëm dua t’u tregoj se frymën e fundit e ka lënë në duart e mia. Respektivisht, duart e tij i kisha duke i shtrënguar me duart e mia, sepse, kështu kërkoi në momentet e fundit të jetës...

Atë pasdite, po në atë minutë kur babai ngeli pa frymë, një rrebesh shiu përfshiu qytetin, kurse bubullima sikur donte ta fundoste qytetin... Ky ishte momenti kur babai fizikisht u nda nga ne dhe nga jeta... Gjithnjë jam përpjekur ta komentoj këtë fenomen, por asnjëherë nuk jam i kënaqur, sepse sikur ende nuk ia kam qëlluar shenjtërisë, qëndresës dhe madhështisë së babait...! Do vazhdoj gjithnjë për ta komentuar e madhështuar këtë moment historik por të dhimbshëm, edhe në stinën e vjeshtës!

4.

Tash, ec e ç’kapu nga ky rrugëtim. Por, ika shpejtë, e arrita aty ku më dhemb dhëmbi. Në vitin 1992, edhe nëna sikur më “tradhtoi” dhe tamam shpirti m’u varfërua. Kjo grua me madhështinë e urtisë e të durimit (mos thoni se të gjithë kemi nëna), u përballoi stuhive më të rënda të kohës, edhe të historisë, edhe të okupimit, edhe të varfërisë, edhe të nënçmimit, por nga të gjitha këto, nëna ime bëri kala njerëzie dhe jetën na e shndërroi lumturi. Duke menduar thellë për të depërtuar nëpër motet e saj, një oshtimë më nxori nga mendimi, kurse, gjethet e vjeshtës më kishin kapluar tërë trupin, ndërsa lotët kishin shërbyer që ato të ngjiteshin për fytyrën dhe trupin tim. Tash, u ngrita në këmbë, por kujdesshëm se mos po rrokullisem nga shkëmbi. Shikova përreth, sërish, vetëm shkëmbinjtë dhe Lumëbardhi më shoqëronin së bashku me gjethet e vjeshtës. Poshtë, qyteti i Pejës sikur ditën flinte i mbështjellë me frymën dhe gjethet e vjeshtës, me vetitë e kësaj stine mbretëreshë e të gjitha rrjedhave të botës dhe jetës...!

U ktheva në qytet, por tash i dërmuar nga rrugëtimi nëpër vjeshtë. E, vjeshta në Pejë, gjithnjë ma detyron kthimin pas, ndoshta nga hidhërimi, nga protesta e shpirtit. Por, gjithnjë nëpër tërë atë rrugëtim, asnjëherë nuk mund e gjeta atë çelësin e rehatisë dhe të lumturisë, dhe as atë kutinë e bashkimit të mendjes dhe punës së njeriut. Në një libër kam shkruar: “Peja ka traditë,... Peja i ka të gjitha rrugët që e lidhin me botën! Peja është në mes të botës. Nëse nuk besoni, provojeni dhe shtrijeni metrin dhe mateni?! Peja provokon,... Peja kërkon më shumë dritë në histori. Peja kërkon punë, sinqeritet, ndërgjegje, kuptim e mirëkuptim për jetën dhe rrjedhën e saj. T’i hapim defterët, t’i hapim librat,...ta marrim lapsin,... të shkruajmë! Sinqerisht...”.

Nuk di, edhe atëherë a ia kam qëlluar, por vjeshta në Pejë është e dhembshme dhe krenare mbase edhe udhërrëfim për ikjen e moteve...!



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT